07/11/2024

SINAN GASHI, EMËR I NDRITUR NË KULTURËN KOMBËTARE

0

Kumtesë nga Hazir MEHMETI

Të nderuara mike e miq të pranishëm,

Të nderuar organizator, Art Club “Rifat Kukaj”,

E nderuara kryesi e punës,

I nderuari drejtues i Art Club “Rifat Kukaj”, Z.  Izet Abdyli, Z. Lulzim Nika, drejtor,

I nderuari dhe respektuari Prof. Sinan Gashi,

Ndihem i nderuar që takohemi sot në këtë aktivitet vlerësues për njeriun e vlerave të çmuara që i dha letërsisë e historiografisë kombëtare.  Kosova e robëruar shekujve nisi të frymoi falë bijave e bijve të saj të dalë nga shkolla shqiptare e mohuar shekujve. Shkolla është thelbi dhe kuptimi i dijes, edukatës njerëzore, edukatës kombëtare, është forcë mbi forca, themeli i  lirisë. Mes këtyre bijve, pa dyshim është Profesor Sinan Gashi.   Këtë e thotë puna dhe vepra e tij  gjeneratave.

Sapo merr në dorë një vepër të Prof. Sinan Gashit, të duket më e plotë, më e vlerë se sa vepra e tij që lexove më parë, dhe kështu vargu i veprave është i gjatë, shumë i gjatë që sot kemi trashëgim bibliotekave, arkivave dhe auditorëve ku studiohet e hulumtohet shqip dhe jo vetëm.

Nuk jam kritik letrar, por jam vlerësues se veprat e shumta të Prof. Sinan Gashit do shndrisin rrugën e progresit kombëtar.  Ai, duke qenë një shpirt i trazuar,  nuk u pajtua asnjëherë me vuajtjet e shkaktuara nga jeta në robëri, u bë pjesë e lëvizjeve pozitive në organizim dhe veprim për liri përmes armës së tij kryesore, penës së ndritur. Ashtu siç do thotë Faik Konica: “Me atë përpiqem t’i shërbej atdheut”.  Sinan Gashi ishte shpirti dhe mendja e rrethit, në veçanti tek qytetari ynë i shkelur dje, i pa pajtuar me shterpësinë e fjalëve me të cilat mbulohet padrejtësia në shoqërinë ku injoranca është themeli i saj. Ashtu siç e do shpirti e vizioni i një iluministi i ushqyer me sinqeritetin në rrjedhat shoqërore jashtë tutëlove të klaneve injorante antikombëtare.

Kur me kujdes lexohen veprat e Profesor Sinan Gashit, zbulohet mprehtësia e tij në shtrimin e temave për studim që dallojnë nga krijuesit tjerë. Pra, janë të veçanta ashtu siç është edhe personaliteti i tij i veçantë me thellësinë e rrokjes së temave të cilat i trajton. Ai e ndien si pasion shkrimin, si nevojë për ta pasur publiku për sot dhe nesër. Ai vërtetë e ndien artin e të shkruarit si terapi shpirtërore të tij.  Kështu vet vepra e tij “Arti letrare si terapi shpirtërore” e shpreh thellësisht pasionin, kënaqësinë e tij me secilën vepër të tij. “Shkrimtari është shqetësimi i përhershëm i kohës, i qenies së tij njerëzore, është shpirt i trazuar deri sa e ka frymën në jetë, edhe kur është mes të tjerëve dhe kur është në vetmi. Është bartës dhe krijues i shpirtit të njerëzimit,” (A.S. Pushkin).  Këtij  fenomen  i përket edhe Prof. Sinan Gashi.

Pak kund i gjen botimet e temave letrare të trajtuara në formë specifike sikurse i gjen tek autori Sinan Gashi, mes tyre do veçoja pseudonimet e krijuese shqiptarë. Në Vjenë ku jetoj aktualisht,  u botuan disa gazeta e revista, shumë nga autorët nuk ishte e lehtë  të dihen, përmbledhja e tyre në një vepër ndihmon shumë  hulumtimet, ndihmon nxjerrjen në dritë të autorëve që vepruan në robëri ku jeta e tyre ishte e rrezikuar dhe nuk ishin të paktë në diasporë dhe atdheun e sakatuar nga sundimi turk, grek e serb.   Këtë temë e gjen të prekur fuqishëm në veprën e Sinan Gashit.  Është bindëse thënia e filozofit polak Jan Parandovskit se, krijimtaria nuk është asgjë tjetër pos reflektim i shpirtit të madh.  Secili krijues ka stilin e tij të shprehjes, ka lexuesit e tij, ka adhuruesit e tij në kohë e hapësirë, ashtu siç kishin dhe janë krijuesit shqiptarë në Atdhe dhe diasporën shqiptare.

“Zëri i intelektualit është i qetë”, e tha shkrimtari e filozofi i njohur Stefan Cvejg, profesor Sinan Gashi,  është i qetë në fjalë, por vullkan në shpirt e përmbajtje.

Me  Sinan Gashin

Në vitet tetëdhjeta shkolla shqipe u pasurua dhe forcua me mësimdhënës shqiptarë të përgatitur mirë në Universitetin e Prishtinë. Gjimnazi i Drenasit bëri hapa kualitative të rritjes krahas shtimit fuqishëm të nxënësve. Aty punohej me përkushtim në fushën e dijes, si arma më e fuqishme që i duhej Kosovës e në veçanti rrethinës së Drenicës, për përmirësimin e jetës patriarkale primitive të trashëguar.   Isha i lumtur që fillova të punoj sapo kisha përfunduar studimet, ku mbi të gjitha gjeta një kolektiv entuziast, mes tyre dallohej profesori i gjuhës shqipe Sinan Gashi.  Ndërtesa e re e Gjimnazit “Skënderbeu” ndrinte nga uniforma e nxënësve dhe mësimdhënësve të rinj.  Sapo binte zilja për mësim, i pari që nisej drejt klasës ishte Sinani me krahun e mbushur me libra.  Aty preka së pari botimet e veprave të Ismail Kadares në kroatisht, frëngjisht, gjermanisht, maqedonisht… .  Madhështia e shkrimtarit tonë përcillej tek gjenerata e re, përcillej frymëzimi për dije në përkushtim ndaj atdheut. Unë si i ri krijova parafytyrimin e modelit çfarë më duhej në mësimdhënie duke shtuar këtu edhe emrin e Ymer Elshanit, tani Dëshmori i Lirisë.   Ishe kohë kur fliste gjaku i rilindësve tanë në formësimin e shpirtit shqiptar, bashkimin e shpirtit shqiptar pa dallim krahine, rrethi e bindjeje.

Si sot më kujtohet nderimi që iu bë gjimnazit tonë me Çmimin  “Profesori më i mirë në Kosovë” (viti shkollor (77/78),  dhënë Profesorit të ri Sinan Gashi. Ky titull nuk erdhi nga pushtetarët, as nga inspektorët komunist, por erdhi nga figura të njohura intelektuale të kohës, mes tyre Prof. Dr. Isak Shema, drejtues i Komisionit të Bashkësisë së Kulturës së Kosovës.

Unë që atëherë në fletoren time të punës shkrova: “Prof. Sinan Gashi është pedagog patriot që realizon vizionet e Rilindësve tanë “Atdheu duhet në vepër, jo me fjalë” –(Sami Frashëri).    Punuam së bashku dy vite, nga i cili mësova shumë në praktikë se si duhet qëndrimi ndaj mësimit. Ai e meriton lapidarin në mes të sheshit të Heronjve të Shkollës Shqipe”.

Si kolegë kujdestarë të klasave të katërta, së bashku me nxënësit vizituam Ulqinin (maj,  1978), ku mësuam shumë për ulqinakët dhe Ulqinin, fotografuam momente nga vizita në kalanë e qytet, në tregun e ulqinakëve me veshje kombëtare që nuk i gjejmë asnjëherë tjetër. Për çudi  Ulqini u rrënua nga tërmeti famëkeq, kurse tek ne barbaria serbe kalli e shkatërroi gjithë ato foto e materiale që ruanim. Edhe zoti e ndihmoi armikun! Ulqini u pasurua me sllav në emër të rindërtimit, kurse ne pësuam gjenocidin e radhës të shkatërrimit dhe dëbimit masiv.

Është krenari të punosh, mësosh dhe jetosh në një kohë me intelektualë siç është Prof. Sinan Gashi dhe shkrimtarë e krijues tjerë që me mësimet e tyre frymëzuan gjenerata të cilat i duheshin luftës për liri dhe lirisë për ndërtim e progres.

Kolegut ime Prof. Sinan Gashi, shëndet e suksese!

Do jeni gjithmonë i nderuar brezave!

Edhe shumë vepra tjera!

Faleminderit kryesi!

Faleminderit për vëmendjen tuaj!

(Hazir Mehmeti, Drenas, 26 tetor 2024)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok