21/12/2024

SHQIPONJA NË STEMAT HERALDIKE TË FAMILJEVE DINASTIKE ARBËRORE (I)

0
Shqiponja-Arberore11

Nga Lutfi ALIA, Siena – Itali

Në shekujt IX – XV, Albania – Arbëria përjetonte qytetërimin perëndimor, ishte pjesë integrale e Europës, por ishte e ndikuar edhe nga kultura lindore Bizantine. Albania – Arbëria ishte porta lidhëse mes perëndimit dhe lindjes. Kulturat europiane dhe ajo bizantine ishin të mishëruars dhe në heraldikën arbëror, e cila ishte sa origjinale dhe pasqyrim i heraldikës europiane dhe bizantine, e shprehur me titujt e fisnikërisë, me stemat, me flamujt, me medaljonet dhe me kodikët e fisnikëve.

Në shekujt IX – XV, fisnikët e familjeve patronomike arbërore kishin tituj perëndimor (princ, konta, duka, markez etj), por kishin dhe tituj bizantinë (arhond, sevast, sevastonkrator, protosevast, panhypersevast etj). Çdo familje kishte stemën e vet heraldike, si rezulton me familjet dinastike Progoni, Muzaka, Arianiti, Balsha, Topia, Dukagjini, Shpata, Skura, Zaharia, Golemi, Spani, Kastrioti, Granai, Martaseos, Gropa, Jonima, Blinishti, Manesi, Gazuli, Matranga, Engjëlli, Frangu, Zenebishti, Losha, Bua etj, etj. Ndër familjet fisnike arbërore vetëm pesë prej tyre kishin stemë heraldike me shqiponjën dy krenore: Muzaka, Arianiti, Kastrioti, Granai dhe Engjëllorët.

Në shekujt IX – XII, sipas Ataliatit, bashkësia krahinore e Arbërisë, apo arkondìa krahinore e Arbërisë ishte shkëputur si nga bashkësia politike e romejve dhe nga bashkësia fetare ortodokse e në këto rrethana u shndërrua në arkondì autonome arbërore, por kurdoherë nën vasalitetin e Perandorisë Bizantine. [M. Attaleiates, Historia, Edition Bonn, 1839, pp. 8 -10]. Varësia administrative dhe ushtarake ndaj Perandorisë Bizantine e Arkondive, Themave, Dukateve dhe Principatave arbërore dhe kur fituan autonominë relative, u shpreh me individualitet të heraldikës, me stema dalluese për çdo dinasti patronomike. Disa familje fisnike arbërore përdorën në stemat e tyre shqiponjën me një kokë, disa të tjera shqiponjën dykrenore të Perandorisë Bizantine, ndërsa të tjerat përdorën simbole të ndryshëm, si luanin (Topia), ujkun (Balsha) etj.

Shqiponja dy krenore është me origjina bizantine e përdor së pari nga Kostantini i Madh në vitin 330 pas K, si simbol i pushtetit që ushtronte në dy gjysmat e perandorisë në atë Romake dhe Biznatine (Kostantinopoja – Roma e Re), pra njera kokë pasqyronte perandorinë e lindjes dhe tjetra perandorinë romake. Shqiponja dykrenore është përdorur si simbol heraldik nga të gjithë perndorët bizantinë. [Georg Ostrogorsky, Storia dell’Impero bizantino, Milano, Einaudi, 1968].

Shqiponja dykrenore bizantine u përvehtësua dhe nga disa dhespotë arbëror, por këtë të drejtë e kishin vetëm fisnikët me lidhje gjaku me familjen perandorake dhe natyrisht me aprovimin e perandorit. Studiuesja Simonetta Angelo Comnena, duke iu referuar dokumentave të Arkivit të Vatikanit, të Venecias e të Kostantinopjës, tregon se nga familja perandorake bizantine Angelo – Komneno Flavio Duka, e përfaqësuar më disa perandorë dhe dhespota, e kanë origjinën tre familje fisnike arbërore, të cilat janë Jure sanguinis me origjinë perandorake Muzakët, Arianitët, Engjëllorët e Drishtit. [Simonetta Angelo Comnena.“Storia e genealogia della Imperiale famiglia Angelo Comneno Flavio Ducas”, Roma 2007, p. 6].

Në vitet 1230 – 1271, trojet arbërore ishin nën sundimin e Mikeli II Angelo Komneni, i cili ishte dhespoti i Epirit, i Thesalisë, i Etolisë, i Akarnania, i Selanikut; duka dhe princi i Maqedonisë, Konti i Drishtit, sundimtari i Durrësit. [Gallupi Ar, et all, De Arbore Genealogica Familiae Angelorum de gente Comnena Thessaliae et Epiri Principorum, Rivista Penale Nr 1, Roma 1961, p.177]

Në shekujt XII – XV, disa familje fisnike arbërore, kishin stemat e tyre heraldike me shqiponja dykrenore bizantine, ose me shqiponjën me një kokë.

Stema heraldike e dinastisë Progoni.

Stema heraldike më e herëshme në Arbëri është e shekullit XII, e princave dinastikë Progoni të Principatës të Arbërit, e prezantuar me shqiponjën me një kokë të kthyer nga e djathta, me krahët e hapura e të ngritura lart. Stema e Progonëve e gdhendur në gurë brenda një kornize kuadrate, u gjet në fshatin Gëziq të Mirditës.  [Kristo Frashëri, Principata e Arbërisë, 1190 – 1215. Botimet M&B, Tiranë 2012, faqe 12 – 31]

Në stemën e Progonëve, prezantohet shqiponja me një kokë e kthyer nga e djathta, me krahët e ngritur lart, pra krejt ndryshe nga shqiponja romake me ngjyrë të artë – simbol i Jupiterit, e cila ka kokën nga e majta dhe me krahët e hapur anash. Shqiponja romake me një kokë të kthyer majtas ishte pasqyruar në flamujt me sfond të kuq dhe në mburojat e legjionarëve romakë. [Conolly P. L’esecito romano, Milano 1976. pp. 12 – 18]

Stema heraldike e dinastisë Dukagjini.

Familja dinastike Dukagjini, sunduesit e Principatës së Dukagjinëve, kishte stemën heraldike me shqipo-

njën e bardhë, të vendosur në qendër të mburojës, me kokën kthyer djathtas, me krahët e shpalosur në fluturim.

Dukagjinët kishin në zotërim pjesën më të madhe të trojeve të Principatës të Arbërit dhe trashëguan shqiponjën e stemës të Progonëve të Shtetit të Arbërit. [Edmond Malaj, The Noble Dukagjinis during the Middle Ages. Their Territories and some Characteristics, Stdime historike, 1 – 2, 2016, f. 29 – 60] [Gjin Varfi, Heraldika Shqiptare, Shtëpia botuese Dituria, Tiranë 2000, faqe 45]

  1. Stema heraldike e Principatës të Arbërit e dinastisë Progoni.
  2. Stema heraldike e dinastisë Dukagjini.

Stema heraldike e dinastisë Muzaka.

Gjon Muzaka, në kujtimet e tij shkruan: ”Parardhësit tonë erdhën nga Kostantinopoja për të dominuar trojet e Epirit në Albania. Muzakët janë pasardhës të Perandorit Bizantin Kostantinit IV (668 – 685 pas K). Fillimisht zotëronin trojet e Molosëve, andaj u quajtëm Molossakët – Mozakët – Muzakët. [Giovanni Musachio, “La breve memoria de li discendenti de nostra casa Musachi, 1510, pp. 282 – 283, botuar nga Karl Hopf, në veprën “Chroniques greco – romanes inédites ou peu connus pubbliées avec notes et tables généalogiques (Famille de Musachi – Despotes d‘Epire), pp. 270 – 353, Berlin: Weidman 1873]

Në shekujt XI – XIV Muzakët ishin në shërbim të Perandorisë Bizantine. Perandori Mikele Paleologu, i akordoi prijësit të Muzakëve titullin sebastoncrator dhe e emëroi Dhespot i Epirit. Këto tituj i trashëgoi Gjoni I Muzaka me pasardhësit Andrea I dhe Andrea II Muzaka. Fitoret e Muzakëve kundër bullgarëve dhe dyndjeve serbe, e entuziasmuan Perandorin e Bizantit, i cili krahas titullit sevastokrator i njohu të drejtën Muzakëve të përdorin stemën perandorake me shqiponjën dykrenore.

  1. Stema heraldike e dinastisë Muzaka, sipas përshkrimeve të Gjon Muzakës.
  2. Skema e shqiponjës dykrenore e Muzakëve, me tre gjethet e dushkut e gdhendur në një rrasë guri.

Gjon Muzaka në kujtimet e tij e përshkruan stemën e familjes: “Shqyta me sfond te kuq, me shqiponjën

dykrenore me ngjyrë të verdhë (e artë) me krahët e hapura, me kurorat mbi kokat dhe yllin gjashtëcepa në trekëndëshin blu mbi kokat e shqiponjës. Për merita dhe forcimin e pozicionit politik dhe ushtarak të Andrea II Muzaka, perandori i dha titullin Dhespot i Epirit dhe i njohu privilegjin të përdori vulën e artë me stemë perandorake (shqiponja dykrenëshe) dhe i dhuroi një fron dhespotal, që kishte në pjesën e sipërme të shpinores shqiponjën dykrenore të qendisur me perla. [Giovanni Musachi, Breve memorie, p. 282]. Në një nga stemat e Muzakëve të gdhendur në një rrasë guri, në gjoksin e shqiponjës janë tre gjethe dushku, simbol hyjnor i lidhur me tempullin e Dodonës. Gjon Muzaka në kujtimet e tij, tregon se Perandori i Bizantit iu kishte dhënë të drejtën të vendosnin në stemën e tyre dhe “Burimin e jetës”. Sipas Rosario Jurlario, kjo e drejtë lidhet kryesisht me vazhdimësinë e bashkëpunimit të Muzakëve me familjet perandorake. [Rosario Jurlario, I Musachi despoti d’Epiro, Bari Santo Spirito, 1970, p. 8]

Stema e familjes Muzaka, u ruajt nga Gjon Muzaka dhe pasardhësit e tij kur u vendosën në trojet Puljeze të Mbretërisë së Napolit. Aktualisht kjo stemë ruhet në fasadën e pallatit të Muzakëve (aktualisht quhet pallati Argjenitna) në rrugën S. Giovanni, Nr. 13, komuna e Francavilla Fontana dhe në një bazoriliev në murin anësor të kishës Shën Maria Mëshirëmadhe në komunën e Mesagne – Provinca e Brindizit – Pulja.

  1. Stema e familjes Muzaka, në fasadën e pallatit në rrugën S. Giovanni, Nr. 13, Francavilla Fontana.
  2. Basorilievi me stemën e Muzakëve në kishën Shen Maria Miserikordioza në komunën Mesagne – Brindizi.

Në bazorilievin në kishën Shen Maria Mëshirëmadhe, janë bashkuar dy stema, e Muzakëve me shqiponjën dy krenore me kurorat dhe me yllin gjashtëcepash, ndërsa në gjysmën e majtë është stema e familjes të Gjon Granai Kastrioti, me luanin në këmbë, me shpatë drejtuar zambakut. Në të dy anët e stemës janë armët e asaj kohe, që shprehin pushtet dhe autoritet të dy familjeve. Kombinimin e stemave të dy familjeve fisnike arbërore, historianët Rosario Jurlaro dhe Anselmo Leopardi, spjegojnë se ky bazoriliev është element i varrit të Gjon Granai Kastriotit (nipi i Vrana Kontit), i cili vdiq në Mesagne më 2 gusht 1514 dhe e varrosën në kishën Shen Maria Mëshirëmadhe, e ndërtuar në shekullin XVI me kuntributet bujare të familjeve Granai dhe Muzaka. [Rosario Jurlario, I Musachi despoti d’Epiro, Bari Santo Spirito, 1970, p. 8] [Anselmo C. Leopardi, Mesagne: città dalle 50 chiese; Santuario della Misericordia; Barocco Pugliese, La chiesa della Misericordia, Radici-online.com. 28 febbraio 2020].

Stema heraldike e dinastisë Arianiti.

Në shekujt IX – XV u shqua dinastia e Arianitëve, sunduesit e principatës të Arianitëve. Në shekujt X – XIII, fisnikët Arianiti u ngarkuan me funksione të larta ushtarake dhe administrative nga perandorët e Bizantit. Në vitin 1253, Gulem Arianiti u martua me Irena Komnena, kushërira e gruas të Perandorit të Bizantit Angelo Komneni Dukas, sundimtar i Thesalisë dhe Epirit. Fëmijët e lindur nga kjo martesë përdorën dhe mbiemërin Komneni, si vazhdoi ta përdori princi Arianit Komneni dhe i biri i tij Gjergj Arianiti Komneni. [Aurel Plasari, Arbni, Tiranë 2020, f 136 – 137] [Lutfi Alia, Kostantin Arianiti Komneni. Siena 2018, f. 5 – 20]

Krahas përdorimit të mbiemërit Komneni, Arianitët fituan të drejtën të vendosin shqiponjën dykrenare të Perandorisë Bizantine, në stemën e tyre heraldike, e prezantuar me mburojën me sfond të kaltërt, me në qendër shqiponjën dykrenore me ngjyrë të artë. Gjergj Arianiti vdiq në vitin 1462 në Durrës. Guaja e dytë Petrina Forkoni me djemtë dhe vajzën, në vitin 1463 emigruan në Venecia. Djali i dytë Kostantin Arianiti shkoi në Romë dhe hyri në shërbimin e Papa Sisto IV, ku për aftësi dhe merita, i dhanë detyrën e protonotario apostolik. Në vitet 1483 dhe 1486, Senati i Venecies ia rikonfirmoi Kostantinit titullin e patricit venecian. [Arch. Stato. Veneto, Misti del Consiglio dei X, vol. XXI, c. 117v, vol. XXXI, c. 228v, vol. XXXII, cc. 2, 29, Venezia 1486].       Në vitin 1486, Kostantini e la detyrën e protonotario apostolik ne Vatikan dhe kaloi në shërbim të mbesës Maria, markezia e Monferrato, madje Kostantini ishte personi më i besueshem i Markezit Bonifaci III. Pas vitit 1492, Kostantini përdori titujt Princi Maqedonisë dhe Duka i Akaja. Historianët Babinger dhe Fiori, theksojnë, se këto tituj, ia rritën prestigjin dhe shkëlqimin në rradhët e fisnikërisë italiane. [Franz Babinger, Giorgio Fiori. Rivista di storia, arte, archeologia per le Province di Alessandria e Asti, CVIII:1999, pp. 67]

Në vitin 1494 vdiq markezi Bonifaci III Paleologo, duke e lënë pushtetin në duart e Maries si regjente dhe

të Kostantin Arianitit si administrator me titullin markez dhe me të drejtat e feudalit të shtetit të Monferrato. Kostantin Arianiti Komneni e modifikoi stemën heraldike të atit Gjergj Arianitit, duke prezantuar një varjant të ri me mburojën me dy shqiponja dykrenëshe ngjyrë të verdhë, në sfond të kuq në kuadrate diagonale dhe dy kuadrate me sfond blu me kryqin ortodoks; dy kuadrate me sfond të artë me tre këmbana, nën kryqin në kuadrate diagnonale. Me ndonjë modifikim të vogël, kjo stemë ruhet në një kontradë në Montefiore Konka, në provincën e Rimini.

  1. Stema e princit Gjergj Arianit Komneni.
  2. Stema heraldike e Kostantin Arianiti Komneni në Montefiori Konka dhe Monferrato – Itali.

Stema heraldike e Engjëllorëve.

Pas vdekjes të ipeshkëvit Pal Engjëlli më 1469 dhe pasi ranë Shkodra dhe Drishti në vitin 1478, pjestarët e familjes Engjëlli të Drishtit, emigruan në Itali, fillimisht në Venecia e më pas në Romë dhe qytete të tjera.

Në gjeanologjinë e Engjëllorëve hartuar nga Andrea Engjëll Komneno dhe botuar në vitet 1551, 1553 dhe 1555, theksohet se Engjëllorët dhe Muzakët janë me origjinë nga familja perandorake e Bizantit. [Andrea Angelo Komneno, Geanologia Imperatorum Ac Regum Alio. RMVQ, Principum et illlvstrium Virorum. Roma MDLV].

Nuk ka të dhëna cila ishte stema heraldike e Engjëllorëve në shekujt XIII – XV, por bazuar në veprën e Andrea Engjëllit e vitit 1551, i cili thekson lidhjen me familjen perandorake, natyrisht stema heraldike ishte me shqiponjën dykrenore si rezulton në gjysmën e dytë të shekullit XVI, kur Engjëllorët u prezantuan me stemën heraldike me shqiponjën dy krenore, me kurora mbretërore mbi kokat e shqiponjës.

Në kopertinat e botimit të gjeanologjisë të Engjëllorëve në vitet 1553 dhe 1555, Andrea Engjëlli prezanton stemën e Engjellorëve me shqiponjën dy krenore, me një kurorë mbretërore mbi kokat e shqiponjës dhe me një mburojë në gjoks. Historianët theksojnë: “Engjëllorët vepruan për t’u dukur mbi të gjithë dhe për realizimin e qëllimeve të tyre u angazhuan në evidencimin e të kaluarës, fillimisht nëpërmjet Mikele Engjëllit e më pas përmes krushqive dhe aleancave, duke gjetur hallkat që familja të dukej e lidhur me oborret princore dhe ato mbretërore të Europës”. [Merturi G.J, I principi albanesi Angeli Kom-neni sepolti a Roma, në Lajmtari i Shcypnies, An. I – 1904, Nr. 4, f. 20 – 21]

Studiuesi Ilia Karanxha me të drejtë thekson:“Kryesisht për interesa familjare, por dhe si përgjigjie djallzore kundër Barletit, Engjëllorët u pleksën me historiografinë Kastriotiane, duke iu dhënë merita të tepruara Pal Engjëllit, emri i të cilit bashkohet artificialisht me të Gjergj Kastriotit”. [Ilia Karanxha, Barleti apo Beçikemi,

Tiranë 2020, faqe 211 – 229]

Në shekullin XVII, Engjëllorët e modifikuan stemën, duke i shtuar në këmbë shpatën, si simbol i forcës dhe në këmbën tjetër skeptrin, si simbol pushteti. Kjo stemë ndryshon me pararendëset, çka sugjeron seme të vërtetë Engjëllorët, përdornin të gjitha mënyrat për t’u prezzantuar si familje fisnike me lidhje perandorake.

  1. Kopertina e Gjeanologjia e familjes Engjëll, botuar nga Andrea Engjëlli në vitin MDLV (1555)
  2. Stema heraldike e Engjellorëve në shekullin XVI
  3. Stema heraldike e Engjëllorëve e modifikuar në shekullin XVII

Stemat heraldike të dinastisë Kastrioti.

Në shekujt XIII – XV forcohet pushteti i Kastriotëve, që kishin nën sundim Dibrën, Matin dhe Krujën.

Andrea Engjëlli, në “Genealogia imperatorum…”, prezanton disa të dhëna për origjinën e familjes Kastrioti. I pari përmendet Johani dhespoti i Myzeqes së poshtëme (Ioannem Myssie inferioris Despothum), i cili kishte djalë Kostantin Kasturi, me titullin konti i Kasturit (Casturie, e njohur dhe Mazreka – Maserechium). Kostantin Kasturi – Mazreku kishte djalë Gjergj Kasturi, mbiemër që u ndryshua në Kastrioti. [Andrea Angelo Komneno, Geanologia Imperatorum Ac Regum Alio. RMVQ, Principum et illlvstrium Virorum. Roma MDLV, 22v -23r].

Në këtë gjeanologji rezulton se Johani – Gjoni ishte dhespot, por nuk dihet me cilën u martua, ç’origjinë kishte gruaja e tij, a kishte lidhje me familje perandorake, ashtu si nuk ka të dhëna për gratë e Kostantinit e të Gjergjit. Këtë renditje të pararendësve të dinastisë Kastrioti e plotëson Gjon Muzaka, i cili thekson si djali i Gjergjit ishte Pal Kastrioti, i cili zotëronte vetëm dy fshatra Sinja dhe Gardhi i Poshtëm në Dibër. Pali kishte vetëm një djalë Gjon Kastriotin, i martuar me Vojsava Tribalda, nga familje fisnike e Tribaldëve dhe lindën katër djem e pesë vajza. Gjoni i zgjeroi trojet dhe krahas dy fshatrave në Dibër mori në zotërim Matin e më pas Krujën. [Giovanni Musachio, “La breve memoria de li discendenti de nostra casa Musachi, 1510, p. 301].

Princi Gjon Kastrioti kishte stemën heraldike, me mburojën me sfond në gjysmën e djathtë ngjyrë e verdhë (e artë) dhe gjysma e majtë e kuqe me shqiponjën dykrenore në qendër, me kurora mbi kokët. Nuk ka të dhëna në se kjo stemë ishte bazuar në lidhje më familjet e Perandorisëë së Bizantit, por argumenti më bindës është se kjo stemë simbolizon lidhjen martesore të Gjon Kastriotit me familjen fisnikë të Vojsava Tribalda, praktikë që është zbatuar nga disa mbretër, princa me lidhje martesore mes dy mbretërivë, ose dy principatëve.

Princi Gjon Kastrioti, ishte aleati i Venecias dhe bashkë me djemtë, kish nënshkruar marrëveshje miqësie dhe bashkpunimi me Serenissimën. Në vitin 1413, Senati i Republikës së Venecias i dha princit Gjon Kastrioti titullin e trashëgueshëm “Qytetar Nderi i Veneto”, titull që e gëzonin edhe djemtë e tij. Sudiuesja Dorit Raines thekson se edhe në vitin 1416, familja Kastrioti ishte në listën e patricëve të Venecias. Më 28 maj 1438, Senati i rinjeh Gjon Kastriotit dhe djemëve të tij të drejtat dhe privilegjet e patricit venecian.  [Dorit Raines. “Storia di Venezia Cooptazione, aggregazione e presenza al Maggior Consiglio: le case del patriziato veneziano, 1297 – 1797. Storia di Venezia, I, 2003]. [Marin Sanudo. Vitae dei Dogi 1423 – 1473. Venezia 1999, Tom. 1. p. 183]

Stema heraldike e Princit Gjon Kastrioti e vitit 1413 kur u shpall “Qytetar Nderi i Veneto”, ruhet në arkivin e

Biblioteka Marciana – Venecia. [Fotaq Andre. Skënderbeu, Heroi Kombëtar shqiptar, Atlet i Krishtit, Mbrojtës

i Europës 1413-2017 Album – Antologji, Tirana 2017, f. 19]

Stema e Princit Gjon Kastrioti me shqiponjë dykrenëshe konfirmohet në hartën portolane të Dulcert e vitit 1339 [Angelino Dulcert Mapa Mundi 1339, Bibliothèque Nationale de FranceParis] si dhe në harta portolane të Gabreil Valeska të viteve 1439 dhe 1440, që ndodhen në Muzeun Maritim në Barcelona.[Gabriell de Valsequa la feta en Malorcha, any MCCCC.XXX.VIIII]

Princi Gjon Kastrioti vdiq më 1442, Principata e Arbërit ra nën pushtimin otoman. Në vitin 1443, Gjergj Kastrioti u kthye në Krujë dhe i rimori zotrimet e principatës të Kastriotëve, ndërsa tre djemtë e tjerë të Gjonit, vdiqën në moshë të re. Reposhi, murg në manastirin Hilandarit në Malin e Shenjtë, kishte vdekur në vitin 1431; Stanisha vdiq në vitin 1446; Kostandini e humbi jetën në rrethana të panjohura para vitit 1443.

  1. Stema heraldike e Gjon Kastriotit e vitit 1413, ndodhet në arkivin e Bibliotekës Marciana – Venecia.
  2. Stema heraldike e Kastriotëve në vulën zyrtare të Gjergj Kastriotit.

Në 2 mars 1444, në qytetin e Lezhës, u mblodh kuvendi i prijsave të Albanisë, të cilët krijuan aleancën politike – ushtarake për të mbrojtur atdheun ndaj sulmeve të hordhive otomane. Në krye të Lidhjes, zgjodhën Gjergj Kastriotin Zoti i Albanisë (Dominus Albaniae) dhe kryekomandant i ushtrisë arbërore. Për kontributet në rezistencën dhe luftimet kundër pushtuesve otomanë, në vitin 1445 Senati i Serenisima, e shpalli Gjergj Kastriotin “Qytetar Nderi i Veneto”. Në librin e Artë të patricëve të Serenissima të vitit 1463, rezulton dhe familja Castriotto – Kastrioti. [Dorit Raines. “Storia di Venezia Cooptazione, aggregazione e presenza al Maggior Consiglio: le case del patriziato veneziano, 1297 – 1797. In Storia di Venezia, I, 2003, p. 18].

1, 2. Stema heraldike e Gjergj Kastriotit.

Pas beslidhjes në Lezhë, Gjergj Kastrioti me pozicionin e ri si Zot i Arbërisë (Dominus Albaniae) e ndryshoi stemën heraldike të familjes, duke i dhënë shprehje më individuale, e prezantuar me mburojën me sfond të kuq, me në qendër shpqiponjën dykrenare më kraah të shpalosur dhe me kurorat mbi kokat. Në pjesën e sipërme mbi kokat e shqiponjës në nje trekëndësh me sond blu vendosi yllin gjashtëcepash, që si kuptohet e huazoi nga stema e Muzakëve.

Marin Barleci, ne vepren “Historia de Vita et Gestis Scanderbegi Epirotarvm Principis…, Impressum Rome per B.Vitali, s.d. Maggio 1522, (fleta XV,) thekson:”Skënderbeu e kishte flamurin e kuq me shqiponjën të ezë dykrerëshe – Rubea vexilla nigris et bicipitibus distancta aquilis gerebat Scanderbegus“.

Për stemën heraldike dhe flamurin e dinastisë Kastrioti, një grup historianësh italianë, japin varjante të tjera, që ndryshojnë me këtë të përshruar nga Marin Barleci, si do të trajtohen në shkrimin e ardhshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok