27/12/2024

Shqipëria dhe shqiptarët në veprat e William Martin Leake

0
William-Martin-Leake

Nga Dorian Koçi

Njohja e Ballkanit dhe e Shqipërisë në Ministrine e Jashtme në Britani në shekullin e XIX fillon nga eksplorimi dhe udhëtimi në Greqi dhe Shqipëri i William Martin Leake, i cili nuk ishte një udhëtar i zakonshëm britanik që ndërmori një udhëtim kënaqësie dhe njohje në Greqi dhe Shqipëri në kuadër të Grand Tour-it si Lord Byron,John Cam Hobhouse, Dr Holland apo Thomas Smart Hughes. Kapiteni Leake dhe më vonë Koloneli Leake ishte një zbulues i mirëfilltë ushtarak i dërguar me mision në territorin e Pashallëkut të Janinës nga viti 1804 deri në dimrin e vitit 1806. Edhe pse një kohë relativisht të  shkurtër, Leake krijoi një njohje dhe eksperiencë të admirueshme për Ballkanin. Pas largimit të tij nga Shqipëria dhe Greqia, Leake shkroi dhe botoi katër vepra shumë të rëndësishme për të gjeografinë,historinë,gjuhësinë dhe leksikografinë dhe popullsinë e këtyre viseve. Veprat e tij janë Researches in Greece(1814),”An Historical outline of Greek Revolution”(1826), “Travels in Morea” (1830) dhe “Travels in Northern Greece and Albania” me katër vëllime(1835).Këto vepra nuk ngjallën interes vetëm në qarqet akademike por shumë shpejt patën një sukses të madh në lexuesin britanik. Si të tilla ato krijuan dhe përshtypjet dhe perceptimet e para të Ballkanit dhe të Shqipërisë në Britani. Leake ishte një njohës shumë i mirë i antikitetit dhe referencat e tij për shumë qytete të vjetra antike ishin shumë të sakta dhe të mahnitshme për moshën e re që ai kishte. Ai gjithashtu bën një përshkrim rigorozikisht të saktë të territorit që eksploron duke na dhenë jo vetëm përshkrime gjeografike por dhe përshkrime te popullatës. Detyra e Likut ishte ajo e zbuluesit ushtarak, pra mbledhja e informacioneve që i kish caktuar Shtabi Britanik i Luftës. Ai udhëtoi  pa u lodhur,  vëzhgoi tërë objektet e nevojshme për informacionet e tij,  takoi  dhe bashkëbisedoi  me njerëz të rajoneve e shtresave të ndryshme të popullsisë shqiptare e greke, çamë, toskë, lebër,vllahë, funksionarë të administratës osmane:pashallarë,bejlerë,vezirë,spahinj, ushtarakë të karrierës etj

Gjatë udhëtimeve të tij, Leake si një dishepull i kulturës klasike greko-romake identifikon dhe sjell në vëmendjen e lexuesit shumë vendbanime dhe qytete të lashta të Ilirisë , Maqedonisë, Epirit dhe Greqisë. Është e kuptueshme që për emrat antikë Leake përdor emërtimet e tyre greko-romake duke respektuar traditën e udhëtarëve të tjerë para tij, por kur kjo emërtim shtrihet dhe në vendbanime dhe toponime që s’kanë gjë të përbashkët me greqishten apo me popullsi greke në rajon krijohet një konfuzion etnik i panevojshëm për lexuesin. Vetë Leake  duket se nuk është shumë i qartë kur identiteti kulturor historik të antikitetit dhe atë fetar të mesjetës mundohet ta përcjellë dhe në kohët moderne. Kështu p.sh shumë herë ai ngatërron popullsitë duke i thirrur shpesh herë si “greke”popullsitë ortodokse shqiptare, si në Lavdar të Oparit, Berat etj  apo “turke” banorët myslimanë të Beratit dhe fshatrave dhe qyteteve të tjerë të Toskërisë. Madje Leake shpesh herë dhe në vende që kanë toponomastikë shqiptare si në fshatin Dukaj të Tepelenës nuk nguron ta shoqërojë me emërtimin grek “Dukadhes”.

Kjo ditomi në diskurs influencon dhe në krijimin e imazhit të Shqipërisë si të një toke barbarie, të largët dhe të pa civilizuar e dëshmuar shpesh herë me përdorimin e mbiemrave “të egjër”, ‘mizor” e “gjysmë lakuriq” për banorët e saj apo drejt për së drejt ku i referohet Beratit si  qendër e “barbarisë shqiptare.” Është e tepërt të përmendim se qyteti i Beratit si një qendër e një pashallëku shqiptar jo shumë kohë më parë se ta vizitonte Leake kish qenë kryeqendra e lëvizjes kulturore të Bejtexhinjve që edhe pse mund të ishte lëvizje kulturore lindore jo domosdoshmërisht duhet të ishte dhe barbare. Po kështu Berati shquhej dhe për kulturën e trashëguar të popullsisë së tij ortodokse, të cilën jo radhë herë në libër Leake e konsideron pa të drejtë si greke. Për më tepër përshkrimet që Leake u bën Shqipërisë dhe shqiptarëve janë në kontrast me përshkrimet që u bën Greqisë dhe popullsisë greke brenda të njëjtave veprave Kështu imazhi i Greqisë dhe i popullsisë greke është pasqyruar me tone më  pozitive dhe më me dhembshuri duke iu referuar shpesh herë atyre si “grekët e gjorë” apo duke i qortuar lehtë për mos kurajën e tyre për të ngritur krye kur shkruan se “ata i tremben shumë shpatës turke dhe kanë aq pak energji për të vepruar në të mirë të vetes.”Në këtë rast shqetësimi gjeo-strategjik i Leake i nënshtrohet sentimenteve të veta filokulturore ndaj kulturës antike, e cila transferohet direkt tek popullsia moderne greke. Edhe pse vetë Leake apo dhe autorët e mëvonshëm britanikë  nuk i “akuzojnë kurrë shqiptarët për padituri në mënyrën si akuzohen ndonjëherë grekët dhe shumë më shpesh turqit, në të vërtetë ata janë përshkruar si një popull inteligjent, të shquar për “mprehtësi dhe gjykim të shëndoshë” dhe që “nuk u mungonte talenti” , gjithsesi paragjykimet dhe perceptimet negative që përmendëm më sipër do të vazhdojnë të jenë prezentë në tekstet britanike duke themeluar kështu një mënyrë të vështruarit të ngjarjeve dhe perceptimit të Ballkanit dhe në autorët e mëvonshëm britanikë në rajon.

Copyright Dorian Koçi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok