SHKODRA NUK DON HISTORI FALLCO!
Nga Fritz RADOVANI
- Kam njoftë në vitin 1956 Prof. Kol Alimhillin, i cili më thonte atëherë se: “Në sistemin komunist, profesorët e vërtetë përfundojnë në burg, kur dalin nga burgu, po dolën, shkojnë hamaj e fshesaxhijë, ndërsa, hamajtë e fshesaxhijtë e vërtetë drejtojnë shtetin.” (Shkoder, 1958). Ndoshta, sot kjo asht arsyeja që vazhdojmë mos me pasë histori të shkrueme sakt!
Një dijetar thotë: “Rreziku nga e vërteta ishte ma i madh se gënjeshtra”.
Asht shkrue e do të shkruhet e prap, do të vazhdohet me u shkrue për këtë ngjarje aq të randësishme, por e vërteta do të dalin në shesh vetëm atëherë kur historianët e paanëshëm do të kenë mundësi me pa e me studjue vetem arkivat e mbulueme nën dhé.
“Deri njerëzit e zhdukun dje prej skenet, na dukën si të kishin hi kaherë në radhën e mumjeve.”, shkruente At Gjon Shllaku, dhe vazhdon: “Për né ideja asht nji mjet me u kapë té realiteti, për filozofinë moderne ideja asht nji perde që e ndanë njeriun prej realitetit”.
Tue u nisë prej këtyne parimeve që theksova ma nalt, a duhet kuptue drejtë sot mbas 75 vjetësh “Lëvizja e Postribës” e 9 Shtatorit 1946 ?!
Mendimet e kundërta të shprehuna ndër libra, broshura, artikuj dhe konferenca përkujtimore, më kanë shty me kërkue dishka të mbulueme me dashje, ose padashje, por në të dy rastët, jo, me qëllim të mirë. Tue u nisë si u organizue, si shpërthei dhe si përfundoi me dështim të plotë kjo lëvizje që asht ndër ma të mëdhajat e trojeve tona, asht me të ardhë keq dhe do të bindemi se frutin e kanë përfitue vetëm komunistët.
Përmbytja mori me vedi fshatarë, profesorë, oficerë akademistë, klerikë, deputetë, intelektualë, studentë, tregtarë, shumë të kënaqun e ma shumë të pakënaqun nga pushteti, madje, edhe pushtetarë që deri pak ditë para kishin nënshkrue edhe “urdhën-arreste”, ose në mendjen e tyne pritnin kur po vjen nga diktatura komuniste “demokracia”?
Me plot gojë dami për Veriun nuk llogaritet asnjëherë.
Vetë ardhja në Shkodër në janar të 1945 e kryekriminelit Mehmet Shehu, me një tubë të pa pame ndonjëherë terroristesh si: Sheuqet Peçi, Dali Ndreu, Gjin Marku, Rahman Parllaku, Tuk Jakova, të shoqnuem nga bandat e Sigurimit të Shtetit të drejtueme prej Koçi Xoxe, Zoji Themeli, Vaskë Koleci, Ramadan Çitaku, Ali Qorri (Bushati), toger Baba etj., që me krimet e vrasjet e tyne të bame me gjyqe e pagjyqe, tregojnë pikësynimin e tyne: Përdorimi i çdo dredhije e mjeti mashtrues, për me shkatrrue rezistencën atdhetare antikomuniste dhe çerdhën e tyne.
- Unë do të rreshtoj vetëm disa fakte:
- Don Ndre Zadeja deklaron: “Aty nga shtatori 1944, ka ardhë në Sheldi nji kolonel anglez i quejtun Nill, me do ushtarë e Jup e Halit Kazazin, gjithashtu me té ishte nji oficer gjerman dhe nji ushtar italjan. Këta vijshin prej Cukalit, shkojshin në Shëngjin dhe së andejmi për Itali. Në qelën teme kanë qëndrue vetëm nji natë. Gjatë ndejtjes në qelen teme, unë ju mbajta nji bisedë, ku i kam theksue nëvojën që ka populli shqiptar i varfën në mes të armiqve shekullorë, të cilët janë: Sllavi, Bullgari, Greku dhe Italia. Shqipnia ka nëvojë për nji mbrojtje nga fuqitë e hueja”. (Dosja 677)
- Rrok Gjok Luli, i arrestuem më 12 shtator 1946, për Lëvizjen e Postribës dhe i dënuem 20 vjet, deklaron: “Kam bisedue me Mustafa Jakupin, Mustafa dinte se do të sulmohet Shkodra që sonte, një gja të tillë ia kishte thanë korieri i Jup Kazazit, një katundar prej Postribët, dhe më thote, Rrok, sande sulmohet Shkodra prej Postribët, e duhet të dalim që sonte me katundarë. Unë i thashë se do të sulmohet më 15 shtator 1946 se një gja të tillë ma ka thanë vëllai, dhe jo sonte. Por, Mustafa më kallxoi se jo më 15, por sonte se Postribësit nuk donë me dhanë ushtarë. Më ka thanë për Jupin se nuk asht këtu në Shkodër dhe ka dalë jashtë se asht i mërzitun, se do ta fillojnë luftën sande dhe për këtë, do të hidhen në sulm. Veç luftës nga jashtë do të plasin edhe këtu mbrenda, se Jupi asht marrë vesht me të huej, megjithse një pjesë e kanë kundërshtue Jupin…”
- Llesh Marashi deklaron në korrik 1946: “Nuk dij sesi tri ditë para shpërthimit të Lëvizjes së Koplikut e ka dijtë organizata “Bashkimi Shqiptar”, unë nuk e kam dijtë vetë!”
- Don Nikoll Deda: deklaron në gjyq më 7 janar 1948: “…Për sulmin e 9 shtatorit 1946, nuk kam bisedue as nuk kam kenë i deleguem nga Kleri për me marrë pjesë ndër këto mbledhje.”
***
Kam lexue edhe nga publicisti Don Lazer Shantoja, me pseudonimin Y:
“Historia e Shqipnisë së lirë asht kaos luftash, ngatrresash, trathtinash, ambicionesh, partinash kaq të mëdhaja, të shpeshta, të ndyta e të damëshme, që nuk i gjenë askund shoqen në Botë” “Zani i të dekunit”
“Historia e Shqipnisë së lirë asht kaos luftash, ngatrresash, trathtinash, ambicionesh, partinash kaq të mëdhaja, të shpeshta, të ndyta e të damëshme, që nuk i gjenë askund shoqen në botë”
“Zani i të dekunit” nga Y (D. L. Shantoja)
- Pjetër Prendush Pali, vjeç 32, nga Hoti (Jugosllavi), mësues, deklaron: “…akuza nuk asht e vërtetë, në furrë tek Mustafa nuk asht e vërtetë se kam bisedue unë për Postribën, ato që thonë këtu nuk janë të vërteta. Për akuzat që më bajnë Gjelosh Vata, Gjon Leka e Mustafa Jakupi nuk janë të vërteta. Gjon Leka më ka thanë, se jam me punë në Seksion të Mbrendshëm, dhe rri urtë se kam në dorë me të ba keq.”.
Vendimi i gjyqit Pjetrit iu dha me vdekje, dhe u ekzekutue më 11 mars 1948.
- Mustafa Jakup Vodaj, vjeç 48, nga Shkodra, i dënuem për jetë, deklaron: “Nuk kam asnjë lidhje me Postribën, por mue më ka tregue Brahim Isufi se sande Postriba sulmon Shkodrën. Unë i thashë Gjeloshit, por ky më tha se nuk asht e vërtetë. Kemi shkue me Gjonin në shtëpi të Gjeloshit (Vatës), aty në mesnatë ka ardhë me na thirrë Abdullah Seiti e Ismail Duli dhe jemi takue tek fusha me Murat Haxhinë. Aty pamë se nuk ishte gja ajo punë dhe u këthyem ndër shtëpia.”
- Don Nikoll Deda: deklaron në gjyq më 7 janar 1948: “…Për sulmin e 9 shtatorit 1946, nuk kam bisedue as nuk kam kenë i deleguem nga Kleri për me marrë pjesë ndër këto mbledhje. Don Tom Laca nuk më bie ndër mend të ketë kenë në mbledhje…
Unë nuk e dija se asht formue parti Demokristjane…
Melbourne, 14 Shtator 2021.