23/12/2024

SKEMA E DËBIMIT TË SHQIPTARËVE MYSLIMANË NGA GREQIA

0
Arben-Kondi-Debimi

(Arben Kondi: ‘’DËBIMI’’, roman historik, botoi ‘Çamëria’,Tiranë, 2024)

Nga Adil FETAHU

Kohë më parë doli nga shtypi romani i dhjetë historik i shkrimtarit të njohur Arben Kondi, me prejardhje nga Çamëria. Romani mbanë titullin e shkurtër, por simbolik e domethënës: DËBIMI. Në roman trajtohet dëbimi i shqiptarëve myslimanë nga Çamëria, Epiri dhe Maqedonia e Egjeut, në periudhën e viteve 1923 – 1926, sipas një skeme të përcaktuar me marrëveshjen ndërkombëtare të lidhur midis Greqisë e Turqisë, në Lozanë të Zvicrës më 30 janar 1923. Dëbimin e shqiptarëve myslimanë nga Greqia për në Turqi, autori e quan gjenocid, sepse këtë karakter e kishte ai dëbim. Dhe unë do shtoja se ai ishte gjenocid fizik, etnik, moral, politik, fetar, ekonomik dhe social. Sepse i kishte të gjitha këto karakteristika në vetvete.

Gjenocidi grek ndaj shqiptarëve, sidomos atyre të besimit mysliman, është zhvilluar në tre cikle kryesore: në periudhën 1913 – 1914, pas pushtimit dhe aneksimit të Çamërisë dhe Epirit; në periudhën 1923 – 1926, me skemën e shkëmbimit të popullsive pas luftës greko-turke të viteve 1919-1922; dhe është përfunduar në vitet 1944 – 1945, pas Luftë së Dytë Botërore.

Autori Arben Kondi, në romanin DËBIMI e trajton dëbimin nga Greqia të shqiptarëve myslimanë të Çamërisë, Epirit dhe Maqedonisë greke, që u zhvillua në periudhën 1923 – 1926, kur pothuajse u dëbuan për në Turqi të gjithë shqiptarët myslimanë të Maqedonisë së Egjeut,  dhe shumë tjerë nga Epiri dhe Çamëria.

Pas luftës greko-turke (1919 – 1922), në të cilën Greqia humbi territore të pushtuara në Azi të Vogël, minoriteti grek që jetonte në Turqi, ndihej i pasigurtë dhe një numër i madh i atij minoriteti, bashkë me ushtrinë greke të mundur në luftë, u tërhoqën e shkuan në Greqi. Ky fakt shkaktoi problem refugjatësh. Të dy shtetet zhvilluan bisedime të gjata për shkëmbimin e popullsive, derisa arritën një marrëveshje më 30 janar 1923, sipas së cilës ‘’Që nga 1 maji 1923, do të bëhet këmbimi i detyrueshëm i shtetasve të Turqisë të fesë ortodokse me qëndrim në territorin e Turqisë, me shtetasit e Greqisë të fesë myslimane me qëndrim në territorin e Greqisë’’. Përjashtim bëhej vetëm për grekët e Stambollit, dhe Turqit e Kretës.

Lidhja e Kombeve e kishte formuar Komisionin Mikst i cili do të  mbikëqyrte procesin e shkëmbimit të popullsive, si dhe disa nënkomisione të cilat do të merreshin me identifikimin dhe hartimin e listave të familjeve dhe të personave të cilët do të përfshiheshin në skemën e shkëmbimit.

Me qenë se Marrëveshja e shkëmbimit të popullsive ishte marrëveshje e lidhur midis Greqisë e Turqisë, ato i kishin përfaqësuesit e tyre në Komisionin e Përgjithshëm dhe në të gjitha nënkomisionet, të udhëhequra nga përfaqësues të Lidhjes së Kombeve, ndërsa në ato komisione nuk ishte asnjë shqiptarë, madje edhe përkthyesit për kontakt me shqiptarët ishin grekë!

Përcaktimi i tillë me Marrëveshjen e Llozanës për shkëmbimin e popullsive, bazuar në përkatësinë fetare, pa marrë parasysh atë etnike, bëri që edhe shqiptarët e besimit mysliman që jetonin prej shekujsh në trojet e veta të pushtuara nga Greqia, të përfshiheshin në skemën e shkëmbimit të popullsisë.

Administrata greke, me dredhi e hile, i kishte binduar anëtarët e Komisionit të Përzier dhe anëtarët e nënkomisioneve, se edhe shqiptarët myslimanë duhet të shpërnguleshin. I kishin përgatitur listat e familjeve dhe personave për shpërngulje. Ua kishin sekuestruar pasuritë, tokat e shtëpitë personave të përfshirë në listat e shpërnguljes, ndërsa në shtëpitë e tyre kishin vendosur refugjatët grekë të ardhur nga Turqia.

Duke parë rrezikun e shpërnguljes së popullsisë shqiptare nga Greqia, Qeveria dhe diplomacia shqiptare alarmoi Lidhjen e Kombeve, duke kërkuar që shqiptarët të përjashtohen nga skema e shkëmbimit të popullsive, sepse ata përveç besimit mysliman, nuk kanë asgjë të përbashkët me turqit dhe Turqinë, as në pikëpamje të etnisë, as të gjuhës, as të kulturës. Ishin dërguar në adresa të ndryshme: në Qeverinë greke, në Qeverinë shqiptare, në Qeverinë Turke, në Lidhjen e Kombeve qindra letra, telegrame, peticione, memorandume, raporte, transkripte, thirrje, shkrime gazetash, procesverbale, rezoluta, udhëzime, shpjegime, komunikime, deklarata e dokumente tjera, me të cilat kundërshtohej përfshirja e shqiptarëve në këmbimin e popullsisë dhe pasojat që rrinin prej atij këmbimi.

Menjëherë pas Marrëveshjes së Llozanës, Qeveria e Shqipërisë e emëroi për ministër fuqiplotë të Shqipërisë në Athinë diplomatin e patriotin e njohur Mit’hat Frashërin, birin e rilindasit Abdyl Frashëri. Në të njëjtën kohë Rauf Fico ishte ambasador i Shqipërisë në Ankara, Mehdi Frashëri ambasador në Londër dhe përfaqësues në Lidhjen e Kombeve, Benedikt Blinishti konsull në Zvicër dhe përfaqësues i përhershëm në Lidhen e Kombeve, Nezir Leskoviku, konsull në Stamboll. Ishte kjo një rrjetë e patriotëve shqiptarë me të cilët bashkëpunoi e bashkëveproi Mit’hat Frashëri, për të penguar shpërnguljen e shqiptarëve nga Greqia. Natyrisht, si ministër i Qeverisë së Shqipërisë në Athinë, në kryeqytetin e shtetit që po bënte të gjitha llojet e presionit të ashpër për shpërnguljen e shqiptarëve,  barra më e madhe për pengimin e asaj shpërngulje binte mbi të. Dhe ai punoi ditë e natë, në kontaktet me qeveritarët grekë, me personalitetet e Lidhjes së Kombeve të angazhuara në Komisionin e Përzier dhe nënkomisionet për identifikimin e personave për shpërngulje, të cilëve ua bënte të ditur se shqiptarët nuk duhet të përfshiheshin në procesin e këmbimit. Bashkëpunoi ngusht me patriotët dhe përfaqësuesit e shqiptarëve të Çamërisë dhe Epirit, si Musa Demi etj. Vizitoi qytete e fshatra shqiptare të Çamërisë e Maqedonisë,  po edhe ata refugjatët që ishin shpërngulur në Turqi, për të parë situatën dhe gjendjen e tyre të mjeruar, të nxjerrur prej shtëpive e privuar nga pronat dhe të drejtat e tyre.

Të shtrënguar nga presioni dhe represioni i pushtetit grek përmes xhandarmerisë greke dhe krimet që bënin refugjatët e ardhur grekë, jeta e shqiptarëve ishte bërë e padurueshme, prandaj shumë shqiptarë ishin deklaruar ‘’vullnetarisht’’ të përfshiheshin në listat e këmbimit të popullsive, vetëm të iknin nga terrori që po përjetonin. Nxitjen e shpërnguljes e ndihmonte edhe propaganda e frikshme greke, por edhe disa klerikë myslimanë, të mashtruar apo të korruptuar, të cilët flisnin për lumturinë e jetës që i priste në Turqi!

Shqiptarët e Maqedonisë së Egjeut, nga Kosturi, Follorina e fshatrat rreth tyre pothuajse të gjithë u shpërngulën. Edhe shumë shqiptarë të Epirit e Çamërisë. Ishte një numër prej 15000 shqiptarëve të  Çamërisë, që ishin në listat për këmbim. Ata kishin mbetur si peshqit në zallë, vetëm pritej përfundimi i formaliteteve të intervistimit dhe përcjelljes së tyre për Anadoll.

Mit’hat Frashëri, në kontaktet me Qeverinë shqiptare e me përfaqësuesit e Komisionit të Ligës së Kombeve bënte çmos të ndërpritej shpërngulja e shqiptarëve. Ai  kishte kërkuar nga Qeveria shqiptare, dhe ua kishte bërë me dije Qeverisë greke dhe Lidhjes së Kombeve, se në qoftë se Greqia do t’i shpërngulë shqiptarët nga Çamëria, ata nuk do të shkojnë në Turqi, por do të shkojnë në Shqipëri, dhe Shqipëria do të detyrohet t’i shpërngulë banorët e minoritetit grek nga Jugu i Shqipërisë, në pronat e të cilëve do të vendoseshin refugjatët shqiptarë.

Aktivitetin e Mit’hat Frashërit këmbë-pas-këmbe e përcillte dhe ndihmonte një patriot tjetër, bashkëpunëtor i ngushtë dhe besnik i Mit’hatit, Dhimitër Poga, sekretar i Legatës Shqiptare në Athinë. Zatën, pothuajse tërë shtjellimi i romanit bëhet në vetën e tretë, përmes rrëfimeve të Pogës i cili ishte krahpërkrah me Mit’hatin. Ideja e Mit’hatit për reciprocitetin e shkëmbimit së shqiptarëve të Çamërisë me grekët e Jugut të Shqipërisë, i acaroi raportet e tij me ministrin e jashtëm,  Hysen Vrionin, deri në atë masë  sa Mit’hati u detyrua të japë dorëheqje nga posti i ambasadorit.

Përkundër gjendjes së trishtë dhe rrëfimeve të dhembshme për gjendjen e popullsisë shqiptare, e cila do të zhdukej nga trojet e veta,  epilogu i romanit DËBIMI vjen i gëzuar, kur para se të largohej Mit’hati nga Athina, i vjen telegrami nga kryeministri grek, me origjinë arvanite, Teodor Pangallos, i cili e njohtonte se po e priste të nesërmen në një vizitë pune të rëndësishme. Qëndrimin e tij prej tre vjetësh të vështira në Greqi, e mbylli me një takim të përzemërt me kryeministrin Pangallos,  të cilit ia paraqiti rrezikun e këmbimit dhe shpërnguljes së shqiptarëve për në Anadoll.

Ndodhi ajo për të cilën Mit’hati e Poga dhe patriotë tjerë shqiptarë  pa sukses kishin luftuar tre vjet me radhë. Po i jepej fund tregjedisë se 15000 çamëve të përgatitur për dëbim nga trojet dhe pronat e tyre. Kryeministri e thirri Kollokotronin, të cilit dha urdhër të prerë ushtarak,  që të ndërpritet urgjentisht e të ndalet shpërngulja e shqiptarëve dhe ata të kthehen në shtëpitë e tyre. Pastaj u kthye i tha Mit’hat Frashërit: ‘’Të rrini të qetë, pa shqetësim. Shqiptarët e Epirit nuk do t’i trazojë më njeri as me gisht e jo më t’i përzejë nga shtëpitë. Dhe jo vetëm kaq. Të jeni të sigurtë se edhe silogjeve helmuese përgjatë kufirit me vendin tuaj do t’iu vie fundi. Këtej e tutje, dy popujt tanë duhet të jetojnë patjetër miqësisht. Përshëndeteni gjithashtu vëllazërisht shkëlqesinë e tij Ahmet Zgoun, duke i thënë se zoti Aleksandër Konduli, ministri ynë i ri i plotëfuqishëm në Tiranë, ndryshe nga zoti Panurias që u hoq, është jo vetëm miku im, por edhe i të gjithë shqiptarëve’’, i tha kryeministri Pangallos vizitorit Mit’hat Frashëri (fq.198).

U ndamë duke u përqafuar vërtetë vëllazërishtPara se të niseshin për në Shqipëri, Mit’hat Frashëri e Dhimitër Poga ishin këthyer në kafenenë e arvanitasit Xha Mihalit, në Lagjën Plaka të Athinës, që ta gëzonin  edhe atë për garancionet që u kishte dhënë kryeministri Pangallos. Por, Xha Mihali  kishte shkuar në vendlindje për t’u çmallur.

***

Në romanin DËBIMI ‘defilojnë’ një galeri personazhes kombëtare e ndërkombëtare, pozitive e negative. Ndër ato pozitive dhe kryepersonazh është Mit’hat Frashëri, bashkëpunëtori i tij Dhimitër Poga, Musa Demi, Asaf Çami, Sheh Sabri Preveza, Fan Noli, Mehmet Konica e shumë të tjerë. Ndërkaq, personazhet negative janë më të shumtat ato nga autoritetet greke, duke u nisu nga kryeministri Venizellos, ministri i punëve të jashtme dhe ai i bujqësisë, pastaj prefektët dhe komandantët e xhandarmerisë lokale dhe udhëheqësit e bandave kriminale të cilët bënin terror mbi popullsinë shqiptare, për ta detyruar që të shpërngulej.

Ngjarjet, personazhet, vendet e përmendura në roman janë reale. Kam vërejtur se ato përputhen plotësisht me burimet nga dokumentet arkivore, diplomatike dhe të protokolleve (procesverbaleve) të mbledhjeve të organeve të Lidhjes së Kombeve të asaj periudhe. Kjo i jepe lexuesit besueshmëri për atë çfarë thuhet në roman.

Në aspektin letrar artistik, më duket se ky roman është edhe më i avancuar nga romanet e tjera të Kondit. Dhe kjo është e kuptueshme, duke marrë parasysh përvojën e autorit dhe përkushtimin e tij që i ka dhënë tragjedisë që e goditi popullsinë shqiptare në vitet 1923-1926.

Gjuha e rrjedhshme dhe  e pastër shqipe, e bëjnë leximin më të lehtë e më të këndshëm. Ajo që është kryesore, epilogu është i gëzueshëm, jo vetëm për kryepersonazhin, por edhe për lexuesit.

Por ai gëzim nuk do të zgjatë shumë, pasiqë që vala tjetër e dhunës dhe gjenocidit grek kundër shqiptarëve të Çamërisë erdhi në vitin 1944/45, kur prej andej u detyruan të shpërngulen të gjithë ata shqiptarë myslimanë të cilët iu shpëtuan maskrave të forcave zerviste dhe bandave tjera kriminale greke.

Nëse shikojmë synimet e qeverisë shqiptare, të përfaqësuara në shtetin fqinjë përmes personalitetit të Mit’hat Frashërit, dhe deklarimet e kryeministrit grek Pangallos, për ndërtimin e marrëdhënjeve të fqinjësisë së mirë, përmes romanit DËBIMI, shkrimtari Arben Kondi, jo vetëm se na jep tabllon e situatës tragjike të shqiptarëve të Çamërisë, por jep mesazhin për ndryshimin e politikës greke dhe krijimin e marrëdhënieve fqinjësore, në frymën e mirëkuptimit që dominon në Bashkimin Europian.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok