22/12/2024

Si u “Shpikë” koncepti “Metohija” për të zëvendësuar Rrafshin e Dukagjinit?!

0
u6_Metohija

Nga Jahja Drançolli

Kriza Lindore e shoqëruar me një sërë ndryshime politike, të cilat kishin sjellur në jetë përveç tjerash edhe shtete moderne të Ballkanit, si, Greqia, Bullgaria, Serbia e ndonjë tjetër, shtete këto të cilat aspironin edhe territore të reja. Ndërkaq, territoret e Shqipërisë Etnike, të cilat gjatë kësaj kohe kishin mbetur ende nën osmanët ishin bërë temë më e preferuar e penave intelektuale të shteteve të përmendura. Në këtë kontekst, sipas ngjarjeve, të cilat pasuan, sidomos në Kongresin e Berlinit dhe Konferencën e Londrës (1878, 1912-1913), bëhet e qartë se ndryshimet e reja të shoqëruara me copëzimin e territoreve shqiptare ishin në funksion të homogjenitetit të shteteve të përmendura dhe lehtësimit të tyre me rastin e ndryshimeve politike eventuale në rrjedhat historike ballkanike ose europiane.

Brenda këtij kuadri, që zhurmshëm ishte imponuar nga qarqet politike e shkencore beogradase ishte “shpikja” e konceptit “Metohija” për pjesën jugperëndimore të Kosovës së sotme, përkatësisht të Rrafshit të Dukagjinit. Në dritën e ngjarjeve të sotme na bëhet e qartë se riaktualizimi i emërtimit “Metohi” edhe sot e gjithë ditën është në funksion të politikës së ditës. Është interesante të theksohet se ky kuptim i imponuar ose artificial pa ndonjë mbështetje historike, në karta që shtypën edhe sot me qëllime propagandistike, merr kuptim edhe më të gjerë sesa ishte fiksuar nga përfaqësuesit e shkollës garashaniane dhe cvijiqiane. Konkretisht kur është fjala për emërtimin “Metohija”, që tash e sa kohë është duke zënë vend edhe në jetën zyrtare të qarqeve beogradase si një kuptim gjeografik që i destinohet një pjese të territorit të sotëm të Kosovës, përkatësisht territorit midis Pejës dhe Prizrenit, duke i përfshirë edhe qytetin e Pejës, e në ndonjë rast të çasteve politike edhe qytetin e Prizrenit. Në të vërtetë, në terminologjinë e leksikut mesjetar të burimit të Kishës Ortodokse, termi ”Metohi“, “Meteh“, e ndonjë tjetër, sipas dokumenteve mesjetare latine, greke dhe sllave, nuk përmban atributin e një kuptimi gjeografik, por në dokumente të kohës del si një term që ka kuptimin e një prone kishtare (metohion ose terra monasterio) a pronë fshati, shtëpie, vreshti, pemishte, etj. Gjithashtu, edhe në dokumente osmane prej vitit 1431 kur ndeshim në regjistrimin e parë të Arbërisë, dhe deri në vitin 1912, vit ky kur Perandoria Osmane iku nga Shqipëria, nuk ndeshet asnjë e dhënë për kuptimin gjeografik të termit “Metohija“. Është me interes të theksohet këtu se çfarë onomastike është gjetur në Kosovë nga kapërcyelli i shek. XII deri në fund të shek. XIII, para se të vendosej këtu administrata nemanjide. Për këto të dhëna të dorës së parë, veç tjerash ndeshim edhe në biografitë e Shën Savës dhe të Stefanit të Kurorëzuar kushtuar babait Stefan Nemanja. Në biografinë e të parit hasim këtë të dhënë: “Mori nga bregdeti vendin Zeta me qytete, nga Rabani (Arbëria) të dy Pultet, nga toka greke, ndërkaq mori Patkovën (territori i Gjakovës së sotme), Kostrecin dhe Dreshkovën (fshatra në territorin e Pejës e të Drenicës), Podrimën (treva e Rahovecit), Sitnicën, Llapin dhe Lipjanin […]“. Ndërkaq në biografinë e të dytit ndeshim në njoftimin: “Mori […] territorin e Prizrenit dhe të dy Pologët në tërësi […]“. Siç shihet nga dokumentet në fjalë, edhe pse në to përmendën gati të gjitha pjesët e rajonit të Pejës, të Gjakovës dhe të Prizrenit të sotëm, atëbotë fare nuk ka ekzistuar emërtimi a koncepti gjeografik “Metohija“. Koncepti në fjalë nuk përmendet as në Kartën e Hilandarit (1200-1202), si dhe në krisobula, hagjiografi, prosopografi, biografi nemanjide e bizantine të kohës së nemanjidve. Gjithashtu, edhe në përmbledhjet më përfaqësuese të dokumenteve rasiane-nemanjide, emërtimi “Metohija“ ndeshët shumë shpesh por gjithëherë në kuptimin e një prone kishtare dhe asnjëherë si kuptim gjeografik, që do të kishte kuptimin e territorit të Pejës, Gjakovës ose të Prizrenit. Gjatë tërë kohës së sundimit nemanjid (mesi i shek. XIII- mesi i shek. XIV) dhe më pas, krahas territoreve të Prizrenit, Fosnës dhe të Patkovës, të cilat u përmendën më sipër, përmendet edhe në territorin Altini, trevë kjo që përfshinte rajonin midis Deçanit dhe Gjakovës.

Në anën tjetër, pas zhbërjes së formacionit politik nemanjid (1371), në këtë pjesë të Kosovës i ndeshim zotërimet e formacioneve politike arbërore: Balshaj, Dukagjini e Kastrioti. Me pushtimin e territorit të sotëm të Kosovës nga osmanët (1455-1462) dhe me vendosjen e administratës osmane në këtë rajon, territoret e Pejës dhe të Gjakovës zunë të quheshin Dukagjin, përkatësisht hynë në kuadrin e Sanxhakut të Dukagjinit, i cili ishte shtrirë midis Adriatikut dhe sanxhaqeve të Hercegovinës, Vushtrrisë, Prizrenit dhe më vonë Shkodrës. Së këtejmi, E. Çelebi, udhëpërshkrues i njohur osman, në shek. XVII në kuadër të Sanxhakut të Dukagjinit, kishte përfshirë Pejën, Plavën, Gjakovën, Shkodrën, Lezhën dhe Zadrimën. Ndërkaq, ipeshkvi i Kotorrit, M. Bolica në një relacion nga viti 1614 brenda konceptit Dukagjini, përveç Shkodrës, Zadrimës përfshinte edhe rajonin e Pejës. Territoret e Pejës dhe të Gjakovës ishin pjesë të kësaj njësie administrative osmane deri në vitin 1783, kur Sanxhaku i Dukagjinit pushoi së ekzistuari. Atëherë kuptimi gjeografik u ngushtua vetëm në nahijen e Pejës, trevë kjo që hyri në kuadrin e Sanxhakut të Shkodrës. Me përfshirjen e njësive të reja administrative osmane, përkatësisht të vilajeteve, Peja si qendër e kadiut hyri në kuadër të Sanxhakut të Prizrenit. në vitin 1874, qyteti në fjalë hyri në kuadrin e vilajetit të Kosovës. Është për të vënë re se, apelativi Dukagjin në gjuhën serbe prej shek. XIX ka pasur kuptim të dyfishtë. Në radhë të parë si emër personi dhe principate, pastaj si kuptim gjeografik. Këtu është më rëndësi të përmendet fakti se themeluesi i linguistikës serbe, Vuk Karaxhiq, në fjalorin e vetë bën dallimin ndërmjet emrit personal Dukagjin dhe territorit Dukagjin. Ky studiues për herë të parë në fjalorin e vet krahas apelativit Dukagjin “shpiku” edhe konceptin gjeografik “Metohija“, koncept ky që sipas tij përfshinte Prizrenin, Pejën, Gjakovën dhe manastirin e Deçanit. Ajo që tërheqë vëmendjen këtë është se, edhe më tej rajoni i Dukagjinit përmendet bukur shpesh edhe në dokumentet serbe edhe pas “shpikjes” së këtij koncepti gjeografik. Në shek. XIX janë të shpeshta njoftimet për rajonin ose krahinën e Dukagjinit edhe në historiografinë europiane. Përafërsisht janë shprehur me rastin e vizitës së tyre Kosovës edhe studiuesit rusë. Në fillim të shek. XX, antropologu e gjeografi Cvijiq e disa përkrahës të mëvonshëm të studimeve të tyre, duke mos u mbështetur fare në burimet historike, ngritën tezën për ekzistimin e konceptit gjeografik “Metohija”, që kishte kuptim rajoni midis Prizrenit e Pejës. Këtë tezë e mbështesnin në faktin që apelativi, “Metohion“, përkatësisht “Metohija“ në gjuhën greke ka kuptimin e pronës së manastireve dhe në këtë aspekt, shumë fshatra të territorit në fjalë kanë qenë pronë manastiresh. Është e ditur se kisha ortodokse gjatë mesjetës zotëronte manastire jo vetëm në këtë pjesë të territorit të sotëm të Kosovës, por edhe në pjesë të tjera të Ballkanit. Sipas kësaj logjike, studiuesit e lartpërmendur dhe përshkruesit e tyre, që të gjitha territoret e mbretërisë mesjetare nemanjide, ku kishte “Metohion“ apo “Metohija“ të kishës ortodokse, është dashur t’i quanin me një emër të përbashkët “Metohija”. Në fund, duke marrë parasysh të gjitha burimet historike të njohura, mund të themi me plot gojën se territori i Pejës, i Gjakovës dhe i Prizreni i sotëm, deri në vitin 1945, nuk ka pasur asnjëherë kuptimin gjeografik Metohija. Përkundrazi, prej shek. XV e deri në vitin 1945 (vit ky kur shteti komunist i Jugosllavisë Kosovës ia qepi edhe Metohinë deri në vitin 1968) ruante konceptin gjeografik Rrafshi i Dukagjinit ose shkurt Dukagjin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok