27/12/2024

SHPIFJA, GAZTORË DHE TRIUMFATORË…!

0
Ilir-Cumani

NGA ILIR ÇUMANI
Është një betejë dëshpëruese përpjekja që bën kryeministri për të dekriminalizuar shpifjen përmes paketës “antishpifje” me shumicën e kartonave të mazhorancës në parlament. Mendoj se në radhë të parë, ai duhet të gjej shkakun, pastaj pasojën…(!) I gjithë burimi kryesor i kësaj të keqe që e ka sëkëlldisë zotërinë e tij dhe e ka kontaminuar si një epidemi shoqërinë shqiptare me sindromin e shpifjes, ka të bëjë me një personazh mjaft të njohur në Tiranë, që nga koha e komunizmit. Këtë personazh, e njeh fare mirë edhe zoti kryeministër. Mban një emër të madh, historik dhe të lavdishëm. Jam i bindur se, sapo t’ia kujtoj, do të mallëngjehet fort, do ti ngjallen shumë kujtime dhe nostalgji që lidhen me fëmijërinë dhe rininë i tij të herëshme. Ky personazh mjaft i njohur, që për dreq ka ndikuar ndjeshëm si me magji tek të gjithë të “paudhët” të cilët i kanë prishur terezinë kryeministrit me shpifje, (veçanërisht gjatë qeverisjes së tij triumfatore përmes fasadës në këtë epokë të ndritur të rilindjes), quhet ENVER. Të gjithë e njohin atë me nofkën: “Ver Llapa”, veçanërisht tiranasit e para viteve ’90 – të. Besoj se, me këtë nofkë e ka e thërritur e thumbuar në fëmijërinë dhe adoleshencën e tij edhe vetë kryeministri ynë. Dikur, ai dhe personazhi me nofkën “Ver Llapa”, kanë qenë banorë të një lagjeje në Tiranë, atje tek “21 Dhjetori”. Atëherë, kryeministri ynë i nderuar ishte një fëmijë solar dhe i përkëdhelur, lozanjar e tekanjoz, ëndërrimtar dhe me temperament. Më pas, u rrit dhe u bë një adoleshent ambicioz e plangprishës, i mikluar nga fakti se ishte djalë i një familje me emër në kryeqytet, biri i një deputeti të nderuar i nomenklaturës. Qysh nga ajo kohë, ai ka pësuar një metamorfozë të paimagjinueshme. Ka ecur nxitimthi dhe në mënyrë të rrufeshme si një maratonomak, ka bërë goxha rrugë kilometrikë në karrierën e tij për të kapur majat e pushtetit. Sot, është kryeministër i vendit, ndërsa lagjari i tij i dikurshëm, Ver Llapa, mbeti po ai, gaztori i pafajshëm, shakatari asket i rrugëve dhe i shesheve të kryeqytetit. I vetmi mjet për mbijetesë me anë të së cilës mjerani fatkeq siguron qindarkat nga “puna” si gaztor rruge, i ka mbetur gjuha, me përmasa përtej normales që ka çdo njeri i zakonshëm. Gjuha e Verit, prej dekadash ka fituar një status krejt të veçantë. Me të, ai përdorë sarkazmën e tij, qesh e përqesh gjithçka normale dhe anormale që e rrethon në këtë vend të çuditshëm: edhe zhurmën marramendëse të metropolit, edhe britmat në parlament, edhe tam tamet e qeverisë, edhe varfërinë e tij, edhe mjerimin e të tjerëve… Pra, gjuha e tij, ka simbolikën e vetë domethënëse. Tashmë, ajo është kthyer në legjendë urbane qysh nga koha e komunizmit. Sa herë që Verit i kërkohet nga kalimtarë të ndryshëm që të nxjerrë gjuhën, në këmbin të saj, ai shtrin dorën dhe kërkon pak lëmoshë, fare pak qindarka…(!) Me sa duket, ai e di fare mirë se jeton në kohën e ekonomisë së tregut dhe se çdo kërkesë që bëhet, ka edhe ofertën e vet. Gojë të liga thonë se, “lënda e parë” me të cilën punon sot industria e “kazanit mediatik” dhe ajo e “kazanit politik”, sigurohet nga gjuha e “gojëpërdalit” Ver Llapa. Pra, nga ish lagjari i dikurshëm i kryeministrit, i cili e ka dhënë instrumentin e tij magjik (gjuhën), me “koncension”, si në parlament, ashtu edhe tek shumë media të shkruara dhe ato vizive…(!) Me sa duket, ky paska qenë shkaktari kryesor i të gjithë asaj katrahure thashethemnajash që e ka sëkëlldisur keqas kryeministrin tonë, aq sa i ka prishur jo vetëm avenirin, por edhe gjumin e natës. Mirëpo, tashmë si kryeministër i vendit, z. Rama ka në dorë edhe gurin, edhe arën. Ndaj, i ka të gjitha mundësitë, me ushtri e polici, me prokurori e gjykatë që ta kapë e ta arrestoj qytetarin dhe ish bashkëlagjarin me emrin Ver Llapa, ta lidhë këmbë e duar, dhe pastaj ta bëjë “synet” nga gjuha. Pra, me një fjalë, t’ia presë llapën… Vetëm kështu kryeministri ynë ka për të parë se, do të mund të bëjë “synet” të gjitha gojët e liga që deri më tani janë xhelozuar nga ylli e tij i shndritshëm i suksesit. Në të kundërt, kryeministrit tonë të nderuar, nuk i ngelet gjë tjetër, veçse të pranoj dhe të zbres me këmbë në tokë, të zvogëlohet, të zvogëlohet, të zvogëlohet…, aq sa të mos ngjallë smirën e të tjerëve, sepse vetëm kështu ai edhe PPP – të e qeverisjes së tij do të kenë më shumë paqe dhe qetësi. Vetëm kështu nuk do të mund ta ngasë më njeri duke shpifur pafund për të dhe qeverinë e tij. Pastaj do të çelet një epokë e re: epoka e paqes dhe e begatisë, ku ç’farë thotë partia do tē bëjë populli; ç’farë do të kërkoj partia, populli – dele nuk do ti kursej edhe jetën.
* * *
Në fakt, kryeministri me të drejtë thotë se, shpifja është një fenomen negativ që Gjermania, Franca, Italia, e gjithë bota e qytetëruar, e konsiderojnë si një kundravajtje që penalizon cilindo që e përdorë atë. Por, ai nuk ka kurajo të na thotë se, këto vënde me demokraci solide kanë dhe zbatojnë një standard të njëjtë dhe të barabartë para ligjit për të gjithë shtetasit e tyre; si për qytetarin e thjeshtë, ashtu edhe për kryministrin, deputetin, ministrin, gazetarin, cilindo që përmes pushtetit shpërdoron detyrën dhe vë dorë në paratë publike. Pyetja që do të dëshironte të bënte sot çdo qytetar i këtij vendi është se, a mundet të na thotë kryeministri ynë i nderuar se, kur do të gjej zbatim në vendin tonë ky standard…!? Në parim, jam kundër të gjithë atyre që shpifin, por, në bindjen time të brendëshme, kam dyshime të arsyeshme se, nuk është ky shqetësimi real i kryeministrit. Në fakt, shpifja ka qenë dhe është një produkt eskluziv vanitoz dhe i ulët e luftës së pandershme e të paprinciptë e një klase politike infantile dhe e pamaturuar, i të gjithë spektrit politik shqiptar në këtë periudhë të tranzicionit. Ajo është një sjellje destruktive, agresive dhe e pamoralshme ndaj kundërshtarit politik dhe anasjelltas. Mbi të gjitha, është një luftë e vrazhdët dhe pa principe në garën mes konkurrentëve të pandershëm, e më të “fortëve” të pushtetit të djeshëm dhe të sotëm, si edhe atyre që kanë qenë dhe janë të përfshirë e të zhytur në llumin e pistë të korrupsionit, të verbuar dhe të etur vetëm për pushtet e para. A nuk kanë bërë të njëjtën gjë si ata që ishin dje në opozitë dhe sot në pushtet, ashtu edhe ata që dje ishin në pushtet dhe sot janë në opozitë…!? Personalisht, mendoj se ligjet janë të mjaftueshme dhe të qarta për kundravajtësit e shpifjes. Por, kjo nismë, e gjithë kjo përpjekje e kryeministrit tonë të nderuar nuk është e mjaftueshme dhe bindëse, është thjesht një tymnajë që nuk synon gjë tjetër veçse, intimidimin dhe gojëmbylljen e zërit qytetar dhe atë opozitar, shuarjen e frymës së kriticizmit ndaj fenomeneve abuzive që lidhen me shpërdorimin e pushtetit dhe korrupsionin administrativ. E gjitha kjo, vjen në kundërshtim me parimet bazë të informimit në favor të interesit publik, transparencës, të së Drejtës të Lirisë së mendimit dhe të shprehjes, në themel të së cilës duhet të prevalojnë vetëm standardet e një demokracie të pastër, të shëndetshme e funksionale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok