05/12/2025

SHKOLLA E MËSIMIT PLOTËSUES TË GJUHËS SHQIPE NJË PASURI E PAMOHUESHME PËR FËMIJËT NË MËRGIM

0
Shkolla-Shqipe-Gjeneve

Nga Nexhmije Mehmetaj

Një e veçantë e shqiptarëve që jetojnë në Zvicër është  Shkolla e Mësimit Plotësues të gjuhës shqipe organizuara nga Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë ”Naim Frashëri” e cila ka një traditë mbi 30 vjeçare.

Qëllimi i shkollës ishte dhe mbetet që breznitë të ruajnë identitetin e tyre, sidomos gjuhën shqipe dhe trashëgiminë etno-kulturore.

Gjatë gjithë viteve mësim plotësues shqip pati luhatjet e veta. Këto luhatje janë ndikuar nga shumë faktor e kryesisht nga mos vijueshmëria e mësimit prej një numri të konsiderueshëm fëmijësh.

Gjuha shqipe dhe të folurit shqip, njëkohësisht është edhe një mjet i identitetit kombëtar. Një fëmijë në moshën shkollore, që di shqip, kur është në mërgim e ruan edhe identitetin. Nëse nuk e njeh gjuhën shqipe, si mund të quhet shqiptar? Pra identitetin ia kanë humbur prindërit, që nuk flasin shqip me fëmijë dhe nuk i çojnë ata në mësimin plotësues shqip. Bashkë me gjuhën i kanë humbur fëmijës edhe mundësitë për të mësuar më mirë në shkollën e vendit pritës.

Në kushtet e mërgimit roli i mësimit të gjuhës amtare në shkollë për zhvillimin gjuhësor të një fëmije dhe për suksesin shkollor është mjaftë i njohur.

Në fakt fëmijët në mërgim jetojnë me dy gjuhë. Shqip në shtëpi dhe gjermanisht apo frëngjisht . ..në shkollë.  Fëmijët përvojën e parë gjuhësore të shqipes të mësuar nga prindërit me të hyrë në shkollën publike në një farë mënyre ndërpritet sepse fillojnë mësimin e një gjuhe tjetër të vendit pritës. Është me rëndësi që fëmijët të shkojnë në shkollën plotësues të gjuhës shqipe sepse aty përkrahet më tej zhvillimi i gjuhës amtare. Në asnjë mënyrë mësimi plotësues nuk është pengesë dhe nuk duhet të ndërpritet sepse ka pasoja, jo vetëm për zotërimin e gjuhës amtare por edhe për mësimin e të nxënit e gjuhës së dytë. Fëmijët përjetojnë dygjuhësinë duhet të zhvillohen e pasurohen të dyja gjuhët. Disa fëmijë e përballojnë lehtë këtë thyerje gjuhësore por tek disa lindin probleme gjuhësore.

Lidhur me mësimin plotësues në gjuhën shqipe duhet të kihet parasysh rëndësia e saj për:

1.Zhvillimin e kompetencës gjuhësor dhe aftësitë kognitive : Në shkollë bëhet përvetësimi i gjuhës amtare, si në strukturën gramatikore, të fjalorit dhe drejtshkrimit.

Të folurit e fëmijëve bëhet më i kuptueshëm si me prindër dhe me rrethin familjar. Ata arrijnë aftësi të mira në shkrim dhe lexim. Gjuha e fëmijëve një gjuhë e folur nga prindërit arrin të bëhet një gjuhë e shkruar. Gjuha dialektore e folur në shtëpi, kalon në procesin e ngritjes në gjuhë standarde, fëmijët arrijnë të lexojnë tekste në gjuhën letrare dhe të dallojnë nga dialekti. Njohuritë e mira të shqipes dhe një gjuhe tjetër krijohet dygjuhësia.

  1. Zhvillimin e vetëdijes për rrënjët dhe identitetin kombëtar: Mësimi plotësues i gjuhës shqipe ndihmon fëmijët të ndjehen të lidhur me origjinën dhe trashëgiminë e tyre. Kjo lidhje me rrënjët mund të ndihmojë në krijimin e një identiteti të fortë social e kulturor.

3.Zhvillimin e dygjuhësisë (bilinguizmi):

Kur një nxënës di gjuhën shqipe për të komunikuar e shkruar dhe njëkohësisht ka mësuar gjuhën e shkollës, kjo dukuri është bilinguizëm. Fëmijët identifikohen si dygjuhësh, me dy gjuhë dhe dy kultura. Ata zhvillojnë dhe përdorin dy gjuhë të ndryshme në komunikimin e tyre të përditshëm. Shqip në mjedisin familjar dhe jashtë shprehin në gjuhën e shkollës. Këto dy gjuhë mund të jenë të ndryshme në nivelin fonologjik, leksikor, gramatikor dhe pragmatik por fëmijët i identifikojnë dhe ndajnë gjuhët. Ata zhvillojnë kompetenca në të dyja gjuhët në mënyrë të ngjashme me fëmijët që flasin vetëm një gjuhë.

4.Zhvillimin e mundësisë për karrierë:

Në një treg pune ndërkombëtar dhe të ndërthurur, njohja e më shumë se një gjuhe është një avantazh. Ndonëse shqipja nuk është një gjuhë globale, njohja e saj mund të hapë mundësi në fusha të ndryshme si diplomacia, tregtia, turizmi, arsimi dhe shumë fusha të tjera ku njohja e kulturave dhe gjuhëve të ndryshme është një pasuri.

5.Zhvillimin dhe pasurimin kulturor. Njohja e gjuhës shqipe do të lejojë fëmijët të shijojnë letërsinë, muzikën, kinemanë dhe artin shqiptar në gjuhën origjinale. Kjo është një mundësi për të thelluar njohuritë dhe për të shijuar bukuritë e kulturës shqiptare.

6.Rritja e lidhjeve familjare: Nëse brezi i vjetër i familjes flasin shqip, mësimi i gjuhës do të ndihmojë fëmijët të komunikojnë më lehtësisht me gjyshër, halla, xhaxha dhe të afërmit e tjerë. Kjo ndihmon në forcimin e lidhjeve familjare dhe ruajtjen e traditave.

7.Pasuri sociale dhe emocionale: Mësimi i gjuhës së parë ndihmon fëmijët të ndjehen pjesë e një komuniteti më të madh dhe të ndjehen krenarë për origjinën e tyre. Kjo mund të ndihmojë në zhvillimin e vetëvlerësimit dhe ndjenjave pozitive ndaj vetvetes.

Bazuar në përvojat e hidhura, sjelljen indiferente ndaj gjuhës shqipe, nënvlerësimin,  mosinteresimin për kultivimin e saj, mos ndjekjen e mësimit në shkollat shqipe nga shumica e nxënësve shqiptar, mund të thuhet se pjesa dërmuese e bashkatdhetarëve tanë nuk janë sa duhet të  vetëdijshëm për pasojat e moskujdesit të tyre ndaj gjuhës amtare dhe ndaj zhvillimit të natyrshëm të personalitetit të fëmijëve të tyre.

Gjuha si pasuri e pakontestueshme duhet të kuptohet e të pranohet si e tillë prej të gjithë shqiptarëve, dhe si e tillë t’u lihet trashëgim atyre që i duam më shumë, atyre që i vlerësojmë si pasurinë tonë më të madhe, pra fëmijëve.

Qëllimi i këtij artikull është ngritja e zërit kundër lënies pas dore dhe përbuzjes së gjuhës amtare shqipe prej vet shqiptarëve në mërgim.

Nexhmije Mehmetaj

Gjenevë, 19.11. 2023

Comments (0)

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok