23/12/2024

Shtatë hapa për t’u bërë autokrat

0
Enver-Bytyci1

Nga Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi

Në kohët e sotme duket se demokracia është frenuar. Autokracia ka fituar terren, sidomos në Europën Lindore ish-komuniste. Demokracisë liberale i duhet të luftojë e të përballojë sulmet dhe stilin autokrat të pushtetit, të cilin e ushtrojnë disa liderë lindorë si Vladimir Putin, Viktor Orban, Rexhep Tayp Erdogan, Kascynski në Poloni, Vuçiq në Serbi, Edi Rama në Shqipëri, Bolsonaro në Brazil e shumë të tjerë nëpër botë, pa përmendur rastin kinez, ku sistemi është një partiak.

Fjala autokrat vjen nga greqishtja e vjetër, që do të thotë “sundues i vetëm”! Ky lloj sunduesi mund të jetë një udhëheqës i fortë, i cili mënjanon dy elementët themelorë të demokracisë, zgjedhjet e ndershme dhe parlamentin si institucion i kontrollit të ekzekutivit. Panorama që paraqitëm më lart na thotë se në përgjithësi demokracitë e reja janë ato që sfidohen shpejt e mund të kthehen lehtësisht në autokraci. Shqipëria dhe Serbia në rajonin tonë janë dy vendet tipike që provojnë këtë kthesë anti-demokratike.

Studiuesit dhe studimet mbi qeverisjen e format e saj në kohët e sotme moderne zbulojnë shtatë shkallë, nëpër të cilat duhet që një politikan lider të ngjitet deri te froni i autokratit:

  1. Autokratët vijnë në pushtet me parullat e antistabilishment. Si të tillë ata proklamojnë “njeriun e ri” me “filozofi të re” të qeverisjes! Shfrytëzojnë pakënaqësitë e qytetarëve për dështimet e paraardhësve. I propagandojnë ato si dështime të “estabilishmentit të vjetër”. Menjë fjalë vijnë në pushtet me parulla populiste të ngjashme me slloganet revolucionare. Si të tillë ata mohojnë trashëgiminë e mëparshme. Nuk pranojnë evolucionin, pra që t’i nisin reformat nga platformat e mëparshme. Shpikin reforma në funksion të autokracisë. Se mos i shkon mendja ndokujt se e kam fjalën për kryeministrin e Shqipërisë! Jooo! Ç’ne! Nuk e bëj atë “mëkat”!
  2. Në retorikën dhe praktikën e lidershipit autokrat ze gjithmonë vend populizmi, sidomos populizmi nacinalist, ose ai fetar. Putin bazohet te populizmi mbi atë që ai e quan “civilizimi rus e sllav”! Vuciq po ashtu bazohet te koncepti i “botës serbe” dhe domozdoshmërisë që këtë botë ta drejtojë vetëm ai. Po ashtu Rama i përmbahet konceptit të “babait të kombit”! Orban dhe Kaznyski flasin gjithmonë për kufizimin e konceptit te shoqëria kristiane, duke mohuar ndikimin e civilizimeve të tjera. Kësisoj autokratët përdorin sentimentin e konceptit “të popullit të vërtetë” për t’iu kundërvënë të tjerëve, në një rast pakicave, në një rast tjetër opozitës, në raste të caktuara religjioneve, pra gjithçkaje që nuk duket në vijën politike populiste të tyre. Ndarja e shoqërisë në dy grupe të mëdha kundërshtarësh është tipari themelor i autokracisë.

Ata që votojnë kundër shihen si “armiq”. Për to në fushata elektorale “armiqtë”, pra kundërshtarët politikë, projektohen si “e keqja”, ndërsa autokrati si “babai i kombit”. Madje ndodh si në fushatën elektorale të prillit 2021 në Shqipëri, që fotot e “armiqve” të bëhen shënjestër i goditjeve politike dhe fyerjeve personale. Një metodë kjo e huazuar nga diktatura, kur fotografitë e armiqve bëheshin objekt i stërvitjes ushtarake. Ata ushqejnë besimin te zgjedhësit se “popullit i duhet një lider i fortë”!

  1. Të gjithë autoktratët pa përjashtim vijnë në pushtet me parulla e sllogane demokratike e më pas e rrëzojnë sistemin e demokracisë. Në të vërtetë ata e zhbëjnë demokracinë. Flasin për zgjedhje të lira dhe instalojnë fallsifikimin, blerjen, manipulimin e votës së lirë. Premtojnë ndarjen e pushteteve dhe ndërtojnë sistemin e mos-transparencës e mos-llogaridhënies. Betohen për drejtësi e lirinë e medies dhe bëjnë çmos për të kap të gjitha institucionet e drejtësisë dhe për të blerë të gjitha mediet në vend. Bëjnë be për lirinë e protesës dhe më pas përdorin jo vetëm policinë, por edhe ushtrinë e forcat speciale kundër protestuesve! Gjithçka transformohet në emër të luftës kundër “reaksionarëve”! Modeli i vitit 1945 te ne! Se mos mendoni që e kam fjalën edhe për Edi Ramën?!
  2. Ekonomisti rus Sergej Guriev, në një libër të tijin e quan presidentin Putin një “Spin diktator”! Me këtë ai nënkupton një diktator më pak i dhunshëm sesa diktatorët klasikë, por mjeshtër në manipulimin e opinionit. E njëjta gjë ndodh në Beograd e në Tiranë me përpjekjet e dy autokratëve ballkanas për të manipuluar me shpikje të ndryshme e në emër të “fjalës së lirë”. Pas çdo kërcënimi, Vuçiq dhe Rama dalin e justifikohen me fjalët “Ky është mendimi im dhe askush nuk më ndalon të them atë që mendoj”! Ndonëse kërcënimet e Vuçiq shkojnë në adresë të Kosovës dhe ato të Ramës në adresë të opozitarëve rezistentë. Ky lloj manipulimi për të fsheh autokracinë dhe diktaturën synon që njerëzit të vihen në një lloj gjumi letargjik. Pra të besojnë se vetëm AI, ‘i modhi” të zgjidh punë dhe kështu qytetarët të ndalojnë së menduari si njerëz me logjikën dhe racionalitetin e tyre.

Ndërkaq dezinformacioni është mjeti kryesor i vënies në dilemë e në gjumë të qytetarëve. Dezinformohet për gjithçka. Autokratët të thonë se “ti po shpif” edhe për ngjyrat, edhe për dritën ose errësirën, nëse kundërshtari prononcohet për këto terma. Para tri vitesh Berisha denoncoi veprat kriminale në Spanjë të drejtorit të ujësjellësit të Laçit. Por atëherë shteti, qeveria, mediat pranë saj e konsideruan shpifje akuzën që ai bëri. Para pak ditësh ky drejtor u arrestua për t’u ekstraduar për në Spanjë. Por autokratët nuk guxojnë të kërkojnë falje. Ata dezinformojnë për ta rrënuar të vërtetën.

  1. Të gjithë autokratët janë edhe kleptokratë. Ata drejtojnë shtetin bashkë me hajdutët. Autokratët e sotëm në Lindje të Europës, përfshirë dhe këta në vendin tonë, marrin në qeverisje hajdutë të sprovuar. Ata i gjejnë hajdutët edhe në errësirë, sepse duan të shfrytëzojnë përvojën e tyre për të mbushur thasët për vete. Kontributi i hajdutëve bën që pasuria të shkojë në pak duar dhe varfëria të zgjerohet pa fund. Shkurt, autokratët e shndërruar në kleptokratë, në hajdutë të pasurisë kombëtare, janë përbindëshit e vërtetë të një shoqërie të sunduar prej tyre.
  2. Në autokraci propaganda dhe realiteti janë shumë, shumë larg njëri-tjetrit. Dhe ajo jeton derisa qytetarët të kuptojnë se çdo gjë në këtë lloj regjimi është propagandë, gënjeshtër e mashtrim. Propaganda, nëse besohet, e bën autokracinë një diktaturë të frikshme.
  3. Autokratët nuk rrojnë dot pa “armiq të jashtëm”! Në këtë kuptim ata janë diktatorë që manipulojnë popujt e tyre me “rrezikun” e jashtëm. Madje flasin vazhdimisht për këtë lloj rreziku. Ndonjëherë, siç ka ndodh me Vuçiq dhe Ramën, ata bëjnë presion një pale gjeopolitike me bashkëpunimin me një palë tjetër gjeopolitike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok