27/04/2024

SHTAZA BRENDA NJERIUT

0

Nga Mihal Gjergji

Asnjëherë s’kam guxuar të reduktoj moralin si fenomen brenda korrnizave të analizës logjike. Sepse s’do mundesha. Tekefundit, duhet të nisemi nga natyra për të mbritur te njeriu. Ngaqë natyra shqiptare është vërtet e veçantë dhe e mrekullueshme, kam shpresuar shumë që, edhe bashkëkombasit e mi t’i ngjanin sadopak asaj. P.sh, kaltërsinë e qiellit ta mbanin brenda kraharorit, por jo vetëm atë, edhe shqiponjën që kërkon hapësira lirie. Atë rrëmbimin e lumenjve tanë ta kishin ushqim për vrullin e punës. Ndërsa blerimin e kodrave dhe majëmaleve ushqimin e syrit dhe shpirtit. Spektri i dritës do ushqehej nga feksja e ylberit dhe brendia jonë s’do njihte kriza urie. Mirëpo s’ndodh kështu, fatkeqësisht! Jetën e gjallë dhe njerëzit e vërtetë kemi kohë që s’i kërkojmë në gjirin e natyrës, por në katakombet e errëta të barbarisë. Drejtimin e jetës ia kemi besuar shtazës që kemi brenda vetes. Ajo ngre krye, herë pas here, sepse e ndjen që njeriu s’është bërë njeri. Andaj kreshpërohet me thonj e me dhëmbë. Arsyen e ka zëvëndësuar instikti primitiv. Ngaqë s’mundemi të përsosim vetveten, shpresojmë tek të tjerët. Atyre u kemi besuar fatet tona, edhe lirinë ua kemi dorëzuar. Po ata janë të ngjajshmit tanë, s’kanë si ta bëjnë ndryshimin. Ndërkaq, “truri” i të besuarve është i prirur të na kufizojë jetën shpirtërore. Dhe po e realizon me sukses. Besoj se jashtë dëshirës tonë, s’mund të ekzistojë asnjë lloj mirësie. Kushti përcaktues i mirësisë së ëndërruar është liria, pa kufizime, pa litarë varësie. Në këto rrethana do merrte vlerë edhe bukuria etike, për të cilën mendojmë aq pak. Në kohën e kursyer hedh një sy ekranit të televizorit. Shtazë që ngulmojnë të rilindin mesjetën e vonë, zëvëndësojnë njeri-tjetrin. Gojë të ndotura që kundërmojnë erën e gjirizeve, vjellin vrerin e urrejtjes. Modeli më i keq për rininë. Fytyra të mavijosura dhe sy të përgjakur na kujtojnë vijën e frontit. Nxitoj të largohem prej tyre si ti largohem vdekjes. Në këto kushte, morali është ndarë prej nesh pa ceremoni mortore. Nuk di, cili brez do bëhet bartës i kulturës së trashëguar, tashmë të mbulur nga harresa. Qytetarët dhe vetëm ata duhet të bëhen përçues të progresit të brendshëm. Vetëmse natyrat e virgjëra njerëzore, paçka se të egra, mund të na afrojnë modele virtytesh. Tashmë ato janë tretur. Ndërsa civilizimi do jetë i vonuar, s’dua të them i largët. Pafuqia ekonomike paralajmëron kapitullimin. Gjithsesi, shtazët do heshtin vetëm atëherë kur të ndjejnë se njeriu shqiptar është bërë njeri. Ndoshta edhe do luten për mëshirë.

Tiranë, Nëntor 2020

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok