22/12/2024

SHKRIMTARI TEKI DËRVISHI KRIJUES I VEÇANTË I LETRAVE SHQIPE

0
Teki_Dervishi

Nga Sinan GASHI

Ndër shkrimtarët që në le – trat bashkëkohore shqiptare ka lënë vepra moderne që dallojnë për vlerat e tyre estetike, është shkrimtari Teki Dërvishi (1943-2011), veprat e të cilit ende nuk janë studiuar shkencërisht, për t’ia aktuali -zuar vlerat e veçanta dhe prijësin e posmodernes në letërsinë tonë.

Diçka nga jetë-krijimtaria e Teki Dërvishit

Teki Dërvishi është i lindur në  qytetin e Gjakovës në vitin 1943, ku e mbaroi edhe shkollën fillore. Shkollën e mesme, gjimnazin e përfundoi në Pejë, ndërsa që Fakultetin Filozofik-degën Gjuhë e Letërsi Shqipe në Universitetin e Prishtinës, ku i ndoqi edhe studimet pasuniversitare. Duke mos qenë i përshtatshëm për politikën e kohës së monizmit, ngase “shkrimet e tij e helmonin rininë”, atij iu deshtë që të skajohet për punë në lokalitete të ndryshme. Fillimisht punoi mësues në shkollën fillore “Mustafa Bakija” të Carrallukës së Malishevës e pastaj edhe në Gjimnazin e Vitisë. Sido që të jetë, kjo ishte një zymtësi jete për një krijues të mirëfilltë dhe për një intelektual si ai.

Për një jetë profesionale, të shkrimtarit, ai shpërngulët në Shkup, ku zë punë në gazetën e përditshme “Flaka e vëllazërimit” për disa kohë, pastaj në Ndërmarrjen Botuese “Rilindja” e Prishtinës. Duke iu plotësuar kërshërinë për një ‘liri’ shprehjeje dhe mënyrë pune ku përfshiheshej tërësia etnike shqiptare, Tekiu në Zvicër e nis botimin e gazetës kombëtare “Bota sot”, e cila më vonë del edhe në Prishtinë. Këtu, për herë të parë, ai shpreh mendimin ashtu siç e ndien dhe mendon, pa farë censure. Pas lirimit të Kosovës zgjidhet për një mandat drejtor i Tetarit Kombëtar të Kosovës, ku u angazhua për një teatër gjithëkombëtar, me punë të përbashkët aktorë-regjisorë edhe nga Tirana, për t’iu kthyer të përditshmes “Bota sot”, drejtor i së cilës ishte deri në vdekje.

Po të shikohet jeta e tij biologjike duhet thënë se ai kishte përjetuar shumë peripeci, si nga aspekti politik e po ashtu edhe ai ekonomik, si rrjedhojë.

Tekiu, që si nxënës i gjimnazit, në ndikimin e atdhetarit prof. Kadri Kusarit, për veprimtari armiqësore ishte burgosur dhe ishte dënuar më tre vjet burg të rëndë (Aktp. PPQ, nr. 51/64).

Për aktivitetin kulturor dhe vlerat letrare, Teki Dërvishi ishte dekoruar nga Presidenti i Kosovës,  dr. Ibrahim Rugova me medaljen “Lidhja e Prizrenit”.

Jetën e përmbylli në Prishtinë, në vitin 2011.

Talentin letrar ai e kishte dëshmuar që kur ishte nxënës në gjimnaz, me shkrimet e para, të cilat ai i vijon deri sa e ka frymën.

Emrin e tij e hasim së pari në  të përditshmen “Rilindja’ e Prishtinës, më 1961, ku botoi tregimin e parë. Teki Dërvishi ka krijuar në të gjitha zhanret dhe llojet letrare, si tregimin, novelën, romanin, dramën, poezinë, esenë, recensionin, kritikën letrare dhe mjaft shkrime publicistike, ku trajtonte problemet më të ndjeshme politiko-shoqërore shqiptare, madje duke qenë e dhe paralajmëruesi i disa fatkeqësive që më vonë veç kishin ngritur krye në Kosovë.

Ai ishte tepër modest dhe jetoi vetëm jetën prej shkrimtari, duke qenë i përkushtuar me tërë qenien e tij. Asnjëherë nuk e mori si mburrje që kishte bërë burg politik, madje as që e ziente në gojë fare, por një kthesë dhe pjekuri të asaj natyre ai e manifestoi kur doli prej vuajtjes së dënimit, përkatësisht kur i poq i karakter. Këtë ai e manifestonte edhe në krijimtarinë letrare, që ishte diçka e re, e veçanta dhe që nuk përkonte aspak me soc-realizmin shqiptar, të cilën e kultivonin mjaft krijues në veprat e tyre. Duke e vlerësuar një vepër, ai, ndër të tjera thekson që të “dëgjohet zëri i popullit shqiptar dhe jo zëri i një populli socialist (që nuk ka identitet, traditë në histori).”

Duke qenë këto vepra me vlera të pakontestueshme, madje të së ardhmes letrare, është cilësuar “shkrimtari i parë postmodern shqiptar” dhe se “T. Dërvishi është borhesisti i parë,…” (N.Sopaj).

E, sa vepra ka krijuar Teki Dërvishi ?

Edhe pse për krijuesin nuk dihet saktësia e veprave të shkruara nga ai, duke pasur parasysh se ai mund të ketë lënë vepra në dorëshkrim, si i përkushtuar që ishte në artin letrar, por, duke e ditur edhe fatin e tij politik, mund të gjenden ndonjë vepër edhe në arkivat e sigurimit të shtetit që vdiq.

Megjithatë, po i shënojnë ato vepra që kanë qenë të botuara në Prishtinë dhe në Shkup, të cilat dhe që kanë pasur mundësinë të komunikojnë me lexuesin shqiptar.

Vëllimet më poezi, janë: “Nimfa 1” 1970, “I varur me vargje  për drurin e blertë” 1971, Shtëpia e sëmurë” 1978, “Thashë” 1981, “Nimfa 2” 1986; vëllimin me tregime: “Etje dhe borë” 1974; romanet: “Pirgu i lartë” 1972, “Padrona” 1973, “Skedarët” 1974, “Halveli” 1978, “Herezia e Dërvish Mallutës” 1981 dhe “Palimpsest Dush Kusarit” 1993; dramat: “Zbutësi i njerëzve me sy prej  zymrydi” 1979, “Bregu i pikëllimit” 1985, “Pranvera e librave” 1990, “Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit” 1990, “Kufiri me atdhe“ 1996, “Vojceku” 1996, “Nesër nisemi për Parajsë” 1999, “Eshtrat që kthehen vonë” 2000, “Ku është populli” 2003; kritikë letrare: “Qan e qesh Talia” 1978.

Nëse i shikojmë për nga vitet e botimit, do të shihet se ai ishte tepër aktiv në krijimtari, kur në vitin 1974 kishte botuar dy vepra, në vitin  1978 tri vepra, në vitin 1981 dy vepra,  më 1990 dy vepra, më 1996 dy vepra, ndërsa që në vitet tjera nga një sish.

Nëse një ditë do të botohej publicistika e tij në periodik, jo vetëm që do përbënin disa vëllime të plota, por edhe do të hetohej bindshëm aktualiteti i trajtuar në to, disa nga të cilat edhe gëlojnë në meset shqiptare si dhe asish në raport me synimet e fqinjëve tanë.

Për veprat letrare të Teki Dërvishit janë shkruar mjaft recensione dhe disa studime nga krijuesit e ndryshëm, duke e cilësuar vazhdimisht si penë e talentuar dhe krijues që sjell vazhdimisht risi mbarështuese dhe me aktualitetet tematik kohëgjatë, të shprehur me gjuhën artistike-filozofike e realizuar në veçanti vetëm nga ai, si një nga krijuesit e rrallë. Një lloj veçantie të krijimtarisë së tij veçmas e ka hetuar studiuesi Nehas Sopaj, i cili konstaton se “ky shkrim (i Tekiut, s.g.) është përzierje diskursesh: poezi, prozë e dramë, një kaugulim eseizmi…”.

Për shumëçka në jetë dhe në krijimtari atij aq i bënte: ai kishte botën e vetë dhe me të e për të frymonte mes nesh.

Vetëm kur të gjithë këto libra do ribotohen, tashti si komplet veprash, do të dihet dhe shihet se cili ishte ky krijues dhe cilat ishin vlerat kulminante artistike letrare të tij dhe të letërsisë shqipe përgjithësisht.

Shkrimi si formë e shprehjes së atdhetarisë dhe vlerës artistike

Njohja ime me Teki Dërvishin ishte më parë me shkrimet e tij që kryesisht i botonte në revistën letrare “Jeta e re” e Prishtinës. Aq shumë më pëlqenin ato, temat dhe stili shprehës artistik, sa mezi prisja ta shihja njëherë si fizik, për ta barazuar përkufizimin e portretit të tij me fantazinë time dhe reales. Unë e mendoja trupmadh, ngase vetëm talentmadhi e konsideratën e një asi shkrimi, sipas meje.

Fatit i tij i rëndë krijoi edhe vonesa në shkollim, kështu që rastisi ta nisim së bashku vitin e parë të studimeve në fakultet. Kur na thirrën me emra për njohje, ai ngritët në këmbë. Ç’të shohësh!? Një trupvogël, i ligsht nga shëndeti, me dhëmbë të nxirë tej mase nga duhani i pandërprerë. Pastaj ligjëratat, studimet, provimet…

Shkrimet e tij ishin sërish aktuale për risi mbarështuese me individualitetin krijues të tijin, vetëm të tijin. Botonte ne “Bota e re”, e përkohshme e studentëve të Universitetit të Prishtinës. Orët letrare, bisedimet, …Disa kujtime të vogla personale me Tekiun rrëfejnë për diçka të tijën prej artisti me shpirt emocional e dinamik të përhershëm.

Ishte mësues në Carrallukë të Malishevës. Dëgjova që ishte atje, dhe ia bëra një vizitë me biçikletë, me rroba vere, ngase fshati im ishte afër për tri-katër kilometra. U gëzua shumë kur më pa. Aty punonte më bashkëshorten Bahrije Berishën. Flinte në një kthinë të shkollës.

Deri sa e mbaroi mësimin, e prita në sallën e arsimtarëve. E pyeta, pa praninë e tij, njërin nga kolegët për të. “Është tip i çuditshëm, më tha. Shumë i dashur, tepër zemër mirë, por tepër temperament… Kur e merr rrogën, nxënësve të klasës së tij ua blenë të gjitha pajisjet shkollore, çantat, librat, fletoret, lapsat. Nënshtratin e ka bërë si depo të vogël. Të gjithë e donë dhe e respektojnë shumë, por, ky s’është për këtë vende, bre burrë!.., e përmbylli fjalën me një ofshamë të thellë.”

Posa e mbaroi mësimin Tekiu më propozoi që të shkonim për Gjakovë. Nuk mundem, i thashë, se s’jam i përgatitur për askund. Jam gjysmë i zbathur. Nuk më pyeti fare… Duhej të shkonim më këmbë nga dy-tri kilometra deri në Malishevë për autobus e linjës. Ecnim rrugës së pluhurosur, ndërsa ai nuk prante së foluri. Nisi të më tregonte se si e ka në mendje një temë për një roman. Unë kinse jam student në Paris dhe kthehem për pushime në Kosovë. Në tren e takoj një vajzë të re ruse, studente po atje, dhe e nisim bisedën. Gjatë asaj bisede unë ia rrëfej të gjitha të këqijat që na i sjellin sllavet neve shqiptarëve, duke menduar se ajo do i përcjellë atje, dikund, në ndonjë qendër ku mend të aktualizohej çështja jonë… Këto ishin rrëfimet e tij, ndërsa që veprën e pat shkruar, madje dy fragmente i pat botuar në “Jeta e re”. Kur e pyeta, pas disa vitesh, se ç’ndodhi me dorëshkrimin, pse s’e kishte botuar. U përgjigj rreptë e me një ngjyrim nervoze “Ma morën ata të zinjtë!…”.Tashti ku dihet se ku ka përfunduar ai. Fragmentet, mua si lexues, më pëlqyen tej mase.

Kur kishte vajtur për punë në Shkup, duke menduar se do të largohej paksa nga syri i keq i sigurimcave, ia bëra një vizitë. Në redaksi nuk e gjeta. Edhe ata nuk e dinin se ku kishte vajtur. U sorollata deri në orarin e autobusit të fundit për Prishtinë dhe, duke e futur këmbën në autobus, me biletë në dorë, ma ngjet për krahu dikush. “Zbrit, zbrit, ku po shkon!?” Është linja e fundit, u arsyetova unë. Nuk foli por ma futi krahun dhe u ulëm në një lokal aty pranë. Pasi darkuam dhe biseduam gjatë për çmallje, për letërsinë, për botimet atje, për dorëshkrimet e tij, me veturën e tij të thjeshtë më përcolli deri në Prishtinë. Pse, i thashë, po e pata autobusin. Vetëm më shikoi me vërejtje pse i peshoja keq gjërat dhe ia shkeli. Grykës së Kaçanikut, kur rruga e përpjetë nuk lejonte shpejtësinë e dëshiruar, e ngacmova sa për ta mbushur kohën. “Çfarë shkrimtari je ti, bre, që e mban kryet përpjetë?”- i thashë me një ton paksa qortues. Pa më shikuar, se hutohej në vozitje, ma ktheu gjysmë për mahi e gjysmë përnjëmend: “Mua një mizë po të më hajë në ballë, shënohet në dosjen time se çfarë më gjeti e lëne më për shkrimet, e ty të mbysin krejt e asgjë askujt… Hajt mos më lodh!”, e përmbylli bisedën qetë.

Pas një emisioni dokumentar për shkrimtarin dhe atdhetarin Jusuf Gërvalla, që Tekiu e kishte shokë të ngushtë, madje edhe kishin punuar bashkë në Shkup për disa vite, ai nuk ishte askund. Madje flisnin njerëz që as s’kishin pas asgjë me të, me rrugën e tij, e kishte nga ata që edhe s’e kishin  parë të gjallë. Kur e pyeta se pse ti nuk the diçka për Jusufin, a e ke pasë shokë, a jo? Ai, më shiko më bisht të syrit dhe ma ktheu: “Kush është ai Jusufi!? Unë nuk e kisha pas njohtë asnjëherë. Tashti e mësova…” – tha me ironi.

Ai vetëm për letërsinë, artin, kishte dëshirë të debatonte, se ajo ishte jeta e tij reale, megjithëse ia kishte frikën ekzistencës. Kur i vëllai, Nekiu, nisi të botoi poezi si një talent i rrallë, ai i kishte thënë që ta lej atë ’zanat’ se s’të jep bukë. Shiko një profesion tjetër më konkret. Tashti ai është dr. sci., profesor i matematikës në UP.

Asnjëherë nuk i zinte në gojë e as që krenohej me vitet e burgut të rëndë në lulen e rinisë, shenjë kjo e njeriut modest e me shpirt të madh. Ai po me atë modesti e la amanet që t’i bëhej edhe ceremonia e varrimit, sepse ceremonitë reklamuese në shumë raste të tilla i përbuzte përherë, nëse ato manifestoheshin si shtirje, në çdo formë e nivel qofshin.

Viteve të fundit gota ishte bërë shoqëruese e shpeshtë e përditshmërisë së tij, deri sa atë e mbylli në tavolinën e punës, duke shkruar me përkushtim dhe analizuar thellë problemet shoqërore e kombëtare të Kosovës. Në kolonat e gazetës, gati përditë, ai trajtonte lloj-lloj problemesh të aktualitetit të Kosovës, të cilat ende ishin pezull dhe shpesh krijonin huti a dualizma se kah duhet hapëruar më tej. Si përfundim, do theksuar edhe njëherë, se krijimet e këtij shkrimtari model, edhe si karakter, të letërsisë shqipe, duhet të botohen të plota gjithsesi nga institucionet përkatëse.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok