14/10/2024

Nga Edison Ypi

Na ishin dy Nëna shqiptare. Njëra nga Jugu, tjetra nga Veriu. Të dyja fshatarka. Të dyja të ëmbla. Të dyja të urta. Të dyja të buta. Të dyja të bukura. Por edhe të vrënjtura dhe të hidhura dhe me rrudha, sepse të gjalla.

Ajo nga jugu ishte e zakonëshme nga jashtë, e jashtëzakonëshme nga brenda.

Tjetra nga veriu, ishte e jashtëzakonëshme nga jashtë, normale nga brenda.

Të dyja këto Nëna lindën secila në katundin e vet. Ku, pa kërthiza përjashta, pa rroba të shtrenjta, dëgjuan përralla me perrira që krihen mbi ujëra si pasqyra, zana të zbehta që dalldisin trima, princesha të bardha që presin princin e kaltër në dritare të kthehet nga lufta, kuçedra që thajnë çezma, vampirë që vijnë natën fikin kandilin, magjistarë që në çast të shndrrojnë në gur, e të tjera e të tjera.

Kur u rritën, të dy Nënat, i lanë ëndërrat, nisën punërat. Nuk ngritën Ato biznese dhe grataçiela. Bënë punë më të vështira. Uruan, bekuan, zbutën, edukuan. Nga gojët e tyre s’dolën kurrë broçkulla, por vetëm mjaltra dhe melhemra që shërojnë shpirtëra.

Dy nënat edhe udhëtuan. Pa u ndalur e pa u lodhur.

Ajo nga jugu, udhëtoi sa më thellë brënda vetes.

Ajo nga veriu, udhëtoi sa më larg jashtë vetes.

E para u martua dhe bëri katër fëmijë; dy djem dy vajza në Shqipëri.

E dyta, nuk u martua. Por fëmijë pati shumë. Në të gjithë botën miliona bij e bija.

Preokupimet e së parës ishin; Familja, Edukata, Krenaria, serioziteti, vetpërmbajtja, dinjiteti.

Hallet e së dytës qenë; Mbijetesa, Mëshira, Lutja, Nënështrimi, Lëmosha.

E para ishte Nëna ime, Hasia.

E dyta Shën Tereza.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok