26/12/2024

Shpërfytyrimi i lirisë

0
u1_Gani-Mehmetaj

Nga Gani Mehmetaj

Ata e panë se të vrasësh njerëz nuk të ndëshkon askush, me vrasje e shantazhe mund ta marrin pushtetin, të bëhen të pasur, të harbojnë me femra. Nga frika njerëzit ua hapen rrugën, u kënduan këngë, i bënë hero.

Vrasjet, shantazhet e zhvatjet u bënë udhërrëfyes për ambiciet e tyre, për mënyrën e jetesës, lumturia e tyre egërshane ndërtohej mbi fatkeqësinë e të tjerëve. Ata e shpronësuan pasurinë kombëtare me privatizime, me mujshi e mashtrime. Ata nuk dinë kur dhe ku është fundit, janë të babëzitur sa e rrëmihin tokën nën këmbë, jetojnë në luks të shfrenuar. Shqiptarët e shkretë më shumë e braktisin atdheun sot se sa në kohën e egër të pushtimit.

Barinjtë e vegjël që kurrë nuk e ngopën barkun me bukë, sot e shpërdorojnë ushqimin e paranë publike mizorisht, lahen në qumësht e njerëzit nuk e kanë në tryezë.

Ata nuk e mbajtën asnjë katund gjatë luftës, ushtria serbe ishte kafshatë që s’kapërdihej për ta dhe për të gjithë shqiptarët, por ata i morën meritat sikur ta kishin çliruar Gadishullin, ua morën meritat edhe atyre që luftuan e sakrifikuan, me gjakun e të vrarëve bënë pasuri e famë. Nga grupet guerile, që ishin në lëvizje (ikje) të vazhdueshme, sot e bënë armatën më të madhe të veteranëve jo vetëm në Gadishull, por edhe në Evropë. Ata çirren në kupë të qiellit për sukseset në beteja, ku iknin kah sytë këmbët, e shkrepnin një pushkë aty, një pushkë këtu dhe ia mbathnin, ndërsa popullatën shqiptare e lënin në mëshirën e ushtrisë serbe që vrisnin e përdhunonin si bisha të çartura.

Ata, erdhën nga margjinat e shoqërisë, të frustruar e të nëpërkëmbur, të keqtrajtuar nga prindërit e tyre, të përbuzur nga mjedisi e shoqëria, por mllefin e zbrazen me egërsi ndaj bashkëkombësve që nuk u kishin hak as hile. Ata nuk kanë komb, nuk kanë fe e atdhe, për ta paraja, pushteti e shthurja u bë fanar udhërrëfyes.

Ata janë bërë makth kombëtar, ata po e zbrazin atdheun, na lanë në pleq e në plaka.

Bota po ecën para, ndërsa ne vendnumërojmë. Bota na ka izoluar neve, në vend se t’i izolojë ata që na sollën në këtë gjendje. Shtetet demokratike na akuzojnë neve të burgosurve pse nuk e çajmë burgun, ndërsa me ta shtrojnë dreka e darka.

Ata janë bërë fatkeqësisht model për një pjesë të të rinjve që duan të bëjnë pasuri shpejt, të kapin majat e pushtetit, të shpërdorojnë paranë e shtetit dhe të jetojnë në luks pa punë e pa aftësi, por me mashtrime e demagogji.

Ata kanë prodhuar analfabetë me diploma universiteti, doktorantë që nuk i dinë 36 shkronjat. Ata po krijojnë shtresa sociale që i duartrokasin, i votojnë dhe janë të gatshëm t’ua harrojnë të kaluarën. Ata bënë aleatë hajdutët, shpërdoruesit, bashkëpunëtorët e Serbisë dhe zhganin e shoqërisë, me ta bashkëqeverisin.

Shpërfytyruesit e lirisë na e nxinë çlirimin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok