22/12/2024

SIGURIA E JETËS DHE E PRONËS, SI SIGURI KOMBËTARE

0
Ndue-Dedaj

NGA NDUE DEDAJ

Për të garantuar sigurinë kombëtare shteti ka strategji dhe struktura të posaçme si Forcat e Armatosura etj., por kjo duket diçka përtej njeriut, sigurisë së tij të jetës dhe të pronës. Dakort që na mbron shteti ne nënshtetasve të vet në rast se na sulmon ndonjë fuqi e huaj ushtarake, mirëpo ne kemi nevojë jo vetëm njëherë në histori për t’u mbrojtur nga armiku, por përditë, pavarësisht se në çfarë forme na shfaqet ai. Me armë e ushtri si në Ukrainë. Me larje hesapesh mes bandave të narkotrafikut etj. Me vrasje elektorale si në Elbasan. Me therje me thika si në shoqërinë primitive. Me aksidente rrugore dhe në miniera që përditë këpusin jetë njerëzish. Me skafe qe marrin jetë fëmijësh në plazhe. Me vrasje në familje, ku viktimat janë gratë dhe vajzat. Me shkrepëse që iu vënë zjarrin pronave: ullishteve, vreshtave, pyjeve e për rrjedhojë dhe shtëpive në afërsi të tyre. E gjitha kjo është një luftë me të cilën ti si qytetar duhet të përballësh. Kush të mbron nga këto fronte të krimit? Shteti dhe vetëm shteti. Shteti yt dhe ata që mbajnë vulat e tij. Presidenti. Kryeministri e të tjerë shtetarë si këta. “Daun të rrëzojnë shtetin këta piromanët me zjarret që vënë gjithandej”, thoshte njëri që e hante meraku se mos po mërzitej qeveria në këto ditë të nxehta plazhi. Sigurisht lapsus. Jo, askush nuk kërkon të rrëzojë shtetin, çka nga ana tjetër do të ishte krim. Shteti është ushtria, SHISH, gjykata, prokuroria e të tjera institucione që nuk votohen. A, qeveria, Parlamenti që iu është deleguar pushtet nga vota, ato po, mund të “rrëzohen” po me votë. Shtetit nuk i hyn ferrë në këmbë po ra një qeveri dhe në vend të saj zgjidhet një tjetër, përkundrazi i bëhet mirë punës. Por kjo është një temë tjetër, në këtë rast mjafton të thuhet që përkujdesja e militantëve partiakë jo gjithnjë vlen.

Po si mund të na mbrojë shteti? Si do të jetë ai dalzotësi ynë? Duke na soditur nga Tirana, apo duke ofruar shërbim për qytetarët dhe në skajin më të largër të vendit? Në një kohë që krimi gjen përhapje përherë e më shumë në terrenin e braktisur, në zona ku mbillet droga, iu vihet flaka pyjeve çdo verë, dëmtohet mjedisi natyror nga punimet e HEC-ve etj., gjykatat hiqen prej andej dhe përqëndrohen në qendra qytetesh kryesore!? Bashkitë pa të ardhura nuk ia dalin dot në një territor ku nuk punohet e prodhohet, nuk ka infrastrukturë, shkolla, turizëm etj. Tashmë territori i lënë shkret si mall pa zot inspektohet në të rrallë nga zyrtarë dhe nëpunës të qendrës. Atëherë atë e marrin në zotërim të “zotët” e tij, hajnat, kultivuesit e hashashit, zjarrvënësëit etj. Po fokusohemi kryekrejet te zjarret, meqë ato janë problemi i ditës. Zjarri në zonën Bukmirë-Shpërdhazë-Shëngjergj (Mirditë) ishte i pazakontë dhe rrezikonte shtëpitë dhe vreshtën e njohur, nga e cila prodhohet vera “Arbëri”, nga më të mirat e vendit. Tre fshatra të përzhitur nga flakët, mijëra ha pyje lisi të shkrumbuara. Një hartë e tërë pyjore e zhbërë sa hap e mbyll sytë. U shkatërrua njëherësh një nga habitatet e rritjes së thëllanzës, lepurit, dhelprës, ujkut, derrit të egër etj. Kurse turizmin harroje, turistët nuk vijnë të vizitojnë shkretëtira. U dogjën qindra ha pyje, po a shkoi në vendin e ngjarjes ndonjë prokuror? Nuk e dimë, mundet që po, mundet që jo. Nëse zjarret merren si një rutinë e stinës së verës, asnjëherë nuk do të ketë përgjegjës për to. Ka gjasë që në SPAK të kenë shkuar padi për dëmtime prone, nga subjekte të ndryshme, me një vlerë shumë më të vogël se ajo e këtij zjarrit pa “autor”. Ndërkohë që janë dhe prokuroritë lokale e rajonale që mund të hetojnë. Nëse zjarrvëniet mbetën gjithnjë pa autor, ato nuk kanë për të pushuar ndonjëherë. Ky soj shtjellimi apo argumentimi mund të ngjajë si i çuditshëm, por në të vërtetë ky është problemi, pandëshkueshmëria nga më e vogla te më e madhja. Zjarrvënësi duhet të zhdëmtojë një më një atë që ka shkatërruar dhe jo të dënohet sa me thënë, si një kundravajtës i thjeshtë që ka thyer rregullat e qarkullimit duke mos kaluar në vijat e bardha. Apo, më keq, duke u mbyllur dosja e zjarreve me të filluar shirat!…

Nëse në raste të tilla gjerat i shohim thjeshtë si një fatalitet nga i cili nuk shpëtojmë dot, kinse zjarre bien dhe në Amerikë, nuk kemi zgjidhur asgjë. Bie një zjarr, dy, tre gjatë gjithë verës, por jo deri në 26 zjarre në ditë!? Të hënën zjarret ishin aktivë në Berdice, Grudë dhe Bardhaj të Shkodrës, në Dushkarak të Selenicës, në Bukmirë, Shengjergj e Shpërdhazë të Mirditës, në Mal Bardhë, Milot e Skuraj të Kurbinit, në kodrat e Shën Premtes Divjakë, në Sinjë Beratit etj. Si shpjegohet që më shumë digjen pyjet anash rrugëve, përfshi dhe atë të Kombit, se sa në pyjet e shtrenjta e tejplakura në thellësi të bjeshkëve. Problemi është se ne nuk e zotërojmë më territorin fizikisht. Shteti nuk ka krijuar një regjim mbrojtjeje të natyrës, florës dhe faunës, mjedisit, pyjeve, kullotave, burimeve, vreshtave, ullishtave, shtëpive etj. Nuk kemi më e pakta vrojtues zjarresh. Kemi patronazhistë sa të duash, derë për derë, që na “monitorojnë” se për kë do të votojmë, por nuk kemi sinjalizues sezonalë për zjarret në pyje. Një xhandar në kohën e Zogut mjaftonte për të siguruar rendin dhe qetësinë, kujtojnë të moshuarit. Edhe në regjimin e kaluar punëtori i Policisë qëndronte mes njerëzve në fshat, minierë, kooperativë dhe ishte i informuar për keqbërësit e ndryshëm që dëmtonin pronën e përbashkët. Sot asgjë nga këto nuk ndodh më. Nuk të zë syri askund ndonjë tabelë si dikur “Mbroni pyjet nga zjarri”, vetëm nëse vjen ndokush i huaj me ndonjë projekt që të na i shkruajë.

Ka ndërkohë një “kontradiktë” mes qeverisë dhe zjarreve të korrikut e gushtit,  ministrat janë me pushime në det, brenda dhe jashtë vendit, ndërkohë që flakët djegin sipërfaqe të tëra toke. Patë ndonjë ministër të shkojë në Bukmirë-Shpërdhazë-Shëngjergj, ku u dogj një nga visaret pyjore dhe ekologjike të vendit, ku mund të ndërtohej një rezervat kafshësh të egra si rrallëkund tjetër? As njëqind kilometra nga Tirana, nga ku mund të shihej dhe tymi. Jo. Po çfarë duhet të digjet më tepër që qeveria të zbresë në terren me të gjitha mjetet!? Vërtet punojnë strukturat shtetërore që menaxhojnë fatkeqësitë natyrore si emergjencat civile, shërbimi zjarrfikës, organet pyjore, policia, ushtria etj., po kur e keqja s’ndalet atëherë shqetësimi duhet të vërë në lëvizje dhe qeveritarët më të lartë për një aksion më të përqëndruar, siç ndodhi vitin e kaluar me zjarret në Llogara e Karaburun etj. Nuk mund të rrihet në shpresë të shiut, nëse do të mbarsën retë e do të bjerë shi sot pasdite, nesër paradite apo pas një muaj. Publiku ka nevojë të njihet më përmsat e asaj që po ndodh, që të bëhet pjesëmarrës, jo të raportohet me një gjuhë të ngurtë nga zyrat, si “zjarri është vënë nën kontroll”, kur nuk mbrohen dot as shtëpitë, ndonëse hyn makina.

Nëse sigurinë kombëtare nuk e shohim në kompleks dhe në gjërat e përditshmërisë, të natyrës ekonomike, sociale, kulturore, përfshi dhe ato më njerëzoret, por vetëm tek gjërat e mëdha, si integriteti territorial i vendit, ruajtja e kufijve, aeroporteve, bankave, institucioneve të shtetit etj., nuk do të ishim realistë, pasi siguria është cënuar kur njerëzve po ua rrëmben pronën, tokën, pyjet, burimet ujore, mineralet e të tjerë kjo lufta e përditshme me e pa tym, por do të ikin drejt Perëndimit, siç kanë bërë tash kaq vite. Integriteti i një vendi është kur ai është i gjithi si një trup i gjallë dhe jo me pjesë që i “vdesin” çdo ditë nga terrirori. Ky është leximi që qytetari pret të bëjë shteti dhe të ndërhyjë për ndryshimin e gjendjes. Duket kaq e thjeshtë, por nëse pyjet do të ishin pastruar e liruar nuk do të kishim arritur në shfarosje masive të tyre në disa zona, duke mos pasur kurrëfarë sigurie as për nesër.

Janë të shumtë zërat publikë të shqetësuar për këtë gjendje. Kontribuesja e shquar në zhvillimin rural shqiptar prej tridhjetë vitesh, austriakja Marianne Graf, shkruan se një arsye e kësaj drame është se gjatë viteve të tranzicionit urbanja dhe gjithçka artificiale ka marrë një rëndësi të madhe, ndërkohë që fshati është lënë jashtë vëmendjes si diçka e vjetëruar. Të gjitha lukset vlejnë më shumë se gjërat bazë me të cilat njerëzit jetojnë, për çka qeverisja është ngarkuar të kujdeset. Ka shumë pak burime financiare dhe vlerësim për ruajtjen e natyrës, jetës tonë – mos është mungesë edukimi, padituri, arrogancë, indiferencë?! Të gjithë i kemi rrënjët tek fermerët e vegjël, por nuk i trajtojmë ata me dashuri dhe mbështetjen e duhur. Gjithsesi le të shpresojmë, nuk është kurrë vonë për t’i mbledhur forcat e ndërtuar diçka pozitive, për çka dhe unë do të ndihmoj sa të mundëm. Feniksi gjithashtu është ngritur nga hiri!…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok