22/11/2024

SI TË ISHTE FUNDI I BOTËS

0

Tregim nga  Resmi Osmani

Fshati malor, dikur plot jetë e gjallëri, tashmë thuajse ishte braktisur. Tym nga oxhaqet dilte vetëm nga katër shtëpi. Në dy prej tyre banonin katër të moshuar, që kishin vendosur ta sosnin jetën në vatrat ku kishin lindur dhe dy të rinj , nip e mbesë, që kujdeseshin për ta: Lena, shtatëmbëdhjetë vjeçe,që kishte ndërprerë gjimnazin në qytet, pwr tu gjendur e shërbyer gjyshit e gjyshes, dhe Dritani i diplomuar agronom, qw s’kishte gjetur punë dhe u kthye edhe ai për tu shërbyer pleqve dhe për të mirëmbajtur vreshtin dhe pemishten e mollëve. Bora e fund shkurtit që ra dy dit  paprerë , vuri shtresë dhe mbylli e bëri të pakalueshme rrugën e vetme që e lidhte me fshatrat e tjerë dhe qytetin, që edhe ashtu, ishte larg. Desh e mira, rryma elektrike nuk u ndërpre dhe për celularin kishte valë.

Lena u zgjua heret. Doli nga shtresat. Dhoma ishte e ftohtë e i shkaktoi të dredhura.  U vesh me ngut. Hodhi sytë nga dritarja. Bora kishte rreshtur, por kishte vënë shtresë. Asaj iu duk si shkretëtirë e bardhë, por e bukur, një bukuri e virgjër. Çarçafi i saj  i ftohtë mbulonte gjithëçka:  pullazet, oborret, udhët dhe kishte veshur me stolinë e argjendtë gjithë pemët dhe drurët e pyllit. Ishte një botë si në ëndërr. Një ishull i bardhë vetmie dhe  heshtje, si në zanafillë, në një botë tjetër, të largët e të panjohur. Vetëm fjollat e tymit që delnin nga tymtarët, rrëfente se atje gjallonte jeta.

Nga dhoma ngjitur u dëgjuan të kollitura. Gjyshja me gjyshin ishin zgjuar. Huqi i pleqve, flenë pak. Lena u uroj mëngjesin dhe ndezi zjarrin. Bëri kafetë dhe vuri tenxheren me ujë për të zier trahananë. Pastaj doli përjashta, me kujdes që të mos rrëshkiste se bora kishte ngrirë. Pulat po kakarisnin në qymez.U hapi deriçkën dhe u hodhi ushqimin në koritë. Mblodhi vezët në përparse dhe nxitoi për të përgatitur mëngjesin. Aroma e gjalpit të shkrirë që përvëloi trahananë ermiroi gjithë shtëpinë.E ndau në pjata, thërrmoi mbi të djathin dhe u ulën të tre në tryezë.

Televizori jepte lajmet: kohë kovidi, pandemi drithëruse, gjithandej të sëmurë, pamje të frikshme:  të shtruar spitaleve, me maska oksigjeni dhe tuba, që ishin në hjekën e fundit, pamje morgu me të vdekur, më së shumti  të moshuar.  Dëgjonin e vështronin në hehtje. Një natë më parë, një mjekrosh opinionist, tha se botës po i vinte fundi, e se dikush, që e kishte shpërndarë këtë flamë,( se me siguri e kishin shpërndarë) donte të fironte njerëzinë që ishte shtuar shumë ! Thanë e ç’nuk thanë. Njeri që ishte më optimist, tha se çdo ditë që jemi gjall, le ta jetojmë si të ishte fundi i botës, se të nesërmes nuk i dihej, gdhiheshim por nuk ngryseshim!

Gjyshit që si ndahej kolla, një kollë e keqe që ai thoshte se e kishte nga duhani i sertë që e tymoste me llullë,tundi kokën me dyshim dhe tha se kjo ishte flamë, që vinte nga se prisje, tek je tek jam dhe se Zoti na ruajtë të rinjtë, se ne e kullotëm çairin! Gjyshja nisi të grindej dhe ankohej kotnasikoti. Por ajo mbahej më mirë se gjyshi. Lena ishte mësuar me të tilla ankesa.

Nga punët e mëngjesit kishte mbetur mjelja dhe ushqimi i lopës dhe Çapit, qënit roje të shtëpisë. Lena ia lau sisët Larës me ujë të ngrohtë pastaj nisi ta milte, por lara s’donte ta jepte qumshtin pa e parë viçin qe po bërlykej. Kova u mbush plot, sipër vuri një shtresë shkumë dhe ndjehej amza e qumshtit të sapomjelë. I hodhi në grazhd një vandak me jonxhë të thatë dhe pastaj mori karrocën e dorës dhe pastroj sheshin e plevicës. Plehu të shponte hundët me erën e amonjakut. E hodhi në pirgun e  plehrishtes. Nga plehu i freskët u ngrit një shtresë avulli. Ajo ngutej ti vinte përpara punët e mëngjesit se e kishte lënë me të dashurin, Dritanin, të shkonin një shëtitje në mal, përmes pyllit me borë. Së pari një banjë, rrobat e leshta kishin thithur erën e stallës. Shiu i ujit të ngrohtë i shkrifi trupin e gjallëroi dhe e prehu. Veshi ndrresa të pastra.Ujë e sapun, por edhe ca pufka parfum aromëlehtë në sqetulla dhe në gushë .

Tashti, po. Gati për shëtitjen me Dritanin, për ta jetuar këtë ditë si të  ishte fundi i botës!.

Dëgjoi një vërshëllimë. Zgjati kokën në dritare. Ishte ai, po e priste jashtë gardhit duke kërcyer pupthi që të ngrohej. U vesh. Vuri rripat e çantës së shpinës në supe, u tha mirupafshim gjyshes e gjyshit dhe doli, e përcjellë nga porositë që të ruhej mos ftohej e e të mos vonohej.

U zunë për dore dhe morën udhën për në shtegun e pyllit plot me drurë të moçëm ahu, që do t’i nxirte lart në majë. Të ecurit ishte i vështirë, këmbët fundoseshin deri afër gjurit në dëborë. Dritani ecte përpara, Lena shkelte në gjurmët e hapura prej tij.

– Ke ftohtë nga këmbët?-tha ai._

– Jo, kam veshur çizme me push nga brenda, tha ajo- Po ti?

-Jo, çorapet e leshit mi mbajnë ngrohtë, por nga qafat e këpucëve hyn ndonjë grimcë bore.

Dukeshin si pyetje të zakonshme, por ata e dinin se ato s’ishin të tilla, në to fshiheshin të tjera fjalë, të përzemërta e të dashura, me atë kod që vetëm ata dinin ta kuptonin. Kishin bërë gjysmën e rrugës, kur arritën në shtegun e përpjetë të pyllit, kur qëndruan për tu çlodhur. Frymonin shpejt, fjollat e frymës  kondensoheshin menjëherë  sa dukej sikur frymëmerrnin mjegull.

-U lodhe?,

-Jo, po e përpjeta dhe dëbora ma vështirësojnë ecjen.

-Qëndrojmë ca e çlodhemi-tha ai dhe , mbështeti shpatullat pas trungut të një ahu të moçëm.

Dritanit i pëlqeu zëri i saj melodioz,  me timbër gati fëmijëror.     Nga sytë  ngjyrë laithie, i buronte drita e paqtë, e dashur dhe e qetë, teksa në çipat e buzëve të plota, ajo buzëqeshja, ia zbukuronte pamjen gati fëminore të fytyrës. E tërhoqi nga vetja, e mbështeti në parzëm dhe e puthi gjatë ëmbël, sa ju mor fryma. Ajo u tulat në gjoksin e tij.

-Më do? Pyeti me zë të dridhur.

– Ç’është kjo fjalë? Shumë, oh sa Shumë. Tha ai.

– Nuk u shpreha mirë. Desha të them: a më dashuron vërtet, ashtu siç të dashuroj unë?

– Ti e di edhe pa më pyetur. Ti je dashuria dhe gëzimi im.

– Jo. Nuk të besoj, s’më thua të vërtetën. Ti bën sikur më dashuron, se unë jam një vajzë fshati, që rrëmih tokën, mjel lopën, me shkollë të papërfunduar dhe….. nuk jam e bukur. Gjyshi thotë që jam abrashe. I kam ngjarë sime mëje. Pohoi ajo si të ishte zënë në  faj.

-Ç ’është abrashja? Pyeti ai.

-Po ja si ta them, as bjonde as gështenjë, si gjë e shplarë dhe me quka në fytyrë. –Pastaj ajo mërmëriti si me gjysëm zëri një dyshim-Ti atje, në universitet ke njohur e dashur vajza vërtet të bukura. Që mbase presin t’u kthehesh. Mua bën sikur më do, se jam e vetmja vajzë që ka mbetur këtu. Sos kishte të tjera dhe nuk zgjodhe!

-Pa shih gjyshi!Ç’ mendime të ka future në kokë. Mësova edhe një fjalë që se dija. Eja këtu moj më e  bukura e abrasheve. I puthi të dy sytë, pastaj gushën. Ajo fërgëlloi. Ai ndjeu në gjoks shtypjen e gjinjve të saj të fortë. -Të dua qukse, ti je dashuria dhe gëzimi im.!

Ai mund t’i thoshte plot gjëra që i erdhën në mëndje,nga gjithë ç’kish lexuar e dëgjuar dhe që e vlenin në rastin e tyre: që çdo vajzë e dashuruar është e bukur, sepse e zbukuron dashuria, se bukuria nuk gjendet në pamjen e fytyrës e të trupit, por në dritën e zemrës, që buron e rrezatohet nga sytë, dhe se çka është e mirë është edhe e bukur dhe se bukuria nuk është ndonjë gjë e madhe.Atij ju kujtuan vargjet e një poeti: e bukur si ëngjëll qiellor, e keqe në shpirt si demon! Bukuria u jepet verbërisht si dhuratë edhe njerëzve të ligj! Dashuria, mendoj Dritani, është lumturi, ngazëllim dhe dehje nga jeta, atëhere kur hyn si një ëndërr, në mendjen dhe zemrën e një vashe të re, apo vasha në mëndjen dhe shpirtin e një djali të ri! Dhe se dashuria nuk është vetëm shpirtërore por edhe shqisore, prekja, përkëdheljet, të puthurat, hyjnë në qënien, mendjen e në   shpirt e zemër si drithërimë e ngazëllim, bëjnë që dashuria të përmbushet e dy shpirtra të shkrihen në një, të lidhen me njeri-tjetrin. Gjë e çuditshme dhe e pa spjegueshme është dashuria! Por ai nuk ia tha asaj gjithë këto, druhej se a do t’a kuptonte ajo dhe  do t’i dukej qesharak. Kaq gjë e dinte: se çastet dashurore janë të qeta, të heshtura,të prushta edhe në ditët e ftohta me borë, por gjithsesi që flasin gjuhën e fshehtë, janë tingëlluese  si më e bukura melodi tokësore e  qiellore.

-Eja këtu moj më e bukura e abrasheve!- I puthi të dy sytë, pastaj gushën. Ajo fërgëlloi. Ai ndjeu në gjoks shtypjen e gjinve të saj të fortë.-Të dua qukse, ti je dashuria dhe gëzimi im!

-Një, dy, tri, Dritani dhe Lena bëjnë dashuri! Një dy tri, Lena dhe Dritani bëjnë dashuri!

Ata u stepën dhe u habitën.Po kjo e papritur, tek je, tek jam!?  Ishin zëra fëmijësh, në kor, që qetësia i bënte me tingëllim kristalor. Zërat vinin, por  ata që e këndonin  nuk dukeshin.Ishin fshehur pas trungjeve të aheve.

-Mjaft bërtitët, dilni, ku jeni fshehur?

Ata u shfaqën duke u zgërdhirë me shpoti. I njohën,Ishin fëmijët e shtëpive të tjera. Veshur me xhupa dhe me kapuçe leshi që u mbulonin dhe veshët.

-Ejani këtu.

-Jo, se na shkul veshët, dhe  me kete të ftohtë kemi frikë se do të mbeten në dorë!

– Mos u frikësoni, u jap fjalën.

Ata u afruan, por me kujdes dhe qëndruan disa hapa larg. Hundët dhe duart u ishin skuqur nga të ftohtit.

-Pse keni dalë në pyll në këtë të ftohtë?

-Kemi vënë leqe për lepura dhe  gracka për mëllenja.

-Keni kapur gjë?

-Mos e pyet, në njerin nga leqet kishte rënë maçoku i xha Tasit.

-Kishte ngordhur?

-Jo. Nuk thonë kot që macet kanë shtatë shpirtëra.Mezi e liruam, ishte egërsuar aq shumë, sa desh na shqeu me çaponj.

-E po, ditën e mirë. Shkoni në shtëpi, se edhe ne do ngjitemi lart në majë.

– Dritan, dhe ti Lena, mos kini frikë, ne s’jemi spiunë dhe si themi as njeriu atë që pamë.

-Çuna, mos u vini në zor. S’ka gjë të fshehtë.Në dashçi thuajeni në gur e në dru.  Në të katra shtëpitë, e dinë që ne duhemi.

Ec dhe ec, duke çarë mes shtresës së  dëborës që kërciste nën këmbët e tyre. Dielli në qiellin e kthiellët e ndrinte shtresën e borës sa të merrte sytë. Brezi i drurëve të ahut ia la vendin  pishave.Degët e tyre ngarkuar nga pasha e borës, vareshin e harkoheshin sa ti prekje me dorë. Hera herës, prej tyre shkëputeshin shuka bore që binin me zhurmë. Më në fund ata arritën në majë.Mbi ta qielli i ndritur. Qëndruan për t’u ngopur me frymë. Pamja e pikturës dimërore që hapej para tyre ishte madhështore  dhe mahnitëse. Ndën ta niste tatëpjeta, në fund rridhte lumi dhe përsëri deri larg në horizont malet, njeri pas tjetrit, si ca kuaj të bardhë të ngrirë.Matanë tyre, mendoj Lena, të tjera vende, të tjerë njerëz. Mbi ta, në lindje ishte ngritur flutrim një shqiponjë vetmitare. Lena iu afrua dhe më pranë buzës së greminës.

-Dua të fluturoj- tha dhe hapi krahët- të bashkohem me shqiponjën, ta shoh botën nga lart!

-Eja, -tha ai, kapëm fort për dore, mbylli sytë dhe të ngrihemi në fluturim!

Dhe ata u ngritën në fluturim, se dashuria lëviz diellin dhe yjet, u jep krahë për të fluturuar të dashuruarve.Dhe ata panë nga lartësitë qiellore një tjetër botë, jo siç ishte por siç e ëndërronin.

-Ç’farë shikon?

-Një lëndinë të gjelbër stolisur me lule shumngjyrëshe, ujvara, ylberin, Princin e Kaltër hipur mbi kalin e bardhë dhe Hirushen me kurorë lule portokalle dhe fustan nuserie. Më tej një shtëpizë të kristaltë dhe lulishten me trëndafile!

– Pa shihe mirë, kujt i ngjan princi i Kaltër?

-Je ti. Hirushja jam unë. U ndale para meje dhe më dhe dorën e më ngrite hopa,më ule në gjunjë dhe i grahe kalit drejt shtëpizës së kristaltë!

-Hapi sytë. Bëri si i tha.Nga qielli në tokë. Bardhësia e dëborës që reflektonte dritën e diellit i lbyri sytë.

Zgjodhën një shesh, nën një pishe të moçme, pastruan borën dhe Lena hoqi çantën nga shpina. Dritani mblodhi një vandak me shkarpa të thata dhe u dha zjarr. Gjuhët e flakëve u ngritën sakaq dhe u ndje afshi i  ngrohtësisë.  Nga dielli që tashmë ishte ngritur lart, dukej se afroi dreka.Të ecurit dhe ajri i ftohtë u kishin hapur oreksin. Lena çelii çantën e shpinës: Një qeskë me petulla të sheqerosura, vezë të ziera, djathë dhe çyrek. Nisën të hanin në heshtje. Pas pak Lena pyeti:

-Për ty, që je me shkollë, ç’është fundi i botës?I beson ato që thuhen?

Pa shih,-mendoi Dritani, – ku i shkon mendja vogëlushes!Si t’ia spjegonte?

-E ç’të duhet ta dish?

-Ashtu kot, me që përflitet. Ia nguli vështrimin dhe priste me kërshëri një përgjigje.

-Si ta them, kur njerëzit dhe gjallesat vdesin dhe shuhet jeta.Por kjo as ka ndodhur as do të ndodhë. Natyra i do dhe i ruan krijesat e saj edhe kur bota shkon keq e mos më keq. Pastaj, bota është sa e madhe aq edhe e vogël! Ja, ne jetojmë në këtë cak të largët ku na ka hedhur fati, kjo është bota jonë. Për të tjerët ne jemi askushi. Nuk e dijnë që ne jemi në jetë. Ti apo unë jemi thjesht ca njerëz më shumë, që popullojmë këtë vend, por për mua ti je e veçantë, je vetë bota. Kështu për miliona e miliona në tërë rruzullin.  Mendoj dhe besoj se për gjithsecilin,  fundi i botës vjen kur ikën nga jeta.

– Ma bëre mwndjen rrëmujë. Ah, ju shkollarët,nuk flet dot më shqip? Thonë se pas vdekjes ka një  tjetër botë.Kam dëgjuar që kur dikush ikën nga jeta, thonë “Pushoftë në paqe dhe qoftë i parajsës.Ti e beson?

Ai rrudhi supet.Pyetja nuk i pëlqeu. Kishin ardhur këtu për të gëzuar jetën e jo për të kujtuar vdekjen.

– Si të shkon mendja në të tilla gjëra? Kështu thuhet në librat eshenjtë, ka shumë që e besojnë, por prej andej askush nuk është kthyer të na e thotë!

Lenës nuk i pëlqeu përgjigja.Dukej që Dritani nuk besonte në atë botën tjetër, kurse ajo donte që të ishte e vërtetë.

Mbaruan së ngrëni e më pas bënë dashuri.

U ledhatuan, u puthën e u puthën sa u laturisën, u rrokullisën mbi dëborë, ofshanë e rënkuan nga ai ngazëllim i brendshëm. Sa bukur, sa lumturi, sa kënaqësi që sjell dashuria! Dhe çdo gjë dukej më e bukur, bora më e bardhë, dielli më i ndritur, qielli më i kaltër, pishat e veshura me fustanin e bardhë ishin dasmore. Jetonin ekstazën e çastit,për ta ky çast ishte gjithçka, fillimi dhe mbarimi, dhe brenda këtij çasti për ‘ta ishte përjetësia. Dritani nuk duroi dot më, me duart që i dridheshin nga padurimi e mori në gjunjë dhe nisi ti ulte pantallonat. Por ajo i zuri dorën dhe e ndali.

-Të lutem, mos! Këtë jo. Jo këtu dhe jo sot- tha dhe brofi në këmbë. Është e vetmja pasuri që kam. Do ta dhuroj pasi të shkojmë në altar!- ishte një lutje që bëhej me përgjërim, për të mos e kapërcyer atë kufi drejt së panjohurës sa të dëshëruar por edhe të frikshme, ai mister që e mendonte se i jepte fund dlirësisë së vajzërisë.

Dritani i dalldisur,i hutuar, u vetpërmbajt, por e pa i çgënjyer, vështrim,  ishte një pyetje e heshtur, që ai nuk mënoi ta bënte.

– E pse jo? A nuk tham që këtë ditë do ta jetonim si të ishte fundi i botës?

-Ashtu vërtet, por ti më the se bota s’ka fund. Dhe unë e besoj. Le të bëjmë durim, i dashuri im. Për dashurinë tonë,më shumë ditë do të vijnë sesa kanë ikur.-Heshtje.-Të mbeti hatri? Mos m’u zemëro.Pse u vrenjte? Hiqe nga fytyra atë pamje mërzie, buzëqesh. Të dua shumë. Eja. I dha dorën dhe Dritani u ngrit.-Thuaj që më do si më parë, më përqafo e më puth, bëma këtë ditë më të bukur!

Dielli po varej nga perëndimi.Të zënë dorë për dore, ata zbritën tatëpjetë, në po atë shteg nga kishin ardhur për tu kthyer në shtëpi, duke menduar për të nesërmen, që shpresonin të ishte po kaq e bukur, e mbushur me jetë, shpresë e dashuri.

Viti i dytë i pandemisë, Tiranë, qershor-korrik 2021.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok