10/11/2024

Shkolla Shqipe “Alba Life” “Ambasador i Kombit” në Staten Island filloi vitin shkollor akademik 2019-të–2020-të

0

Nga Keze Kozeta Zylo

Në Staten Island Shkolla Shqipe “Alba Life” që ka shkolla shqipe pothuajse në të gjitha lagjet e Nju Jorkut, filloi mësimin e gjuhës shqipe për vitin shkollor akademik 2019-të – 2020-të.

Shkolla Shqipe “Alba Life” në Staten Island hyri në vitin e 12–të dhe ka një përvojë të jashtëzakonshme në këtë program të mësimit të gjuhes shqipe pas programit amerikan.  Në këtë ishull të mrekullueshëm me një larmi komunitetesh nga gjithë rruzulli është shumë i rëndësishëm dhe komuniteti shqiptaro amerikan të cilët kanë dekada që kanë emigruar dhe janë integruar plot dinjitet në botën amerikane.

Ndonëse shumica e nxënësve në Shkollën Shqipe “Alba Life” janë lindur dhe rritur ne Amerike, prindërit e tyre kanë shumë interes që fëmijët, nipërit dhe mbesat mos ta harrojnë kurrë gjuhë shqipe.  Ata i sjellin me një dashuri të pakufishme pranë shkollës, sidomos nxënësit e mëparshëm vinë me shumë dëshirë dhe nuk mund të presin derisa ju vjen e shtuna e gjuhës shqipe.

Ja më tha një prind, Albana Granica e cila vjen që nga Nju Xhersi, mamaja e  Onidës, ajo s’mund të duronte derisa mbërritëm në shkollë.  Ndërkohë nxori nga xhepi i çantës celularin dhe më tregoi vidion rreth vajzës së saj simpatike Onidës se si ajo po qante me ngashërim që pse po vonoheshin për të shkuar në shkollë.  E pashë vidion dhe vërtetë u preka jashtë mase, pasi këta nxënës na japin durim dhe vullnet për ta vazhduar këtë mision pafundësisht.

Ndërsa gjyshja e re e Ariel Hoxhës, Pranvera, në fillim të shtatorit na mori në telefon pasi mbesa e saj pesë vjeçe i kërkonte që të vinin në shkollën shqipe të shtunën, por faktikisht akoma nuk ishte hapur pasi leja për mjediset e shkollës publike ishte në proces.  Familja ime jetoi gjithë ditën me telefonatën e Arielës sepse na dha shumë ngazëllim dhe dashuri për interesimin e saj për të mësuar gjuhën e gjyshëve të saj të mrekullueshëm.

Një gjyshe tjetër më tha se nuk mund ta shpreh dot mirënjohjen ndaj stafit të shkollës Shqipe “Alba Life” se jo vetem që ju mëson me dashuri dhe pasion gjuhën shqipe, por na shpëtuan fëmijët nga I-Pad të cilët ngelen me orë të tëra pa lëvizur duke luajtur lojëra koti…

I dëgjoja me vëmendjen më të madhe dhe në kokë më endeshin vargjet si:

Gjeje kohën sikur dhe një orë,

Dhe një  fjalë të vetme mësoi çdo ditë,

Brenda një muaji 30 fjalë do i përdor,

Nga gjuha më e vjetër që sjelle veç dritë…

I solla këto fakte pasi janë fakte reale dhe flasin qartë se sa ndihmuese dhe shërbyese është shkolla shqipe si i vetmi institucion ku mund të mësosh dhe të dëgjosh shqip.

Nxënësit dhe mësuesit takoheshin dhe përqafoheshin me mall me njeri tjetrin, pasi kishin gjithë stinën e Verës pa u takuar.  Nxënësit e rinj i afronin më të vjetrit dhe kështu krijohej një lidhje e florinjtë, një urë bashkuese midis brezave.

Ceremoninë e fillimit të Shkolles Shqipe “Alba Life” e ka hapur themeluesi dhe drejtuesi i shkollës shqipe z.Qemal Zylo i cili i përshëndeti të gjithë prindërit, nxënësit dhe mësuesit e Shkollës Shqipe “Alba Life” në emër të Bordit të shkollës.  Z.Zylo iu ka uruar mirëseardhjen të gjithë të pranishmëve dhe iu uroi një vit të mbarë.  Ai tha me krenari se midis mësueseve në krahun e tij kishte ftuar dhe stafin e Shkolllës Shqipe në Bronx, që do të hapet nga Shkolla Shqipe “Alba Life”, më 21 shtator, 2019.  Lajmërimi për hapjen e kësaj shkolle u ndërpre nga duartrokitjet çka tregon se sa të etur janë shqiptarët për t’ju mësuar fëmijëve gjuhën shqipe.  Z.Zylo prezantoi koordinatoret e shkollës në Bronx dhe i falënderoi përzemërsisht si Arta Xhaferri, z.Blerim Gjocaj ish luftetar i UÇK-së, pedagogen Majlinda Tafaj si dhe mësuesen Mirvete Krasniqi Veselaj.

Dr.Valbona Zylo Watkins si drejtore e programit të Shkollës Shqipe “Alba Life” dha udhëzimet e nevojshme profesionalisht për prindërit dhe nxënesit ngase prindër, nxënës duhet të koordinojnë punët së bashku për mbarëvajtjen e mësimit të gjuhës shqipe.

Pas ceremonisë mësueset morën nxenesit per në klasat e tyre dhe vazhduan mësimin normalisht.

Dita e parë e shkollës Shqipe “Alba Life” ishte një ditë e dielltë si vetë natyra që derdhi tërë shkëlqimin e saj në këtë ditë të shtunë të gjuhës shqipe në ishullin e bukur të rrethuar nga uji blu i Oqeanit, në një lagje të Nju Jorkut në Staten Island.

Punë të mbarë nxënës dhe mësuese të dashura, kolege të nderuara që ju mësoni nxënësve të Diasporës shqiptaro amerikane gjuhën tonë të shenjtë, Gjuhën Shqipe.

14 shtator, 2019

Staten Island, New York

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok