23/12/2024

SKANDALI I RADHËS NË “SISTEMIN E RI TË DREJTËSISË” NË SHQIPËRI – SPASTRIM “MALOKËSH”

0
Elisabeta-Imeraj

Nga Frank Shkreli

Nuk mjaftonte spastrimi i ish-të përndjekurve, vktimave të komunizmit dhe familjarëve të tyre nga reforma e re e drejtësisë.  Në Shqipëri, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi (KMD) është institucion i pavarur, që për mision të punës së tij pretendon se siguron mbrojtjen efektive nga diskriminimi dhe sjelljet që e nxisin atë. Ky ent bëri një deklaratë — KMD udhëzon shmangien e paragjykimeve dhe përkatësive në vlerësimin profesional – ATSH – (ata.gov.al) botuar të djelën me 3 prill, në portalin e vet në lidhje me një incident të rëndë diskriminimi në procesin e vetingut. Megjithëse me një të lexuar është vështirë të thuhet se për çfarë rast diskriminimi e ka fjalën KMD-ja.  Por pas një deshifrimi nga disa media të pavarura në Tiranë — se mediat e mëdha të oborrit të qeverisë nuk e kanë përmendur ende këtë skandal — mësohet se kemi të bëjmë me një rast konkret të ditëve të fundit në Tiranë, e që ka të bëjë me spastrimet dhe diskriminimet në sistemin e drejtësisë, si dikur në ish-regjimin e qoftëlargut.

Ndryshimi është se kësaj radhe e quajnë (veting) – gjoja spastrimi i drejtësisë nga të korruptuarit — dhe sponsorizohet dhe mbështetet nga asgjë më pak se Ambasada Amerikane dhe Bashkimi Evropian, me disa suksese deri tani.  Dihet se të ashtuquajturat “reforma” në sistemin e drejtësisë në Shqipëri, me qëllim, po përjashtonte kandidatët nga radhët e ish të përndjekurve të kohës së komunizmit dhe familjeve të tyre. Por kjo nuk i prishte kujt punë, as autoriteteve vendase as sponsorizuesve ndërkombëtarë. Falë kësaj heshtjeje, duket se vetingu i “sistemit të ri të drejtësisë” e paska zgjëruar aktrivitetin e tij të spastrimit — jo vetëm të atyre që mund të jenë pinjollë të familjeve të vuajtura anti-komuniste – por tani sipas disa mediave në Shqipëri, “Mësohet se Vettingu po heq nga sistemi i drejtësisë, kryesisht, ata që janë nga Mirdita, Tropoja, Kukësi, Puka dhe Burreli”. Për mua, ky subjekt është tepër i pakëndëshëm për ta trajtuar, por provokimi është i papranueshëm.

Sidoqoftë, mund lexojeni më sipër deklaratën në linkun KMD-së, “institucionit të pavarur, që siguron mbrojtjen efektive nga diskriminimi” në Shqipëri dhe nëqoftse nuk e kuptoni se për ke dhe për çfarë flet institucioni, do përpiqem ta shpjegoj, bazuar në disa të dhëna të botuara deri tani në median shqiptare.  Duket se kemi të bëjmë me një spastrim të qëllimshëm të kandidatëv të padëshiruar, bazuar në origjinën ose përkatësinë krahinore të tyre, që të jenë pjesë e sistemit të ri juridik në Shqipëri, si prokurorë e gjykatës.  Unë kam venë dukje, në të kaluarën, faktin se sipas disa burimeve, vetingu, padrejtësisht, ka spastruar nga drejtësia, sidomos kandidatët nga radhët e të përndjekurve të komunizmit, ose familjeve të tyre. Por tani problemi duket se është edhe më i madh se vetingu përfshinë edhe një kategori tjetër të shqiptarëve: origjinën ose përkatësinë krahinore duke spastruar nga sistemi i drejtësisë ata që janë me origjinë nga pjesa veriore e Shqipërisë.  Kam qenë edhe kritik i asaj reforme pasi kam kundërshtuar vazhdimisht përfshirjen pothuaj, ekskluzivisht, si mbikqyrës të kësaj reforme të prokurorëve dhe gjykatësve të edukuar dhe të punësuar në ish-regjimin komunist, ndërkohë që janë përjashtuar ose nuk janë konsideruar për detyra të larta përfaqsues të shtresave të tjera të shoqërisë shqiptare, siç janë ish-të përndjekurit ose pasardhësit e tyre, viktima të regjimit komunist kriminal të Enver Hoxhës.  Tani shohim se rrethi i të përjashtuarve shkon përtej ish-të përndjekurve.  Rasti i fundit i diskriminimit nga vetingu është ai i Prokurores Elisabeta Imeraj, e cila paragjykohet bazuar në origjinën e saj, se ajo është nga Veriu, një “maloke nga Tropoja”, siç e quan Genta Bungo dhe si e tillë duhet të shkarkohet për shkak të origjinës, sipas rekomandimit të anëtares së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, (KPA) Genta Bungo.

Megjithëse kjo është një shkelje e rëndë ligjore, deri tani as Kryeministri as ndonjë ent tjetër qeveritar nuk ka reaguar në lidhje me këtë shkelje flagrante të ligjit. Madje as deklarata e KMD-së nuk i refereohet drejtë për drejtë – me emër dhe mbiemër — këtij rasti. Ku janë të mençurit e Kombit që nuk flasin për të dënuar dukuri të tilla urrejtjesh krahinore?  Për më tepër, ajo që më shqetëson mua edhe më shumë është fakti se as Ambasada Amerikane as të dërguarit e Bashkimit Evropian në Tiranë — që financojnë reformën në drejtësi në Shqipëri– nuk kanë bërë asnjë koment për abuzimet në veting, as më heret, as për rastin e fundit. Për mua kanë qenë tepër problematike emërimet dhe dekorimet e prokurorëve dhe gjyqtarëve të ish-regjimit komunist në detyra kyçe të drejtësisë në procesin e vetingut.

Gjëndja është shumë më keq se ç’mendoja unë. Sipas disa burimeve në media dhe të tjera, KPK ka larguar me shumicë prokurorë dhe gjyqtarë që kanë prejardhjen nga Veriu i Shqipërisë – një “reformë” kjo reformë që financohet kryesisht nga taksapaguesit amerikanë.  “Mund t’u përmend plot emra “malokësh” që i ka këputur vettingu pa asnjë shkak, provë apo llogjikë ligjore”, tha ditët e fundit analisti dhe ish-Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani në një program televiziv.

Ky është një problem i madh në fakt dhe në përceptim për qeverinë shqiptare dhe për mbështetsit ndërkombëtarë të “reformës së re të drejtësisë”, në Tiranë, të cilët janë duke themeluar një sistem drejtësie me “dvorana” të ish-regjimit komunist dhe me “bungot” e post-komunizmit – duke krijuar një sistem drejtësie shumë diskriminues dhe urrejtës deri në palc ndaj një pjese të madhe të shqiptarëve duke përdorur metodat përçarëse enveriste shqiptari kundër shqiptarit – duke përdorur ish-ideologjinë komuniste dhe krahinat si pretekst.

Përball heshtjes ndaj këtij fenomeni — nga entet përkatëse shqiptare në Tiranë si dhe ndërkombëtarët, përfshir Ambasadën Amerikane në Shqipëri — dhe kësaj situate të shëmtuar në vetingun e drejtësisë shqiptare,  taksapaguesit shqiptaro-amerikanë si dhe organizatat e ndryshme në Amerikë kanë edhe ata përgjegjësinë e tyre që të reagojnë ndaj dukurive të tilla përçarëse në sistemin e drejtësisë. Shqiptaro-amerikanët duhet të jenë më të interesuar se çka po ndodhë në Atdhe në përgjithësi dhe, veçanërisht, si shpenzohen taksat e tyre në Shqipëri, në emër të reformës në drejtësi, ndërkohë që, ditën për diell, merren vendime diskriminuese për shkak përkatësie dhe jo aftësie, pa asnjë ndëshkim për shkelsit e ligjit. Diçka që është e kundërligjshme në Shtetet e Bashkuara por edhe në Shqipëri.

Ndërkaq, heshtja e Ambasadës amerikane në Tiranë në lidhje me këtë çeshtje dhe me abuzimet që bëhen në procesin e vetingut, siç është rasti i prokurores Imeraj, është imorale dhe e pajustifikueshme. Këtu në Amerikë, praktika të tilla i quajmë linçime — në këtë rast të shqiptarëve me origjinë nga Veriu i Shqipërisë – linçim i financuar me fonde nepërmjet ambasadës amerikane në Tiranë.  Ky mund të jetë një akt kriminal dhe si i tillë nevojitë hetime të menjëhershme nga autoritetet e besueshme shqiptare, nëqoftse ka të tilla, por sidomos nga entet që financojnë vetingun, si USAID dhe vet Ambasada Amerikane.  Në mungesë të kësaj i mbetet Inspektorit të Përgjithshëm të Departamentit të Shtetit ose Kongresit të Shteteve të Bashkuara të bejnë hetimet e nevojshme për të zbuluar të vërtetën se për çka dreqin po përdoren fondet amerikane në Shqipëri.  Kjo është shpresa ime! Por, sidoqoftë, kur abuzime të tilla lejohen në një program që financohet dhe ka vulën aprovuese të Shteteve të Bashkuara, kjo është shumë shqetësuese. Në minimum dhe për hir të kredibilitetit të vet  dhe Shteteve të Bashkuara, Ambasada Amerikane në Tiranë nuk mund të qendrojë indiferente ndaj një fenomeni të tillë trazues dhe abuzues me reformën në drejtësi, të cilën e ka marrë përsipër si një projekt të saj me rëndësi.

PS — Sa për dijeni, Zonja Bungo dhe të tjerë që mendojnë si ti, unë nuk njoh “malokë” as “maloke”, por malësorë e malësore, njoh shumë, në të vërtetë. Jam vet një prej tyre.  Në Amerikë jemi, shumë, shumë. Këtu kemi gjetur liri e drejtësi dhe askush nuk na ofendon me epitetin “malok” as “maloke”.  Madje këta “malokët” dhe “maloket” që jetojnë në Amerikë kanë bërë shumë gjëra të mira për Shqipërinë e për Kosovën, gjatë dekadave, pa pyetur as për krahinë as për ideologji, por për interesat kombëtare në përgjithësi dhe për të gjithë shqipotarët pa asnjë dallim.

Megjithëse jetoj mbi 50-vjet në Amerikë, identiteti im mbetet ai i malësorit, gjë për të cilën jam krenar. Për mbi 50-vjetë në Amerikë kam konkuruar për disa detyra gjatë viteve, por asnjëherë nuk më pyeti njeri për origjinën time, as për krahinën nga vijë.  Ky identitet prej malësori, që ti do e quaje “malok”, nuk më ka penguar mua as të tjerë si unë me origjinë nga ato treva që të arrijmë nivelet më të larta që na kanë mundësuar aftësitë tona, Amerika jonë e dashur dhe drejtësia amerikane. Këtë drejtësi që gëzojmë ne “malokët” dhe “maloket” në Amerikë, do të dëshironim të gëzonin edhe bashkëvëllezërit dhe bashkmotrat tona në Atdhe – pasi “drejtësia re” nepërmjet vetingut, në Shqipëri po zbatohet, kryesisht, falë mbështetjes financiare nga Shtetet e Bashkuara – pra me taksat tona.

Për mbi 50-vjetë në Amerikë kam konkuruar për disa detyra të nivelit të ultë dhe të lartë, por asnjëherë nuk më pyeti njeri për origjinën time.  Shqiptarët si unë i cilësoni si malokë e maloke (njerëz të pagdhendur dhe të trashë), sigurisht, me një përulje dhe urrejtje të theksuar, trashëgimi e Enver Hoxhës kjo.  Por të huajt që kanë pasur rastin të njohin këta “malokë” e “maloke” të Shqipërisë së Veriut, siç ka qenë historianja angleze Edith Durham në vitin 1908 i ka cilësuar ata si “besnikë dhe “kurajoz”:  “Çdo sukses që mund të kem arritur, ia kushtoj vetëm ndihmës bujare dhe dashamirëse që gjeta gjatë gjithë udhëtimit, nga të gjithë, pa përjashtim, por në mënyrë të veçantë nga françeskanët dhe priftërinjtë misionarë të Malësisë dhe udhërrëfyesi im Mark; por po ashtu, mikpritësve dhe udhërrëfyesve nga të gjitha racat dhe fetë që unë kam takuar.  Njerëz besnikë, kurajozë, e mikpritës, të cilët ndoshta është e shkruar në Librin e Fatit të mos i shoh më, por, kur njeriu tregohet i njerëzishëm e i mëshirshëm me të huajin, kjo dëshmon se është Qytetar i Botës; e se Zemra e tij s’është një ishull i ndarë nga Tokat e tjera, por një Kontinent që me to bashkohet.”  Edith Durham, High Albania.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok