21/12/2024

SHNDRINË HIJA MBI LIRINË

0
Hero-Isa-Sh-Istogu

Përvjetor

Kushtuar shokut të klasës, ing. Isa Sh. Istagu,(15.02.1961 – 24.05.1999) me rastin e përvjetorit të vrasjes në luftën e UÇK-së. Ai me heroizmin e tij, ka mbetur gjallë në kujtesën e shokëve dhe të gjeneratës!

Nga Shefqet Dibrani

Isa Sh. Istogu, sot ka përvjetorin e flijimit dhe të ngjitjes tek yjet. U bënë kaq e kaq vjet që kur po na vështron nga lart, nga Zotat, për bëmat tona, për veprimet tona. Heroi im e përgjon lirinë tonë për të cilën ai vet u flijua?! E kjo sintagmë më mundon, bashkë me pranverat që më molisin tejmase. E unë jam i lodhur nga malli, dhe në këtë natë nuk guxoj t’i shikoj as yjet?! Kam frigë se Ai me syrin e tij na përgjon nga lart e unë nuk mund ta shoh?! Dhe nëse nuk do ta shohë është mëkat. Andaj vazhdimisht rri zgjuar duke pritur shikimin, por edhe ardhjen e tij. Vetëm në ëndërrat e mia, shoh zbritjen e tij nga lartë. Me ato flatra të bardha engjëllore e përjetoj përqafimin e tij, dhe i trishtët zgjohem në mëngjesin e nesërm, prandaj edhe Liria e Kosovës tërësisht e ëndërrt mu ka bërë!

Nuk e di, në atë qiellin e kaltërt se cili është Ylli im, cili nga ato Yje që shndritë thekshëm është shoku im i klasës, është Heroi im dhe i gjeneratës sime. Isaja, është emër i shenjtë, me të cilin kemi jetuar e banuar në një dhomë, kemi ngrënë e pirë bashkë. Kemi treguar ëndrra për ardhmërinë tonë, për jetën tonë që dikur përpara e kishim…

Më pas, Ai ka punuar inxhinier në Kombinatin “FERONIKEL” dhe ishte profesor në Gjimnazin e DRENASIT. I lindur në Polluzhë të Drenicës, në fshatin me emër e nam për rezistencën antikomuniste gjatë Luftës së Dytë Botërore. Edhe Heroi im, luftoi e rezistoi, dhe tash krejtësisht i qetë po prehet në varrezat e fshatit, ndanë rrugës magjistrale Drenas – Skënderaj, i rreshtuar aty afër Heroit të Kosovës, legjendës antikomuniste Shaban Polluzha. Natyrisht, bashkë me heronjtë tjerë të UÇK-së, shndrijnë Hijet mbi Lirinë, të cilën ne po e gëzojmë!… Ndërsa rrëfimi im ka të bëjë me Heroin tim, i cili ishte edhe shoku im i klasës në Shkollën e Mesme Teknikedrejtimi Kimiko – Teknoligjik në Kastriot. Ishte edhe shok i bankës me mua dhe i brengave të mia gjithsesi. Së këndejmi ky Hero, për mua ishte edhe shoku i dhomës, (siç thoshim atëherë, ishte Zimeri im), me të cilin i kemi bashkëjetuar ato dy vite të bukura, në një dhomë të vogël me dritare në rrugë, në qytetin e vogël përplot pluhur industrial. Vijonim mësimet në shkollën e mesme, fytyrës pa i ra brisk, se të rinjë ishim, por kishim ideale të mëdha për ardhmërinë tonë dhe të Atdheut!

Pastaj ne u ndamë, ai në Fakultetin e Teknologjisë në Mitrovicë, ndërsa unë në Shkollën e Lartë Pedagogjike, për mësues në lëndet kimi dhe biologji, profesion të cilin nuk arrita ta ushtrojë kurrë. S’ka asnjë dyshim, Isa Sh. Istogu mbetet Heroi im, legjenda ime dhe krenaria jonë. Me te kam ndarë ditët dhe netët e gëzueshme, por edhe brengat për gjendjen sociale, ndonëse ne ishim gjeneratë e idealeve të mëdha, në vitet shkollore, 1977-78 dhe 1978-79, pastaj erdhi edhe Pranvera e Madhe e Vitit 1981.

***

Mbaj mend se më datën 10 qershor 1978, me rastin e 100 Vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, vendbanime të caktuara nëpër Kosovë janë mbuluar me Pamflete, në të cilat bëhej thirrje për Zgjim nga robëria shekullore, ku ftohej populli ynë të zgjohej nga letargjia e sundimit shekullor. E di sa shumë është folur kjo ngjarje, edhe pse arritën ta heshtin strukturat udhëheqëse të Krahinës Socialiste të Kosovës, përseri ngjarja ka mbetur e freskët në mendjen time, dhe ishte fitili i një zjarri që po ndizej, edhe në qenien time. Dhe nuk gabojë nëse them se po atë vit dhe më pastaj, ndërgegjja kombëtare sikur u zgjua, ose ishte koha e pubertetit që më bënte të tillë?!… Pavarësisht rrethanave, përgjimeve dhe frigës për arrestime dhe burgosje, jeta patriotike vazhdonte. Eh, për mua ishte hera e parë që shihja pamflete e lexoja thirrje publike, për t’u zgjuar nga letargjia, nga robëria dhe nga sundimi i mbretërisë komuniste Jugosllave, e cila nën parullën e vëllazërim – bashkimit kishte shtrirë sundimin e vet në tërë hapësirën e Kosovës.

Heroi im, i Shenjëti ISAI ka qenë shumë i urtë, racional, dhe tepër gjykues, sa më bëhej sikur të ishte babaxhani im. Veçmas në bisedat tona të gjata për gjendjen politike në Kosovë, për shkaktarin e asaj varfërie, e cila karshi republikave të tjera, në Kosovën tonë gjendja ishte e zymtë dhe e pa perspektivë. Edhe kur nuk më fliste, edhe kur nuk më përgjigjej, ai më dëgjonte me vëmendje, dhe jo rrallë me shkata e tij tallej duke më thënë “hajt të paqa ty, e të mos mbeteshim pa përrallat tua?!”… Kur lodhej, jo aq nga mësimi sa nga përrallat e mia(?!), më lutej të bënim një sy gjumë, dhe më thoshte: Nëse dëshiron për t’i realizuar ëndrrat tuaja flij, se aty mund t’i realizosh. Të nesërmen, vet Ai më fliste për “idealet tona!”…

 

SHNDRINË HIJA MBI LIRINË

 

Heroit Tim, shokut të klasës ing. Isa Sh. Istogu

(15.02.1961 – 24.05.1999)

Kujtimi për ty po më rëndon zemrën

e gjoksin tim po e molisë pranvera jote

përherë ndjej zërin tënd

shohë flokët tuaja të kaçurrelta

dhe përjetoj atë idealin që predikoje

në atë agsholin e lirisë

për të cilin më flisje çdo ditë

Isë… dhe vetëm Isë…

 

Sytë tu shkëlqejnë

edhe në portretin e vjetruar

që më ngjall kujtimin e rinuar

me dhembje që rëndojnë

dhe mallin që po shtohet

 

Heroi im me sy të bukur

me shpresa të mëdha për jetën

për ardhmërinë

dashuria Yte ishte pa mbarim

dhe shkonte

deri në skaj

deri në infinit

 

Ti shkove drejt qiellit

e nga lart përgjon lirinë tonë

dhe ëndrrën që përgjysmë ke lënë

dhe dënesjen që nuk e bëre tamam

dhe nuk e prite as gëzimin pranveror

të penguan Heroi im

të vrau barbari i zi

 

Thanë se

Zoti atje lart të paska kërkuar

se ti ishe kënga jonë e pa kënduar

ishe melodia për ardhmërinë

shtegu ynë i lavdisë

që preku dashuritë tona

dhe ardhmërinë që nuk e prite

 

Ti ishe deti i tallazeve

vet valët që tundin anijet

Heroi im:

Ti ishe

dallgë e trazuar

dhe jeta jonë e pa jetuar

dhe ishe ëndrra ime

e pa ëndërruar…

 

Tash Hero im u bëre Ti

dhe LIRIA JONË

që shndritë mbi Kosovë!…

Zvicër, 24 maj 2022.

Shefqet Dibrani

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok