SHPREHJA “NUK KA OPOZITË”, SINDROMË BOLSHEVIKE!…

NGA NDUE DEDAJ
Është e habitshme se si shprehja “Nuk ka opozitë” shqiptohet me lehtësi dhe pa kurrëfarë sensi nga individë të ndryshëm, kinse të paangazhuar politikisht, çka nuk e thotë as vetë mazhoranca në mënyrë kaq brutale.
Opozitë ka dhe sikur të ekzistojë qoftë dhe vetëm një opozitar, jo më një pafundësi njerëzish me bindje të djathta, të qendrës, apo nga zona gri, përfshi dhe jo pak individë nga e majta, që dinë me qenë realistë e kritikë ndaj qeverisjes, pa qenë opozitarë në kuptimin klasik të kësaj fjale.
Opozita është një realitet demokratik dhe institucional qysh nga viti 1990, kur u krijua partia e parë opozitare, PD, që u pasua nga disa të tjera, pavarësisht problematikave të saj aspak të lehta. Por ato janë çështje të brendshme që i zgjidh vetë ajo dhe asesi kritizerët cmirëzinj nga jashtë, duke e gjuajtur me gurë nga bunkerët ideologjikë të komunizmit të “pavdekshëm”.
Vetëm në Shqipëri ndodh të sulmohet opozita, me diskursin dhe vokabularin e pushtetit gjithë bërllok denigrues.
Doemos që kjo ka shpjegimin e saj, paçka shtirjes të shumëkujt si i “papërzier” me politikën. Shprehja vulgare “Nuk ka opozitë” i ka rrënjët në bolshevizmin kronik, nga fillimet e shekullit XX, ndonëse e “freskët” si atëherë në mendjet e mykura dhe pas njëqind vjetësh, nga etërit te bijtë e nipërit. Është mendësi e rrënjosur thellë nga lufta e klasave, për ta parë kundërshtarin politik si armik të përbetuar, jo se pushtetarët kanë ndonjë urrejtje “gjenetike” ndaj palës tjetër, porse pushteti është aq i lakmueshëm për ta dhe nuk duan ta lëshojnë asnjëherë. Ata thonë se e duan këtë gjë për ta bërë Shqipërinë si Europa, por rezulton e kundërta, pushteti iu nevojitet për të krijuar “bankën” e tyre të përfitimit të paligjshëm nga paratë e taksapaguesve.
Si ka mundësi që nuk paska opozitë?
Opozitë ka pasur dhe kur kjo mazhorancë ishte në opozitë! E nuk ka si të mos ketë sot, pas tre mandatesh që ajo ka në qeverisje, me afera korruptive të pashembullta e të panumërta, që duhej ta bënte PS-në shumë më pak “vëzulluese” në këtë fushatë. Sa për llogaridhënien, mos o Zot, ajo shihet absolutisht si diçka “anakronike”, mjaft ta shkundim popullin duke e kacarruar si në dasmë.
Opizita ka histori tek ne. Toka e saj nuk është djerr.
Opozitë properëndimore ka pasur dhe në vitin e largët 1946, kur u pushkatuan një numër i madh deputetësh, nga elita kombëtare e vendit.
Prej asokohe, kur opozita politike u mbyt në gjak, ajo vazhdoi të qëndronte e tillë në burgjet politike për 45 vjet.
Opozitë ka pasur dhe në periudhën para dhe gjatë Mbretërisë Shqiptare.
Opozita është vlera më e madhe politike e këtij kombi, më shumë se qeverisja.
Jo rastësisht krenohemi me figurat opozitare dhe jo me ato shtetërore.
Por historia nuk është një mësuese e mirë për ne, pasi nuk e “dëgjojmë” atë, nuk nxëmë mësime prej saj.
E mira do të ishte që “rotacioni” të kishte ndodhur dhe brenda opozitës me kohë e me vakt, por nëse kjo nuk ka ngjarë sa dhe si duhet, ky nuk përbën një argument për të mos ndodhur dhe rotacioni politik i vendit. Opozita është në garë! Mund të ishte dhe më e bashkuar, por me gjithë mangësitë në këtë anë, ajo është aty ku e ka vendin, përballë mazhorancës së konsumuar nga pushteti i gjatë korruptiv, në kërkim të votës së qytetarëve për të bërë ndryshimin.
Propaganda bajate se ky apo ai lider nuk bën, në kohë fushatë është antidemokratike, jo vetëm se opozita nuk është një njeri, as disa njerëz të saj, sado të rëndësishëm qofshin, porse tashmë është tjetërkush që i vë pikat mbi, votuesi i gjërë aspak emocional dhe militant. Fakti që një varg i gjatë partish politike, pavarësisht peshës elektorale të disave prej tyre, janë rreshtuar në një koalicion zgjedhor kryesor, krahas disa grupimeve apo subjekteve të tjera elektorale të djathta ose jo, dëshmon veçse praninë e fortë opozitare.
Nuk ka kurrëfarë logjike dhe morali t’i tregosh opozitës muskujt e pushtetit, t’i bësh karshillëk e aq më tepër t’i bësh “gjyqin” me stil bolshevik, për atë çka ajo ka qenë para 12 vitesh në pushtet!? Se ka një handikap të madh në këtë mes, drejtësia e pavarur po u bën gjyqin real figurave qeverisëse të mazhorancës, ministra e kryebashkiakë, ndërsa kjo e fundit nuk tregon ujkun, por gjurmën?…
Nuk ka as baballarë e as shpëtimtarë të vetëshpallur të kombit.
Nuk e ha kush më demagogjinë në kohën e sotme, sado e lubrifikuar të jetë. Në këtë kontekst, opozitës, si e papërlyer që është, i bie të jetë misionare. Zgjedhësi nuk mund të manipulohet nga asnjë lloji propagande prej xhentelmenësh me atletike të bardha a këpucë të kuqe, ai sheh e shkruan përditë pakënaqësitë nga qeverisja jo e denjë.
Ashtu siç është qytetari që di se kur shkon në BE dhe me cilin lidership politik.
Pse themi qytetari? Aspak për të zvogëluar rëndësinë e qeverisjes, porse qytetari shqiptar është integruar me kohë në jetën perëndimore, euro – atlantike, edhe kur qeverisja këtu ka mbetur duke bërë “detyrat e shtëpisë”, siç vetë thotë ajo, nga viti në vit.
Qeveria vetëm tani e zbuloi mërgatën shqiptare në botë, u takua përmallshëm me të dhe fort mirë që shkoi më në fund atje, tash të presim dhe votën e saj, që për mendimin tonë do të ketë një peshë specifike në votimet e 11 majit në kahjen e ndryshimit.
Kjo kategori gojëprishurish, që shfrynë si qëmoti ndaj opozitës, që ka guximin ta bëjë të paqenë atë, duke e “asgjësuar” me një fjalë goje si flakë kashte, kot që përpiqet të na bindë për mosekzistencën e aksionit opozitar, pasi është krejtësisht e pabesueshme, ngaqë ka 35 vjet që këndon të njëjtën këngë “zije”, duke harruar se po të ishte kështu, do të kishte marrë fund vetë pluralizmi politik.
Opozita nuk ka nevojë për asgjë që nuk i bën nder opozitarizmit. Asaj nuk i duhet as lëmosha e as arroganca, i mjafton vetëvetja dhe fjala e sovranit, që është e vetmja “perëndi” mbi tokë.
Këto pak radhë nuk janë ndonjë “apologji” për opozitën, pasi po të ishte ashtu, do të na duhej një cikël shkrimesh kritike që nuk do të mbaronin as me 11 maj, por thjeshtë një si “tërheqje vëmendje” për ata individë, jo pak prej tyre miq tanë, të cilët mund ta mbështesin mazhorancën hapur dhe jo me klishe të tilla të dala boje!…
Më mirë patronazhistë të shkruar, se të pashkruar.