22/12/2024

SHKËPUTJE NGA DITARI IM I LUFTËS: “DITAROSJE NËN SHURUKAMËN E ARMËVE”

0
Syrja-Etemi

Dita e hënë, 23  korrik, 2001

Nga Syrja Etemi

PARAMILITARËT MAQEDONË PARAQITEN SI VIKTIMA

Në dëshirën për të marrë sa më shumë informacione për situatën dhe zhvillimet e kësaj dite kobzezë, kërkova të dhëna edhe nga miq e shokë të mi, të cilët në njëfarë mënyre, ose kanë qenë pjesëmarrës direkt në këto ngjarje, madje edhe gazetarë. Kështu, nga ata të parët, vura në ditar disa intervista, ndërsa në pretendimin e dytë, më shërbeu notesi i gazetarit të gazetës: “Fakti”, N. Sh. – po nga Sllatina, që do ta botojë si material me emrin apo titullin e mësipërm: “Paramilitarët maqedonë paraqiten si viktima të pastrimit etnik”.

“ Luftimet intensive që kishin filluar më 23 korrik në Tetovë, ndërmjet forcave policore dhe ushtarake maqedone dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare,  brenda po kësaj dite u zgjeruan edhe në fshatrat tjera të Tetovës që shtrihen mbi rrugën magjistrale në drejtim të Kosovës. Në orët e pasditës, banorët e këtyre fshatrave, i karakterizonte një përditshmëri e zakonshme – nën zhurmën ngjethëse të armëve automatike, që, si zakonisht, vinin nga paramilitarët maqedonas, të përqëndruar nëpër enklavat e tyre. Lajmet për luftimet intensive në qytet, ku thuhet se UÇK, ka përparuar dukshëm, në marrjen e disa pozicioneve të reja, përcillet tek çdo njeri. Më vonë, filloi të flitet edhe për lajme të dhimbshme, që shqetësonte çdo kënd: në  Poroj dhe në fshatin Xhepçisht, dy fshatra  që përbëjnë një tërësi të vetme dhe një vazhdimësi urbane të qytetit , janë granatuar nga artileria maqedone, si pasojë e të cilëve jetën  kanë humbur edhe disa banorë civilë të këtyre fshatrave (tani për tani janë 9). Gjithkush tani e kupton se kjo prishje e armëpushimit, për të cilën gjithmonë kanë insistuar paramilitarët maqedonë, do të marrë përmasat e një lufte të vërtetë në këtë pjesë të qytetit të Tetovës. Një banorë i fshatit S., mundohet t’ua tërheqë vërejtjen  bashkëbiseduesve të tij, për seriozitetin e kësaj gjendjeje. Dyshimet për këtë, manifestohen tek çdokush , kur të merret parasysh fakti se pushteti maqedon me të madhe ka bërë armatosjen e popullsisë maqedone në të dy fshatrat fqinje: L. dhe T. Lëvizjet e zakonshme nëpër rrugë nuk zgjatin shumë, muhabetet e mbetura përgjysmë mbeten për t’u mbaruar nëpër vende më të sigurta. Persona të caktuar, aty nga orët e mesditës, urdhërojnë popullsinë civile të vendoset nëpër vende më të sigurta , si zakonisht, nëpër podrume. Kjo nuk është hera e parë, tani më banorët e këtyre fshatrave, një gjë të tillë e kishin përjetuar edhe gjatë pesë korrikut, kur UÇK  kishte vendosur për të zbritur përkohësisht nëpër këto fshatra. Një veprim i këtillë më pas ka pasuar me breshëri automatikësh nga fshatrat maqedone në drejtim të fshatrave dhe shtëpive shqiptare. Megjithatë, tani gjendja dukej më serioze, nuk flet kush për dialogun apo armëpushimin. Fshatrat në këtë pjesë të Tetovës, tanimë e kanë të qartë se i janë ekspozuar një vazhdimësie të luftimeve intensive që veç kanë filluar që në orët e herëshme të mëngjesit në paralagjet e qytetit , dhe kuptohej lehtë se një gjë e tillë do të ndodhte edhe në fshatrat që shtrihen rrëzë malit Sharr.

Pas orës 13, nëpër rrugët e fshatit nuk mbetet njeri. Një masë e tillë për t’u mbrojtur kanë marrë të gjitha fshatrat. Krismat e armëve veç kishin filluar të dëgjohen. Ato vinin si nga brendia, ashtu edhe nga pjesa e epërme e fshatit L. Aty për një kohë të gjatë kanë qenë të përqëndruar paramilitarët maqedonë të fshatrave maqedone, të cilët ndihmoheshin edhe nga punkti policor që ishte stacionuar në udhëkryqin e rrugës kryesore në hyrje të këtij fshati. Brenga më e madhe shtrohet tani në mbrojtjen e popullsisë civile nga falangat paramilitare të përqëndruara në fshatrat e tyre. Ushtria Çlirimtare Kombëtare, është angazhuar për këtë. Pjesëtarët e sajë, kanë qenë në lëvizje të vazhdueshme dhe të gatshme për vënien nën kontrollë të grupeve të armatosura paramilitare të ndihmuar edhe nga pjesëtarët e policisë maqedone. Në orët e vona të pasditës  luftimet bëhen gjithnjë e më intensive edhe në anën tjetër të fshatit S., ku grupet e armatosura maqedone të ndihmuar edhe nga disa pizgauer të policisë, që kanë qenë të përqëndruar në fshatin T. Konfrontime të armatosura janë zhvilluar edhe në fshatin Neproshten. Fshati S. , ashtu si edhe herën e parë , tani po ballafaqohet me luftime në të dy krahët e saj . Ushtria Çlirimtare Kombëtare, është hedhur në luftë me një moral shumë të lartë të ushtarëve të saj. Ajo ka premtuar se do t’i vë nën kontroll paramilitarët maqedon , që kërcënojnë popullsinë civile. Rrugët e fshatit ishin shumë të rrezikshme, plumbat e armëve automatike, nuk lenin pa prekur çdo skaj. Një pjestari të UÇK-së, nuk i pengon kjo për të përshkuar këto rrugë të rrezikshme, për  të vëzhguar, nëqoftëse  nëpër to ka mbetur ndonjë fëmijë apo person tjetër që është kureshtar të qëndrojë jashtë strehimoreve të tyre. Kështu, një banor rreth të gjashtedhjetave, i mbështetur pranë një muri, mezi i mban lotët. Ai nuk ka frikë nga krismat e armëve që shënojnë konfrontimet më intensive, që nga fillimi i luftimeve; ai ndihet shumë i emocionuar nga vendosmëria e pjestarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Ai nuk nguron që çdo kujt t’i thotë: “ Këta trima, shumë shpejtë do ta mbarojnë punën… “. Ndihet shumë i sigurt në këtë. Një besim të këtillë në vendoshmërinë dhe moralin e lartë të pjestarëve të UCK-së, e kanë pasur edhe ata që kanë qenë të strehuar nëpër podrumet e shtëpive. Brenga e tyre shtohet në mundësinë e granatimeve të fshatrave shqiptare nga largësia, kur tashmë, shumica ishin të shqetësuar nga ajo që kishte ndodhur në fshatrat Poroj dhe Xhepçisht. Podrumet e shtëpive ishin të mbushura me gra fëmijë dhe pleq, në brendinë e tyre, si nga thellësia dëgjoheshin vetëm krismat e armëve automatike, por pa u ndalur thuajse asnjë minut, kjo ishte karakteristike gjatë orëve të pasditës. Një vajzë e re, që disa herë insiston që ta nxjerrë kokën diku për të dëgjuar, thotë:

“Tash duket se lufta është ndezur gjithkund dhe kushedi se sa kohë do të qëndrojmë në podrumet e shtëpive!“. Përgjigje rrallë kush mund të jepë. Të gjithë rrudhin krahët . Qëndrimi nëpër podrume nuk është i lehtë, sqarojnë të gjithë ata që rrinë të strukur në to. Ata nuk kanë vetëm hallin e tyre, tani kuptohet se ushtarët tanë po ballafaqohen me palën tjetër – në një betejë që nuk e kanë parë më parë banorët e këtyre fshatrave, prandaj, edhe ashtu nëpër podrume, të gjithë i luten zotit për t’i mbrojtur ushtarët tanë, që në ato momente ishin siguria e vetme për ata.

Në orët e vona të pasditës diku nga ora 17, filloi të dëgjohet zëri i aeroplanëve ushtarakë, kështu që nuk mbet njeri pa mos e çuar kokën drejt qiellit të përhirtë dhe të shohë se nga vjen. Një aeroplan me ngjyrën e një uniforme laramane, ndiqte linjën e rrugës magjistrale, në anën e fshatrave që shtrihen mbi këtë aks rrugor. Ka flururuar shumë ulët: Kështu, ai dukej se lëvizte me naltësinë e plepave.  Aeroplani kaloi, ndërsa njerëzit, mbyllnin veshët duke menduar se tani ai diku do t’i lëshojë edhe projektilët e tij. Por, kjo nuk ndodhi. Ai kaloi dhe la vetëm uturimën lemeritëse të tij. Nuk dihej se çfarë ishte qëllimi i këtij aeroplani. Dikush e komenton atë se dëshiron të krijojë  vetëm panik me zhurmën lemeritëse. Edhe kjo dilemë nuk mbetet pa u kuptuar më vonë .

Vetëm disa minuta pas fluturimit të aeroplanit, një konvoj i automjeteve të blinduara të policisë maqedone, ka përshkuar rrugën kryesore në drejtim të fshatit T.

Kolona e përbërë prej gjashtë autoblindave, ka ardhur  nëpërmjet rrugës  anësore, që kalon nëpërmjet fshatrave maqedonase, gjersa luftimet zhvilloheshin në brendi të fshatit L., para se forcat e U.Ç.K.-së të hudheshin në aksionin e tyre përfundimtar  për marrjen e punktit policor që gjendej në rrugën magjistrale në fund të L. Kolona e autoblindave, ka hasur në rrezistencë të fuqishme  përgjatë rrugës, gjersa ajo është munduar me shpejtësi të madhe të stacionohet në vendin më të sigurt për ta – në fshatin T. Nga momenti kur autoblindat kanë dalë në rrugën kryesore , kanë filluar të gjuajnë në mënyrë të pakontrolluar në drejtim të fshatit S. Nga breshëria e plumbave të automatikëve të rëndë, vritet luftëtari i parë i lirisë, Murtezan Etemi , 39 vjeçar nga fshati Sllatinë.

Konfrontime të armatosura janë zhvilluar deri në orët e vona të mbrëmjes , ndërkohë banorët me padurim mundohen të kuptojnë diçka më në detale për  epilogun e luftimeve. Lajmi për sukseset e UÇK-së, në pastrimin e terrenit nga grupet paramilitare maqedone, vinë nga çasti në çast, derisa pas disa orë luftimesh, konfirmohet pastrimi i plotë i terrenit nga paramilitarët sllavo-maqedonë, të cilët gjatë gjithë kohës së armëpushimit kanë provokuar fshatrat shqiptare përreth: S. dhe N.

NË SPITAL TË IMPROVIZUAR

Në spitalin e adaptuar, përkundër të gjitha përpjekjeve të ofruara nga ana e doktorëve, sidomos ndihma e dhënë nga ana e z. Xh. E., bashkë me ekipin, nuk qe e mudur të ndërpritet gjakderdhja. Kështu zemra e Murtezanit, më në fund pushon së rrahuri. Mbyll sytë në orën 17- 45 min.

Tani më, kur trupi i pa jetë i tij qëndron shtrirë mbi tavolinë, sikur kërkon hapin e radhës. Nga Xhamia “karajapi” që ishte afër  nja 50 m., sollën arkivolin apo “tabutin” dhe të gjithë me sy të përlotur, marrin kufomën, e shtinë në arkivol dhe e  çojnë në xhami – në një dhomë ende pa dyer e dritare dhe të palyer, por që ishte më e sigurt në rast të ndonjë granatimi eventual nga ana e forcave policore të stacionuara në Ratajë, nja 1000 m. larg nga këtu (nga qendra e katundit). Këtë vend, në këtë “strehim” të kufomës, më vonë e vizitova  edhe unë (autori i ditarit, S.E., vëllau i Murtezanit) bashkë me A. S., pas nja 3 orësh, pasi më informoi E.  R. – si përfaqësues i Shtabit Civil të S. për lagjen  tonë. Kështu, në pllakosje të muzgut (gjithnjë duke u ruajtur nga “drita”), kufomën e solli me veturë A. Xh. B. dhe A. E. me shokë tjerë. Ky i fundit, në hyrje të oborrit ku ishim mbledhur e gjithë familja, na ngushëlloi: “Nuk duhet të derdhni lotë, sepse ky është dëshmori i parë që ka rënë për liri !”. Nuk mund të lavdërohem se vepruam pikërisht ashtu, pasi më kishte ardhur edhe doktori (A.P.) për të bërë gjilpëra (kundër “pikëllimit”) për anëtarët e familjes, duke filluar nga babai Merxhani,i cili ishte mbështetur për muri, e që, me vendosmëri e refuzoi nënë,Bedria, duke u arsyetuar se :”Nuk dua të më  bëni “ budalle” e të mos e qaj djalin që më la të renë dhe dy fëmijët jetim. Do të qaj e do të qaj derisa ta shprazi  mirë barkun…”

TE KOKA E DËSHMORIT

Rri e meditoj e meditoj… Pyes veten: kush do të jetë ai që do të më davaritë dhimbjen që më ka kapërdisur në këtë derexhe? Dhe, vet përgjgijem: Është i mirëseardhur vetëm ai që njeh intensitetin e dhimbjes, sepse, siç thotë një mençuri: Kush nuk njeh dhimbjen, nuk mund të ngushëllojë atë që vuan…

Me anëtarët e familjes, nën dritën llamburitëse të vajgurit, ruajmë kufomën, duke ndenjur ulur  në minder unë me vëllaun, N. dhe babain, M., dhe disa kushërinj. Te koka – e shoqja e dëshmorit, Z. dhe kushërirat, kurse  te këmbët e vëllaut qëndron e patundur nënë B., e cila në çdo çast shti duart në arkivol dhe ia miklon këmbët. Kështu ka vepruar deri në orët e vona të mëngjesit. Unë, si gjithnjë, vazhdoj të bluaj mendimet diku në thellësi të trurit,  prej ku shkëpus këto meditime të përligjura me ndjenja të papërshkruara:

Gjersa nëna po vazhdon të prek trupin e dëshmorit, që edhe unë i ndihmoj herë pas here në këtë ritual, prore më duket se po prek vdekjen e tij. Më bëhet se po përceptoj edhe më për së afërmi gjakimin e kësaj kufome për një jetë më të dinjitetshme, më të begatë e më optimiste për brezat që do të vijnë…

Nuk di se ku fle ai dell, ajo ëndërr për të nesërmen bardhëloshe; në ç’pjesë të trupit e në ç’ngrehinë të trurit: në zemrën, që tani ka pushuar së rrahuri, apo në gjakun tani të ngjizur…Nuk di…

Në moment do pika gjaku pikojnë e fillojnë të rrëshqasin në najllonin e shtruar mbi shtrojën e sallonit. Më  duket sikur sekreti u zbulua. Pikat e gjakut që duken si kokrra të magjishme të nakatosura me jonet e sedefta të idealit për të nesërmen e bardhë, do të jenë simbol i amanetit të kuq, që nuk do ta tret as dheu! Sido që të jetë, unë në këtë moment  nuk e kam at fuqi muskujsh e at artikulim zëri e t’u drejtohem të afërmve të mi që i rrimë përreth në minder, të marr nja dy tri pika në pëllëmbë nga gjaku i vëllaut, e të bërtas: “Eureka! Eureka!”

Në këtë skëterrë funebre, jo vetëm unë, por edhe askush tjetër nuk gjen kurajon për t’i dhënë një përgjigje sado të vogël Hatixhesë dymbëdhjetëvjeçare kur pyeti: “Babi a do të ngjallet përsëri?”

Heshtje… Heshtje funebre…

Kush do të ishte ai alamet filozofi, ai mençurak, ai njeri i urtë e i rregjur që t’i jepte përgjigje kësaj pyetjeje që na shtangu të gjithëve?

…Vetëm tanimë, më duket se do të kuptojmë se nuk është koha për “të mbjellur mjegulla”. Ndoshta do të kalojë koha e diskurseve shterpe e të mbarsura me demagogji. Në kësi situatash më duket se te njerëzit do të nxjerrë krye sinqeriteti, kurse hipokrizia rishtazi do të humbë drejtpeshimin, duke varur kokën me at  fytyrën e skuqur nga turpi, si një pehlivan i mundur në arenën e mundjes. Ndoshta!

…Kështu, duke ndjerë indolencën edhe pafuqinë time në këtë rast, vazhdoj të rri ashtu i shalakatur ulur në një skaj të sallonit për   të vrarë akrepat e orës që me ngathtësi të jashtëzakonshme numërojnë  minutat e kohës, e cila po duket se ka harruar të lëvizë nga vendi. Vazhdoj të kotullitem ashtu i kredhur thellë në humnerën e mendimeve torturuese që më trullosin kokën deri në çmenduri. Vazhdoj të blatoj mendimet, tani – për përgatitjen e ceremonisë së varrimit, me përfilljen e ritualeve fetare, por edhe kombëtare, sepse deri më tani, në S., nuk  ka bërë vaki që disa ceremoni fetare t’u adaptohen kushteve dhe rrethanave “të jashtëzakonshme”, me ç’rast duhet të demolohen disa paragjykime e klishe dogmatike. Është koha që ritualet e varrimit, (primatin e së cilës e luan Autoriteti i Xhamisë së fshatit), të akomodohen sipas situatës. Të mos ketë dilema rreth atribuimit të aktit të të rënit: a është dëshmor, apo “shehid”? Të lahet kufoma, apo jo? Të mbulohet me “flamur jeshil” apo me flamur shqiptar? Një mëdyshje tjetër më pickon në tru: Me çfarë ceremonish ushtarake do të bëhet varrimi? A do të merr pjesë dikush nga Autoritetet Ushtarake nga Shtabi i UÇK.? A do të ketë fjalë rasti? A do të lexohet ndonjë referat? A do të jetë ky rast i qëlluar për disa tipa karrieristë, për të përfituar nga situata dhe të “planifikojë” përfitime politike?

-Çdo dilemë mbetet hapur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok