Shqipëria po qan teksa bijtë e saj po i ikin!
Nga Ndriçim Kulla
Sipas statistikave rreth 620 mije shqiptar janë larguar nga Shqipëria për shkaqe social – politike gjatë këtyre 9 viteve, ku shumica e tyre janë opozitar.
“Deti u bë mal me njerëz, dhe toka det me lot”, këndonte Ardit Gjebrea, në vitet ‘90, në atë këngë të tij të mrekullueshme në festival, që besoj ka arritur të përlotë shumë njerëz në Shqipërinë e asaj kohe, që po përjetonte migrimin më të madh të historisë së saj. Ishte vërtet diçka e dhimbshme, e tmerrshme në historitë njerëzore, por edhe një shfryrje e madhe e dufit dhe dëshirës për liri që aq shumë e dashuronin shqiptarët. E përsëri, me gjithë vuajtjet dhe kalvarin e “Shqipërisë që po ikte”, “Shqipëria që po mbetej” kishte shpresë, aq shumë shpresë dhe besim se shumëçka do të ndryshonte. Kanë kaluar tre dekada që atëherë, brezi i të rinjve të asaj kohe tash po rrit fëmijët apo po gëzon fëmijët e fëmijëve të vet, gjeneratat kanë ndryshuar, Shqipëria ka ndryshuar, e megjithatë, për çudinë e të gjithëve, zemra dhe shpirti i saj mbetet po ajo e “viteve ‘90”.
Kam një cinik këtu pranë që në çdo fjalë a mendim që unë hedh mundohet të më thumbojë e më thotë: “Çfarë, do të mohosh gjithçka është bërë, mos do të thuash se Shqipëria s’është vend më i mirë, më i pasur, e më i bukur për t’u jetuar se sa në vitet ‘90”. Jo, i them, Shqipëria është zhvilluar, por jo me shpejtësinë e njerëzve të vet, jo, as me pritshmëritë e tyre më pesimiste, se ndryshe nuk do të përjetonim sot po të njëjtën dhimbje e trishtim kur lexojmë e shohim me sytë tanë një Shqipëri që përsëri po ikën, ngadalë, shtruar, ashtu si pa u ndjerë, ashtu si pa u kuptuar, pa anije, britma, tragjizma nëpër media, por me një konstante e vazhdimësi shumë më të frikshme se ajo e viteve ‘90. Po përsëri ciniku brof përpjetë e thotë: “Varfëri e migrim ka kudo, në çdo vend, si mund të pretendojmë të mos ketë në Shqipëri?”. Jo, jo, ia kthej, edhe me më shumë vendosmëri, por me një zë që tani ka filluar të më dridhet nga mallëngjimi.Më duket se ky është zëri i kryeministrit Edi Rama i them. Ai përgjigjet zyrtarisht gjithmon kështu.Nuk janë njësoj këto migrime, pavarësisht se skenat i kanë aq të ndryshme, njëri zhurmëmadh, por plot shpresë, kurse ky i sotmi, i pazhurmshëm, por besimthyer. “Shqipëria po qan”, këndonte atëherë Gjebrea, “ajo e di si duron, po i shkundeshin filizat”. Po tani vallë ç’mund të themi, të ulërasim, të bërtasim nga trishtimi, kur shohim se Shqipërisë po i largohen më të mirët, më të shkolluarit, më punëtorët, shtylla e asaj administrate, e atij shteti që shtyn përpara çdo komb, më kreativët dhe më profesionistët, forca lëvizëse e biznesit dhe ekonomisë që klasa e mesme i siguron çdo vendi që synon të ketë të ardhme.
Mos vallë, pikërisht tani Shqipërisë nuk po i shkunden filizat, por po i shkulen rrënjët, po i priten krahët, po i shkulet shpirti? I kam shqyrtuar statistikat e atyre që po ikin tani , shumica kanë qenë gjithë kohën të punësuar, të zotë, të aftë, edhe pse të heshtur, të duruar, se aq mirë e njohin, por dhe aq shumë e dashurojnë Shqipërinë. Janë po ai brez ose pinjoll i atij brezi “Shqipërie që mbeti” në fillim të viteve ‘90, jo pse nuk mundej, por sepse dëshiroi dhe besoi se Shqipëria mund të bëhej. Është po ai brez që punoi aq fort, jo në një, por në disa punë njëherësh, se ata e dinin se e tillë është Shqipëria dhe ekonomia e saj, nuk të ofron më shumë; ai brez që deshi të ndërtonte diçka, një jetë me duart e tij, një biznes, një karrierë që mjaft herë ia mbërriti; ai brez që sot ka dhe një shtëpi të bukur për veten dhe familjen, ndoshta dhe një shtëpi në plazh (edhe pse me kredi), ai brez njerëzish që duruan përtej stërmundimit, që u përpoqën, luftuan ndershmërisht, përtej naivitetit dhe burrërisë shqiptare, që ky vend, kjo administratë, ky shtet t’i linte të paktën të shpreheshin, t’u thithte kapacitetet, e kësisoj t’u tregonte edhe respekt, edhe mirënjohje, tek e fundit edhe përkujdesje. Ata po ikin, por qenë dhe janë më të mirët e këtij vendi, të aftë, të ditur, të kultivuar, që e nxjerrin bukën dhe nga dheu, përderisa gjejnë punë të mirë-paguara kudo ku shkojnë. Mirëpo, njeriu që të zhvillohet për shtetin dhe vendin e vet, ka nevojë për barazi e meritokraci, këto janë flatrat e tij shpirtërore, që ky brez nuk i pati kurrë, kjo është më e pakta bukë që Shqipëria, edhe ashtu e varfër siç është, mund t’ua jepte e nuk ua dha.
Ndaj, është shumë më tragjik e vdekjeprurës për të ardhmen e saj, kjo ikje e heshtur, e përditshme, e njerëzve më profesionistë të këtij vendi, jo si emigrant të thjeshtë, por me avionë, me kontrata e viza pune. Ja, pse Shqipëria që mbeti dikur në vitet ‘90, tani po ikën, bashkë me pinjollët e vet, në atë ikje që mund të quhet mërgimi më i madh i trurit e mendjes që ky vend ka provuar ndonjëherë. I kam dëgjuar disa syresh prej tyre, që teksa ikin më thonë: “Kur isha ende i ri, në vitet ‘90, më patën mësuar se në qoftë se je i zoti dhe punon shumë, nuk mund të mos çash në jetë, qoftë edhe në Shqipëri, ndaj unë qëndrova .” Nuk mund të them se nuk e provova edhe unë,(madje kam provuar shumë), as se jam i mërzitur apo i dhembur me rrjedhën e jetës sime jo të lehtë, por një mësim të tillë nuk mund t’ia jap sot sime bijë. Nuk mund t’i shpjegoj, pa e gënjyer, se me meritë e drejtësi mund të ndërtojë një jetë të mirë në këtë vend siç jam munduar të bëj edhe unë. Ndaj vetëm hesht, hesht e iki me mendje si ata që largohen . Është pikërisht kjo heshtje, kjo heshtje gjëmim-madhe ajo që duhet të na shpjegojë politika e gjithë këtyre viteve e majtë dhe e djathtë, ajo prej së cilës ajo duhet të nxjerrë mësime e t’i bëhet busull për çdo program e lëvizje politike, të sotme e të ardhme. Është thelbi dhe arsyeja e kësaj ikje, ajo që duke e kuptuar sa më mirë e sa më thellë, mund ta ndriçojë që të mos përsërisë gabimet e së përditshmes në mos ngjalljen e shpresës dhe në krah-këputjen e besimit. E përsëri ciniku më ndërhyn duke më thënë: “Po ikin, po pse nuk patën guximin të qëndrojnë e të flasin, të shkruajnë, të luftojnë për ta ndryshuar ketë vend?”. Përkundrazi, i them, ata duruan kaq gjatë, pikërisht se e njihnin këtë vend. Ata folën e shpeshherë me vepra, por ministri dhe shefi i administratës ishte i korruptuar, e s’i dëgjoi njeri idetë e tyre. Ata shkruan, por drejtori i kërcënoi se ishte partiak, nuk u hapi rrugë se kishte dhënë lekë për vendin e punës. Ata qenë të urtë, të matur, dhe e deshën plot durim këtë vend; i mikluan për t’i futur në politikë e “për të bërë prokopi” siç flitet shpesh, por ata qenë të ndershëm, aspak naivë, por të ditur në pamundësinë e tyre të madhërishme, se vetëm kështu mund të bëhej Shqipëria. Ata bënë biznes, edhe të suksesshëm, por tatimori dhe doganieri u lypte ryshfet, pabarazia e taksave që paguanin të drejtit dhe të padrejtit i vrau, i lëndoi, në pafajësinë e tyre të mrekullishme shtetformuese, se vetëm pa korrupsion, pa klientelizëm mund të ecë përpara ekonomia e këtij vendi. Por ata folën, me besimin dhe shpresën e patundur në mrekullitë që mund të bëjë liria dhe demokracia, edhe politikisht, si ai brezi gri i saj, si ai zëri i pandikuar, i pablerë, i mazhorancës së heshtur, sa herë që Shqipëria gjendej në udhëkryq. Ishin ata që kur qeveria socialiste e asaj kohe ishte e zhytur në krim e korrupsion, besuan në kartën e moralit dhe i dhanë Berishës atë që edhe mund të mos imagjinohej disa vjet më parë, të drejtën për t’u rikthyer edhe njëherë në pushtet. Ishte po ky zë, që foli politikisht, duke i dhënë mandatin e bashkësisë së Tiranës për tre herë resht Edi Ramës, e pastaj kërkoi të provojë një figurë të re politike, asokohe shpresëngjallëse. E së fundi, foli në zërin e 1 milion votave që rrëzuan Berishën dhe i hapën rrugë një fryme të re asokohe, atë të Rilindjes. Po sot, çfarë ka mbetur nga gjithë ajo masakër e iluzioneve të tyre? Zhgënjim dhe ikje.
Ndoshta pikërisht, për këtë arsye ata po ikin, sepse kanë folur ashtu siç flitet, me votë, por politikagjat këtyre 9 viteve ua ka marrë frymën, ua ka shuar zërin, ua ka nxirë jetën. I kam parë sytë e trishtë të një “mërgimtari” të cilin e kasha komshi në zyrën time të sapolarguar teksa më thoshte: “Shqipëria, druaj se nuk ka më nevojë për ne, misioni ynë, misioni i brezit të viteve ‘90, kam frikë se ka përfunduar, ky vend nuk na ndihmoi e nuk na dha aq shumë sa ne i dhamë, nuk na deshi aq shumë sa ne e deshëm. Tani na duhet të mendojmë për shpirtin tonë dhe për të ardhmen e fëmijëve tanë”. E teksa ata shkojnë e përsëri do të shkojnë, gjithkujt duhet t’i buçasë në vesh trishtimi i tyre tek flasin, heshtja e tyre tek qajnë e mallëngjehen. E ardhmja e tyre, pa dyshim, që do të jetë më e mirë, ndoshta dhe e shkëlqyer, po për jetën e atyre që do të mbesin në këtë vend, po për fëmijët e të rinjtë e këtij vendi, ç’të ardhme vallë do të ketë? Por edhe duke ikur, ata po flasin, edhe duke ikur heshtja e tyre flet më shumë se sa të gjithë ne që kemi ngelur në këtë vend. Mbetet detyrë urgjente e politikës ta kuptojë e ta dëgjojë, por edhe e gjithë popullit. Perikliu, kryetari i madh i Athinës, teksa mblidhte një ditë popullin rreth atyre që kishin mbetur nga lufta e Peloponezit, me një zë të përmallshëm pat britur: “Ky vit e bjerri pranverën e vet…”. Duke e ndjerë thellë gjëmën e dhimbjes së tyre më jepet me ofshajtë edhe unë kështu: “Shqipëria po e bjerr pranverën e së ardhmes së saj”. Vetëm se duhet t’ia vërë mendjes mirë populli kësaj gjendje, se me bjerrë pranverën e fuqive të veta është shuplaka më e rëndë që ai mund t’i bëjë një shteti, një vendi, duke i sjellë ndërkaq më të rrezikshmin varfërim. Kurse, ndaj ju të gjithëve që keni për detyrë kujdesin dhe drejtimin e këtij kombi, do të doja t’iu ulërija: “Përmbusheni deri në fund detyrën tuaj, duke e ruajtur këtë popull prej trandjes së emigrimit”.
https://www.facebook.com/nkulla