23/12/2024

Shqipëria dhe Kosova nuk bëhen me pazare politike e korruptive

0
Enver-Bytyci

Nga Enver Bytyçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryeministri Haradinaj u ngritën në mesnatë e shkuan te deputeti Haxhi Shala për t’i kërkuar votën për qeverinë Hoti. Nuk dihet se çfarë pazari tjetër bënë ata midis tyre. Nuk dihet çfarë kërkoi deputeti Shala dhe çfarë i dhanë Thaçi e Haradinaj?! Por në publik doli se ata i kishin premtuar Gashit t’ia emërojnë djalin në detyrën e konsullit të Përgjithshëm të Kosovës në Pragë! Krijuan një vend pune jashtë çdo logjike të qeverisjes normale, me qëllim që të joshnin një deputet për ta votuar qeverinë Hoti! A ka njeri në botë ta justifikojë në organikë një post të tillë, kur numri i shqiptarëve nga Kosova në Çeki është shumë i kufizuar?! Sigurisht që jo. Por u duhej një premtim i tillë në këmbim të votës së deputetit Shala. Pra presidenti i Kosovës bëri një pazar korruptiv për qëllime politike. Kjo çeshtje duhet hetuar nga prokuroria e shtetit dhe personat përgjegjës, Shala, Thaçi e Haradinaj të shkojnë para gjyqit për shpërdorim të detyrave shtetërore. Ndërkaq zoti Hoti do të duhej të jepte dorëheqjen, sepse pa votën e komprementuar të Shalës nuk do të mund të bëhej kryeministër. Ai është kryeministër pa legjitimitet, pa votën e lirë të deputetëve. Eshtë kryeministër me vota pazaresh korruptive!

Ndërsa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka praktikë të përditshme qeverisjen përmes modelit korruptiv të pazareve politike e financiare. Ai përmes kësaj metode realizoi vendimmarrjen e tij në parlement, duke garantuar kësisoj votën e deputetëve të emruar prej tij. Me këtë lloj forme korruptive ndryshoi  kushtetutën e vendit, një dokument i shenjtë ky, për të cilin kanë votuar qytetarët  me referendum.  Por jo vetëm kaq. Gjithçka që ndodh në Shqipëri ose zgjidhet përmes dhunës dhe presionit deri për vendin e punës, ose përmes pazareve dhe akteve korruptive, të cilat i krijon, menaxhon dhe urdhëron vetë kryeministri Rama. Kjo ndodh rëndom në rastet e protestave të grupeve vunerabël të popullsisë, si ajo e studentëve, naftëtarëve, minatorëve etj.

Pazaret politike janë mjeti kryesor përmes të cilave qeveriset Shqipëria dhe Kosova. Madje kjo metodë efektive për të “legjitimuar” pushtetin arrogant e autoritar të dy personave shkon përtej kufijve të Shqipërisë dhe Kosovës. Pazari politik me Beogradin dhe premtimet e përfitimet reciproke të udhëheqësve e liderëve autoritaristë në Tiranë e Prishtinë me këtë lloj pazari kanë rrezikuar deri edhe territorin e Kosovës.

Kjo do të thotë se qeverisjet në të dy vendet tona nuk bazohen në vullnetin e sovranit, por në marrëveshjet politike të dy, maksimumi tre liderëve politikë, si koncension ndaj njëri-tjetrit. Kjo ka ndodhur edhe në zgjedhjet elektorale, kur pavarësisht votës së sovranit, postet dhe fitorja e subjektit politik janë përcaktuar nga marrëveshja korruptive e më të mëdhenjve dhe më të fuqishmëve, si dhe nga tregu i votës. Ndërkohë që një praktikë e tillë jodemokratike ka krijuar fiksionin, sipas të cilit, njerëzit të mbështesin më të fuqishmin, por jo më të drejtin dhe më të mirin!

Pazaraet politike nuk kanë favorizuar asnjëherë demokracinë dhe lirinë, përkundrazi kanë shtuar numrin e zvarranikëve e për pasojë dhe pasigurinë dhe destabilitetin. Siguria, paqja dhe stabiliteti kanë si kusht themelor legjitimitetin. Pazari politik nuk është mjet legjitim për qeverisjen. Përkundrazi është mjet jodemokratik dhe si i tillë është i dëmshëm për lirinë dhe demokracinë qytetare. Por pavarësisht kësaj, liderët tanë arrogantë imponohen gjithnjë përmes pazareve politike.

Në tregun e allishverishit politik është tashmë vota e qytetarëve. Si e tillë ajo është shndërruar në mall, i cili blihet e shitet sipas kërkesës dhe ofertës. I vetmi mall ku respektohet parimi i ekonomisë së tregut, sidomos në Shqipëri, është vota e qytetarëve. Sepse për mallrat e tjerë nuk vlejnë kërkesa dhe oferta. Çmimet vendosen nga oligarkët, pavarësisht nga mundësitë e kapacitetet e tregut të brendshëm.

Logjika e pazareve e shkatërron shtetësinë në të dy vendet tona, por Kosova do ta vuajë institucionalisht dhe praktikisht dy fish këtë sëmundje të përhershme e të rilindur në dimensione të reja dekadën e fundit. Pazaret e paralizojnë shtetin ligjir të së drejtës, krijojnë kushtet për lindjen dhe forcimin e rolit të një individi në sistemin e qeverisjes e në shoqëri. Ato shkojnë gjithnjë në interesin personal të politikanit ose liderit përkatës, por kurrë jo në interesin nacional të shtetit. Sepse shteti kthehet thjesht në një godinë, ku vepron pushteti i pazareve të arrogancës qeverisëse dhe nuk respektohet vullneti i qytetarëve.  Pazaret korruptive më tej shtrihen deri në marrëdhëniet midis qeverisë dhe medies, midis liderit të mazhorancës dhe oligarkëve financiarë, midis partnerëve politikë lokalë, rajonalë e madje herë-herë edhe ndërkombëtarë.

Zgjidhja është vetëm një. Të realizohen zgjedhje të lira e të ndershme dhe të harrohet marrja ose ndryshimi i rrotacionit të pushtetit përmes kompromiseve. Sa kohë do të praktikohet modeli i kompromiseve politike në rrotacionin e pushtetit, aq kohë Shqipëria dhe Kosova do ta vuajnë metodikën e pazareve politike në vendimmarrje. Kompromisi politik nuk mund të zevendësojë zgjedhjet e lira. Sepse liria fillon që me zgjedhjen që bën secili. Sovrani duhet të kuptojë se jeta civile e shqiptarëve nuk është pazar i një, dy ose tre liderëve politikë si në Shqipëri edhe në Kosovë.  Kjo do të thotë që secili të paguajë për shkeljet ligjore dhe cënimin e të drejtës së qytetarëve, që në vend të arbirtraritetit dhe arrogancës të kemi një shtet ligjor të së drejtës dhe që pushtetet të balancohen dhe ekuilibrohen sipas rregullave të demokracisë liberale. Kur parimi i demokracisë zevendësohet me lojën e pazareve politike, atëherë merr fund jo vetëm demokracia, por humb kuptimin edhe liria qytetare.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok