Shkupi i lavdisë së dikurshme e i fatit të sotëm nopran
Fragment në tri vazhdime nga libri “Qytetet e Ilirisë” (në dorëshkrim)
Nga Gani Mehmetaj
Kur e vrojton Shkupin (Skupin) nga Kështjella ilire se si të duket pamja drithëruese e irreale. A ishte ky qyteti që e trazuan luftërat, kolera, tërmetet, përmbytjet, ndeshjet e fuqishme në mes të dy qytetërimeve: Lindjes e Perëndimit?
Shtëpitë i përpinte toka, lumi ndryshoi rrjedhën, peshq binin nga qielli, shkruante autori antik për tërmetin e stuhinë që e goditi qytetin. Pastaj ra shi shtatë ditë e shtatë net. Tërmeti katastrofal e goditi Shkupin më 518. Ndërkaq, Justiniani dardan, perandor në Kostandinopojë, i lindur në një katund afër Shkupit, në shenjë kujtimi për vendlindjen, e rindërtoi qytetin e Skupit (535) dhe e bëri metropol të madh. Ai rindërtoi dhjetëra qytete e kështjella në Dardani e Iliri si asnjë perandor tjetër.
Tërmeti nuk e kurseu Shkupin as më 1963. Por sot nuk hetohet asnjë gjurmë nga katrahurat e dikurshme, nuk ka asnjë elementet përkujtimor për fatkeqësitë, koha i ka fshirë gjurmët, por jo vragat. Ato shtëpi të rrënuara u rindërtuan, ose u shndërruan në blloqe apartamentesh, por ndërruan pronarë, ndërsa lagjet ndryshuan kombësinë e popullatës: u ngrysën shqiptarë, u gdhinë sllavë!
Nga frëngjia e kullës vrojtuese, derisa kujtoja të kaluarën, nuk më shqitej nga mendja mundësia se me një të ngrehur harku, shigjeta mund të qëllojë bregun e lumit, aq afër është lumi i lashtë Axios (Vardari). Ndërkaq, në këmbë të mureve shtrihet rruga e asfaltuar që e qarkon. Tutje është qyteti i vjetër dhe i ri me shtëpi e ngrehina të mëdha, apo me kalldrëme e rrugica të ngushta. Kështjella e vjetër e Shkupit është ndër më të mëdhatë në Gadishullin Ilirik dhe mbase më e madhja në Dardani e Shqipëri.
Në nuk e pashë të hapur Muzeun ilir-dardan, nuk e hetova cili ishte Muzeu bizantin, apo ai i periudhës osmane, megjithëse dy objekte me ballë të qelqtë ishin brenda mureve, ndërsa një apo dy ishin skelete në ndërtim. Për to është shkruar para disa vjetësh se do ta paraqesin kulturën materiale e shpirtërore të periudhës trimijëvjeçare. Kështjella e moçme ilire nuk kishte as ciceron.
Shkupi ishte kryeqytet i Mbretërisë së Dardanisë e kryeqytet i Shqipërisë. Edhe pasi u pushtua nga Serbia, edhe pas masakrave ndaj popullatës shqiptare, edhe pas shpërnguljes biblike në Turqi, deri vonë ishte qyteti më i madh i shqiptarëve në Gadishull. Sot me numrin e shqiptarëve ia kalon Tirana, mbase edhe Prishtina.
Në një film dokumentar amerikan, të shfaqur në një festival ndërkombëtar më 1982, shkupjania më e madhe e të gjitha kohërave, Shenjtorja Terezë, kur rrëfente për vendlindjen e vet, thoshte: “Kam lindur në Shkup, Shkupi atëherë ishte kryeqytet i Shqipërisë!” Unë që e shihja filmin, mbase i vetmi shqiptar, në sallën e madhe, dridhesha nga emocionet, sepse atëbotë askush s’guxonte ta thoshte troç se Shkupi kishte qenë kryeqytet i Shqipërisë, ndërsa në Prishtinë a në Shkup për këtë deklaratë të dënonin shumë vjet burg. Nënë Terezës s’kishin ç’i bënin.
Shkupi – krenaria e Dardanisë
I ngritur mbi një kodër vullkanike, i rrethuar me mure të larta e kulla vrojtimi, qyteti i vjetër e kontrollonte hapësirën nga të gjitha anët. Ndërkaq, Kështjella e Shkupit ishte krenaria e Dardanisë. Nga ajo lavdi e dikurshme brenda mureve dalin në sipërfaqe, ose shihen kornizat e themeleve të ngrehinave e të pallateve të aristokracisë vendëse, banjave publike, themeleve të faltoreve pagane e kishave antike. Selia e parë ipeshkvnore në Dardani ka qenë Shkupi. Në qytet janë zbuluar mbi 13 bazilika (kisha të krishterimit të hershëm).
Autorët e librit “Familjet katolike shqiptare në Shkup” (Skënder Asani, Albert Ramaj dhe Natasha Didenko) mendojnë se Shkupi ishte Justiniana Prima e kërkuar kohë të gjatë nga arkeologët. “Kur perandori Konstantin e ndau perandorinë, Shkupi shndërrohet në kryeqendër kishtare të prefekturës së Dardanisë”, shkruajnë ata.
Qyteti i vjetër pati jetë aktive nga parahistoria, antika, mesjeta e deri në ditët tona. Në parahistori e qeverisnin dardanët, në antikë ishin nën administrimin e Perandorisë Romake të Perëndimit, pastaj të Perandorisë Romake të Lindjes (Bizantit). Në mesjetë thuhet se qytetin e çliroi dy herë nga turko-serbët aleatë, Gjergj Kastrioti. Madje cakun e parë pasi e braktisi ushtrinë turke në Nish e pati Shkupin. Treqind vjet më vonë e çliruan forcat kryengritëse të Pjetër Bogdanit, pastaj një shekull e gjysmë më vonë sërish e çliruan kryengritësit shqiptarë me Dervish Carën në krye. Për herë të fundit Isa Boletini me 1912 e çliroi nga pushtuesit turq, por fatkeqësisht nuk e mbajti.
A ka mbetur diçka nga lavdia e dikurshme? Gati asgjë. Sot lumi Axios (Vardari) në pjesën më të madhe i ndanë shqiptarët vendës e kolonët sllavë, të ardhur nga Maqedonia e Egjeut dhe nga skajet e republikës. Ndarja hetohet me sy: lagjet shqiptare rreth s e tutje në të majtë, janë me shtëpi të vjetra, rrugica të ngushta, me kaos urbanistik, edhe aty ku ka ndërtime të reja, me dendësi banimi, me çarshinë orientale. Nga fotografitë e vjetra shihet se këto lagje nuk kanë ndryshuar një shekull: me shtëpi gjysmë të rrënuara, shpesh parafabrikate, me rrugica të ngushta, para dyerve fëmijë të veshur varfërisht, me kanalizime që shpesh e vërshojnë rrugën. Të tilla i mbaj në mend qe 45 vjet që kur e njoha Shkupin. Të ngjajnë në lagje të mallkuara. Natën të frikësojnë me pamjet si në filmat e Hiçkokut. Ndërkaq, në kohën më të re në pjesën ku u ndërtuan apartamente bashkëkohore, u prishën parqe dhe u ndërtuan banesa pa asnjë gjelbërim përreth. Ka lagje me varfëri të skajshme. Vetëm shtatorja e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe ajo e Hasan Prishtinës dëshmojnë se aty poshtë këmbëve të kështjellës ilire jetojnë shqiptarët, kështjellarët e dikurshëm.
Ndërkaq, në anën e djathtë, sapo ta kalosh urën me harqe mbi lumin Axios-Vardar, në sheshin qendror shpalohen përmendoret me përmasa ciklopike të Lekës së Madh e heronjve te tjerë. Shtatorja e Filipit të Maqedonisë ishte disa qindra metra para urës. Sheshi i ngushtë ishte përmbytur nga shtatore e kushtimore- histori e huazuar nga kombet tjera. Sheshi qendror e breglumi janë sajuar nga arkitektët megalomanë e të sëmurë me madhështinë shterpe me një mori shtatoresh të vjedhura nga historia ilire-maqedonase, bullgare e serbe. Janë edhe godinat bashkëkohore-imitim i parlamenteve të shteteve të ndryshme evropiane, ku veprojnë institucionet shtetërore.
Në vazhdimin e nesërm:
Ku është shtatorja e David Arianitit?