14/11/2024

SHUKRI AVDULLAH QORRI (1972-1999)

0

Unë do të rroj derisa ta shoh, të bukur Shqipërinë tonë të lirë dhe të madhe, e pastaj me gëzim le të vdes!

(Jeronim De Rada)

Nga Bedri TAHIRI

Pemishta (dikur Padalishta), më 223 ha, 64 ari, 84 m2, është vendbanim i vendosur nëpër kodrina, lugina dhe rrafshina, i tipit të shpërndarë, i ndarë në dy pjesë, atë të Skënderajt dhe atë të Istogut. Pjesa që i takon Skënderajt ndahet në lagjet:

Qorraj,

Beqiraj,

Loshaj dhe

Shala.

“Padalishta njihet për rezistencë kundër pushtuesve që nga koha e sundimit Osman, atij serb (1912-1915), austro-hungarez (1916-1918), jugosllav (1918-1941), për të vazhduar në vitin 1945, dhe për t’u kurorëzuar me luftërat  e ushtrisë sonë të lavdishme- UÇK-së, gjatë luftës së fundit 1998-1999”.

Në një kodër të Pemishtës (ish Padalishtës), lart mbi lumin Gujavç, i cili këtë vendbanim e ndanë përgjysmë, në pjesën që i takon Drenicës heroike, jetonte dhe gjallonte Fetah Qorri, i njohur më shumë si Bellani.

Ky burrë babaxhan, punëtor e trim, që në shtat mbante plagët nga lufta kundër Serbisë së Parë (Pas plagosjes se parë, serbët ishin kthyer përsëri, duke shtirë disa herë mbi të, që të siguroheshin se kishte vdekur, mirëpo siç thotë populli “kur nuk të vret Zoti,  s’ka çfarë të bëjë robi” dhe i mbijetoi të gjitha ato plagë, duke jetuar edhe disa vite më vonë).  Në jetën bashkëshortore pati fat, u martua me Zepën e Smakiqëve të Abrisë dhe patën tre djem: Jonuzin, Hysenin dhe Rexhepin.

Djali i madh i tij, Jonuzi u martua me Gjylën e Bekajve nga Tica dhe patën këta fëmijë: Fazliun, Avdullahun, Ajmanen dhe Zepën.

Avdullahu, djali i dytë i Jonuzit, lidhi fatin me Riva Çitakun dhe hisja e tyre u shtua me katër famijë: Hysnija, Hakiu, Shukriu dhe Lindita

Fëmijë i veçantë

Në janarin e egër të vitit 1972, pikërisht me datën 15, në shtëpinë e Avdullah Qorrit, erdhi në jetë një fëmijë i veçantë, të cilin e pagëzuan Shukri. Djaloshi, që në fëmijëri solli atmosferë të mirë në familjen atdhetare, por me një ekonomi të lodhur si gjithë banorët përreth. Edukata familjare veç e kishte përgatitur shpirtërisht nxënësin e klasës së parë të shkollës fillore “Ali Kelmendi” të Leçinës.

Edhe në mësime dallohej për të mirë. Interesimi i tij për historinë e të parëve, e dallonin nga moshatarët dhe e bënin një fëmijë të veçantë e mjaft kureshtar.

Mirëpo, kushtet e rënda ekonomike trokitën ashpër në derën e shtëpisë së tyre. Dhe, një ditë, babë Avdullahu mori shkopin e mërgimtarit. Vajti në Gjermani, në Ingolstadt të Bajernit. Me vete mori edhe familjen. Shukriu, krahas shkollimit për mekanik- axhustator, që e kreu me suksese, angazhohet në disa kurse të gjuhës gjermane, të cilat i ndihmuan që të punësohet.

Sidoqoftë, edhe pse jetonte dhe vepronte në Gjermani, mendjen dhe zemrën i mbante në Kosovë. Organizonte dhe merrte pjesë në çdo aktivitet kombëtar dhe, gjithmonë, me rroba kombëtare. Frikën e kishte vrarë moti. Armët i donte shumë. Paranë nuk e kursente për të mirën e atdheut…

Kthimi në Kosovë

Ngjarjet në Kosovë ecnin me ritmin e tyre. Tashmë lufta kishte plasur. Çdo ditë vrasje, dhunë, qëndresë e mbijetesë. Ngjau edhe Qirezi e Likoshani. Ngjau edhe Prekazi. Rënia heroike e Jasharëve i dha frymëzim luftës për liri. Zëri kushtrimtar ra si kambanarë. Jehu i saj arrit edhe në mërgim.

Dhe, një ditë, Shukri Qorri, mori bekimin e familjes dhe mësyu drejt zjarrit liridashës. E lajmëroi edhe të vëllain në Zvicër, Hakiun. Kështu, më 24 maj 1998, edhe zyrtarisht bëhet pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kur formohet Togu I, pika “Qarri”, i Brigadës 112 “Arben Haliti”, ky sypatrembur angazhohet në Njësinë Speciale, ku me sukses i mbaron të gjitha stërvitjet ushtarake. Aftësitë e shkëlqyera fizike dhe trimëria e trashëguar nga familja, Shukriun e bëjnë një personalitet të kompletuar që me sukses do të kryej çdo detyrë e obligim të ngarkuar nga eprorët e tij.

Në pikën “Qarri”, qëndronin e vepronin këta luftëtarë:

Mustafë Rexhep Qarri,

Shukri Avdullah Qorri,

Arsim Xhevat Qorri,

Tahir Hysen Qorri,

Sefer Hajzer Qorri,

Nderim Ali Qorri,

Amir Sahit Qorri,

Hajdin Rasim Qorri,

Mentor Ilaz Qorri,

Bajram Jakup Qorri,

Sylejman Jakup Qorri,

Gani Sefer Qorri,

Fitim Sefer Qorri,

Xhefer Fazli Qorri,

Skënder Rexhep Qorri,

Ali Miftar Qorri,

Rasim Jahë Qorri,

Nexhmedin Ilaz Qorri,

Ramiz Miftar Qorri dhe

Ismet Sylejman Qorri.

Kjo pikë, me emrin “Kodra e Qarrit” u zyrtarizua nga vetë komandant Abedin Rexha- SANDOKANI, më 3 qershor 1998.

Duke e parë se Pemishta ishte pikë strategjike për gjithë Zonën Operative të Drenicës, trimi qëndronte i patundur në istikamet që u bënin ballë suksesshëm forcave serbe. Aksionet e tij janë të pandalshme. Kudo që kërciste pushka çlirimtare në ato anë, Shukriu ishte atypari. Jeta në fronte iu kishte bërë përditshmëri e zakonshme.

Me urdhrin e eprorit të lartë të UÇK-së, Bekim Berisha- ABEJA, më 25. 06. 1998, caktohet vija e frontit dhe pas një kohe edhe bllokohet magjistralja Mitrovicë-Pejë, pikërisht në Pemishtë, tek “Ura e Ukshinit” mbi Gujafç, ku mori pjesë dhe u shqua edhe Shukri Qorri.

Mori pjesë dhe u dallua për vendosmëri e trimëri edhe në sulmin e punktit të Rakoshit më 2. 07. 1998. Shumë i zhdërvjelltë u tregua edhe gjatë sulmeve serbe mbi Pemishtë, më 7 korrik 1998, duke e tërhequr Rexhep Qorrajn e plagosur (babai i dëshmorit Mustafë Qorri), të cilin, bashkë me Mustafën dhe me Tahirin e dërgojnë në spitalin e Likofcit, te mjeku atdhetar Fadil Beka. Paskëtaj ishte pjesëmarrës në sulmin e Belicës e në Betejën e Kijevës…Me një fjalë, ku bënte bam, aty ishte edhe sypatremburi Shukri Qorri.

Rënia në kufirin shqiptaro-shqiptar

Sa më shumë që përhapej lufta, aq më shumë shtoheshin radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mirëpo, në anën tjetër, kishte mungesë armatimi e municioni. Nisur nga kjo, u paraqit nevoja e domosdoshme për të vajtur në Shqipëri për sigurimin e armatimit dhe municionit luftarak. Pati disa përpjekje, por për shkak të pengesave e përplasjeve në kufi, nuk u realizuan ato shkuarje. Asaj rruge u nisën shumë trima, edhe pse shpeshherë pësonin në pikat e vdekjes përgjatë vijës kufitare.

Një ditë, përmes pikës “Çitaku”, udhëhequr nga Hajzer Çitaku, drejt Alpeve Shqiptare, u nis edhe luftëtari i Pemishtës, Shukri Qorri me këta bashkëluftëtarë:

Hajzer Çitaku,

Besim Çitaku,

Shukri Qorri,

Ali Çitaku,

Isuf Çitaku,

Naser Çuni,

Ragip Çitaku,

Kajtaz Çitaku dhe

Driton Çitaku.

Ditën kur u nis për armatim, me dajtë e vet, Çitakët, Shukriu e mori veturën e tij, Opell Cadetin, të cilën e kishte blerë veç për shërbimet e ushtrisë. Ajo veturë ka histori interesante. Kur qe plagosur Rexhepi, i ati i Mustafë Qorrit, në oborrin e shtëpisë, ky me këtë veturë e pat dërguar deri në spitalin e Likovcit, dhe, në të kthyer, nëpër terr, në drita e hetojnë serbët që ishin të stacionuar në Kodër të Rakoshit, e prej andej e qëllojnë pandërprerë me praga. Vonë, tek kur i fishkëllejnë predhat përreth, i bie ndërmend për t’i fikur dritat, ashtu vepronin përherë ushtarët tanë. Më vonë, veturën  e tij e kemi parë në Junik, aty e kishte pas lënë, kur e ka kaluar kufirin për në Shqipëri,- rrëfen i ati, Avdullahu.

Ç‘është e vërteta, ai, bashkë me shokë, tri herë kishin provuar për tu kthyer në Kosovë, por qe e pamundur, ngase kufiri shqiptaro-shqiptar ishte mbërthyer me vargoj të hekurt.

Më 5 mars 1999 kyçet në Brigadën 138 Agim Ramadani”, te komandant Rrustem Berisha, më saktësisht në Njësinë e Topave, në artilerinë e lehtë, me top 75 mm, komanduar nga Feriz Terzhnjeva dhe fillojnë përgatitjet për thyerjen e kufirit të mallkuar, që ndante padrejtësisht trupin e Shqipërisë Etnike..

Edhe në ato përpjekje titanike u tregua shumë i suksesshëm. Tashmë, i angazhuar në operacion “SHIGJETA”, bënin përpjekje të vazhdueshme për thyerjen e atij kufiri të mallkuar vëllandarës. Ato beteja qenë të vështira e të përgjakshme. Disa herë pati mësymje e zmbrapsje, sulme e kundërsulme.

Beteja kryesore e Koshares u zhvilluar më 9 prill të vitit 1999 në kuadër të operacionit “Shigjeta”. Ajo qe njëra ndër betejat më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, më 9 prill të vitit 1999, shënoi jo vetëm një fitore morale për UÇK-në, por ajo i hapi rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës.

Shkëlqimi në beteja

Në njërën nga ato beteja, në Koshare, te Rrasa e Zogut, bie heroikisht edhe trimi i Padalishtës së Skënderajt të Drenicës, Shukri Avdullah Qorri, bashkë me Leonard Palucajn nga Klina, Fatos Limanajn nga Prishtina, Fisnik Ibrahimajn nga Shajne e  Dragashit…

Ramë në pritat serbe. Gjatë tërë ditës u zhvilluan luftime nga dy-tri orë, por forcat serbe u zmbrapsën. Kur u plagos Ambrozi, Leonardi e tërheq në shpinë deri përtej kufirit, tek Ambulanca e Shtabit dhe iu kthehet luftimeve. Ne u vumë në pozicione tek Rrasa e Zogut në Koshare. Natën e parë bëra roje me Leopardin. Të nesërmen herët në mëngjes, kah ora katër, filluan granatimet serbe. Luftimet ishin të ashpra e zgjatën tërë ditën. Ishte 19 prill 1999. Dikur kah mesi i ditës luftohej deri në dhjetë metra. Forcat serbe zmbrapseshin e prapë mësynin. Rreth orës 21 forcat armike hidhen me të gjitha mjetet, iu erdhën në ndihmë kontingjente të reja ushtarake. U tërhoqëm, por ndërmorëm kundërsulm. I zumë pozicionet tona…Luftimet ishin të rrepta, me intensitet gjithnjë më të shtuar. Trupat e luftëtarëve të vrarë nuk mund të tërhiqeshin. Po atë ditë kishin rënë edhe Fisnik Ibrahimi nga Shajne e Dragashit dhe Shukri Qorraj nga Padalishta,- rikujton Luigji.

Djali ka rënë për liri e për atdhe

Trupi i tij (ishte i pa emër) fillimisht është varrosur në Bajram Curr e pastaj në Koshare. Ndërkaq, pasi është bërë identifikimi përmes ADN-së në Rahovec, trupi i tij është rivarrosur në Varrezat e Dëshmorëve në Polac, më 7 shkurt 2003.

Vonë e mora vesh rënien e tij. Mendoja se është gjallë në ndonjë burg serb. Dy herë kam qenë në Junik, por nuk më tregonin se ishte vrarë, edhe pse sigurisht e dinin. Thoshin janë vrarë shtatë veta, tre oficerë e katër ushtarë, por për Shukriun nuk më tregonin. Nga Kryqi i Kuq i Rahovecit erdhën e më lajmëruan se trupin e djalit e kishin gjetur. Ai kishte rënë në fushëbetejë. Unë edhe u mërzita e më erdhi rëndë, por edhe u çlirova, sepse tashmë bile e dija se nuk paska mbetur në duart e serbëve të pashpirt,- shprehet i ati, Avdullahu.

Ndërkaq, e ëma, Riva Qorri- Çitaku, është më e fortë dhe as ditën që mori vesh për rënien e djalit dëshmor, nuk ia pa kush lotin. Ajo rrëfen: “Jo, jo, lotin nuk ma pa kush. Pak para së të hynte në kufi, pata folur me të në telefon. Sikur t’i tregonte Zoti, ma kërkoi hallallin. Biri im, hallall të qoftë qumështi që ta kam dhënë dhe nëse nuk lufton për atdhe, nuk më duhesh as mua! Të them të drejtën, ai qysh si fëmijë ka qenë i dalluar. Ishte i shkathët si zhiva. Kurrë nuk ka ditur çka është frika, as natën. Nuk ka lënë demonstratë pa marrë pjesë. Rënien e tij e mësuam pas katër vitesh. U mërzitëm, por edhe u çliruam, sepse tashmë po e dija se ku e kam djalin. Mendja më shkonte gjithkah, e mendoja nëpër burgjet serbe…Gjithmonë thosha me mujt me e gjet trupin e tij, sikur me e pa të gjallë. Interesant, ditën që ishte vrarë, e pashë një ëndërr të keqe, e pashë një varr të hapur…Kur erdhën ata të Kryqit të Kuq nga Rahoveci dhe na e dhanë lajmin se e kishin gjetur trupin e tij, u forcova. Përmes gjakut tonë, timit dhe të burrit, e vërtetuan se ishte djali ynë. Edhe një trenerkë të Gjermanisë nën rrobat e UÇK-së ia njoha. Aty i kishte pasur veç  tridhjetë lekë, pa kurrfarë dokumenti. Një copë granate e kishte qëlluar në anën e majtë, nën kraharor. Burrit i thashë, bëhu i fortë, se djali ka rënë për liri e për atdhe!

Edhe një fakt interesant, që dikujt mund t’i duket i pabesueshëm. Ditën që e nisëm për ta rivarrosur në Polac, te Varret e Dëshmorëve, që nga Pemishta e deri në arat  e Polacit na ka përcjell një sokol duke cicëruar. Për çudi, ai, ashtu nëpër qiell na erdhi edhe kur u kthyem deri në Pemishtë.

Me prindërit e dëshmorit Shukri Qorri në Skënderaj

-Isha në Zvicër dhe fola në telefon me Shukriun. Ai ende ishte në Tiranë, bashkë me Hajzer Çitakun, duke grumbulluar armatim për luftëtarët e lirisë që qëndronin në vijat e frontit në Kosovë. I shpjegova së Shtabi i Përgjithshëm kishte bërë thirrje për të gjithë ata që kishin dokumente të rregullta dhe leje për punë, që të ktheheshin në mërgatë dhe ashtu ta mbështetnin luftën materialisht nga jashtë. Ah, jo, ore vëlla, këtu qenka një realitet krejt ndryshe nga sa duket nga jashtë. Duke i parë njerëzit si refugjatë duke u përpëlitur rrugëve, nuk kam zemër tua kthej shpinën. Pa i provuar këto vuajtje e tmerre në vendngjarje, nuk i përjeton  njeriu kurrsesi, ma ktheu ai dhe vazhdoi punën e tij… – kujton sot i vëllai, Hakiu.

Duke folur për dëshmorin Shukri Qorri, bashkëluftëtari tij i ngushtë, gjegjësisht kushëriri dhe tezaku i tij, z. Arsim Qorri, rikujton:

Shukri Qorri ishte pika  e djalit. Kur e thirri zëri i atdheut, la luksin perëndimor dhe erdhi në zjarrin e luftës. Ishte i sinqertë, human, bamirës, i palodhur, sportist, humorist, i afërt me të gjithë, i hareshëm, por mbi të gjitha trim sypatrembur. Më kujtohet kur, me urdhër të Bekim Berishës- Abesë, sulmuam punktin e policisë serbe në Rakosh, sa me vullnet e me sa guxim u nis në aksion. Të gjithëve na dha zemër…”.

Nga muaj tetor 2018 eshtrat e tij pushojnë në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e UÇK-së” në Marinë të Skënderajt.

Varri i dëshmorit Shukri Qorri në Marinë

Rrugë me emrin e dëshmorit Shukri Qorri

Prindërit e dëshmorit Shukri Qorri

Dhe, nuk thuhet kos se dëshmorët kanë veç ditëlindje! Ata nuk vdesin kurrë. I tillë është edhe Shukri Qorri. Emri i Tij është përjetësuar në rrugë, në monumente, në lapidar. Mirëpo, më mirë se gjetkë ai qëndron tek i nipi, Shukriu i Ri, djali i Hakiut, i cili, me krenari mban atë emër dhe, sa herë vjen nga Zvicra, shkon dhe e nderon Dëshmorin

Shukriu i Ri nderon xhaxhain dëshmor (2020)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok