Shqipëria dhe politikat pёr papunësinë

0

Nga Esmeralda Zizolli – Administratore Sociale

Pas rënies së regjimit komunist, Shqipëria arriti një rritje ekonomike, por niveli i varfërisë është ende i lartë. Ekziston një lidhje e fortë midis varfërisë dhe papunësisë sepse mungesa e punësimit është një nga përcaktuesit kryesorë të varfërisë. Shqipëria konsiderohet si një vend i varfër, prandaj ekziston një nivel i lartë i papunësisë. Krijimi i Ministrisë së Punës në Shqipëri në vitin 1992 ishte hapi i parë i rëndësishëm për ngritjen e institucioneve në këtë fushë. Sistemi i shërbimeve të punësimit pësoi ndryshime të vazhdueshme si përsa i përket detyrave që synonte të zgjidhte, ashtu edhe kapaciteteve, formës, mënyrës së funksionimit. Kështu, nga një sistem fillimisht i strukturuar sipas vizioneve të sistemeve të vendeve të tjera dhe këshillave të ekspertëve të huaj, sot mund të themi që kemi një sistem tonin për veprimtaritë e të cilit ka kërkesë nga publiku i gjerë për zgjerimin e tyre, gjë që dëshmon se ato funksionojnë dhe janë të kërkuara nga shoqëria.

Shkaqet e papunësisë në Shqipëri:Papunësia është një proces që shkaktohet nga faktorë të ndryshëm. Përsa i përket vendin tonë, ato kanë të bëjnë me nivelin e përgjithshëm të aktivitetit ekonomik, të tjerat janë rezultat i dështimit të tregut të punës në një ekonomi për të punuar në mënyrë optimale. Së pari, oferta për punë nuk është relativisht fleksibile, që do të thotë se nuk ka një proporcion të barabartë midis ofertës dhe kërkesës. Në Shqipëri është shumë e zakonshme të shohësh studentë që sapo janë diplomuar, por aktualisht nuk punojnë. E gjithë kjo është rezultat i nivelit të lartë të kërkesës, por nivelit më të ulët të furnizimit. Kriza ekonomike ka ndikuar gjithashtu në uljen e vendeve të punës, gjë që ka rritur shkallën e papunësisë, duke rezultuar në një nivel të lartë të kërkesës për punë. Së dyti, një faktor tjetër që ndikon në procesin e papunësisë është sigurisht niveli i pagave. Sa më të ulëta të jenë pagat, aq më të pakënaqur do të jenë njerëzit, kështu që ata do të duhet të kërkojnë një punë tjetër e cila u jep atyre të ardhura të mjaftueshme për t’u përballur me të jetuarit.Një faktor tjetër janë sigurisht ndryshimet teknologjike. Përmirësimet teknologjike lejojnë rritjen ekonomike e cila është domosdoshmëri për rritjen e standardeve të jetesës në një ekonomi. Ky është një efekt i mirë, por gjithashtu mund të rezultojë me papunësi, sepse së pari nevojiten më pak punëtorë për të prodhuar të njëjtin nivel të prodhimit dhe së dyti ky ndikim i ndryshimeve teknologjike në nivelin e papunësisë nuk varet nga niveli dhe shkalla e këtij ndryshimi, por edhe nga aftësia e ekonomisë për të akomoduar ndryshimin.

Të dhëna statistikore mbi papunësinë (bazuar në periudhën 2019-2020):Anketa Tremujore e Forcave të Punës (ATFP) është një vrojtim statistikor që kryhet pranë familjeve. Objektivi kryesor i saj është të japë informacion mbi situatën e tregut të punës në Shqipëri i cili përdoret për të hartuar politikat e tregut të punës dhe për vlerësimin e efektshmërisë së tyre në lidhje me reduktimin e papunësisë, si dhe për të kënaqur nevojat e përdoruesve të statistikave për të dhëna të përditësuara mbi dinamikën e tregut të punës. Baza e zgjedhjes e përdorur për ATFP bazohet në të dhënat përmbledhëse për zonat e numërimit sipas Censusit të Popullsisë dhe Banesave 2011. Madhësia e zgjedhjes për ATFP për tremujorin e tretë të vitit 2020 është 7.932 familje. Disa nga të dhënat kryesore të saj vijojnë si më poshtë:

Në tremujorin e parë 2020, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 61,4 %. Gjatë këtij tremujori, në krahasim me të njëjtin tremujor të vitit 2019, numri i të punësuarve gjithsej u rrit me 1,1%, ndërkohë krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2019, ky tregues u ul me 1,3 %.

Në tremujorin e parë 2020, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri, për popullsinë 15 vjeç e lart, është 11,4 %. Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2019, shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 0,7%, ndërkohë krahasuar me tremujorin e katërt 2019, shkalla zyrtare e papunësisë u rrit me 0,2%.

Në tremujorin e parë të vitit 2020, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës, për popullsinë 15-64 vjeç, është 69,6 %. Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2019, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 0,6% më e lartë, ndërkohë krahasuar me tremujorin e mëparshëm ky tregues shënon një ulje prej 0,1%.

Shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë është 20,7 %. Në terma vjetorë shkalla e papunësisë së të rinjve shfaq tendencë në ulje. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2019, shkalla e papunësisë për të rinjtë në tremujorin e tretë të vitit 2020 është 0,7% më e ulët. Krahasuar me tremujorin e dytë 2020, shkalla e papunësisë për të rinjtë është ulur me 0,7%.

Në tremujorin e tretë 2020, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri është 11,6 %. Në terma vjetorë, shkalla zyrtare e papunësisë u rrit me 0,2%. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 0,3%.

Shkalla zyrtare e papunësisë për burrat është 11,4 % dhe për gratë 11,8 %. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2019, shkalla e papunësisë për burrat është në të njëjtin nivel, ndërsa për gratë është rritur me 0,4%.

Në krahun tjetër kemi popullsia ekonomikisht jo-aktive, ku gjatë tremujorit të tretë të vitit 2020, 18,7 % e popullsisë ekonomikisht jo-aktive dhe në moshë pune (15-64 vjeç) ishin duke përmbushur detyrat shtëpiake, 11,1 % e saj ishte në pension ose pension të parakohshëm, ndërsa 11,2 % në paaftësi të përhershme. Gjithashtu 11,2 % e popullsisë ekonomikisht jo-aktive (në grup-moshën 15-64 vjeç) deklaruan se nuk po kërkonin punë pasi besonin se nuk ka punë të disponueshme, pra klasifikohen si të papunë të dekurajuar.

Përsa u përket diferencimeve sipas grup-moshave, norma e papunësisë paraqet vlera dukshëm të ndryshme për grup-moshat 15-29 vjeç dhe 30-64 vjeç. Duke marrë në konsideratë faktin që grup-mosha 15-29 vjeç përfshin të rinjtë që:nuk e kanë nisur ende ose sapo e kanë nisur karrierën e tyre profesionale;gjenden në periudhën e testimit në tregun e punës të aftësive të tyre prodhuese e krijuese për profesionin dhe/apo karrierën që do duhet të zgjedhin; janë tepër aktivë në kërkimin e një vendi pune të qëndrueshëm që u përshtatet; është e pritshme që papunësia në radhët e kësaj grup-moshe të ndeshet në nivel më të lartë, krahasuar me atë të grup-moshës 30-64 vjeç.Disa të dhëna të tjera me interes në lidhje me grupmoshat janë: të rinjtë e grupmoshës 16-25 vjeç janë punëkërkues të papunë, numrin më të madh të punëkërkuesve të papunë që kanë interes relativisht të lartë e përbën grupmosha mbi 35 vjeç ndërsa grupin e të papunëve afatgjatë e përbën grupmosha mbi 45 vjeç për shkak se nuk kanë profesionin apo formimin e duhur për tregun. Gjithashtu në strukturën e të papunëve, sipas nivelit arsimor vendin kryesor me rreth 50% e zënë punëkërkuesit e papunë me arsim fillor e tetëvjeçar, ndërsa punëkërkuesit e papunë me arsim të mesëm profesional përbën 17%. Përsa i përket analizës së punëkërkuesve të papunë, sipas gjinisë, femrat zënë një peshë të konsiderueshme, rreth 48%. Kjo shifër ka të bëjë me një kërkesë aktive të punës nga ana e femrave.

Por, përveç popullsisë së rregjistruar si të punësuar, sipas një studimi mbi punën e fëmijëve, të ndërmarrë nga INSTAT në 2012, rreth 57,000 fëmijët (ose 8% e popullsisë me 0-15 vjeç fëmijë), janë ekonomikisht aktivë në Shqipëri. Ata janë të punësuar në sektorin e bujqësisë (duke punuar në familjen e tyre), dhe gjithashtu në industri (tekstil, modë dhe miniera). Një kategori tjetër e fëmijëve që punojnë janë fëmijët e rrugës, lypësit, mbledhësit e plehrave. Një studim i fundit zbulon se numri i tyre është mbi 2.500, shumica janë midis 10-17 vjeç, ku 74.3% e këtyre fëmijëve janë romë dhe egjiptianë. Një numër i konsiderueshëm i fëmijëve 0-5 vjeç shoqërojnë nënat e tyre ndërsa këta të fundit lypin në rrugë. Pra, vëmë re se përveç problemit kryesor që po trajtojmë, papunësinë, kemi edhe kategori të tjera, çka bën që problemi të thellohet akoma më shumë dhe zgjidhja efikase në vendin tonë të jetë akoma më e vështirë në lidhje me reduktimin e papunësisë.

Por, çfarë mund të bëjmë për të ulur shkallën e papunësisë në vendin tonë?

Objektivat e Qeverisë për rritjen e punësimit janë ambicioze, pasi kjo do të bënte që norma e papunësisë të ulet dhe Shqipëria të ketë më tepër zhvillim. Hapja e vendeve të reja të punës realizohet kryesisht nëpërmjet zhvillimit ekonomik të vendit. Reformat në sistemin fiskal, në përmirësimin e mjedisit për biznesin, investimet në infrastrukturë e në përdorimin e burimeve energjitike e mjedisore, prioritetet për zhvillimin e turizmit, bujqësisë dhe agro-industrisë, si dhe nxitja e investimeve të huaja, janë faktorët kryesorë që kontribuojnë në rritjen ekonomike edhe rrjedhimisht në krijimin e vendeve të reja të punës. Në Programin e Qeverisë parashikohet që mbi 90% e vendeve të reja të punës, të krijohen pikërisht nga këta faktorë. Politikat aktive të tregut të punës, po orientohen drejt programeve aktive të tregut të punës, kryesisht për përputhjen më të mirë të kërkesës me ofertën, hapjen e vendeve të reja të punës dhe organizimin e programeve të formimit profesional. Synimi kryesor i këtyre programeve është krijimi i vendeve të reja të punës dhe ulja e nivelit të papunësisë; formimi profesional i punëkërkuesve të papunë; minimizimi i punës së zezë; përfshirja e punëkërkuesve përfitues nga skemat e mbështetjes me të ardhura, si dhe nxitja e punësimit të të rinjve dhe grupeve të veçanta të të papunëve. Programet e nxitjes së punësimit janë të vetmet programe aktive shtetërore, të cilat veprojnë drejtpërsëdrejti në grupin e punëkërkuesve të papunë, për t’i nxitur në gjetjen e një punësimi sa më afatgjatë. Këto programe, së bashku me programin e ndërmjetësimit në punë, që realizohet nga zyrat e punës në të gjithë vendin, ndikojnë në uljen e numrit të të papunëve të regjistruar. Çdo vit nga zyrat e punës, nëpërmjet ndërmjetësimit dhe zbatimit të programeve të nxitjes së punësimit punësohen rreth 14 000 të papunë.

Për zbutjen e papunësisë në Shqipëri, vlen të përmendet edhe strategjia për punësim deri në vitin 2020. “Strategjia e Punësimit dhe Aftësive 2014 – 2020” synon t’u përgjigjet prioriteteve të qeverisë shqiptare dhe kërkon të vendosë zhvillimin ekonomik në funksion të shoqërisë, me punësimin si kolonën kryesore të sistemit të mirëqenies sociale. Qëllimi është që t’u jepet mundësi punëkërkuesve që jo vetëm të formohen profesionalisht, por këto njohuri t’u shërbejnë për t’u punësuar, pasi kjo do të ndikonte edhe në uljen e shkallës së papunësisë. Strategjia e punësimit shihet e lidhur edhe me strategjinë kombëtare “Për riintegrimin e shtetasve shqiptarë të rikthyer”.

Kuadri ligjor mbi papunësinë në vendit tonë:

Një moment tepër i rëndësishëm në zhvillimin e shërbimeve të punësimit është ligji për nxitjen e punësimit, miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në vjeshtën e vitit 1995. Elementët që duhet të përfshihen gjatë hartimit të politikave të punësimit, që rrjedhimisht do të ndikojnë në zbehjen e papunësisë janë: ndërmjetësim për punësim, programet e krijimit të vendeve të punës, këshillim profesional dhe programet e formimit dhe riaftësimit. Ligjet kryesore janë:

-LIGJI Nr.7995, dt 20.9.1995 “PER NXITJEN E PUNESIMIT”. Ky ligj ka si qëllim kryesor ndjekjen e politikave aktive për të mbështetur punësimin e plotë dhe produktiv, për të marrë këshillim dhe kualifikim profesional për të ndikuar në uljen e papunësisë.

-VENDIM Nr. 882, datë 24.12.2019 PËR MEKANIZMIN E BASHKËRENDIMIT NDËRINSTITUCIONAL TË PUNËS PËR REFERIMIN PËR PUNËSIM TË INDIVIDËVE DHE ANËTARËVE NË MOSHË AKTIVE PUNE TË FAMILJEVE PËRFITUESE TË NDIHMËS EKONOMIKE. Ky vendim ka si qëllim sigurimin e riintegrimin social të këtyre personave, nëpërmjet koordinimit dhe zbatimit të një programi kombëtar të daljes nga skema e ndihmës ekonomike.

-Në Shqipëri, personat të cilët plotësojnë kushtet e përcaktuara, u paguhet e ardhura e pagesës së papunësisë në varësi të periudhës së kontributit në sigurimet shoqërore, derdhur nga punëdhënësi si më poshtë: 3 muaj, për personat me një periudhë kontributi, të paktën 1 vit; 6 muaj, për personat me një periudhë kontributi, të paktën 3 vjet; 9 muaj, për personat me një periudhë kontributi, të paktën 5 vjet; 12 muaj, për personat me një periudhë kontributi mbi 10 vjet.Nuk përfitojnë nga skema e papunësisë personat të cilët ndërpresin aktivitetin si punëdhënës dhe të vetëpunësuar, largohen nga puna me dëshirën e tyre dhe plotësojnë kriteret për pension pleqërie, invaliditeti apo familjar, paaftësi të përkohshme në punë apo sëmundje profesionale.

Rekomandime:

  1. Nxitja e punësimit dhe e mjedisit mbështetës për ndërmarrje të qendrueshme.
  2. Forcimi i kapaciteteve të institucioneve shtetërore dhe partnerëve social për një dialog social efektiv.
  3. Përmirësimi i mbrojtjes sociale dhe kushteve të punës.

Qeveria duhet të ndërhyjë vazhdimishtpër të parandaluar dhe zvogëluar papunësinë. Qeveria e Shqipërisë ka marrë disa masa paraprake për të ulur nivelin e papunësisë ku mund të përmendim hapjen e vendeve të reja të punës, të tilla si në infrastrukturë. Gjithashtu qeveria ka rritur nivelin e pagave për shumë kategori profesionesh dhe kështu njerëzit janë më të motivuar për të punuar.Janё praktikuar trajnime dhe aplikime programore për të rritur punësimin. Reformat në sistemin fiskal, në përmirësimin e mjedisit të biznesit duke ulur ndjeshëm taksat, investimet në infrastrukturë dhe inkurajimi i investimeve të huaja janë faktorët kryesorë që kanë kontribuar në rritjen ekonomike dhe për pasojë në krijimin e vendeve të reja të punës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok