20/01/2025

SHKRIMTARI IDEALIST PJETËR ARBNORI

0
Buzhala-Krasniqi-Arbnori

(Në 90 vjetorin e lindjes)

Nga Prend BUZHALA

Krahas rikthimit të veprës letrare të Gjergj Fishtës, Anton Harapit, Ernest Koliqit, Martin Camajt, Etëhem Haxhademit, Faik Konicës, Kasëm Trebeshinës, Lazër Shantojës, Ndre Zadejës, Bernardin Palajt, Gjon Shllakut, Vinçenc Prennushit, Ndoc Nikajt, Arshi Pipës, Sejfulla Malëshovës, Petro Markos, Mitrush Kutelit, Andrea Varfit, Nexhat Hakiut, Lazër Radit, Daut Gumenit, Havzi Nela, Visar Zhitit, Bilal Xhaferrit, Genc Lekës, Trifon Xhaxhikës … e dhjetëra e dhjetëra emrave të tjerë të ndaluar e të anatemuar, lista e të cilëve arrin shifrën prej 140 krijuesish letrarë; në letërsinë shqipe në fillim të viteve ’90 të shekullit që e lamë pas, erdhi edhe vepra letrare e Pjetër Arbnorit (18 janar 1935 – 7 korrik 2006). Kështu ndodhi edhe me letërsinë shqipe të Kosovës e me rikthimin e dhjetra emrave të ndaluar e të përndjekur. Pjetër Arbnori, edhe në fushën e letërsisë, erdhi si kundërshtar i pakomprimis kundër letërsisë zyrtare të realizmit socialist. Krahas angazhimit të tij politik antidiktaturë, Pjetër Arbnori kishte edhe një peng tjetër jetësor: artin letrar, të cilin peng,  po ashtu, e pagoi shtrenjtë me burgime të gjata.  I burgosur që më 1961, i dënuar fillimisht me vdekje, dënimi i kthehet në 25 vjet burgim. Por mbasi i kishte mbajtur 18 vjet në pranga, dënohet edhe me 10 vjet burg pse kishte shkruar romanin “Shtëpia e mbetur përgjysmë”. Lirohet në gusht të vitit 1989. Por Arbnori i kishte shkruar veprat e tij në errësirën e izolimit e të burgut, gjatë viteve 1964 – 1983. veprat letrare arrin t’i botojë vetëm që nga viti 1992: “Kur dynden vikingët” (novelë, 2000), “Bukuroshja me hijen” (novelë, 1994),  “E bardha dhe e zeza” (roman, 1995), “E panjohura” dhe “Vdekja e Gebelsit”( novela, 1996), “Shtëpia e mbetur përgjysmë” (roman, 1997), “Vorbulla” (roman, 1997), “Letër nga burgu”, “Nga jeta në burgjet komuniste” (studime historike, 1992), “Brajtoni, një vetëtimë e largët” (roman, 2000), “Lufta për të mbetur njeri” (intervista 1990-2000), “Historia e Anglisë” (përkthim i Andre Morua-s, 1996). Ai, gjatë viteve ’90 e këndej, pati angazhime të shumta në kreun e politikës shqiptare dhe u nderua mne shumë çmime e tituj.

  1. Proza artistike e dokumentare

Romani “E bardha dhe e zeza” është shkruar më 1964,  të cilën autori e paraqiste si “përkthim” të tijin; ai heq paralele tematike të ngjarjeve raciste të zhvilluara në masakrat e Afrikës së Jugut kundër zezakëve, më 1960 e, nëpërmes personazhit Sam Mguana, këso masakrash aludonin edhe me ato që kishin ndodhur në Shqipëri. Aty flitet për të vrarë, të plagosur e të arrestuar të panumërt. Realiteti tragjik shqiptar paraqitet te dy novela tjera, te “Vdekja e Gebelsit” ( e shkruar më 1972) dhe te “E panjohura” (e shkruar më 1975). Ndërsa te novela e parë të burgosurve ua kthen gazin e humbur qoftë edhe një mysafir i rrallë, si ishte një këlysh i vogël, i bardhë, i quajtur Gebëls. Por diktatura kujdeset ta shuajë edhe këtë gaz: largimi I këlyshit shqiptohet si masë dënimi ndaj të burgosurve! Diktatura e mbyt ngadalë qenushin e vogël, të lidhur në tela, i cili vuan tmerre e nuk nxjerr asnjë ofshamë, si për ta trembur diktaturën! Te novela e dytë dënohet nga diktatura edhe një letërkëmbim në mes njerëzish, si i ndodhi të ndëshkohej tragjikisht vajzës së pafajshme, Emës.

Një idil i bukur dashurie, i shkruar në kushtet e grevës së urtisë në qelitë e burgut, më 1970, paraqitet te novela “Bukuroshja me hijen”. Një histori romanore nga koha e Arbnit të Mesjetës paraqitet te romani “Muzgujt e Mesjetës” (i shkruar më 1982), me personazh kryesor Mark Topinë. Romani iu jep zë mbrojtjes së vlerave të traditës kundruall ngjarjeve trishtuese të sunduesve që shfaqen në atë kohë. Një shtëpi që është dashur të ndërtohet, por mbetet përgjysmë përkundër sakrificave, përbën temën e romanit “Shtëpia e mbetur përgjysmë” (i shkruar 1969), e paraqitur nëpërmes personazhit të të riut adoleshent, Ton Pazvani. Është koha para paraqitjes së diktaturës. Ka në këtë roman evokime të ngrohta e të përmallshme, sat ë dhimbshme lirike e ekzaltuese. Ndërsa Shkodra e viteve të kohës së Lidhjes së Prizrenit paraqiten te romani “Vorbulla” (I shkruar më 1972),në të cilin pos paraqitjes së rezistencës e të dënimit pafaj të shumë njerëzve në vorbullën e kohës, në skenën romanore dalin familjet Parruca, Kuka dhe ajo e borgjezit Zekë Bërduli, tregtar shkodran. Te ato shuhet patriotizmi tradicional shqiptar, po edhe etjet për pasuri, dashuritë idealiste, përpjekjet për emancipim e shkollim etj me një rrëfim epik të admirueshëm.

“Nga jeta në burgjet komuniste” është një kronikë e gjallë, autentike, e përndjekjeve dhe rezistencës në “kohën e partisë.” Porse autori bën edhe përshkrime të gjalla, të bukura, me art të rrallë pikëzues, të ngjarjeve dhe protagonistëve e antagonistëve konkretë të  kohës. Ja një përshkrim autentik: “Kur gjendesh brenda katër mureve, duhet të luftosh, që të mos futesh në rrjedhat e zakonshme, ndryshe u dërmove fizikisht, u sakatove shpirtërisht. Dikush dëshpërohet, bie në apati, bëhet agresiv, çmendet, nënshtrohet, merret me thashetheme, kthehet në ëndërrimtar, iluzionist, bëhet grindavec, mistrec, u futet me pasion lodrave, bixhozit, mëson të lajë rroba, të qepë apo të gatuajë deri në përsosmëri, ose rri pa u larë me muaj, veç për të bezdisur shokun qibar, u hyn diskutimeve të zjarrta që përfundojnë me hidhërime, me rrahje apo me dënim në birucë, mediton, vëzhgon, studion dhe analizon botën e brendshme të njeriut, ose të kujdeset me ditë, me muaj e me vite për insektet dhe kafshët e kampit ose të burgut…” e, mbi të gjitha, ai shquan përpjekjen e të burgosurit idealist për të qëndruar e rezistuar e për t’u përpjekur, së bashku me njerëzit-promethe e me të stërmunduarit nëpër qeli, kthina  minierash, si nëpër ato të Hadit; mbi të gjitha, për të mbetur njeri.

  1. Novela Kur dynden vikingët”

Tema e realitetit tragjik të dënimeve e persekutimeve vazhdon edhe te novela “Kur dynden vikingët”, ku njerëzit mbyllen në çmendinë, apo në kampe përqendrimi gjatë Luftës së Dytë Botërore, por me aluzionin te ngjarjet e realitetit shqiptar, posi në fashizëm. Një denoncim e çon Elenën, kurse të tjerët në kampe. Përshkruhet me mjeshtri avokati von Shvajcer, apo Vikingu I Madh, si i paprekshëm në shkeljet barbare në liritë e të drejtat njerëzore.

Novela “Kur dynden vikingët” prek një prek një gamë të gjerë temash, si lufta, dashuria, tradhtia, sakrifica dhe humbja. E shkruar në kushtet e diktaturës, novela është një alegori për sistemet diktatoriale të majta e të djathta. Vepra fillon me një cita të Jawaharlal Nehru-së: “Fashizmi dhe komunizmi janë vëllezër.” Citati ka për qëllim ta nënvizojë temën e autoritarizmit dhe pasojat e tij, si dhe mënyrat se si ideologjitë ekstremiste ndërveprojnë me njëra-tjetrën për ta krijuar një sistem të mbyllur, të shtypur dhe të kontrolluar. Është një pohim që ngre një pikëpyetje të rëndësishme mbi natyrën e ideologjive dhe praktikat që i karakterizojnë ato. Edhe pse njëra është e majtë dhe tjetra e djathtë, të dyja ndajnë disa elemente të përbashkëta, veçanërisht në mënyrën se si ato ndihen dhe ndikojnë në jetën e njerëzve në shoqëri. Të dyja regjimet kanë një tendencë për të ushtruar një kontroll të madh mbi jetën e qytetarëve dhe për të shtypur disidencën. Në këtë kontekst, citati ndihmon për të hapur një debat më të thellë mbi natyrën autoritare të këtyre ideologjive dhe ndihmon për të reflektuar mbi pasojat që ato kanë për lirinë dhe dinjitetin e individëve.

Ky citat mund të lidhet me përvojat e personazheve që janë të ekspozuar ndaj një sistemi represiv, autoritar dhe të centralizuar, si dhe me kontradiktat që ata përjetojnë për shkak të ndikimit të ideologjive ekstremiste.

Karl Landau rrëfen periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, kur ai shërbeu si mjek në kampet e përqendrimit, duke u kujdesur për të mbijetuarit e Holokaustit. Një nga personazhet më të spikatura që ai takon është një burrë i gjatë dhe i dobët, që nuk flet dhe nuk ka asnjë dëshirë për jetën. Ky është personazh që përjeton traumën që ka kaluar, është figurë tragjike, dhe veprimet e Karlit ndaj tij janë reflektim i përpjekjeve për t’i shëruar dhimbjet e atyre që kanë kaluar përmes tmerrit të Luftës së Dytë Botërore. Historia e Karlit lidhet me kujtimin e tij për periudhën para Luftës, kur ai ishte pjesë e lëvizjes antikonformiste dhe antifashiste gjatë viteve 1920 në Saar, një krahinë që ishte nën administratën e Francës pas Traktatit të Versajës. Ai përshkruan angazhimin e tij në shoqatën “Viking” dhe marrëdhënien me Arnold Kirshe, një shok të ngushtë që luftonte për lirinë e Gjermanisë nga pushtimi francez. Ky angazhim i tij, si dhe dashuria e tij për Erna Volden, vajzën e një fermeri, janë thelbësore për zhvillimin e ngjarjeve që pasojnë. Pas vrasjes së Arnold Kirshe, Landau përballet me humbjen e shokut dhe dëshpërimin e Ernas, e cila nuk mund ta kalonte dhimbjen e humbjes. Ky moment është një pikë kthese për Karlin, që e kupton thellësisht pasojën e luftës dhe humbjes në jetët e individëve të zakonshëm. Ai bëhet pjesë e lëvizjes që lufton për lirinë, dhe jeta e tij merr një drejtim të ri. Karl dhe Erna martohen dhe formojnë një familje, por shenjat e dhimbjes dhe humbjes vazhdojnë t’i shoqërojnë. Personazhi kryesor, Karl Landau, ka kaluar një periudhë të vështirë në jetën e tij, ku është përfshirë në luftë, nëpërmjet shërbimit në ushtri, dhe ka përjetuar humbje dhe vuajtje të mëdha. Historia e tij është e lidhur ngushtë me luftën dhe me personazhe të tjerë që kanë pasur një ndikim të madh në jetën e tij, si Arnold Kirshe dhe Erna, e cila, pas humbjes së të dashurit të saj, është përballur me një vuajtje të thellë dhe ka kërkuar një mundësi për të gjetur qetësi. Karl Landau përpiqet të rindërtojë jetën e tij. Arnold Kirshe është i lidhur ngushtë me Karlin dhe ka një rëndësi të madhe në zhvillimin e ngjarjeve. Ai përfaqëson personazhet që kanë qenë aleatë të ngushtë gjatë luftës dhe kanë kaluar së bashku një periudhë të vështirë. Erna është një figurë që pas humbjes së të dashurit të saj ka përjetuar dhimbje të thella dhe kërkon qetësi. Erna është ndër ato gra që kanë humbur burra dhe të dashur gjatë luftës dhe të cilat përballen me vuajtje emocionale pas këtyre humbjeve. Ajo është gjithashtu e shqetësuar për të kaluarën e saj dhe të dhënat që lidhen me të, përfshirë marrëdhëniet e saj me Baumanët dhe ndikimet që kjo mund të ketë. Fëmijët, sidomos Frici dhe Liza, janë personazhe të cilët janë të lidhur me ngjarjet, dhe ata veprojnë si pasqyrë për realitetin e marrëdhënieve të prishura. Nënë Helena është një figurë simbolike e kujtesës dhe e së kaluarës, dhe ndihmon në zhvillimin e idesë mbi moralitetin, kujdesin dhe familjen. Bauma, si personazh, ka një rëndësi të dytë, por ai është një simbol i së kaluarës dhe i ngjarjeve të ndodhur gjatë Luftës së Dytë Botërore, si dhe pasojave të saj. Ai përfaqëson një element të jashtëm që ndikon në dinamikat shoqërore dhe individuale të protagonistëve.

Personazhet kanë përjetuar humbje, dhimbje dhe trauma nga lufta. Ngjarjet e luftës përshkruhen si të dhimbshme dhe shkatërruese për individët që i kaluan ato, duke krijuar një mjedis emocional të trishtuar dhe të pasigurt. Marrëdhëniet mes protagonistit dhe gruas së tij, si dhe ndërveprimi me të tjerët, me personazhe të tjerë shoqërorë, krijojnë tensione të thella emocionale dhe shoqërore.

Është ky një rrëfim dhe dëshmi e thellë e asaj që ka ndodhur pas Luftës së Dytë Botërore dhe ngjarjet që lidhen me luftën dhe ndarjet që ka shkaktuar ajo. Ai gjithashtu qëmton psikologjinë e atyre njerëzve që kanë kaluar përmes periudhave të dhimbshme, se si këto përvoja ndikojnë në jetën e tyre të mëvonshme, në marrëdhëniet me të tjerët dhe mundësinë për t’i ndihmuar ata që janë në nevojë. Rrëfimi përshkohet nga tensionet emocionale dhe shpirtërore: personazhet t përpiqen ta përballojnë dhimbjen e humbjes dhe ta gjejnë kuptimin e jetës pas luftës. Novela është e pasur me personazhe komplekse, ngjarje të ngarkuara emocionale dhe mesazhe që reflektojnë vlera artistike dhe ideologjike të thella.

Pasojat e Luftës kanë qenë po ashtu të vështira për t’u kapërcyer. Një moment i rëndësishëm është kërkimi i ndihmës dhe ofrimi i mundësive për t’u shpëtuar vuajtjeve të thella psikologjike. Personazhi ka një prirje për t’i ndihmuar të tjerët që janë ende të ngujuar nga dhimbja e luftës.  Pjesët e novelës janë të pasura me detaje psikologjike që tregojnë dhimbjen dhe tensionet e brendshme të personazheve. Kjo është një vlerë artistike e rëndësishme, pasi e cyt lexuesin t’i kuptojë më thellë përvojat dhe ndjesitë e njerëzve pas luftës. Lufta ka simbolikën e vet. Ajo është përshkruar si ngjarje që ka shkatërruar jo vetëm trupat, por edhe shpirtin e njerëzve. Ajo është simbol i dhimbjes dhe traumës që vazhdon të jetojë shumë pas përfundimit të saj.

Autori përdor një gjuhë të fuqishme për të përshkruar ndjesitë dhe emocionet e personazheve, duke ndihmuar në krijimin e një lidhjeje të fortë me lexuesin. Kjo është një vlerë artistike që ndihmon në thellimin e kuptimit të ndjenjave të personazheve. Një nga idetë kryesore është se pasojat e luftës shtrihen përtej fushës së betejës, dhe ndikojnë ndjeshëm në psikologjinë e individëve që kanë kaluar nëpër të. Kjo është një kritikë ndaj asaj që mund të quhet “mbijetesa pas luftës,” ku individët përballen me sfida të mëdha për të rimarrë jetën e tyre të mëparshme. Një tjetër ide e rëndësishme është se pas luftës, njerëzit kanë nevojë për mbështetje, si emocionale ashtu edhe praktike, për të gjetur një rrugë për të kaluar përtej dhimbjes së humbjes. Ndihma ndaj njëri-tjetrit dhe përpjekja për të krijuar një shoqëri më të shëndetshme dhe të mbështetur është thelbësore për procesin e shërimit.

III.

HOMAZH KUJTESE

Në nëntor 1999 u hap Panairi i Parë i Librit në Prishtinë. Me këtë rast merr pjesë me botimet e veta edhe Klubi letrar “VOREA UJKO” nga Klina, i cili qe formuar më 1993 dhe gjatë gjithë kësaj periudhe, Klubi botoi libra letrarë, dokumentarë, publicistikë etj. Stendën e klubit tonë e vizituan ndër të tjerë Ismail Kadare, Dritëro Agolli, shkrimtarë, lexues e miq të shumtë… nën përkujdesjen e botuesit Abdullah Zeneli

Ndër ta, na vizituan edhe akademik Mark Krasniqi (1920 – 2015) dhe Pjetër Arbnori (1935 – 2006) … Foto e bërë më 19 nëntor 1999… Kësaj radhe, në shenjë kujtese për dy figura të mëdha dhe me rastin e shkuarjes në amshim të Mark Krasniqit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok