23/12/2024

SHKOLLA SHQIPE E VITIT 1889 NË MARTANESH

0
Kongresi-Shkollave-1909-1

Nga Lutfi ALIA

Malësorët e Martaneshit, historikisht janë shquar për patriotizëm, kulturë dhe arsimdashës. Gjatë mesjetës ashtu si në te gjitha vendet europiane dhe në trevën e Martaneshit, shkollat funksiononin në mjediset e kishave. Nga shekulli VI e në vazhdim, Abacia Benedektine Shën Maria Hyjëlindëse e Martana (nga 1550 Martaneshi), kishte dhomat e shkrimit – scriptorium monasticum, ku murgjërit vendas realizonin dorëshkrime të ungjillëve, kodikë, mesharë, inkubula, epistolare, tekste katekizme, formula pagëzimi, regjistra të lindjeve dhe të vdekjeve të banorëve, regjistra celebrimi martese, tekste lutjesh etj. Kjo abaci dhe katedralia e Shen Gjon Pagëzorit, kishin bibliotekat dhe shkollat e arsimimit të fëmijëve, si dëshmojnë ipeshkëvët që kanë shërbyer në këtë trevë. Studiuesi Valter Shtylla thekson se në Abacinë Shën Maria Hyjëlindëse ishte dhe seminari për përgatitjen e priftërinjve të rinj arbëror, të cilët më pas vazhdonin studimet në teologji në Padova dhe qytete të tjera italiane. [Valter Shtylla, Të dhëna mbi identifikimin e Abacisë së Shën Mërisë  në Martanesh, Formula, 78.]

Në vitin 1594, At Aleksander Kumuloviç, arbërorët Tomë Pelessa dhe prifti Amano Duka, gjatë vizitës në Martanesh, në Abacinë e Shen Aleksandrit në Val, organizuan kuvendin e prijësve arbëror për organizimin e kryengritjes anti-osmane, si dhe shpërndanë tekstin e katekzimës në gjuhën shqipe, të shtypur në  Kolegjin e Loretos. [Miroslav Vanino, Vela i prinosi. Nova Tiskara. 1986, pp. 112 – 118. Botuar në revistën “Orientalia Christiana Periodica. Roma Nr. 1, 2004]

Pra krahas pagëzimit në gjuhën arbërore me formulën e pagëzimit të Ipeshkëvit Pal Engjëlli dhe katekizma në Martanesh zhvillohej në gjuhën e arbërorëve. Në shekujt XVII – XVIII, kishat e Martaneshit të Dioqezës së Kunavisë, kishin veprat në gjuhën arbërore të Pjetër Budit (botuar ne Roma më 1636 – 1640), veprat e Pjetër Bogdanit (Botuar në Padova në vitin 1685) dhe veprën “Osservazioni gramaticali nella lingua Albanese”, botim i vitit 1716 nga Françesko Maria da Lece, si dëshmohet në relacionet e ipeshkëve të Kunavisë, dërguar Propogandës Fide në Roma. [L. Alia. Shkollat në gjuhë shqipe, Dixit 2, botimet M&B, 2017, faqe 50 – 54]

Atdhedashuria, arsimimi dhe ruajtja e kulturës arbërore, ishin faktorë me rëndësi, për mbijetesën, ruajtjen e gjuhës amëtare dhe të identitetit kombëtar të popullit tonë. Në  periudhën e vështirë të pushtimit pesë shekullorë nga Perandoria Osmane, populli yne i rezistoi presioneve të adminsitratës turke, që synonte të shkatërronte identitetin tonë kombëtar. Në fund të shekullit XV, sulltan Bajaziti II, urdhëroi përdorimin e detyrushëm të gjuhës osmane në administratë. Sulltan Sulejmani I Kanuniu, me ligje të rrepta urdhëroi mbylljen e shkollave arbërore, ndërsa më 31 maj 1775, sulltan Abdyl Hamiti I, nxorri fermanin famëkeq, për ndalimin e të folurit dhe shkrimin në gjuhën arbërore. Megjithë këto vendime të egra për të shkatërruar identitetin tonë kombëtarë, populli ynë i rezistoi reprazaljeve të administratës osmane, eruajti gjuhën, traditat, doket dhe kulturën autoktone. Deri në vitin 1886, në trojet arbërore kishte mbi 2000 shkolla në gjuhët osmane, greke, bullgare, serbe dhe italiane, por nuk kishte asnjë shkollë në gjuhën arbërore. Kontributi i atdhetarëve të Rilindjes tonë Kombëtare Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Thoma Avrami, Nuçi Naçi etj., u konkretizua më 7 mars 1887, me hapjen në Korçë të mësënjëtores së parë të gjuhës shqipe, një akt i lartë patriotik për përhapjen e diturisë dhe rizgjimin e ndërgjegjies sonë kombëtare. Rilindasit tanë hartuan tekstet e para për nxënësit e kësaj shkolle dhe të tjerave që u hapën në vazhdim, kështu Sami Frashëri në vitin 1886 botoi “Abetare e Gjuhës Shqype” dhe librin e gramatikës shqipe; Jani Vreto hartoi librin e arithmetikës; Naim Frashëri librin e historisë etj, etj. Tekstet mësimore shquheshin për nivel didaktik, për përmbajtje kulturore dhe patriotike dhe u përdorën në shkollat e tjera që u hapën në vazhdim në Ohër, Pogradec, Elbasan, Manastir, Reka, Ersekë, Prizren etj, etj. Nxënësit e këtyre shkollave u formuan me dije, u edukuan me frymë të lartë atdhedashurie, u bënë dishepuj të denjë të ideologjisë sonë kombëtare, shumë prej tyre u bënë mësues dhe përhapën diturinë në trojet mbarë shqiptare, shumë të tjerë u bënë luftëtarë të devotshëm në luftën për pavarësinë nga Perandoria Osmane.

Treva e Martaneshit, historikisht ka qenë në vartësi administrative të Elbasanit. Malësorët e kësaj treve të thellë malore kishin raporte miqësie dhe bashkëpunimi me patriotët elbasanas, si me Aqif Pashën, Ahmet Daklin, Ali Hysen Çaushin, Ali Çeliramën, Ymer Bej Ohri etj, të cilët kishin ndikuar, që martaneshasit të përfshihen në të gjitha lëvizjet patriotike për pavarësi dhe progres shoqëror dhe në lëvizjen për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe. [Hilmi Dakli, Ahmet Dakli, botimi II 2017, faqe 45 – 47]

Shprehje e kësaj vartësie dhe bashkëpunimi arsimoro-kulturor, është nëndialekti i gegënishtes të “ëmbël” të

Martaneshit,  njëlloj si e folmja elbasanase. Nё ruajtjen e vlerave patriotike, kulturore dhe arsimore të martane-shasve, ka ndikuar Urdhëri Mistik dhe autonom i Bektashijve, i shquar per karakterin liberal, tolerant, paqёsore, arsimdashës dhe patriot. Që në zanafillat e përhapjes në trojet shqiptare, bektashizmi i ka kryer shërbesat dhe ritet fetare, vetëm në gjuhën shqipe, ndryshe nga besimet e tjera fetare. Naim Frashëri ka thënë: “Bektashizmi është filozofi e shprehur në besim, në letërsi, në art, në arkitekturë, në mënyrën e jetesës, në patriotizëm dhe në shqiptarizëm”. Personifikim i këtyre virtyteve ishte Jashar Krena, Babai i Teqeve të Martaneshit, i cili u shqua në organizimin e lëvizjeve kundër turqëve, ashtu dhe në hapjen dhe funksionimin e shkollës së parë shqipe në këtë trevë të thellë malore.

Shkolla e parë në gjuhën shqipe në vitin 1889.

Në mars të vitit 1889, Baba Jashar Krena mori leje në administratën e Sanxhakut të Elbasanit, të hapte shkollën Sibjan-mejtepi, tip shkolle fillore ku mësoheshin elemente fetare islame, shkrim-lexim në osmanisht dhe arithmetikë, por “fshehurazi” mësohej dhe shkrim – këndim në gjuhën shqipe. Gjuha dhe kultura islame nuk praktikoheshin në ritet fetare të bektashijëve, sepse si theksuam, bektashijtë i zhvillonin vetëm në gjuhën shqipe, andaj Baba Jashari me dëshirën e madhe për t’iu dhënë fëmijëve dituri dhe kulturë arbërore, organizoi dhe mësimin në gjuhën shqipe në këtë shkollë, që funksiononte në një dhomë në katin e parë të ndërtesës të Tqes së Madhe në fshatin Peshk.

Historikisht, kjo është shkolla e parë në gjuhën shqipe e Martaneshit, e hapur në mars 1889 Baba Jashari mori mësues dibranin Haxhi Kola, të cilit i paguante rrogë me 100 grosh në muaj, i garantonte ushqimin dhe fjetjen në mjediset e Teqes së Madhe. Mësuesi Haxhi Kola i’u mësonte fëmijëve shkrim-këndim në gjuhë shqipe. Nxënësit e parë të shkollë së Martaneshit ishin Sul Leka, Myslim Grrica, Rrem Çela, Sul Cuka, Kamber Haslika, Murat Zhaboli, Hasan Gjoni, Ramiz Kotja, Beqir Zhaboli, Haxhi Gjyla, Shaqir Alhasa, Lam Cani, Isuf  Kenga, Musa Alhasa, Bajram Bami, Ramiz Gjyla, Dik Peshku, Emin Kurti. Shkollën e frekuentonin dhe dy dervishët martaneshas Ramadan Cani e Avdi Cuka, që ishin në shërbim të Teqeve të Martaneshit. [Selim Kaliçani, Historia e baballarëve të Teqes së Martaneshit. Tiranë, 1997]

Abetarja e Gjuhës Shqipe e Sami Frashërit, botuar ne Bukuresht në vitin 1886, e përdorur nga nxënësit e shkollës së Martaneshit dhe fragment nga vepra në gjuhë shqipe “Qerbelaja” e Naim Frashërit.

Në verën e vitit 1889, në Martanesh erdhi Said Najdeni, miku i Baba Jashar Krenës. Saidi (Hoxhë Voka), gjatë vitit 1888 kishte hapur disa shkolla në Dibër, ku iu mësonte djalërisë shkrim-këndimin në shqip. Në këto shkolla Said Najdeni shpërndau abetaren e Sami Frashërit (botuar më 1886 në Bukuresht), madje i  dhuroi disa abetare Baba Jasharit dhe ashtu si në shkollat e Dibrës dhe në Martanesh, mësuesi patriot Said Najdeni përhapi kumtin e zgjimit kombëtar dhe si raportonte konti A. Kral, konsulli austro-hungarez në Manastir: “Me këtë abetare, mësuan të shkruanin në gjuhën shqipe me qindra banorë”. Në bisedat me banorët Said Najdeni theksonte: “Me gjuhën shqipe ruhet mëmëdheu, me shkollën mirësohet kombi!” [M.H.D; Said Najdeni (Hoxhë Voka, Fondi XII/1, Dosje patriotësh, Dosja nr. 495]

Më 30 mars 1895, me rikonstruktimin e Teqes së Madhe në Peshk, në katin e parë u përgatit një dhomë me hapsirë më të gjërë dhe më kushte më të mira, për të sistemuar numër më të madh nxënësish. Abetaret, librat e shtypura me alfabetin shqip të Stambollit dhe fletoret, i dërgonte Said Najdeni, madje në vitin 1900 i dhuroi shkollës së Martaneshit dhe abetaren që kishte hartuar ai vetë, si dhe veprën në shqip “Qerbelaja” e Naim Frashërit, e botuar në Bukuresht në vitin 1895. Ky libër, i shtypur me alfabetin e Stambollit është ruajtur nga Shaban Kotja, çka dëshmon se në fund të shekullit XIX, djemtë martaneshas, që kishin frekuentuar shkollën në gjuhë shqipe, lexonin këtë vepër dhe vepra të tjera të rilindasve. [Hysa M. Said Najdeni – Hoxhë Voka, veprimtari i Lëvizjes dhe Rilindjes Kombëtare. Harper Woods: Albanian Islamic Center, 1992, f. 3-5] [Lutfi Hanku. Baba Jashar Krena, bektashiu që beri histori në Martanesh. Gazeta Bulqiza, Nr. 1. Maj 2015].

Në vitet 1895 – 1900, në mbështetje të shkollës së Martaneshit, ndihmoi patrioti Hamdi Ohri, i cili sa herë vinte për të takuar Baba Jasharin, sillte abetare dhe tekste shkollore në gjuhën shqipe. [Eugen Shehu. Hamdi Bej Ohri, i kundërvihej politikës mashtruese të Tuqëve të rinjë. Bota sot, dhjetor 2015]

Nga viti në vit, shtohej numëri i nxënësve. Ndër djemtë martaneshas, që frekuentuan shkollën në vitet 1900 – 1905 ishin: Sali Feza, Veli Hidri, Rrem Rrushi, Haxhi Bami, Rrem Gjyla, Hysen Demiri, Murat Koçi, Rustem Zguri, Sul Gjoni, Halil Rrushi, Kamber Peshku, Hysen Kenga, Ram Dervishi, Beqir Dervishi, Riza Kenga, Korb Leti etj, etj. Sali Feza, i cili e kish filluar mësimet ne klasën e parë në vitin 1900 tregonte:“Mësimin e fillonim me lexim dhe shkrim në shqip. Lexonim abetaren me zë të lartë. Nuk kishim lapsa as fletore, por sejcili prej nesh kishte nga një pllakë, ku shkruanim me shkumës, që mësuesi i përgatiste me copa guri gëlqeror, që i mblidhte në shpellën e Mansit. Mësuesin e thërrisnim Efendi. Ishte tepër i rreptë. Na binte duarve me thupër thane kur përgjigjeshim gabim, ose kur bënim ndonjë prapësirë. Mësimi më i vështirë ishte arithmetika, por më shumë na pëlqente historia, se dëgjonim tregimet për  luftat  e  Skenderbeut,  për lidhjen e Prizrenit dhe sidomos për vëllezërit Frashëri, që ishin bektashij të shquar”.

Prill 1902 – Tubimi i Martaneshit për hapjen e shkollave të reja në gjuhë shqipe.

Në prill 1902, në Teqen e Ballejës, u organizua një tubim me patriotët nga Dibra, Shkodra, Elbasani, Tirana dhe Mati, të cilët diskutuan çështien e hapjes dhe të funksionimit të shkollave në gjuhën shqipe, një ndër problemet e mprehta të çështies kombëtare. Në takim morën pjesë: Aqif Pasha dhe Ahmet Dakli nga Elbasani, Dom Ndre Mjeda nga Shkodra, Abdi Toptani dhe Murat Toptani nga Tirana, Rexhep Pashë Mati nga Mati, Hasan Moglica nga Okshtuni, Said Naideni nga Dibra dhe Baba Jashar Krena i Martaneshit.

Dom Ndre Mjeda në kujtimet e tij tregon: “E përgëzuam Baba Jasharin për aktivitetin e shkollës së gjuhës shqipe në Martanesh dhe mes nesh shkëmbyem mendime dhe sugjeruam, që në shkollat e gjuhës shqipe që ishin hapur në shumë treva, të  përdorej alfabeti i Stambollit, i hartuar nga Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqipe, e themeluar në vitin 1879”. Në ato vite, ishin në përdorim disa alfabete si i Zef Jubanit i vititi 1860 me 36 germa, alfabeti i arbëreshëve i miratuar në vitin 1895 në Kongresin Gjyhësuer Shqiptar në Koriliano – Itali, alfabeti i shoqërisë “Bashkimi” i vitit 1899, alfabeti i shoqërisë “Agimi” i vitit 1901, ashtu si përdoreshin edhe alfabete me grafema greke, me hieroglife turke dhe arabe. Pjesëmarrësit në këtë tubim njëzëri vendosën, që krahas shkollave ekzistuese, të hapeshin dhe shtatë shkolla të tjera në Diber, në Mat dhe në fshatrat e Tiranës. [Dylejman Karaj. Treva e Matit, vendi ku lindi shtetari reformator, që çimentoi themelet e Pavarësisë se Shqipërisë. Burrel, 2012] [L. Alia. Dixit 2, Kongresi gjuhësuer Shqiptar, i vitit 1895. Tiranë 2017, faqe 63]

Alfabetit të gjuhës shqipe në Kongresin e Manastirit – nëntor 1908.

Me iniciativën e shoqërisë “Bashkimi”, më 14 – 22 nëntor 1908, në Manastir, u mblodh Kongresi i Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Në këtë tubim patriotik, dijetarët shqiptarë unifikuan dhe njëzëri miratuan alfabetin e gjuhës shqipe, atë që përdorim aktualisht dhe njëkohësisht, kongresi vendosi, që në trojet shqiptare të hapen sa më shumë shkolla laike shqipe dhe të riorganizoheshin ato ekzistuese, të veprohej për çeljen e një shkolle normale për pergatijen e mësuesve, ashtu si sugjeruan detyra organizative në lidhje me veprimtaritë botuese. [Aleks Buda. Alfabeti i gjuhes Shqipe dhe Kongresi i Manastirit 14 – 22 nëntor 1908. Studime, materiale, dokumenta. Tiranë 1972] [Tomorr Osmani. Historia e alfabetit. Udha e shkronjave shqipe. 1999, f, 461- 96]

Gjatë vitit 1908, Shoqëria “Bashkimi” krijoi një komision për mbledhjen e ndihmave për shkollat shqipe në Sanxhakun e Elbasanit, për blerjen e librave dhe pagesën e rrogave të arsimtarëve. Adminsitrimi i këtyre fondeve është pasqyruar me dëftesa pagese nga vëllezërit Dakli, të cilët në regjistrin e llogarisë të dhjetorit 1908, kanë prezantuar listën e pagesës të rrogave të mësuesve të 13 shkollave të kazasë të Elbasanit, të tre shkollave të Shpatit dhe të shkollës së Martaneshit. [Hilmi Dakli, Ahmet Dakli, botimi II 2017, faqe 31 – 36]

Pas shpalljes se Konstitucionit turk, rezulton se në vitet 1908 – 1909, Qarku i Elbasanit, krahasuar me trevat e tjera shqiptare, kishte hapur më shumë shkolla për mësimin e gjuhës shqipe, ashtu si kishte aktivizuar shumë mësues në shkollat ekzistuese dhe për shkollat e reja që po hapeshin në fshatrat.

Në kuadrin e forcimit të shkollave ekzistuese, Shoqëria Bashkimi e Elbasanit, në mars të vitit 1909, dergoi në shkollën e Martaneshit mësuesin Hasan Hoxholli, bektashi dhe myhib i Teqes të Elbasanit, por kishte qenë mësuesi i shkollës fillore “Hamidije” në qytetin e Elbasanit. Baba Jashari i Teqeve të Martaneshit, e mirëpriti mësues Hasanin dhe i garantoi ushqimin dhe fjetjen në mjediset e Teqes, ndërsa rrogën ia paguante Shoqëria “Bashkimi” e Elbasanit. Gjatë viteve që shërbeu në Martanesh, mësues Hasan Hoxholli ndikoi në shtimin e numërit të fëmijëve në shkollë. Në vitin 1909 në shkollën e Martaneshit u regjistruan 22 nxënës dhe në vitet pasuese u shtua dhe më shumë numëri i tyre.

Gazeta “Bashkimi i Kombit” për Baba Jasharin dhe shkollën shqipe në Martanesh.

Për kontributet patriotike të Baba Jashar Krena dhe për shkollën e gjuhës shqipe në Martanesh, patrioti elbasanas Kamo Sejdini botoi një shkrim në gazetën e përjavëshme “Bashkimi i Kombit” e ditës së enjte 22 tetor 1909, No 7. Artikulli është shtypur në dy pjesë: një si kryeartikull, në qendër të faqes së parë me germa më të mëdha se të gjithë artikujt e tjerë dhe krah tij i njëjti shkrim me germa të vogla, si ato të artikujve të tjerë. Kjo gazetë botohej në Manastir dhe ndonëse ky numër i gazetës dilte një vit pas Kongresit të Manastirit, i cili miratoi alfabetin e unifikuar të gjuhës shqipe, redaksia vazhdonte të shtypte artikujt me alfabetin e Stambollit, megjithatë kjo rrethanë nuk ia ul vlerat kësaj gazete e përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave të kombit, si shkruhet në testatën (Mbron të drejtat Kombjare).

Artikulli i Kamo Sejdinit titullohet: “Baba Jashari në Martanesh” dhe fillon me paragrafin: “Para se të bëjmë fjalë për kët Atë të Shenjtë, do flasim për katunin Martanesh” dhe pasi përshkruan bukuritë natyrore dhe pyjet e kësaj treve, vazhdon: “ Në këtë katund kaq të mirë, gjindet një vend i veçantë, i cili shkëlqehet me jetën e At Jasharit. Ky plak fytyrqeshun dhe shpirtmadh, asht i pari i atyne atdhetarëve, që dëshirojnë përparimin e kombit me punë të mëdha”. Në paragrafin në vazhdim Kamo Sejdini shkruan: “… sot Martaneshi … me fuqinë e madhe të Atit të Uruar, ka një mësënjëtore ku flitet shqip. Kemi shumë shpresë se kjo dritë e ndezme me dorën e këtij plaku zemërgjanë, do shkëlqejë të gjitha ato vende, që duan shkëlqimin e kësaj flake shpëtimtare”.

Në këtë artikull, patrioti Kamo Sejdini me krenari thekson se Martaneshi ka mësënjëtore vetëm në gjuhën shqipe, shkollë e themeluar nga Ati i uruar Baba Jashari. Tekstualisht në artikull theksohet qartë:… Martaneϭi me fuqinë e maɗe të Ates te urumun ka ŋɛ mɛŋɛtore fjeϭt Ƈqip. Kemi ϭume ϭprese se kjo drit etj, etj“

Në asnjë rrjesht të këtij artikulli nuk thuhet se kjo është shkolla e parë në Martanesh, si e ka interpretuar në mënyrë diletanteske dhe padrejtësisht ndonjë autorë. Të shtosh fjalë dhe fraza që nuk nuk janë pjesë e artikullit origjinal, është veprim i gabuar dhe deformim i fakteve historike.

Kongresi i Elbasanit – shtator 1909

Në zbatim të detyrave të Kongresit të Manastirit, me nismën e e shoqёrisё “Bashkimi”, mё 2 – 10 shtator tё vitit 1909, u mblodh Kongresi i Shkollave Shqipe, i njohuri Kongresi i Elbasanit, i cili vendosi hapjen e Normales, e para shkollё e mesme në gjuhë shqipe, e cila në vitet në vazhdim përgatitit mijëra mësues, që përhapën dituri dhe kulturë në të katër anët e atdheut tonë. Kongresi i zhvilloi punimet në ndërtesën historike të shkollës së Kalasë, me delegatë nga të gjitha trevat shqiptare. [Mit’hat Frashëri; Ditaret “Gjashtë javë në Shqipëri”, botuar në Gazeta “Lirija” 1909 – 1910, Sofje – Bullgari] [Majlinda Peza Perriu. Mbi veprim-tarinë e degës të klubit “Bashkimi” në Elbasan dhe në trevat e tij. Aktet IV, 4;, 2011, 728 – 735]

Kongresi i Elbasanit u mblodh nё situatë tё tensionuar nga politika antishqiptare e xhonturqёve, tё cilёt jo vetëm nuk i mbajtёn premtimet, por i shtuan masat shtypёse ndaj shqiptarёve dhe kryengritёsve. Në këto situata të tensionuara, për të siguruar mbarëvajtjen e punimeve të kongresit, patrioti Aqif Pasha dërgoi në Martanesh Ahmet Dakli, i cili e ftoi çetën e Martaneshit të mbronte delegatët dhe të siguronte mbarvajtjen e punimeve të Kongresit. [L. Alia, Martaneshi në vite lufte 1939 – 1944, Tiranë 2018, faqe 111 – 112]

Shkolla e Martaneshit në vitet 1910 – 1913

Hapja e shkollave shqipe në shumë treva të vendit, i acaroi xhonturqit, të cilët jo vetëm nuk i respëktuan premtimet, që iu kishin bërë shqiptarëve për t’iu dhënë autonomi dhe të drejtën e hapjes të shkollave shqipe, por mbyllën shumë shkolla dhe arrestuan e burgosën disa nga mësuesit.

Në një shkresë të 17 shkurtit 1910, adminsitrata turke e Vilajetit të Manastirit, i urdhëronte të gjitha strukturat

vartëse të sanxhaqeve, kazave dhe nahijeve, të mos përdornin alfabetin e ri të gjuhës shqipe, madje theksohej me prepotencë: “Të protestohet kundër lejes, për përdorimin e shkronjave latine të alfabetit të ri të arnautëve”. [Arkivi i Shkupit. Dokumenti nr 74, 17 shkurt 1910: dosja I: 19, fletët 173 – 207 – 208]

Ky urdhër u përkrah nga disa prej imamëve synitë, por jo nga besimtarët bektashi të trevës të Martaneshit. Shkolla fillore e Martaneshit i mbijetoi reprazalieve xhonturke, pasi aktiviteti i kësaj shkolle zhvillohej brenda mjediseve të Teqes dhe mbrohej nga autoriteti i Baba Jashar Krena dhe më pas i Baba Hajdarit. Këto rrethana garantuan vazhdimësi të shkollës, e cila u mbështet nga populli i kësaj treve dhe nga shumë patriotët bektashij, ndër të cilët Baba Meleq Shëmbërdhenji, atdhetar i shquar dhe poet, i cili në verën e vitit 1910, gjatë vizitës në Martanesh bashkë me abetaret, librat dhe fletoret pruri dhe poezitë e tij në gjuhë shqipe, që lexoheshin në shkollë dhe në aktivitet fetare të teqes.

Shkolla e Martaneshit vazhdoi të funksiononte rregullisht në vitet 1911 – 1912, si tregon historiani Themistokli Pollo, i cili në gusht të vitit 1912, gjatë udhëtimit për në Elbasan, bujti te Baba Hajdari në Teqen e Martaneshit dhe për takimet me malësorët, në kujtimet e tij, ndër të tjera shkruan: “Martaneshasit mikpritës më kërkuan t’iu dërgoja flamuj dhe sa më shumë abetare”. [Themistokli Pollo. Në kryengritjen e përgjithshme të vitit 1912: Libri “Lufta për çlirimin komëtar në vitet 1878 – 1912, Tiranë 1962]

Kjo dëshmi e Th. Pollo, shpreh qartë shpirtin patriotik dhe arsimdashës të malësorëve të Martaneshit, që kërkonin t’i arsimonin dhe t’i edukonin fëmijët me dije dhe kulturë.

Në qeverinë e miratuar nga Kuvendi Mbarëkombëtar i Vlorës më 4 dhjetori 1912, ministri i arsimit u emërua Luigj Gurakuqi, i cili ka meritat e krijimit të shkollës kombëtare shqiptare dhe të sistemit arsimor. Në drejtimin e Gurakuqit u aprovuan ligjet, që vunë themelet e sistemit  arsimor  shtetëror  dhe  arsimimin  e  detyrueshëm për djemte dhe vajzat. Ministri Gurakuqi, organizoi administratën arsimore shqiptare, hartoi dokumentacionin për funksionimin e shkollave dhe ngriti një sistem kursesh, për përgatitjen dhe kualifikimin e mësuesve. Gjate vitit 1913, në të gjitha komunat e Shqipërisë u hapën shkollat fillore shtetërore, në fshat 3 vjeçare, ndërsa në qytet 4 vjeçare dhe me frekuentim të detyrueshëm nga fëmijët e moshës 7 vjeç. Krahas hapjes të shkollave të reja u konsoliduan shkollat ekzistuese, ndër ato dhe shkolla fillore e Martaneshit, e cila nga ky vit e në vazhdim, u përfshi në sistemin e arsimit shtetëror të detyrueshëm. Gjatë vitit 1913, shkolla vazhdoi të funksionoi rregullisht në mjediset e Teqes, në pritje të ngrihej ndërtesa e re, si kishte urdhëruar qeveria e Vlorës, për ndertimin e institucioneve të administratës vendore dhe të ndërtesave të shkollave laike. [Historia e Popullit Shqiptar, Botimi Toena, Tiranë 2007] [Eqerem Bej Vlora. Kujtime 1885-1925. Botime “Shtëpia e librit & Komunikimit”, Tiranë 2003].

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok