Shoqata Atdhetare Kulturore Labëria, “Nderi i Kombit” e vendosur, për vënien në vend të dinjitetit të këngës labe
DEKLARATË
Shoqata Labëria para disa ditësh u njoh me padinë që studiuesi Fitim Çaushi ka bërë ndaj nënkryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë z. Vaso Tole, lidhur me tjetërsimin e trashëgimisë kulturore shqiptare, specifikisht të këngës polifonike, një element kyç i identitetit kombëtar. Në qendër të padisë qëndron pretendimi se Tole ka regjistruar këngën polifonike shqiptare në UNESCO me emërtesën “iso-polifoni”, duke e lidhur atë me sirenat e mitologjisë greke. Sipas paditësit, ky veprim përbën një shkelje të rëndë të ligjit “Për Mbrojtjen dhe ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Shpirtërore” dhe një përpjekje për të tjetërsuar origjinën e kësaj forme unike muzikore. Çaushi argumenton se Tole ka anashkaluar institucionet përkatëse shtetërore gjatë procesit të aplikimit në UNESCO, duke vepruar në mënyrë të pavarur dhe pa konsultim të duhur. Më tej, padia ngre dyshime serioze mbi vërtetësinë e informacionit të paraqitur në dosjen e UNESCO-s, duke pretenduar se Tole ka referuar botime “iso-polifonike” që në fakt nuk ekzistojnë. Një aspekt tjetër i rëndësishëm i padisë është akuza se Tole ka tjetërsuar origjinën e polifonisë shqiptare, duke e lidhur atë me kulturën greke dhe duke injoruar studimet e mëparshme të etnomuzikologëve shqiptarë. Kjo, sipas Çaushit, përbën një cënim të rëndë të identitetit kulturor kombëtar dhe një mohim të trashëgimisë së lashtë iliro-arbërore. Paditësi kërkon nga gjykata të urdhërojë heqjen e dosjes së “iso-polifonisë” nga UNESCO dhe të rivendosë interpretimin e polifonisë shqiptare sipas studimeve të mëparshme shkencore shqiptare. Kjo çështje nxjerr në pah tensionet e vazhdueshme rreth interpretimit dhe pronësisë së trashëgimisë kulturore në Ballkan, duke nënvizuar rëndësinë e ruajtjes së identitetit kombëtar në kontekstin e trashëgimisë botërore. Në lidhje me akuzën, Shoqata Labëria ka vite që e ka ngritur zërin e saj për këtë emërtim duke zhvilluar edhe një Simpozium Shkencor me 13 profesorë të artit dhe kulturës (400 pjesëmarrës) si dhe me shumë artistë që mbartin dhe e trasmetojnë këtë këngë magjike. Në përkrahje të kësaj nisme ne patëm mbështetjen e 250 intelektualëve të shquar shqiptarë midis të cilëve Ismail Kadare dhe Rexhep Qose. Madje disa anëtarë të Kryesisë së Shoqatës kanë marrë dy takime me Kryetarin e Akademisë së Shkencave z. Skënder Gjinushi si dhe me ish-Ministren e Kulturës për zgjidhjen e këtij problemi madhor, por kërkesat e saj kanë rënë në vesh të shurdhët. Nëpërmjet kësaj deklarate Shoqata Atdhetare Kulturore Labëria, “Nderi i Kombit” i bën me dije opinionit publik dhe të gjitha institucioneve përkatëse se ne e kemi kthyer në mision të lartë shpirtëror ruajtjen, transmetimin dhe lartësimin e këngës polifonike si një thesar i paçmueshëm i artit shqiptar. Kjo këngë historikisht ka bërë diferencën me të gjitha vendet e botës, të cilat i kanë dhënë vlerësimin maksimal këngës sonë të bukur. Kur flet populli, flet dija dhe, populli thotë Polifoni dhe jo Isopolifoni, ndaj Ministria e Kulturës dhe Akademia e Shkencave duhet të dëgjojë popullin, të dëgjojë studiuesit e shumtë që e quajnë Polifoni apo Shumëzërësh. Kërkojmë që Ministria e Kulturës të flasë jo si foli në vitin 2002 apo në vitin 2005, por të flasë dhe t’i kërkojë UNESCO – s, që, kryevepra shqiptare e trashëgimisë gojore të njerëzimit të emërtohet “Polifoni”, ashtu si cilësohet edhe në Enciklopedinë Shqiptare të vitit 2009, katër vjet pas vitit 2005, me emrin “Polifoni”. Heshtja dhe mosveprimi i institucioneve shtetërore shqiptare bëri që edhe Lahuta, ky instrument muzikor autentik shqiptar, origjina e së cilës, (– sipas etnomuzikologut të madh Ramadan Sokoli, – daton në vitin 1335), të grabitet nga Serbia dhe, në nëntor 2018, të njihet si trashëgimi kulturore e Serbisë. “Polifonia Popullore Shqiptare”, bashkudhëtarja e pa moshë e njerëzimit, e cila na identifikon si Komb, trashëguar nga etërit tanë nëpër shekuj na bën krenarë me emrin e saj që e ka vulosur koha, populli dhe jo me emërtimet e individëve për kredo personale. Në faqen zyrtare elektronike të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO), në referencën “Iso-Polifonia popullore Shqiptare” dhe në Vendimin përkatës të saj të vitit 2008 për regjistrimin e kësaj polifonie në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit, është përcaktuar: “Termi ‘iso’ i muzikës tradicionale polifonike shqiptare lidhet me ison e muzikës kishtare bizantine”. Kjo është e pabazë, antishqiptare, antishkencore dhe me tendenca mohuese të historisë shqiptare të këngës popullore. Ndaj kjo deklaratë vjen si një thirrje për çdo shqiptar se Shoqata Labëria do përkrah jo vetëm studiuesin Fitim Çaushi, por çdo individ, shoqatë, organizatë, grupim artistic, që mbron, përcjell dhe propogandon emrin e bukur “Polifonia shqiptare”.
Kryesia e Shoqatës Labëria, “Nderi i Kombit”
Tiranë 06/09/2024