23/12/2024

SHQIPËRIA TË DISTANCOHET NGA KLYSHËT E RUSISË

0
Frank-Shkreli13

Të hiqet dorë nga “Ballkani i Hapur”

Nga Frank Shkreli

Në një deklaratë të ditëve të fundit, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) shprehet se Ukraina ka nevojë për mbështetje të palëkundur. Absolutisht e vërtetë dhe jam dakort plotësisht me thirrjen e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë.  Në deklaratën e KASH theksohet nevoja, që “Në Samitin e jashtëzakonshëm të NATO-s të 24 marsit, Amerika e Veriut dhe Evropa kanë një shans historik për të treguar vendosmërinë dhe guximin e tyre të palëkundur për të mbështetur vlerat dhe parimet e përbashkëta që qëndrojnë në themelet e aleancës së vendeve të lira dhe demokratike”. Ukraina ka nevojë për mbështetje palëkundur. (albanianambassadors.al)

Ç’prej fillimit të agresionit rus mbi Ukrainën, Shqipëria, në përputhje me qendrimet e vendeve të tjera të NATO-s si edhe nepërmjet  deklaratave të përfaqësuesit të saj dinjitoz në OKB — Ambasadorit të saj në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, Z. Ferit Hoxha – Shqipëria, publikisht, ka bërë dhe ka thënë gjërat që duhen, në bashkpunim me aleatët perëndimorë, për të ndaluar barbarizmat e Rusisë putiniste në Ukrainë.  Ashtu si Perendimi, edhe Shqipëria gjëndet përball një momenti, në mos historik, atëherë të rëndësishëm për të hequr dorë njëherë e mirë nga flirtimet e rrezikshme me Serbinë putiniste, për nisma siç janë “Ballkani i hapur” dhe “minishengeni ballkanik”.

Shqipëria duhet të hedhë një hap jetik, në këtë mes, si nismëtare – së bashku me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut – e të ashtuquajturit “Ballkan i Hapur”.  Ky projekt, ashtu si ai para tij, “minishengeni ballkanik”, më është dukur gjithmonë si një projekt – i pamenduar dhe i pa studiuar  mirë — kundër interesave kombëtare  të Shqipërisë dhe shqiptarëve, përfshir Kosovën. Definitivisht, e kam pa si një vegël në interes të Serbisë dhe nepërmjet saj në interes të përhapjes së influencës së Rusisë putiniste në Ballkanin Perëndimor.  Prandaj, sidomos duke pasur parsyshë gjëndjen në Ukrainë dhe qendrimin serb ndaj okupimit të atij vendi nga Rusia, si një detyrim moral dhe kombëtar, Tirana zyrtare — publikisht dhe diplomatikisht — duhet të tërhiqet menjëherë nga projekti “ballkani perëndimor”, ashtuqë  të hiqet dorë prej saj si një ide dhe si praktikë dhe kembë e krye të hidhet në shportën eskperimentale të plehrave të historisë ballkanike që, historikisht, i kanë kushtuar shumë interesave të shqiptarëve në trojet e veta.  Madje, Shqipëria duhet të shkojë një hap më tej dhe t’i bejë thirrje, drejt për drejt, Serbisë, që të bashkohet me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor – në përputhje me BE-në dhe NATO-n – ndër të tjera, duke vendosur sanksione ekonomike kundër Rusisë putiniste për barabarizmat që po kryen ndaj popullësisë civile të pafajshme në Ukrainë.

Në të vërtetë, duke mos u tërhequr nga nisma serbo-ruse, “ballkani i hapur” dhe duke mos i kërkuar Serbisë – i vetmi vend evropian së bashku me Bjellorusinë që refuzon sanksionet– që të distancohet nga Rusia –Tirana zyrtare nuk është në përputhje as me thirrjet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian drejtuar Serbisë që të bashkohet me sanksionet perëndimore kundër Rusisë, si një ndëshkim për invadimin e një shteti sovran e demokratik evropian nga Moska. Bile, është bërë thirrje për ndëshkimin e Serbisë në lidhje me këtë çeshtje ndërsa disa deputetë të Parlamentit Evropian kanë bërë thirrje që të ndalohen, përkohësisht, bisedimet me Serbinë si dhe të ndërpriten ndihmat financiare për aleatin e ngushtë të Rusisë në Ballkan, Serbinë, për derisa ai vend nuk ndjek dhe nuk zbaton qëndrimet e BE-së në lidhje me Rusinë.

Serbia i ka hedhur poshtë thirrjet e perëndimorëve për t’iu bashkuar sanksisoneve kundër Rusisë, me justifikimin, sipas Presidentit serb, Vuçiq, se vendimi i Serbisë kundër sanksioneve ishte i drejtë, “për arsye se Rusia mbështet përpjekjet e Serbisë kundër Kosovës dhe pretendimet (e Boegradit) mbi Kosovën”.  Deklarata e Vuçiqit është e qartë.  Qendrimet dhe lidhjet e Serbisë me Rusinë kanë qenë, historikisht, dhe janë aktualisht, qartësisht dhe vendosmërisht, antishqitare. Unë nuk e kuptoj se kush shqiptar mund të presi ndonjë të mirë nga Beogradi për interesat shqiptare!  Unë nuk e dij se çfarë arsyeje tjetër kërkon Tirana zyrtare, që nuk largohet menjëherë nga nisma “ballkani i hapur”, me Serbinë.  Deklarata të tilla si kjo e Vuçiqit, duhej ta kishin distancuar me kohë Shqipërinë nga Serbia dhe jo ta afronin më ngusht duke lenë jashtë gjysmën e Kombin.

Në një kohë kur nuk ishte në “modë” — ka nja 10-15 vjetë — që me modesti kam paralajmëruar mbi influencat e huaja, (ruse, kineze dhe turke) në Ballkanin Perëndimor e sidomos në trojet shqiptare.  Madje edhe më kanë kritikuar se, “ora jote ka ngelur në luftën e ftohtë”.

Sidoqoftë, sot çdo gjë është e qartë. Ky nuk është vetëm mendimi im, por i shumë të tjerëve. Nuk është diçka sekrete tani se Rusia putiniste me agresionin e saj kundër Ukrainës e ka ndërmend të shkojë përtej kësaj zone gjeografike, përfshur Ballkanin, (politika ‘near abroad’ e Rusisë që u referohet ish-shteteve anëtare të Bashkimit Sovjetik) me “diplomacinë e saj mashtruese”, siç është shprehur kohët e fundit edhe ish-Ministri i Jashtëm i Rusisë, Andrey Kozyrev, për të përhapur influencën e saj – politike, ekonomike dhe ushtarake — përfshir Ballkanin Perëndimor.

Shqipëria sot, nëqoftse dëshiron të jetë e besueshme, serioze dhe e vendosur për ato që thotë në entet ndërkombëtare, përfshir Kombet e Bashkuara, në lidhje me agresionin rus në Ukrainë, atëherë Tirana zyrtare duhet të distancohet pa vonesë nga “ballkani i hapur”, por edhe duke i bërë thirrje Serbisë tu bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë. Vetëm një hap i tillë i bën deklaratat e Shqipërisë, në mbështetje të Ukrainës, të jenë në përputhje me vlerat e shteteve aleate perëndimore.

Të parët tanë na kanë paralajmëruar më shumë se një shekull më parë: Kujdes klyshët e Rusisë! Ka ardhë koha që Kombi shqiptar të zgjohet, përfundimisht, nga gjumi shekullor dhe të distancohet, njëherë e mirë, nga majtizmi sllavo-bolshevik ndërkombëtar dhe nga bolshevizmi liberal i brendshëm.  Distancohuni nga klyshët e Rusisë para se të jetë tepër vonë. Ku tjetër po ringjallet Stalini veçse në Rusinë bolsheviko-fashiste dhe në Shqipërinë bolsheviko-liberale!? Shqipëria në “Ballkanin e Hapur” po fle me djallin. Distancohuni nga e keqja!

Frank Shkreli: Ndërsa Stalini i ri Moskë pushton Ukrainën, Stalini i vjetër ripushton Tiranën | Gazeta Telegraf

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok