22/12/2024

Si po shërben “ekstremizmi” i Albin Kurtit të fsheh pozicionin pro-rus të Richard Grennell?!

0
Enver-Bytyci1

Nga Enver Bytyçi

Zgjedhjet në Serbi për parlamentin dhe diku te 40 komuna përfunduan. Rezultati doli menjëherë dhe në këtë aspekt nuk ndryshoi asgjë në traditën e mëparshme. Por opozita i quajti ato “zgjedhje të ndyra”! Shumë vëzhgues kanë raportuar gjithashtu për ndyrësinë e tyre me blerje e shitje votash, njësoj sin ë Shqipëri. Ndërkaq këto zgjedhje të ndyra ambasadori Richard Grennell nxitoi t’i konsiderojë si të suksesshme. Ai bëri deklaratën e pazakontë në përkrahje të presidentit Vuçiq, duke u përpjekur të manipulojë e ta përligjë “fitoren” e tij me “ekstremizmin e Albin Kurtit” dhe dënimin nga komuniteti ndërkombëtar “në mënyrë universale” të tij.

Grennell shkroi në platformën X, ende pa përfunduar numërimi i votave, se “Unë po dëgjoj shumë prova që pretendojnë se të pavarurit dhe pensionistët në Serbi në fund votuan për SNS-në sepse Vuçiq e trajtoi shumë mirë liderin ekstremist të Kosovës, Albin Kurti. Kur komuniteti ndërkombëtar e dënoi Kurtin në mënyrë universale, atyre iu pëlqeu mënyra sesi Vuçiq e menaxhoi krizën dhe qëndroi mbi të. Më kujtohet se duhet të bëja presion ndaj Serbisë dhe Kosovës në mënyrë të barabartë kur Thaçi ishte President. Por me ardhjen e Kurtit në pushtet, situata ka dalë jashtë ekuilibrit. Kurti krijoi probleme dhe radikalizmi i tij ishte një çështje kryesore për këta votues”.

Nuk është hera e parë që ish-ambasadori amerikan në Gjermani përdor provokimin si mënyrë të tijën për të promovuar interesat serbe e ruse në Ballkan. Thjesht ai zgjedh mënyrën e komunikimit, me qëllim që të duket i besueshëm. Ndërkohë përmes kësaj mënyre komunikimi ai arrin të fshehë dëshirën e tij për ta parë Rusinë në rajon. Se kjo politikë e tij është saktësisht kjo që po them më lart, e dëshmojnë qëndrimet e zotit Grenell në mbështetje të së djathtës ekstreme europiane, e cila është në thelbin e saj pro-ruse dhe e deklaruar hapur kundër Kosovës. Kosova dhe Rusia janë binomi i qëndrimeve anti-shqiptare në qarqet politike e diplomatike europiane dhe amerikane. Që do të thotë kush qëndron në mbështetje të Rusisë, ai predikon zhbërjen e shtetit të Kosovës.

Për Grennell nuk është ekstremiste Mari Le Pen e ekstremit të djathtë në Francë. As AFD gjermane apo partia ekstremiste e pazareve financiare me rusët në Austri. Ekstremist, sipas tij është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Sipas tij nuk është ekstremist Radoiçiq, as ai që qëndron pas tij, Aleksandër Vuçiq. Nuk e kemi dëgjuar zotin Grennell të thotë ndonjëherë se “është ekstremist p.sh Aleksandër Vulin”, i cili bashkëpunon hapur me shërbimin sekret të Rusisë. Madje sipas regjisë ruse eliminoi eksponentë të opozitës së Putinit në Beograd. Nuk janë ekstremistë, sipas këtij diplomati amerikan, ata që sulmojnë KFOR-n, policinë e Kosovës, EULEX-in dhe gazetarët ose ata që sulmojnë serbët në veri të Mitrovicës, me qëllim presioni të mos pranojnë shtetin e Kosovës.

Por ekstremisti na qenka kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pse ai ka qëndruar fort në mbrojtje të integritetit territorial dhe shtetësisë së Kosovës. Nuk e di pse ai e kursen në këtë vlerësim të tijin edhe presidenten Osmani, e cila është po aq e vendosur sa edhe Kurti për ta mbrojtur shtetin dhe territorin e Kosovës. Mesa duket me Kurtin ka edhe llogarinë e pambyllur të rrëzimit të tij nga pushteti dhe “si për hakmarrje”, kthimin e tij sërishmi në pushtet.

Ta lidhësh fitoren e Aleksandër Vuçiq me “ekstremizmin” e zotit Kurti është idiotësi dhe miopi politike. Asnjë fakt, asnjë provë nuk mund ta dëshmojë këtë. Sepse serbët në Kosovë sot janë më afër institucioneve të vendit sesa kurrë më parë, nën qeverisjen e të preferuarit të Grennell, Hashim Thaçit. Sepse Albin Kurti i mbrojti serbët e veriut nga vetë ekstremistët dhe terroristët e mbështetur nga miku i Grennell, Aleksandër Vuçiq dhe kjo mbrojtje ka bërë që ata të afrohen me kryeqytetin e tyre, Prishtinën. Serbët e Kosovës në rastin e aktit terrorist të 24 shtatorit dëshmuan se janë për maturi dhe panë te qeveria Kurti mundësinë për të realizuar ëndërrat e tyre brenda këtij shteti.

Ndërkaq Grennell së bashku me Thaçin, Ramën dhe Aleksandër Vuçiq u angazhuan për një projekt tjetër, atë të ndarjes së Kosovës, me arsyetimin se “serbët nuk e pranojnë shtetin e Kosovës”! Jam i bindur se gjithçka që shkruan Grennell kundër Kurtit e kundër Kosovës është çokë për Aleksandër Vuçiq dhe Vladimir Putin. Më tej akoma është përpjekje për të nxitur Serbinë për destabilizimin e Ballkanit. Ai, i njohur, si një politikan dhe diplomat anti-europian, madje me agjendë kundër këtij bashkimi, synon që këtë projekt të përçarjes dhe shkatërrimit të Evropës ta realizojë nëpërmjet ekstremistëve të tillë siç janë sot liderët serbë në Beograd, në Ballkan dhe Evropë. Vuçiq, Orban, Edi Rama dhe të tjerë sharlatanë ballkanas e përtej Ballkanit janë aleatët e Richard Grennell. Ndaj dhe ai nuk mund të pajtohet në asnjë rrethanë me “ekstremistin” Albin Kurti. Në thelb as me qëndrimet e Vjosa Osmanit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok