15/11/2024

Shtetet që kanë kryer mizori mbi popujt tjerë investojnë shumë në politikat e harresës dhe të falsifikimit të historisë

0

Qe njëri nga arkivat e UÇK-së, për ata që po kërkojnë të hapen ato!

Nga Blerim Latifi

Shtetet që kanë kryer mizori mbi popujt tjerë investojnë shumë në politikat e harresës dhe të falsifikimit të historisë. Ato bëjnë çdo gjë që krimet e tyre të harrohen, gjurmët dhe dëshmitë të zhduken dhe të vërtetat e njohura botërisht të falsifikohen.

Serbia është shembull tipik i këtyre shteteve dhe duhet të jesh naiv e i paditun të mendosh se ajo do t’i hapë arkivat e mizorive të saj të kryera në Kosovë.

Vetëm në një situatë mund të ndodhë kjo: nëse Serbia i futet një procesi të defashistizimit të përgjithshëm të vetes. Por kjo duket utopi, sepse serbët nuk janë si gjermanët, që t’i pranojnë faktet, t’i hapin arkivat, të pendohen e të bijnë në gjunj para viktimave të tyre.

Morali dhe nacionalizmi serb kurrë nuk kanë shkuar bashkë.

As historiografia serbe me faktet historike.

A nuk  ju kujtohen fjalët e Dobrica Qosiqit, kryeideologut bashkëkohor të nacionalizmit serb:

“Gënjeshtra është një lloj patriotizmi serb dhe dëshmi e inteligjencës tonë. Ne gënjejmë në mënyrë kreative, me imagjinatë krijuese”.

Natyrisht krejt këto dihen prej kohësh, por pse atëherë po na duhet t’i rikujtojmë?

Sepse naiviteti dhe paditunia e vendimmarrësve tanë në dialogun me Serbinë pa na detyron.

_________

Mishel De Montenji ishte një ndër mendjet më të ndritura në Europën e Shekullit të 16.

I lindur në një familje të pasur, ai qysh në fëmijëri u dha i tëri pas leximeve dhe ende pa e kaluar rininë e tij, ai arriti famën e një njeriu me dije enciklopedike.

Zhanri i të shkruarit që sot e quajmë ese, është shpikur prej tij. Përmbledhja e eseve të shkruara nga Montenji edhe sot të mahnit me stilin e të shkruarit dhe mënyrën koncize të të argumentuarit.

Aq e madhe ishte fama e tij prej mendimtari, saqë një ditë mbreti i Francës vendosi ta bënte guvernator të krahinës së Bordosë, ndërsa qytetarët e saj e pritën me gëzim këtë emërim. Ata krenoheshin se kishin për kryetar njërin ndër njerëzit më të ditur të Europës së asaj kohe.

Katër vite më pas në krahinën e Bordosë shpërtheu murtaja. Njerëzit vdisnin masivisht. Rrugët dhe shtëpitë kundërmonin nga kufomat. Të gjallët iknin nga të mundeshin. Dhe njëri ndër të parët që mori arratinë ishte vetë Montenji. Vartësit e tij i dërgonin letra e thirrje duke i kërkuar që ai të kthehej në krye të detyrës si drejtues i krahinës, por ai nuk iu përgjegj asnjëherë këtyre thirrjeve. Ai do të kthehej vetëm pasi të kalonte murtaja, por pa lavdi dhe pa dinjitet.

Kështu, derisa në fushën e mendimit ai e kishte tejkaluar kohën e tij, në atë të politikës ishte treguar një njeri i vogël dhe burracak.

Ajo që mësojmë nga historia e tij është se arti i politikës nuk kërkon vetëm të jesh i ditur, por edhe të kesh një zemër të madhe, një zemër guximtare. Fati në politikë u buzëqesh veç trimave, thotë një mendimtar tjetër i kohës së Montenjit.

_________

Në Kushtetutën e Kosovës ekziston një kontradiktë e madhe logjike në lidhje me institucionin e presidentit: në njërën anë aty thuhet se presidenti përfaqëson unitetin e popullit, ndërsa në anën tjetër po aty përcaktohet zgjedhja e presidentit nga një shumicë parlamentare që ka fituar zgjedhjet.

Kjo kontradiktë logjike pastaj e përcakton dualitetin e sjelljes së presidentit apo presidentës: ai/ajo formalisht e flet gjuhën e unitetit të popullit, ndërsa praktikisht ndjek agjendën e partisë në pushtet, e cila e ka zgjedhur.

Kështu që lodheni kot duke kërkuar që presidenti apo presidentja të jetë mbi palët dhe mbi përplasjet pushtet- opozitë.

Derisa nuk zgjedhet drejtpërdrejtë nga populli, secili president apo presidente ka me u shërby interesave të atyre që e kanë zgjedhur.

A nuk e thonë vetë rregullat e shkruara e të pashkruara të përfaqësimit: I zgjedhuri i jep llogari zgjedhësit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok