14/12/2024

Shkolla Shqipe “Alba Life” Ambasadori i Kombit në ditën e parë për vitin akademik 2021-2022 në Queens

0
Kozeta-Alba_Life2

Nga Keze Kozeta Zylo

Ndonëse shtatori ka qenë traditë për ditën e parë të shkollave shqiptare në viten e ri mësimor, pandemia botërore vuri shumë kushte dhe pengesa në këtë drejtim.  Sidoqoftë Shkolla Shqipe “Alba Life” e sfidoi me kulturë dhe profesionalizëm pandeminë duke qenë e para në Diasporë për të filluar programin në platformën mësimore në Online.  Shkolla Shqipe “Alba Life” pasi filloi vitin akademik 2021-2022 në lagjet e Nju Jorkut si në Staten Island, Bronx, Brooklyn, Online, e rihapi dhe në Queens në mjediset e shkollës publike amerikane PS:88 në Ridgewood.

Bordi i shkollës në bashkëpunim me mësueset Enriketa Bilali, Vjosa Elezaj Morina si dhe asistenten Eriola Shahaj, punuan fort për të filluar mësimin shqip për fëmijët e bashkatdhetarëve tanë në Diasporë. Më duhet të vecoj dhe të falënderoj mësuese Enriketën që së bashku me z.Zylo punuan me dokumentacionin për të marrë me qira mjediset në shkollën publike amerikane, ndonëse me një qira të shtrenjtë.  Dita e shtunë ishte një dite e dielltë që të lëbyrte sytë, të ngrohte shpirtin dhe zemrën saqë dukej sikur Perëndia e kishte sjellë këtë te ditë të magjishme në ditën e parë të mësimit shqip.  Edhe mundet, i besoj shpeshherë mistikes.  Oborri i shkollës cicërrinte nga zërat gazmorë të fëmijëve dhe ata mezi prisnin të ngjiteshin në klasat e tyre.  Mësueset i kishin marrë të vendosur në rresht dhe ashtu të bukur dhe të lumtur u shfaqën para klasës.  Në dërrasë ishte shkruajtur urimi: “Mire së erdhët nxënes te dashur për të mësuar Shqip!”

Drejtori dhe themeluesi i Shkollës Shqipe z.Qemal Zylo i përshëndeti prindërit, nxënësit dhe mësuesit për ditën e parë të mësimit për vitin akademik 2021-2022 dhe iu ka uruar vit të mbarë.  Ai iu tha prindërve për sigurimin e kushteve organizative për mësimdhënie dhe fazave të mësimit si dhe përzgjedhja e formave mësimore didaktike, te punës, lojës, ushtrimit ose përsëritjes.  Z.Zylo falënderoi me plot mirënjohje dhe respekt mësueset e reja si Enriketën, Vjosën dhe Eriolën qe i janë afruar programit serioz të Shkollës Shqipe “Alba Life” e cila ka si qëllim mësimin shqip, si një mision kombëtar.

Z.Zylo iu shperndau librat e abetares dhe fletoret e punës për këtë vit, libra që i kemi sjellë vetë me valixhe nga Atdheu ose me postë, pasi librat nga Shtëpia botuese e Diasporës me drejtore znj.Mimoza Hysa nuk kanë ardhur akoma në Amerikë, edhe pse kërkesa e z.Zylo ka qenë konstante e vazhdueshme dhe në kohën e duhur.  Kritikën ia ka përcjellë direkt gjatë intervistës zonjës Hysa në RTSH e cila ishte jashtë loje duke thënë me eufori se kemi shpërndarë libra në gjithë diasporën, ndërkohë asnjë libër s’kemi marrë për këtë vit në Amerikë.  Burokracia dhe vonesa e librave na pengon në mbarëvajtjen e mësimit dhe e bën më të lodhshme punën e mësueseve patriote, si dhe largon prindër të ndryshëm.

Të tria mësueset me plot emocion përshëndetën nxënësit e tyre të dashur dhe premtuan se do të punojnë me plot përkushtim dhe dashuri për t’ju mësuar atyre gjuhën mjaltë të shqipes.  Mësuese Enriketa kishte përgatitur skeda në shqip për nxënësit dhe ajo më kryesorja ishte me Flamurin dhe shqiponjën për t’ju mësuar atyre simbolet kombëtare.  Prindërit thanë fjalë miradie për Shkollën Shqipe “Alba Life” dhe ishin shumë të kënaqur që do t’i sillnin fëmijet e tyre pranë kësaj shkolle.  Ajo që më bën gjithmonë përshtypje është se të gjithë prindërit kur flasin kanë një emërues të përbashkët: t’ju mësojmë shqip dhe i shpëtojmë femijët nga qëndrimi i gjatë ulur mbi Ipade…

Gjate intervistës me disa nxënës që dinin të flisnin relativisht shqip më thanë se e kishin ëndërr të mësonin të flisnin shqip pasi shumë gjyshër të tyre nuk dinin anglisht dhe ndiheshin shumë keq që nuk kuptonin përkëdhelitë e tyre.  I dëgjoja dhe i pyesja me shumë vëmendje, fjalët e tyre kanë një jetë që më magjepsin.

Alba Life me një përvojë të suksesshme në mësimdhënie ka arritur t’i përdorë me efikasitet strukturimin e mësimit si fillimin e një ore mësimore, zhvillimin, mbështetjen, përdorimi i mjeteve dhe burimeve mësimore, në media mësimore .

Jam e sigurtë se këto mësuese shumica të licensuara nga shteti amë do të punojnë me profesionalizëm ashtu si deri tani me teknikat mësimore, metodat didaktike që do t’i pasqyrojnë me metodat të mësimdhënies që çojnë domosdoshmërisht në zhvillimin mendor për t’i bërë ata më konfident për të folur gjuhën e nënës, Gjuhën tonë Shqipe.

Dita e parë e shkollës për vitin akademik 2021 2022 do të ngelet e paharruar në kujtesën e nxënësve vecanërisht për të tria mësueset e reja si dhe nxënësit e rinj që u ulën për herë të pare në bangat e shkollës shqipe.

Pas mësimit u ulëm me me mesuese Vjollcën e cila ushtron mësimin në Online dhe me të tria koleget e punës  për të pirë një kafe dhe për të biseduar rreth programit, punëve të ndryshme që do të kemi për vitin akademik 2021-2022.

Dita e parë ishte e bukur, dhe siç thonë të moçmit fillimi i mbare është gjysma e punës.

16 tetor, 2021

Queens, New York

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok