24/11/2024

Si sot, në vitin 1789, George Washington mori detyrën e presidentit të parë të SHBA

0

Jahja Drançolli:

Si sot, në vitin 1789, George Washington (1732-1799), pas angazhimeve ushtarake afro 40-vjeçare për Atdheun, mori detyrën e presidentit të parë të SHBA. Pas rizgjedhjes me 1792 (i mbështetur 100% nga elektorati), hodhi poshtë nominimin për mandatin e tretë, dhe së këtejmi vendosi një traditë të shërbimit maksimal në dy mandate presidenciale!

Nga viti 1753 Washington ishte në detyra të ndryshme ushtarake. Në kohën kur marrëdhëniet midis Anglisë dhe kolonive filluan të përkeqësohen, ai u përfshi edhe në jetën politike dhe mori pjesë në Kongresin e parë të famshëm Kontinental në Filadelfia më 5/V/1774. Pas përplasjes së parë të trupave angleze dhe amerikane, Washington u emërua Komandant i Lartë Ushtarak nga Qeveria Revolucionare në Kongresin e Dytë Kontinental në Filadelfia (10/V/1775). Megjithëse, Washington nuk kishte përvojë të luftonte me ushtrinë në një fushë të gjerë beteje, guximi dhe përkushtimi i tij kontribuan ndjeshëm në fitoren përfundimtare. Përkundër një ushtrie të pajisur dhe të stërvitur dobët, si dhe intrigave e të zilisë dhe të tradhtisë, Washington ngadhënjeu më 1781 në Yorktown dhe ushtria amerikane hyri në New York më 25/XI/1783. I kënaqur me arritjet, në mbrëmjen e Krishlindjës (1783), u kthye në pronën e tij në Mount Vernon, për tu angazhuar në bujqësi për katër vjet. Meqë, pas Luftës Amerikane për Pavarësi, çështja e unionit është imponuar gjithnjë, Washington u përfshi sërish në jetën politike. Ai u zgjodh unanimisht në janar 1789 si Presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara, dhe mori detyrën më 30/IV/1789 për mbetur në dy mandate deri më 4/III/1797. Gjatë gjithë kësaj kohe, ai e menaxhoi shtetin e ri me kujdes, duke u ngritur atë mbi mosmarrëveshjet e partive dhe duke kapërcyer dallimet dhe mosmarrëveshjet midis shteteve federale. Vendosi konventa veprimesh për Presidentin dhe ekzekutivin që nuk përcaktoheshin specifikisht në Kushtetutë. Në politikën e jashtme, sipas traktatit të vitit 1795, ai vendosi marrëdhëniet me Britaninë, si dhe shpalli neutralitetin e SHBA-së në luftërat europiane dhe nuk pranoi të bashkohej me aleancat ndërshtetërore, të cilave u bëri thirrje në mesazhin e tij të lamtumirës (Farewell Address) më 19 shtator 1796. Me mbarimin e mandatit të tij ai u tërhoq në pronën e tij!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok