21/12/2024

Si ish-sigurimsi 97 vjeçar Pilo Shanto vazhdon luftën kundër CIA-s në SHBA, si qytetar amerikan, me pension shtetëror amerikan

0
Kastriot-Myftaraj

Nga Kastriot Myftaraj

Këto ditë në mediat në Shqipëri qarkulloi bujshëm përralla e treguar nga ish-oficeri i Sigurimit të Shtetit komunist shqiptar, Pilo Shanto për atë sesi Sigurimi i Shtetit në fillim të viteve pesëdhjetë  vuri në lojë shërbimet e fshehta amerikane dhe britanike duke bërë të dështonte operacioni i tyre për përmbysjen e diktaturës komuniste në Shqipëri nga desantët, të quajtur në Shqipëri me fjalën e përdorur nga rusët “diversantë”.

E vërteta e kësaj ngjarjeje është se pas këtij “suksesi” të madh të Sigurimit të Shtetit ishte Kim Philby, agjenti sovjetik në shërbimin e fshehtë britanik që ishte dhe ndërlidhës me atë amerikan, prandaj spiunonte edhe CIA-n te KGB. E vërteta e plotë mbetet ende për t’ u zbuluar dhe mund të ketë pasur edhe agjentë të tjerë sovjetikë që kanë ndikuar.

Që Pilo Shanto vazhdon tregon përralla dhe sajon anekdota sigurimse edhe tani në moshën 97 vjeç, kjo gjë nuk do të kishte asnjë rëndësi, nëse ai nuk do të jetonte në SHBA, ku prej kohësh ka marrë shtetësinë amerikane, paguhet nga taksapaguesit amerikanë me një pension pleqërie, të cilin po e gëzon më gjatë se shumica e amerikanëve që kanë punuar dhe paguar për pensionet e tyre, si dhe përfiton shërbimet shëndetësore pa pagesë në spitalet amerikane. Ky është triumfi i vërtetë i ish-sigurimsit Pilo Shanto ndaj CIA-s.

Por ka edhe më, djali i Pilo Shantos dhe nusja e tij janë punonjës federalë amerikanë jo të parëndësishëm. Logjikisht në statusin e tyre duhet të ndikonte fakti që Piloja vazhdon punon   praktikisht për shërbimin e fshehtë rus si dikur.

Ata shqiptarë të cilët i besuan CIA-s dikur dhe morën pjesë në operacionet desantuese ranë në kthetrat e diktaturës komuniste dhe e pësuan e bashkë me ta edhe familjet dhe të afërmit e tyre që vuajtën në burgje dhe kampe internimi të punës së rëndë të detyruar dhe të papaguar. Vështirë që ndonjëri prej tyre që ka qenë moshatar me Pilon të jetë gjallë sot.

Piloja është gjallë dhe mirë me shëndet sepse për shëndetin e tij kujdeset shteti amerikan. Me paratë e taksapaguesve amerikanë Pilo Shantoja ka bërë edhe një udhëtim në Moskë për të nxjerrë mallin e kohës së shkollimit atje, si dhe për të vënë një tufë lule te varri i Kim Philby-t, duke pohuar kështu tërthorazi se kujt i takonte merita e arritjeve që i jep vetes dhe ish-Sigurimit të Shtetit komunist.

A nuk duhej që ky Pilo Shantoja duhet të kishte qenë person i padëshiruar në SHBA, nuk duhej që t’ i jepej e drejta e hyrjes në SHBA dhe as t’ i jepej shtetësia amerikane.

Pilo Shantoja në SHBA, me shtetësi amerikane, me pension shtetëror amerikan bën atë që është mësuar të bëjë, luftën kundër CIA-sturpi dhe krimi i qeverisë federale amerikane. Madje ka edhe të tjerë kolegë të Pilo Shantos në Amerikë.

Pilo Shantoja dhe eprorët e tij nuk kanë punuar Amerikën dhe CIA-n, por për Bashkimin Sovjetik dhe KGB-në kundër Amerikës dhe CIA-s. Operacioni i dështuar për përmbysjen e diktaturës komuniste në Shqipëri njihet si një nga dështimet e mëdha të CIA-s.

Enver Hoxha, shefi i madh dhe idhulli i Pilos, kur la librat e tij testamentare me kujtime, në mënyrë domethënëse, atë për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane e quajti “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë”, atë për marrëdhëniet shqiptaro ruse “Hrushovianët”, atë për marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave “Titistët”, atë për marrëdhëniet shqiptaro-greke “Dy popuj miq”.

Nëse Enver Hoxha do të kishte përdorur në rastin e këtij libri të njëjtën logjikë si edhe në rastin e librit të tij për marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA dhe Britaninë e Madhe, të cilit i vuri titullin «Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë», atëherë duhej që titulli i librit “Hrushovianët“ të kishte qenë “Rreziku rus për Shqipërinë“, ose së paku “Rreziku sovjetik për Shqipërinë“. Por Enver Hoxha i diferencoi në mënyrë shumë domethënëse anglosaksonët nga sllavët. Kumti i qartë i Enver Hoxhës ishte se, derisa armiqësia me Rusinë ishte ideologjike, dhe mund të kapërcehej me ndryshimin e udhëheqjes në Kremlin, armiqësia me vendet anglo-saksone ishte e përjetshme. Pra, për sa i përket Rusisë, Enver Hoxha nuk shikonte për shqiptarët ndonjë rrezik të gjithkohshëm, si në rastin e vendeve anglo-saksone, por vetëm një rrezik që vinte nga disa persona të cilët në atë kohë ishin në pushtet.

Është çudi, ose ndoshta jo që Zëri i Amerikës nuk flet për këtë Pilo Shanton. VOA në shqip kontrollohet edhe sot nga agjentë të ish-Sigurimit të Shtetit.

Shumëkush mund të pyesë se përse Amerika e lejon Pilo Shanton të rrijë dhe të bëjë ato që po bën atje. Arsyeja është se Amerika ka zgjedhur si partner ish-komunistët dhe ish-sigurimsat për ta kontrolluar Shqipërinë për llogari të perandorisë amerikane. Nëse pyesni për arsyen e kësaj zgjedhjeje amerikane përgjigjia është se kjo ka të bëjë me atë se për çfarë i duhej Amerikës Shqipëria dhe në cfarë donte ta shndërronte vendin. Këtë punë e bënin më së miri ish-komunistët dhe ish-sigurimsat që e përdornin fjalën “atdhe” por ishin betuar në Manifestin Komunist të Marksit dhe Engelsit ku kërkohet të betohet që komunisti nuk ka atdhe.

Nuk duhet të çuditen amerikanët kur pasardhësit e njerëzve si Pilo Shanto dhe partia e tij, sot në pushtet në Shqipëri, të shiten te Partia Komuniste e Kinës sapo të venë re se Kina është fuqizuar më shumë se SHBA.

Shumë detaje, si ky me Pilo Shanton, më kanë nxitur që emisionin tim televiziv ta quaj “Ju flet Moska”, sepse Moska na flet edhe nga Washingtoni si në rastin e këtij Pilos, por dhe të atyre që ia kanë mundësuar këtë gjë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok