13/10/2024

SHPIRTI I MIRËSISË TEREZIANE

0

(Lexime poetike. Nëna Tereze: “Jep çka ke me të mirë…”. Në përvjetorin e 24 të shkuarjes në përjetësi)

Nga Prend BUZHALA

Dashuria, mirësia, pikësynimi, e mira, sinqeriteti, ndershmëria, prirja për ndërtim, mihma dhe dhurimi i pjesës më të miras të vetvetes. Ja, këto janë postulatet jetësore të Nënës Tereze, që shërbejnë si pikënisje, mbështetje, parime e mendime të shprehura me kaq thjeshtësi madhështore te poezia “Jep çka ke me të mirë…”. E thjeshtë në jetën e saj, këtë thjeshtësi proverbiale ajo e zbaton edhe kur shkruan a rrëfen, edhe kur shqipton etikën e fortë të jetës e të personit të ndërtuar së brendshmi, edhe kur ligjëron a flet para një auditoriumi botëror. Një thjeshtësi e natyrshme, që nuk futet në labirintet e komplikimeve kuptimore apo jetësore. Dikush e ka thënë: “Aftësia më e ndërlikuar është të jesh i thjeshtë.”  Ndërsa Debasish Mridha, një poet, filozof, mjek e autor amerikan shton: “Thjeshtësia zbulon bukurinë e pastër të jetës.”

1.

Pikërisht vlerat e mësipërme, që vijnë si margaritarë fundorë te secila njësi strofike, zbulojnë mençurinë dhe artin e saj të thjeshtësisë së thënies. Nëse bota përreth është kaq e komplikuar, e përshkuar nga kaosi, egërsia, irracionalja, shtypja, pikërisht pse njeriu është egoist, i palogjikshëm, pse rrethohesh me miq të rremë dhe armiq të vërtetë, pse njerëzit janë mosmirënjohës, duke harruar mirësinë. E ti, duke qenë i ndershëm lëndohesh. Në një çast vjen situata kur të përbuzin. Dhe vjen ajo më e rënda, situata më e verbët, në të cilën ti mund të gjendesh: të të shembet kryevepra jote e jetës. Të prishet dhe ti gjendesh, siç mund t’i ndodhë njeriut të ndershëm: “Ajo që për vite ke ndërtuar mund në një çast të prishet”.

Në të gjitha rastet, pra, ajo këshillon: “s’ka rëndësi, ndërto.” Në vend të prirjes për shkatërrim, degjenerim, shprishje të qenies e të çdo gjëje me vlerë, ajo porosit ndërtimin.

E mahnitshmja, e bukura, vlera e madhërishme estetike dhe etike, gjenden te zemra e thjeshtësisë. Aty ti e ndërton vetveten, harmoninë, paqen e brendshme dhe paqen mes njerëzve.  Aty ajo e gjen shkëlqimin e saj, të jetuarit me shpirtin e thjeshtësisë., mirësisë, nderit, ndërtimit, solidarësisë, ndihmës dhe, mbi të gjitha, të dhurimit të më të mirës nga vetvetja. E kjo madhështi etike e estetike, jetësore e shoqërore, arrijnë vlerat e tyre kulmore pikërisht me postulatet që i shënjuam si kika mbi të cilat strukturoret kjo poezi në formë këshillimi. Lirika këshillimore parapëlqehet shumë në botën moderne, për shkak të komunikimit mirëdashës, sepse ajo nuk merr vendime me urdhër të prerë, nuk imponohet, por vetëm sugjeron, qorton, jep vërejtje, inspiron, frymëzon, forcon.  Dhe sepse, me komunikimin e tillë, je përgjigje për çështjet më të ndërlikuara të botës e të ekzistencës, të provanisë hyjnore e të botës njerëzore. Ligjëron me afrinë e një këshille amësore. E tillë, përplot amësi të jashtëzakonshme, mu ashtu siç quhet ajo- Nënë; e tillë, si Nëna më e mirë e botës, ajo na shfaqet edhe te kjo poezi. Aty ajo derdh e sintetizon portretin e saj prej nëne të botës, sakrificën e mundin e saj pranë të varfërve më të varfër. Ajo është e rrethuar me njerëzit më të mënjanuar e më të përbuzur në botë.

Vrapimi a shtegtimi i saj jetësor ishte si një vrapim për dashuri kundër kohës. Ajo mund të shtronte pyetjet më të forta, më të ashpra kundruall njerëzimit, tek i shqiptonte fjalët më  të buta, më delikate e më të përsosura; sikundër janë tmerri social i të gërbulurve, lagjet e të sëmurëve, të varfërve nga më të varfrit, apo plagë të tjera të njerëzimit sikundër janë aborti, shtypjet politike dhe luftërat. Ajo sikur dëshironte t’i ngërthejë në qenien e saj pikërisht antipodet e ekzistimit të qenies së kësaj bote: fluiditetin, dhimbjen, vuajtjen, vdekjen, Të Bukurën dhe Dashurinë, Dritën dhe Errësirën.

Ajo e ka jetuar ferrin social të këtyre shtresave, jashtë konfigurimeve zbukuruese a stolisëse të jetës së përditshme, atëherë nuk ka se si të mos na shkojë mendja tek betejat e saj me varfërinë e më të varfërve e me punën e saj me të sëmurët e goditur ekstremisht nga gërbula, ku do të përfytyrosh trupa njerëzish të shpërfytyruar nga sëmundjet, fëmijë lakuriq me brinjët jashtë, jetë nëpër trotuare e skaje plot pluhur e mbeturina, nëpër kthina të paimagjinueshme për të jetuar. Vepra e Anton N. Berishës, e paraqitur si rrëfim i Nënës Tereze, e ka hallkën e vet të kësaj rrjedhe narrative pikërisht me filozofinë e vuajtjes e të sëmundjes.

Dhe, merreni me mend, ajo, me gjithë këtë sakrificë në vorbullat e tilla të ferrit shoqëror, do të përbuzet nga shumë shkresa e qarqe. Te fundi i këtij ferri sikur jemi ne vetë me përbuzjen tonë ndaj të sëmurëve të tillë!

Ndershmëria dhe sinqeriteti të bëjnë të lëndueshëm

s’ka rëndësi, ji i sinqerte dhe i ndershëm.

(…)

Jepi botës çka ke më të mirë, e do të zënë me shqelma

s’ka rëndësi, jep… çka ke më të mirë

Ajo ligjëron me këtë shpirt të madh mirësie. Me mirësi ti je shembull për të tjerët, kur ajo shfaqet në çastet më ekstreme, të përbuzjes, harrimit, apo armiqësisë. “Mirësia është investimi i vetëm që nuk dështon kurrë.” (Henry David Thoreau).

Ajo, në botën e rrathëve të ferrit social, shkruhet si një qiri me mirësinë e saj. Ajo digjet, duke dhuruar dritën e mirësisë. Duket sikur ka mësuar shumë jo vetëm  nga filozofia e krishterë, por edhe nga urtia e Lindjes: “Trajtoji ata që janë të mirë me mirësi, dhe gjithashtu trajtoji ata që nuk janë të mirë me mirësi. Kështu mirësia arrihet.” (Lao Tzu). Por ndryshe nga urtakët lindorë, që vetëm meditojnë e nuk veprojnë, Nëna Tereze mirësinë nuk e shihte të shkëputur nga jeta, si një stoli në ajër, por si veprim, si etikë në jetësim. Si dashuri në vepër. Te veprimi i tillë, terezian, njerëzit shohin mirësinë e Hyjit, mirësinë që rrezaton edhe brenda teje.

(5 shtator 2021)

= ====

Nëna TEREZE

JEP ÇKA KE ME TË MIRË…

Njeriu është i paarsyeshëm, i palogjikshëm, egoist

nuk ka rëndësi, duaje.

Po bëre mirë, do të të veshin qëllime dytësore egoiste

s’ka rëndësi, bëj mirë.

Po realizove objektivat e tua, do të gjesh miq të rremë dhe armiq të vërtetë

s’ka rëndësi, realizoji.

E mira që bën do të harrohet nesër

s’ka rëndësi, bëj mirë.

Ndershmëria dhe sinqeriteti të bëjnë të lëndueshëm

s’ka rëndësi, ji i sinqerte dhe i ndershëm.

Ajo që për vite ke ndërtuar mund në një çast të prishet

s’ka rëndësi, ndërto.

Nëse ndihmon njerëzit, do të lodhesh

s’ka rëndësi, ndihmoji.

Jepi botës çka ke më të mirë, e do të zënë me shqelma

s’ka rëndësi, jep… çka ke më të mirë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok