14/12/2024

Gazetarët dhe krijuesit në opozitë me qeveritë. Flasin Jorgo Papingji, Flutura Maçi, Ahmet Shqarri, Viron Noti

0
Albert-Zholi

Nqs pyet 100 deputetë dhe t’u thuash se sa libra keni botuar, besoj se nuk ka më shumë se 2-3, deputetë që kanë botuar libra

Gazetarët luftojnë për të drejtat e popullit, politika përfiton pa djersë

– Ky shtet duhet ta shikojë me shumë kujdes letërsinë dhe artin dhe duhet të investojnë për to

– Sot politika shqiptare ka një indiferentizëm ndaj krijuesve pasi ata janë në opozitë të vazhdueshme

– NdëRsa krijuesit politika i mban shumë larg, i trajton si të huaj se nuk servilosen

Ata që kanë thënë të vërtetën, dhe kanë qenë në kundërshtim me shefat e tyre, ose janë pushuar menjëherë nga puna, ose janë rrahur me kërbaçin e sampistave të paguar!

Nga Albert Z. ZHOLI

Një rubrikë për rolin e gazetarisë dhe të krijuesve në shoqërinë e sotme shqiptare. Cili është roli i gazetarisë dhe krijuesve? A janë ata në lartësinë e duhur të kërkesave të kohës dhe çfarë qëndrimi mbajnë ndaj politikës? Pse politika i mban larg krijuesit dhe pse ata janë me tituj shkencorë dhe shumë herë më të formuar se politikanët?

A është gazetaria shqiptare në rolin dhe misionin që i ka vënë vetes ? A është gazetaria dhe krijuesit sot një shembull për të tjerët dhe a po e realizon ajo qëllimin për propagandimin e kulturës, etikës, gjuhës së bukur, i mendimit të lirë dhe të edukuar, mendimit të papërlyer me interesin ?

Jorgo Papingji, poet

Sot politika shqiptare ka një indiferentizëm ndaj krijuesve, sepse nuk i pëlqen dhe nuk ka asnjë interes për letërsinë dhe artin. Pastaj ne jemi opozitarë. Gjënë më të shenjtë kemi fjalën e lirë. Po të bësh një sondash, të marrësh 100 deputetë dhe t’u thuash se sa libra keni botuar, besoj se nuk ka më shumë se 2-3, deputetë që kanë botuar libra. Pra ja, njëra nga arsyet është kjo. Por ka dhe shumë arsye të tjera. Problemi kryesor është që ky shtet duhet ta shikojë me shumë kujdes letërsinë dhe artin dhe duhet të investojnë për to.

Ky është një gabim i shtetit dhe nuk e kuptoj se sa kohë do të zgjasë kjo. Të dalësh me mendimin se letërsia dhe arti më adopton mua, kjo është antikombëtare. Këta në radhë të parë nuk i japin rëndësinë që i takon një libri. Ndoshta që nuk dinë të shkruajnë vetë, apo që libri i kujton boshllëqet intelektuale. Ne bëjmë dhe një sakrificë të dytë. Ne i botojmë librat me paratë tona dhe i shpërndajmë pa para. Pra jemi idealistët më qesharakë të këtij vendi, që e duam kaq shumë. Kështu edhe me shtypin.

Unë e lexoj shtypin, por shoh se disa herë është bërë palë me politikën. Nuk ka karakter demokratik, emancipues, civilizues. Shpeshherë është i njëanshëm.

Flutura Maçi, poete

Për gazetarinë shqiptare dhe shkrimet që lexojmë në gazeta të ndryshme, është e vështirë të japësh mendime si të prera me thikë, pasi nuk ka kandar që t’i peshosh, por thjesht ne gjykojmë në bazë të shijeve tona, ose dhe më gjerë…

Në këto vite të gjata tranzicioni, që po kalon mëmëdheu ynë i shumëvuajtur, përballesh me shkrime që nga të nivelit shumë të lartë, (sigurisht shumë të pakta) dhe deri tek pseudo-shkrimet, që ju jepet dorë e lirë nga gazetat për t’u botuar!

Është për të ardhur keq, se shumë prej tyre akoma nuk dinë të shkruajnë shqip, mirëpo befasohesh me dukurinë e publikimit të tyre, si të quajtur “gazetarë” apo “shkrimtarë”, qe nuk ke se ç’të lexosh prej tyre, veçse lavde të pështira për shefat që kanë mbi krye, apo për ata që ju mbushin duart me euro!

Ata që kanë thënë të vërtetën, dhe kanë qenë në kundërshtim me shefat e tyre, ose janë pushuar menjëherë nga puna, ose janë rrahur me kërbaçin e sampistave të paguar!

Për rrjedhojë, përderisa gazetari është nën trysninë e të tjerëve, nuk gëzon lirinë e duhur, nuk mbrohet me kushtetutë, ose dhe kur mbrohet është i gjymtuar, lajmi do të publikohet i cunguar, gati-gati i rremë!

Dhe këto pavërtetësira të kujtojnë gazetarinë e shquar dhe shkrimtarin G.K.Chesterton, i cili shprehej: Shumica e gazetarëve shkruajnë duke i thënë popullit se: “Lord Jones ka vdekur”, ku asnjë prej popullit nuk e dinte që Lord Jones ishte gjallë”.

Megjithatë vetë koha do të bëjë seleksionimin e duhur të shkrimeve me të vërtetë gazetareske, ku lexuesi të gjejë përherë lajmet, që kanë vërtetësinë, etikën dhe të përmirësojë gjendjen dhe korrupsionin që ka pllakosur në strukturat shtetërore!

Ndryshe, populli do të vuajë më shumë mjerimin, pasi gazetaria është një mjet informimi, ku mund të thuhet e vërteta pa kurrfarë ndroje dhe qëllimi final do të arrihet pikërisht duke i shërbyer të vërtetës lakuriqe, jo duke i mbuluar prapësitë, turpet me lavde të pista!

Ahmet Shqarri

Për mua në fillimet e gazetarisë sportive shumë gjëra ishin rrugë të pashkelura. Eksperiencat ishin të pakta dhe shumë rubrika janë eksperimentuar nga unë. Nuk kishim mjete komunikimi dhe ndërlidhjeje si sot. Ne ishim të mbyllur. Nuk kishim ku të merrnim eksperienca. Edhe me rusët dhe kinezët u prishëm.

Kam kaluar shumë drejtorë në RTSH që nga Thanas Nano e të tjerë me radhë me eksperiencë në gazetari. Nano ishte serioz, ishte e vështirë t’i flisje, por korrekt dhe kërkues në punë. Todi Lubonja ishte më i hapur dhe liberal. Me atë punoje me shumë kënaqësi. Marash Hajati serioz dhe autoritar. Nefo Myftiu, njeri shumë i mirë që më ka inkurajuar shumë në hapat e parë që hodha si gazetar… Ndërkohë kam pasur të bëj me shumë bashkëpunëtorë gati të panumërt, që nga spikeri e deri tek ata që morën mësimet e para nga unë për t’u bërë radikronistë, komentatorë, gazetarë… deri sa disa prej tyre ndryshuan rrugë për t’ju futur fushave të tjera, por duke pasur gjithnjë si gjenezë fillimet në RTSH.

Shumë folësa potentë të Radio Televizionit kanë nisur të ushtrohen në këtë profil duke pasur si foltore të parë Rubrikën Sportive. Virgjil Kule ka filluar tek unë, Liliana Meçani, Çlirim Poro, Violeta Gjoka, ku Lorenc Zadrima një nga spikerat më të mirë, në atë kohë ishte inxhinier në fabrikën e armëve në Gramsh dhe vinte çdo të dielë në shtëpi në Tiranë, për të qenë në mbrëmje në Radio për Rubrikën Sportive. Krijova komentatorët e parë për çdo sport. Vangjel Shundi për lojërat me dorë, Zef Ashta për shahun, Xhafer Bogdani për sportet e rënda.. Edhe sot, përveç gazetave sportive, gjatë ditës përpiqem që të lexoj opinionet e gazetarëve më në zë që janë sot në treg, por kam interes sidomos kur ka problematikë. Ndërsa librin, siç ju thashë e kam të pandarë.

Viron Noti, ish-gazetar Radio Tirana

Në atë kohë vlerësohej shumë ana profesionale, pavarësisht se çdo gjë ishte e ideologjizuar. Partia mbi gjithçka. Por, në aktivizimin e njerëzve të mikrofonit, në atë kohë duhej të kaloje nëpër konkurse. Duhej të ishe shumë profesional që të merrje mikrofonin e Radio-Tiranës që ishte i vetmi institucion i medias në Shqipëri, dhe çdo gjë bazohej mbi profesionalizmin. Llogaria ka qenë shumë e madhe, bëhej analizë. Çdo ditë kishte mbledhje. Shikohej ndonjë e metë, sugjerime, se çfarë opinioni kishin redaktorët, kishte edhe gazetarë në Radio Tirana shumë të mirë në atë kohë që punonin si Nasi Lera, e shumë të tjerë.

Sot, po të marrësh e të shikosh televizionet do të dallosh menjëherë nga mënyra e transmetimit se ky televizion anon nga e djathta apo nga e majta. Të njëjtën gjë mund të them edhe për gazetat. Unë mund të them se këtu ke të bësh me një shtyp, i cili është me plotë kuptimin e fjalës i pavarur, pra të ketë një krah dhe jo raport të drejtë midis pozitës dhe të opozitës. I mungon pavarësia. Ndërsa krijuesit politika i mban shumë larg. I trajton si të huaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok