SHKRIMTARËT NË RRËSHEN, PËR MUSINE KOKALARIN
NGA NDUE DEDAJ
Ka vite që në Rrëshen vijnë shkrimtarë, gazetarë e të tjerë për të kujtuar Musine Kokalarin, që e lidhi fati me këtë qytet për më shumë se dy dhjetëvjeçarë. Dje pritëm rreth dyzet shkrimtarë dhe poetë, që kishin ardhur në gjurmë të Musinesë. Ka diçka të shenjtë në shtegtime të tilla, të “prekësh” sot të djeshmën e trishtuar të saj, pasi shkrimtarja e parë e letërsisë shqiptare ishte sjellë si e internuar në këtë vend, ngaqë ajo ishte disidente, kundërshtare e hapur dhe e përhershme e diktaturës.
Prej 5 vitesh Rrësheni ka një rrugë me emrin “Musine Kokalari” (vendosur nga Bashkia Mirditë), ku qe dhe ndalesa e parë e shkrimtarëve, të cilëve ua uroi mirëseardhjen Imzot Gjergj Meta, ipeshkëvi i Rrëshenit, njëherësh autor librash dhe publicist. Ai u tha atyre se “takimi” i parë i tij me Musinenë kishte qenë në arkiv, ku kishte hasur një projekt-ide të saj të viteve ‘40, që përfshinte poetët Gjergj Fishta dhe Vinçens Prenushi në një libër që do të përdorej për shkollat.
Më tej, në ish – mjediset e Bibliotekës së qytetit në Pallatin e Kulturës, sollëm para të pranishmëve mbresa nga ajo kohë kur Musineja e kishte shtëpinë e librit si një tempull ku “falej” çdo ditë, ashtu siç frekuentonte dhe librarinë e kinemanë e qytetit.
Në Pallatin e Kulturës shkrimtarët vizituan sallën muzeale etnografike të Ansamblit Mirdita dhe ekspozitën fotografike të qytetit në vite.
Pastaj ata u drejtuan për te “baraka” njëkatshe, në afërsi të Agjensisë së Vjetër, ku ka banuar Musineja pjesën më të madhe të kohëqendrimit në Mirditë, që tashmë nuk ka asnjë gjurmë dhe vendi është mbuluar nga ferrat. Rrëshenasit ruajnë shumë kujtime për gruan e pazakonshme të qytetit të tyre, që e kishte sfiduar regjimin me sjelljen e saj të papërkulur. Disa nga këto kujtime i kemi mbledhur drejtpërdrejt nga goja e personave që kanë qenë afër saj si bashkëvuejtës dhe shpresojmë të botohen.
Pas vizitës në Katedralen e Rrëshenit, shkrimtarët u nisën drejt “Kështjellës Duka” në Perlat, ku në sallën e promovimeve të këtij resorti turistik u fol mbi jetën dhe veprën e Musine Kokalarit nga ata që e kishin njohur dhe të tjerë. Veprimtaria u moderua nga poeti dhe gazetari Rexhep Shahu, organizatori kryesor i këtij shtegtimi homazh, bashkë me shkrimtarin Izet Duraku, që drejtojnë Klubin e Poezisë Tiranë dhe botojnë prej vitesh me përkushtim revistën letrare “Yllz”, që ka bërë vend në bibliotekat universitare, publike etj.
Falë nismës së këtij klubi letrar, botues e promovues dhe mbështetjes së biznesmenit Flamur Hoxha, sot deputet i Kuvendit të Shqipërisë, vitet e fundit shkrimtarët kanë shtegtuar dhe në vende të tjera që lidhen me shkrimtarët e martirizuar nga diktatura komuniste; në Kollovoz të Kukësit për Havzi Nelën, në Librazhd për Vilson Blloshmin e Genc Lekën, në Peshtan të Përmet për Trifon Xhaxhikën, në Fishtë për Gjergj Fishtën, në Elbasan për Et’hem Haxhiademin e Lef Nosin, për të mos u ndalur me Musinenë në Rrëshen, por për të vazhduar në të ardhmen me Vinçens Prenushin në Durrës, Dom Ndre Zadejën e At Anton Harapin në Shkodër etj. Diku është ndërtuar shtëpia e një poetit martir, diku tjetër është ngritur një memorial etj.
Në mjediset e “Kështjellës Duka”, ku u shtrua dreka për të pranishmit, avokat Alfred Duka, studiues i historisë dhe bashkautor i serisë monografike kushtuar Dom Shtjefën Kurtit, i njohu miqtë me disa dokumente autentike të kohës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, që lidhën me abatin, gjeneralin dhe diplomatin e tij, Pjetër Perlati, shtatorja e të cilit është lartësuar kohët e fundit në mjediset e kësaj “kështjelle” unikale për nga arkitektura në krejt hapësirën shqiptare.
Rrëshen, 23 qershor 2022