22/12/2024
Edison_Ypi

Nga Edison Ypi

Kur iku me anije u betua se nuk do kthehej më kurrë në Shqipëri.

Megjithatë u kthye.

U takua me një mik në kafene.

-Meqënëse deri më sot, i tha mikut, të persekutuarit s’kanë bërë asnjë xhest hakmarrjeje, s’kanë goditur kurrë as me një shpullë të vetme ndonjë persekutor, unë erdha t’ja rras me shpullë njërit prej tyre, spiunit tim.

E kërkova spiunin tim, por nuk e gjeta, kishte vdekur.

Nuk mund t’ja hapja varrin t’i rrasja një shpullë skeletit të spiunit tim.

-Më vjen po aq mirë që spiuni yt paska vdekur, ja priti miku, sa edhe keq që vdiq pa i hequr ti një shpullë. Duket si hakmarrje e të vdekurit ndaj të gjallit vdekja e atij qeni. Duket sikur sikur spiuni yt ka vdekur për të mos ta mundësuar ty të hakmerreshe ndaj tij duke i dhënë një shpullë surratit. Nuk e di si do isha sjellë në të njëjtat rrethana unë me spiunin tim.

-Paske pas edhe ti spiun ?!

-S’ka shqiptar të mos ketë pas spiun. Problemi është se spiunat nuk po quajnë spiun veten, por tjetrin, atë që spiunonin, viktimën, domethënë ty dhe mua. Shpullën që s’ja rrasa dot spiunit, vendosa t’ja ngjesh gjykatësit. Por doli që gjykatësi, gjykatës ishte atëhere, gjykatës është sot. Megjithatë do t’ja kisha ngjeshur shpullën po të mos kishin dalë disa ngatërresa. Me gjyqin e një nipit tim po merret një shok i ngushtë i ish gjykatësit t’im. Që do të thotë se po t’i fusja shpullën gjykatësit tim do merrja më qafë nipin tim. Kështu dashur-pa-dashur lashë gjykatësin nisa të kërkoj prokurorin. Me prokurorin ishin hakmarrë të tjerë më tepër se me një shpullë. Kishte rënë viktimë e luftës brenda llojit kur unë isha ende në burg E kishin bërë atë vetë dhe familjen e tij kashtë e koqe nëpër internime dhe burgje. Pas prokurorit vendosa të kërkoj hetuesin. Hetuesi më doli autoritet i lartë i një universiteti, në të cilin universitet studiojnë një mbesë dhe një nip. As hetuesit pra s’munda t’ja rrasja shpullën për të mos i nxjerrë ngatërresa nipit dhe mbesës.

U largova nga hetuesi për të gjetur njërin nga dëshmitarët. Atë, i cili, pa më njohur fare, në gjyq tha për mua gjithato rrena. Rashë në gjurmët e dëshmitarit rrenacak. E takova. Me ‘të më ndodhi diçka e paparashikuar. Sa më pa, nisi të më kërkojë falje në një mënyrë aq të pështirë, aq të neveritëshme, duke u jargavitur dhe duke u zhgërryer aq ndyrë para meje, sa mu duk se po tja rrasja një shpullë, dora do më ndotej aq tepër sa nuk do mund ta laja dot kurrë dhe do ta prisja me sëpatë me dorën tjetër.

E lashë atë ndyrësirë.

Nisa të kërkoj një tjetër dëshmitar rrenacak të cilin edhe atë, për fat, e gjeta shpejt. Mirpo doli se një djali i tij qe fejuar dhe do martohej me një kushërirën time. Edhe mund tja kisha futur një shpullë atij pisi. Por halli se pas shpullës mund të bëja lëmsh jetën e kushurirës. Ndërkohë që po mendoja se kush tjetër e meritonte shpullën, mora vesh diçka që më llahtarisi; Një dhëndërr i farefisit tim kishte qënë spiun. Nuk më rezultoi se na kishte dëmtuar. Ama gjithçka që kishim llafosur paskësh përfunduar në veshët e syshkabës, Sigurimit. Ky zbulim më tmerroi aq tepër sa prej atij momenti nisa ta shoh me dyshim krejt farefisin. Nuk zbulova dot se ndonjëri apo disa prej tyre të kishin qënë spiunë. Ama të tërë bashkë m’i mbuloi mjegulla e dyshimit.

Pavarësisht këtyre dështimeve, nuk u ndala në rrugën për gjetjen e plehrës që meritonte shpullën. Ku s’më vajti mendja. Kam pasur dy shokë të cilëve u thosha dhe më thoshin gjithçka. Kur u muar vesh që diktatura i kishte ditët e numuruara, të dy u zhdukën në mënyrë misterioze njëri në Amerikë tjetri në Itali dhe nuk u kthyen më. Nuk mund të them kanë qënë a s’kanë qënë spiuna. Di të them vetëm se ikja e tyre e beftë më ka mbetur e dyshimtë.

Në këto e sipër mora vesh ca lebetira të tjera; Njerëzit e spiunit t’im të vdekur, atij që bënte muhabet me mua në shtëpinë t’ime dhe të gjitha shkonte i zbrazte “Në Teqe”, pra në Sigurim, ishin të lidhur prej vitesh me interesa biznesi me ca njerëzit e m’i që jetojnë në një qytet tjetër.

Ai që gjykatës ishte gjykatës është, ishte mpleksur në ndërtimin e një pallati, trualli i të cilit ishte, dhe është, i një mikut tim, të cilin mik e kam pasur, dhe mik e kam.

Më dolën dhe të tjera mpleksje që s’ma kishte marrë kurrë mendja se mund të ndodhnin, ndërlikime këto që e vështirësonin edhe më edhe më shpullën turinjve spiunit.

I zhytur në këto hollësira dëshpëruese thashë ti jap fund duke ja rrasur shpullën ndonjërit prej kushurinjve që braktisën familjen time kur më burgosën mua. Atij më të ndyrit prej tyre, se ishin shumë. Mirpo pas gjithë këtyre viteve, jo vetëm që njerëzit e m’i dhe njerëzit e tij kishin zbutur goxha me njëri-tjetrin, por fëmijët dhe nipat ishin mpleksur aq sa mes tyre s’kishte mbetur asnjë dallim.

Në këto rrethana, kërcitja e shpullës t’ime mbi surratin e kushuririt plehër s’do kishte asnjë jehonë, madje asnjë kuptim. -E di si është puna ?

-E spiunit t’im apo e spiunit tënd ?

-E spiunit t’im pra. A po më ndjek ?

-Po të ndjek, por u shkëputa për një çast nga hallet e tua me spiunin tënd dhe u zhyta në ca përsiatje për spiunit t’im.

-Zbulimi i mpleksjeve shqiptareske me spiuna dhe viktima paskan qënë gjërat më të ndyra të kësaj bote.

U betova se nuk do iki andej nga erdha pa ja rrasur dikujt një shpullë, dhe atë shpullë s’po mundem t’ja rras kurrkujt. Ky tersllëk po ma bjerr fare burrninë. A më ndihmon të mos kthehem pa ja rrasur dikujt një shpullë ?

-Edhe unë nuk dua që ti të kthehesh pa ja futur një shpullë surratit ndonjë pisi. Është çështje dinjiteti për ne të përndjekurit. Folë. Vetëm para’ mos më kërko.

-A të ta fus ty turinjve atë shpullë ?

-Po dyshon edhe për mua ? Qënke çmendur.

-Nuk jam çmendur. Me këto që po shoh e po dëgjoj këtu, s’ka asnjë çudi që të dyshoj, jo vetëm unë tek ty, por edhe ti tek mua, edhe ti tek vetja jote, edhe unë tek vehtja ime. Nuk do kthehem nga erdha pa j’a rrasurr dikujt një shpullë. Meqënse ti nuk po më ndihmon, po ndihmoj veten.

U ngrit në këmbë. J’a rrasi vetes një shpullë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok