Shpellat, bukuritë e “fshehura” të Trieshit
Nga Gjekë Gjonaj
Trieshi, edhe pse ka hapësirë të vogël gjeografike, ofron mundësi për zhvillimin e turizmit malor. Kjo zonë shqiptare ka objekte të “fshehura” turistike , që mund të shfrytëzohen nga vizitorët. Por i gjithë potenciali dhe resurset e këtushme , si për sezonin veror , po ashtu edhe për atë dimëror, ende mbetet i pa eksploruar, i pashfrytëzuar dhe injorohet nga autoritetet kompetente vendore e republikane. Objektet e këtushme të pashfrytëzuara natyrore , që për fat të keq njihen vetëm nga popullata vendase, e jo nga të huajt, sikur të valorizoheshin e të promovoheshin do të shërbenin për zhvillimin e turizmit, sidomos atë ditor. Janë vende që trieshjanët i njohin, mirëpo për shkak të mosinteresimit ndaj këtyre perlave të natyrës, ka bërë që të mos marrin vendin që u takon, edhe pse janë një mundësi e madhe zhvillimi e të ardhurash për banorët e kësaj zonë. Monumentet e këtushme natyrore duken sikur “ të mbuluara nga hija” e maleve të bukura përreth tyre.
Një bukuri e veçantë natyrore janë llojet e ndryshme të shpellave apo peqinave , kolateve e bigave siç i quajnë vendasit, që janë zgavra atraktive nëntokësore të gërmuara në shkëmb si pasojë e erozionit. Po përmendim vetëm disa shpella , meqë lista e tyre është shumë e madhe, dhe secila nga ato janë po aq të rëndësishme e të jashtëzakonshme. Ndër më të njohurat janë : Shpella e Sknelit, shpella e Raspit, shpella e Vukal Pjetrit, shpella e Bjelës, shpella e Kacës, shpella Binoshe, shpella e Nenës, shpella e Majes, shpella e Prinkthit, shpella e Pishtalkës, shpella e Kazhenikut, shpella e Bakeqit, shpella Buzoçe , shpella e Ujit të Gjallë, kolati i Çerkut, kolati i Ujit, kolati i Birë, kolati i Gjurashit (të gjitha në malin Kazhenik e Gozdec – në fshatrat Stjepoh e Budzë). Mjaft e bukur është edhe shpella e Zezë në Mulle, e cila gjendet në mes Kojës e Trieshit, pastaj shpella e Dacajve në fshatin Rudinë, biga e Klyshve në, fshatin Muzheçk , biga e Robëve dhe biga e Kakarriqit në Cem të Trieshit e shumë të tjera.
Duke i vizituar këto vende perfektë ( labirinte) mund të kuptojmë se sa e bukur është bota pa dorën e njeriut. Për lashtësinë e shpellave në Triesh dhe ekzistencën e tyre si vend ( banime) të hershme nuk kemi të dhëna historike. Këto tempuj të natyrës, të cilat dëshmojnë lashtësinë e këtij vendbanimi të hershëm autokton , në mungesë të hulumtimeve nga ekspertë të kësaj fushë, bartin me vete nga një histori , e cila në formë gojëdhëne përcillet nga brezi në brez. Thuhet se në disa prej tyre, përveç se kanë qenë të mbushura me borë, borës, kanë jetuar njerëzit ( barinjtë) dhe janë strehuar ( mrizuar) delet e dhitë. Po ashtu janë të njohura edhe si vendstrehim i autoriteteve të njohura shqiptare të kërkuara nga pushtetet e kohës, si Dedë Gjon Luli me bashkëshorten e tij Prënën, vajzën Noren dhe djalin Kolën në djep, e të tjerë. Sipas njoftimeve gojore ( të dhënave) që japin banorët këto vende të veçanta dhe misterioze dallohen për vetitë e tyre të shkurtra, të gjata, të gjëra, të ngushta dhe të errëta. Shpesh shquhen si vende të frikshme, por jo në të gjithë rastet janë të tilla pasi ka nga ato që në afërsi të tyre janë emocionuese dhe misterioze në sipërfaqen e tokës.
Të gjitha këto vlera të pambrojtura natyrore gjithnjë të vetmuara pa vizitorë vazhdojnë të qëndrojnë të paprekura nga dora e njeriut, të pa ndotura nga tymi i makinave dhe të pa mbytura nga betoni. Janë duke pritur të merren masa për evidentimin dhe hulumtimin e tyre nga studiues shqiptarë e të huaj të kësaj fushë. Në atë mënyrë specialistët do të mund të tregojnë , me fakte e dëshmi, në mënyrë shkencore, se çfarë ka në këto shpella, si është jetuar në këto banesa prej shkëmbi, sa ka zgjatur jeta në këto strehime prej guri, sa të hershëm janë banorët e këtij territori dhe sa është i lashtë vetë ky truall- Trieshi.