Shkolla Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit me një shkollë të re në Bronx

0

Në ditën e parë të shkollës nderoi me pjesëmarrjen e saj Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Washington Ambasadore Floreta Faber

Nga Keze Kozeta Zylo

Në mjediset e Shkollës së mesme publike amerikane Christopher Columbus e cila ndodhet në Pelham Parkway, nxënësit, mësuesit, prindërit dhe gjyshëit vinin grupe-grupe për të filluar ditën e parë të Shkollës Shqipe.  Me fytyrat e gëzuara dhe sytë që ju reflektonin vetëm dritë e bënin këtë të shtunë dhe më të shndritshme dhe më entuziaste.  Shkallët përpara shkollës u mbushën përplot dhe kush e kush me flamur shqiptar dhe amerikan në dorë i valëvisnin me krenari sa më lart në ajër.  Dielli të lëbyrte sytë dhe një fllad veror vinte herë pas here nga gjethet e pemëve që vazhdonin të rrinin si kurorë e gjelbër mbi godinën e lartë të kësaj shkolle.

Ishte krijuar një harmoni perfekte midis natyrës dhe ditës festive në hapjen e Shkolles Shqipe në Bronx nga Alba Life.  Ndonëse mund të shihje tek tuk ndonjë nxënës që fshihej apo lotonte pas krahëve të mamit, nga përvoja e gjatë e jetës si mësuese e shkruaj me bindje se ata mësohen dhe luëzojne aq shpejt sa më vonë u kërkojnë vetë prindërve të venë sa më parë në shkollë.

Hapja e Shkollës Shqipe në Bronx nuk ka qenë e lehë, ka qenë rrugëtim i vështirë, punë, ec e jake, por jo dhe e parealizueshme.  Prindërit falënderonin herë pas here dhe ajo që dëgjoja më së shumti nga ata ishte se jo veëm që shprehnin kënaqësinë për mësimin e Gjuhës Shqipe, por dhe tejet të kënaqur që shkolla do t’i bëj të jenë të zënë me punë kualitative se sa të qorrojnë sytë pranë I-padit.  është gjuha e nënës sime më tha një nxënës gjatë bisedave të shkurtra para mësimit, i cili më preku thellë dhe më kujtoi prozatorin e shquar Mitrush Kuteli qe thotë:

Të falem ty, o Gjuhë, hoj,

ty, zëth i nënës, qetësi,

ty, këngë e foshnjës, kaltërsi,

ty, afshi i zemrës, dashuri,

gjithmonë e ëmbël,

…mjaltë zgjoi.

Sa me krenari i dëgjoja dhe i kundroja nxënësit, kur ngjisin shkallët e shkollës me mësueset e tyre për të shkuar pranë klasave.  Si zakonisht siç bëhet në ditën e parë të shkollës u bë një ceremoni festive në mjediset lluksoze dhe komode  të librarisë së shkollës.

Moderatorja e ceremonisë ishte autorja e këtij reportazhi bashkëthemeluese e shkollave shqipe e cila në emër të bordit të shkollës iu uroi të gjithë të pranishmëve, prindërve dhe nxënësve fillim të mbarë dhe ta gëzojmë këtë shkollë të re shqipe në Bronx.  Ndonëse “Alba Life” ka hapur shkolla në të gjitha lagjet e Nju Jorkut Bronxi kishte ngelur për në fund, por populli thotë se ëmbëlsira lihet për në fund.  Ndonëse shpesh herë kishim pasur kërkesa nga prindër të ndryshëm për të hapur një shkollë shqipe në Bronx, përsëri koha shumë e zënë kishte bërë të vetën.  Por kur ne pamë se disa prindër po udhëtonin që nga Bronxi për të ardhur në Staten Island për gati 3 deri në 4 orë si psh. Familja e Elton dhe Arta Xhaferrit me të dy fëmijet u nxitëm për të realizuar një shkollë shqipe në Bronx.  Po kaq nxitëse ishte dhe lidhja me birin e UÇK-së Blerim Gjocaj i cili ëndërronte që fëmijët e tij t’i sillte në shkollë shqipe dhe të mësonin gjuhën shqipe.  Ai shpesh na thoshte se betejat e luftës janë më të lehta se betejat për të mos u asimiluar dhe doemos që ja merrnim në konsideratë këtij trimi të Kosovës që familjarisht hodhën pushkën në krah dhe i dolën për Zot trojeve shqiptare.

Një kontribut shumë të dukshëm po jep dhe ish pedagogja e universitetit në Tiranë znj.Majlinda Tafaj e cila koordinon në realizimin e programit mësimor.  Të tre së bashku si Xhaferri, Gjocaj dhe Tafaj kanë rekomanduar dhe kanë punuar për të sjellë sa më shumë nxënës në shkollë.

Falënderimi shkoi dhe për mësueset Elda Gjongeci, Mirvete Krasniqi Veselaj dhe asistentet si Ergona Matoshi të cilat kanë një përvojë të mjaftueshme në mësimdhënie si në Kosovë dhe në Shqipëri dhe do të jenë pranë klasave të tyre për të dhënë mësim.

Një urim me telefonatë erdhi nga z.Mark Gjonaj këshilltar pranë Bashkisë së Nju Jorkut dhe një lider i përkushtuar i Diasporës dhe i Kombit i cili në pamundësi për të ardhur uroi suksese për hapjen e shkollës dhe vit të mbarë.

Në këtë ceremoni nderuan nga Shoqata Shqiptaro Amerikane “Skënderbej” z.Bashkim Shehu kryetar, z.Mark Qehaja n/kryetar dhe z.Imer Lacaj financier.

Në ditën e parë të shkollës nderoi me pjesëmarrjen e saj Ambasadorja e Republikës së Shqipëisë në Washington Ambasadore Floreta Faber e cila shoqërohej nga Konsullja e Shqipërisë në New York znj.Najada Sojli. Ato u mirëpritën me lule të dhuruara nga dy nxënëse të talentuara si Amelba Xhaferri dhe Fatjona Gjocaj.   Ambasadorja Faber bisedoi nëpër tavolinat ku ishin ulur nxënësit dhe i përshëndeste ata për ditën e parë të shkollës.  Fjala e saj ishte mbresëlënëse tek të gjithë të pranishmit.  Midis të tjerash Ambasadorja Faber tha se unë gjithmonë e kishja planifikuar për ta vizituar Shkollën Shqipe “Alba Life” dhe ja sot jam shumë e gëzuar dhe po marr pjesë në hapjen e një shkolle shqipe në Bronx.  Kur shikoj posterat e ndryshëm dhe në njerin prej tyre lexoj si: “Ti Shqipëri më jep nder më jep emrin shqiptar” dhe vazhdoi duke interpretuar zemrën ti ma gatove plot me dëshirë e me zjarr shkruar nga kryerilindasi Naim Frashëri emocionohem dhe më ngazëllehet shpirti që gjeneratat në Diasporë luftojnë dhe punojnë për të mbajtur gjallë gjuhën, traditat dhe kulturën shqiptare.”

Ambasadorja Faber falënderoi z.Qemal Zylo themelues dhe drejtor i Shkollave Shqipe Alba Life së bashku me stafin e shkollës dhe njoftoi se nesër në një ceremoni në Manhattan Shkolla Shqipe “Alba Life” do të vlerësohet si Ambasador i Kombit, vlerësim që u mirëprit me duartrokitje nga të gjithë të pranishmit.

Qemal Zylo i falënderoi të gjithë nxënësit, prindërit dhe mësuesit qe i janë bashkuar programit serioz të Shkollës Shqipe “Alba Life” dhe iu uroi që ta gëzojmë së bashku Shkollën Shqipe në Bronx.

Më vonë Ambasadorja Faber shkoi në të gjitha klasat dhe iu dhuroi nxënësve në emër të shtetit shqiptar librat e abetares dhe një kontigjent librash dhe iu premtoi se do të sjellë libra pësëri në të ardhmen.

Dita e parë e shkollës dhe ceremonia festive u filmua nga z.Qazim Doda producent dhe themelues i TV “Albanian American Vision” si dhe nga TV “Alba Life” me kameraman Elton Xhaferri dhe Glen Nutaj.

E shtuna në Bronx ishte një ditë e veçantë, e bekuar, sepse ishte nje ditë që i falej Gjuhes Shqipe, Gjuhes sonë Hyjnore!  Udha e shkronjave do të vazhdojë e ndritur përjetësisht!

21 shtator, 2019

Bronx, New York

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok