SHQIPËRIA JONË
Bisedë profetike
Nga Mihal GJERGJI
Kishte kaluar mesnata. Po dremisja në supin e ëndrrës. Gjumin e trazuar ma prishi zëri i Kahlil Gibranit. –Ishe në takim me profetin, apo jo? Ishte pyetja e tij e parë. Jo, – i thashë, isha në vendlindje. Ato ishin ditët e korrjeve të mia. Nuk munda të shkoja në qytetin e Orfales. Pastaj, fjalët e tij i kam dëgjuar nga ti, disa herë. Para një viti, para një muaji, para një jave…Ne gjithmonë kemi biseduar bashkë. –Unë të kam treguar për Libanin tim, vazhdoi bisedën Gibrani. Ndërsa ti s’më ke thënë asgjë për Shqipërinë tënde. – Ke të drejtë i thashë. Do të tregoj dhe do ndjehesh sikur ke lindur në parajsën time, në trojet e mia të bekuara.
Mirëpo, në ndryshim nga ti, që e cilëson vendin tënd “Libani im”, unë do ta quaj “Shqipëria jonë”. Sepse është dhe e të vdekurve, dhe e të gjallëve, dhe e atyre që s’kanë lindur akoma. Të parët kanë eshtrat në këtë vend, djersën dhe gjakun, historitë dhe kujtimin e tyre. Të dytët ende s’kanë përfunduar rrugëtimin e caktuar nga Zoti. Akoma s’e kanë vulosur nderin apo turpin e tyre. Ky vend është edhe i atyre që s’jetojnë këtu, qe kanë marrë rrugët e botës. Ata e kanë ngarkuar Shqipërinë brenda shpirtit, gëzohen dhe trishtohen për të, si për nënën e tyre, janë pjesë e dramave të saj. Koha do jetë gjyqtarja më e mirë, për të gjithë.
Ata që do vijnë pas nesh, do jenë shëmbëlltyra jonë, mbase më e lartë, më e përsosur, por gjithmonë me rrënjët te ky dhe. Ja pra, kjo është Shqipëria, e cila ndodhet mes Lindjes dhe Perëndimit, si një ylber bashkues. Trupi i saj është mbuluar me xhevahire. Malet e larta zgjaten me kryet tek retë. Rreth ballit kanë mbështjellë mjegullat e bardha. Pastaj, këmbët e tyre shtrihen e çlodhen buzë detit. Kuvendojnë me Posejdonin.
Shqiperia ka Bjeshkët e Nëmuna, Korabin e lartë, Gramozin, Gjallicën, Malet e Sharrit, Këndrevicën e bukur, Nemërçkën, Malet e Palavlisë, e më të veçantin e maleve, Tomorin Hyjnor, djepin e Perëndive. Gibrani im i çmuar! Filozofia jote mbetet pa gojë në vendin tim. Shumë të vërteta janë mbuluar nga harresa dhe misticizmi. Perënditë kanë lëvizur nga Palavlia në Tomor, pastaj në Olimp, atje ku gjëmon Zeusi, sundimtari i qiellit dhe tokes.. Këtë e kanë thënë edhe profetët tuaj. Ti e di mirë këtë.
Pse valle perënditë zgjodhën truallin tim si strehë të tyre? Prej mijëra vjetësh, në lartësite e malit të Tomorit vinin Mbretër e Perandorë, nga gjithë bota, sillnin dhurata dhe mësonin të nesërmen e tyre, fatin e betejave dhe të popujve. Nga ky ankth i çlironin plakat, që dinin të lexonin fëshfërimën e gjetheve të lisit, gjuhën e erës, gugatjen e pëllumbave, gurgullimën e ujrave të dy burimeve magjike (njëri e shuante pishtarin dhe tjetri e ndizte atë), lexonin shpatullat e qengjave dhe kecave te pjekur ne hell.
Vonë, shumë vonë doli në dritë Krishtërimi. Veshjet e plakave u bënë rrasot e priftërinjve. Ky besim i bëri të vetat gjithë ritet e këtij tempulli, më pas edhe pushtetin e tij, (ndoshta edhe thesaret!). Por, Tomori, kurrë s’ka qënë i braktisur, vazhdon të gjëmojë. E, kur gjëmon Tomori, Vezuvi shperthen gjuhët e flakëve. Një lidhje e padukshme na flet me gjuhë rënkimesh. Bujtës të panumërt ngjiten çdo vit në lartësitë e këtij mali. Libani s’ka thesare të tilla. Unë të ftoj edhe ty Gibran t’i falesh Tomorrit…
2.
Do të shoqëroj të shijosh edhe bregdetin e magjishëm, stërkalat e valëve që puthin brigjet shqiptare. E fillojmë nga të duash; nga Velipoja, Shëngjini, nga Dyrrahu mijëvjeçar, Divjaka, Semani, Vlora, Himara apo Saranda. Këtu ka vetëm diell. Dora e Zotit është treguar bujare si askund tjetër. Pastaj të tregoj edhe hambaret e bereqetit, fushat që shtrihen buzë lumenjve. Zadrimën e mrekullueshme, fushën e Korçës dhe atë të Myzeqesë, më të madhen fushë të Ballkanit Perëndimor. Po Fushëkosovën?- mund të pyesësh. Nuk e kam harruar, as atë dhe as fushat e begata të Paramithisë në Çamëri. Do tregoj edhe per qytetin e Janinës, Artës, Prevezës dhe Pargës magjike, për të cilën Ali Pashë Tepelena harxho flori pa fund, edhe për dhimbjet tona, pjesët e prera barbarisht që ende kullojnë gjak.
Ndoshta ke të drejtë kur thua: “Ti ke Libanin tënd dhe dilemat e tij. Unë kam Libanin tim me bukurinë e tij të pakufishme…Libani yt është një çështje e pazgjidhur ndërkombëtare…Libani im janë luginat në të cilat jehojnë tingujt e këmbanave të kishave dhe gurgullima e përrenjve…”. Poshtë këmbëve tona, ashtu si në Liban, ari i zi pret të dalë në sipërfaqe, sikurse qymyri, kromi, bakri, dhe minerale të tjera të çmuara, u kërkojnë të ndalen duarve vrastare që grabisin pa mëshirë. E si për të freskuar këtë zjarrllëk të madh, burojnë dhe s’shteren lumenjtë tanë. Si fjango të kaltra zgjaten nga grykat e maleve në drejtim të detit. Drini, në nxitim e sipër sjell edhe lajmet për Dardaninë.
Pse vallë, bota e krishterë s’tregon mirënjohje për Kostandinin? Ajkuna e kishte djalin e vëllait, pra ishte nipi i saj. Ishte i pari Perandor, që pranoi Krishtin, dhe në oborrin e tij, krahas filozofit pagan mbante edhe priftin. Ndërsa dardani tjetër, Niketa, krijoi himnin e këtij besimi shpirtëror. Pas Drinit të vrullshëm, është lumi tjetër, Buna, i cili zbut varfërinë shkodrane dhe bën çtë mundet për banorët e lidhur fortë me këtë djep qytetërimi. Mandej, janë edhe Valbona, Osumi, Shkumbini dhe Vjosa, lumenj përjetësisht të trazuar dhe plot kapriço.
Natyra ka krijuar xhepa për të vendosur thesaret e saj. Këtë e ndjen po të vizitosh Kepin e Rodonit, të Bishtit të Pallës apo atë të Gjuhëzës. Fushëpamja mbetet e pakufizuar për të shquar ishullin e Sazanit, të Kunës apo Zvërrnecit. Ndërsa Gadishulli i Karaborunit mban në shpinë gjurmët e Çezarit dhe Pompeut. Lavdia ka zgjedhur si vend prehjeje, pikërisht këto qafa malesh. Nuk po zgjatem me pasuritë natyrore, pse më të çmuarit janë njerëzit tanë; të një gjaku, të një rrace, të një gjuhe, denbabaden.
Ti Gibran e ke lexuar Homerin. Dua ta besoj këtë. Ai është babazoti ynë. Ai fliste këtë gjuhë dhe e shkruante, dashuronte dhe urrente shqiptarisht. Ishte Ai ndër të parët që parandjeu gjëmën që do vinte, rrënimin, tmerrin që do provonin trojet tona. Ai fliste me zotat. Pikërisht prej tyre mësoi të nesërmen e hidhur. U pikëllua dhe s’e përballoi dot dhimbjen, u verbua. Unë qëndroj i strukur brenda zgavrave të tij. Ku të vete? Këtu s’ka vend për mua. Por unë jam shumë i lidhur me këtë dhe, me këto male, sepse këtu kam rrënjët e mia. Ja që dashuria të tregon se si duhet vepruar. Dhe unë pres. Ylberi do shfaqet përsëri…
3.
I dashur Gibran! Më ke folë për njerëzit e Libanit, që ti i çmon aq shumë e që ndjehesh i dashuruar me ta. Dhe kërkon të njohësh shqiptarët. Do të tregoj. Shqipëria ka njerëz të mrekullueshëm, por ju nuk i njihni, sepse askush s’u ka folur për emrat, vlerat dhe lartësinë e tyre. Askush. Pluhuri i harresës ka mbuluar gjithçka. Syri juaj s’mund t’i shquaj nëse ne s’i nxjerrim në dritë. Në ekranet e televizorëve ke parë vetëm lehësit, që u detyrohen atyre që i ushqejnë. Atje s’ka vend për njerëzit e ndershëm, për mendjet e ndritura, për zemrat bujare. Televizionet bëjnë biznes, gazetat po ashtu.
Çdo gjë shitet dhe blihet. Malli më i kërkuar është seksi. Dhe seksi është i pranishëm kudo, si kripa në gjellë. Morali s’vlen. Njerëzit e pushtetshem të çdo kohe, s’besoj se ndryshojnë nga njëri tjetri. Është brumë i gatuar nga i njëjti miell. Ata bëjnë marketingun, i shumëfishojnë vlerat financiare dhe i përdorin për interesat e veta. Sikurse Libani yt, edhe Shqipëria jonë është shndërruar në një fushë, ku luajnë shah peshkopi dhe gjenerali. Herë njeri dhe herë tjetri luajnë rolin e mbretit. Të tjerët rreshtohen në kuadratet e ushtarëve të bindur. Të gjithë janë me maska, si në ballo. Ja, këta keni parë ju. Ata janë kufoma pa shpirt, trupa të zbrazur, skelete që kundërmojnë. Ata s’janë shqiptarët e vërtetë, por të shiturit për interesa. Unë do t’i quaja shqiptarët tuaj.
E keni parë tokën pas rrebeshit? Rrjedha e fuqishme e ujit e gërryen atë, dhe llumi del mbi trotuare, sipër rrugëve. Kështu ka ndodhur edhe këtu. Shqipëria jonë mban brenda gjirit edhe shqiptarët tanë. Dhe s’do filloj me ata lisa gjigandë, kurora e të cilëve ka bërë hije matanë sinoreve tona. S’do përmënd perandorët shqiptarë që i kemi falur Romës, Bizantit apo Kostandinopojës. Për asnjë Papë që ka drejtuar tempullin e krishtërimit në Romë, s’do flas tani. As për mendjet e ndritura të filozofëve, iluministëve, mendimtarëve të mëdhenj apo shenjtorëve. As për Pashko Vasën, Mytesarifin e vendit tënd, Libanit, i cili, në vitin 1883 themeloi fletoren e parë politike në gjuhën tuaj.
Këtyre shqiptarëve edhe skeletet s’ua lanë të treten. E çvarrosën Skënderbeun, sepse besonin jo vetëm te fuqia e shpatës, por edhe te shenjtëria e eshtrave. Ndërsa Sami Frashëri, ky Tomor i lartë, ky diamant në kurorën e trashëgimisë tonë kulturore, ende vazhdon të jetë peng i tokës osmane. Por lavdia e tyre s’mund të tjetërsohet. Ajo endet sipër nesh si një diell që ngroh shpirtrat tanë. Për këta do tregoj në fund të bisedës.
Por, do filloj rrëfimin tim me shqiptarët tanë të thjeshtë. Ata janë të dashuruarit me këto troje. Dhe dashuria është fuqia më e madhe në jetën e një njeriu, të një populli, të një kombi. Ata kanë derdhur me grushte djersën dhe gjakun, kanë pranuar mbi krye vetëm Zotin dhe Diellin, kanë lënë trashëgim farën e tyre të florinjtë. Dhe emrin e mire, që meriton të nderohet nga të gjithë. Bujku që hap brazdat e gjata kur toka çliron afshin e ngrohtë pranëveror, e përqafon mëngjezin sapo dalin rrezet e para. E merr dheun në duart e tij të argasura nga parmenda, e shkërrmoq dhe i gëzohet si fëmijës së vet. Ata ngjasojnë me pemët e përkulura nga dëbora. Të kesh bekimin e dheut tënd, doemos që meriton edhe bekimin e Zotit. Dhe ata e kanë. Bariu që rritet e plaket pas tufës, mes blegërimave dhe tingujve magjepsës të këmborëve e zileve. Ata jetojnë mes natyrës që flet me gjuhën e rrëkeve dhe fëshfërimën e barit.
Dhe natyra është si një nuse. Çfarë zbukurimi mund t’i bëjë dora e njeriut kësaj mrekullie. Ajo na është afruar për ta shijuar, për t’u dehur prej saj. Barinjtë marrin pas vetes dhe gratë, dhe fëmijët. Dashuria për jetën s’mund të ushqehet veçse kështu! Unë i kam parë sesi mbajnë në duar qengjat e sapolindur (si Shën Maria–Krishtin), kam parë sesi mbushin vedrat me qumësht, frigoriferët me mish, magazinat me leshin e bardhë. Sepse pashallarët e qytetit duhet të hanë e pinë mirë, zonjat e tyre duhet të sajdisen me veshje të ngrohta leshi, të mos u mbërdhijnë këmbët dhe vithjet, të cilat i reklamojnë çdo ditë, duke shëmtuar rrugët ku kalojnë.
Ti Gibran, thua se biri i një bariu që ka aftësi e dituri vlenë më shumë për një komb se trashëgimtari i fronit që është një injorant. Ke të drejtë, por më lejo të tregoj më shumë për shqiptarët tanë…Poshtë kodrave të gjelbëruara nga ullinjtë, vreshtarët e palodhur kultivojnë rrushin aromatik. Atyre s’u lodhen duart nga gërshëra, sepse pas krasitjes përgatiten për vjeljen. Grumbullojnë dhe përpunojnë varietete nga më të mirat. Prodhojnë verërat dhe i nxjerrin në treg. Buza e zhuritur e poetit s’mund të njomet me lëngun e kuq, për të ushqyer magjinë e fjalës. As piktori, as muzikanti, as artisti i skenës s’mund ta provojnë atë. Varfëria i shndrron dëshirat në pranga. Konsumatorët e parë janë të pasurit, ata, që u është shkurtuar qafa, zmadhuar kuleta dhe zvogëluar shpirti. Po ata kanë dollarët, e me forcën e tyre mund t’a ngjitësh ujin përpjetë. Ja, i dashur Gibran, këta janë shqiptarët tanë, por jo vetëm. Krah tyre qëndrojnë montatorët dhe ndërtuesit që punojnë të varur në skelat e larta, minatorët, jeta e të cilëve mbetet e pandriçuar brenda galerive të nëntokës. Sepse duhet të dalin në sipërfaqe ato që toka i mban të fshehura në thellësi.
Ti s’ke dëgjuar të flitet për mësuesit, këta misionarë që përhapin dritën e diturisë. As për gurgdhendësit, veshjepunuesit, qëndistaret, për ato gra të nderuara që u enjten duart nga gatimi i brumit në magje, për ata njerëz që kanë mbetur në kujtesën e këtij populli, në shpirtin e tij. As për fëmijët e vegjël, ata syçelurit plot ëndrra, që do ngrejnë fidanishtet e së nesërmes, nuk kujtohet njeri të flasë. Ata mbushin me dritë çdo shtëpi, çdo katund, çdo qytet, por edhe gjithë vendin. Shqipëria jonë është tempulli ku falen këta njerëz, gatuar prej mirësisë.
Më shumë akoma për shqiptarët që jetojnë larg, që vazhdojnë të shkollohen e mësojnë gjuhën tonë hyjnore, për të mbajtur gjallë atë lidhje të shenjtë të shpirtit me prushin e mëmëdheut. Në buzët e tyre flet malli i vendlindjes. Ata i janë përkushtuar dijes, sepse dija s’të jep asgjë nga vetja e saj nëse nuk i jep gjithë veten tënde.(Sikur të mundja të bleja disa abetare dhe t’i dergoja atje!) Por jam larg dhe i papunë. Vetëm vendi yt të shikon si një nënë e dhembshur. E nëna përgjerohet për ne edhe kur ndjehet e tradhtuar. Sepse vetëm këtu tastjera e shpirtit mund të lëshojë muzikën e dëshiruar nga të gjithë.