23/12/2024
u6_Edison-Ypi

Nga Edison Ypi

Meqënse nuk shkulen edhe po tua mbash në lule të ballit, që të vazhdojnë të jenë po ata por me të tjera cilësi, prerja dhe ndërrimi i kokave me njëritjetrin, pra shkartisja e kokave, duket e vetmja zgjidhje.

Për të dalë nga bataku ku kemi ngecur, për ti dhënë fund pritjes së pafundme për rezultat të ndryshëm duke i rënë të njëtit avaz, nuk ka mënyrë tjetër veç shkartisjes së kokave.

Asnjë kokë nuk është e lumtur me trupin që ka nën vete.

Asnjë trup nuk është i kënaqur me kokën që mban mbi supe.

Si shkartisja e kalit me gomarin prej së cilës shkartisje del mushka, apo si bërja e poçeve të reja me baltra të vjetra, shkartisja e kokave duket zgjidhja e duhur.

Emri, identiteti, sëmundjet, veset, huqet, tekat, trillet, deliret, të bëjnë çfarë të duan, me kokën ose me trupin, t’ja mbajnë nga tu teket.

Për të evituar kalbjen e kokave para ndërkalljes së tyre, pra që shkartisja e kokave të kryhet me sukses të plotë, kokat e prera të ruhen në sepete me akull si koka e Tunxh Hatait në romanin e hatashëm.

Thikë, sëpatë, hanxhar, sqepar, apo kosore, mjeti i përdorur për prerjen e kokave që do shkartisen, mund të zgjidhet sipas dëshirës.

Për të realizuar me përpikmëri bashkimin e kokës së njërit me trupin e tjetrit, të përdoren teknikat e rrobaqepësit me gjilpërë dhe arna.

Me përparimet që ka bërë kirurgjia e sotme, posaçërisht ajo plastike që mbush buzët me mishin e bythës për ta bërë gojën si brimë pridhi, apo lëkurën e loqeve e vë në faqe për ti bërë sa më erogjene, ndrrimi i kokave dhe trupave bëhet me sukses të garantuar.

Koka e Ramës mbi Supet e Sorosit, dhe koka e Sorosit mbi trupin e Ramës, pra këmbimi i kokave të të dyve, janë një shkartisje perfekte, një kryevepër gjenetike. Superdjeshmëria dhe superinteligjenca kreative e njërit, dhe megapasuria bashkuar me gjenialitetin manipulativ të tjetrit, do shkartisen mrekullisht sa në të mirë të vetë atyre, aq dhe në të mirë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Me këtë rast, në mungesë të targetit, do rreshtin dhe britmat e turpshme të lukunisë së militantëve injorantë, idiotave që erzin ja kanë marrë me kohë, tani Partisë Demokratike po i marrin shpirtin.

Shembulli i shkartisjes së kokave të mëdha mund të vlejë edhe për shkartisjen e kokave të vogla.

Për shembull, tjetër shkartisje që duhet bërë me urgjencë është që kokat ti këmbejnë Doktori dhe Luli. Doktori të marri kokën e Lulit. Luli të marri kokën e Doktorit.

Shkartisja në fjalë, e ngjajshme me kombinimin e shalqirit me kungullin, duke mos qënë as Lul as Doktor, por njëkohësisht edhe Lul edhe Doktor, pra një Luldoktor ose një Doktorlul, do prodhojë dy kreatura rokamboleske hyperrealistike me cilësi krejtësisht të ndryshme krahasuar me para shkartisjen, dhe krejtësisht të njëjta me njëritjetrin pas shkartisjes. Njëri prej tyre, cili të dojë, do merret me udhëheqjen e Partisë Demokratike në betejat e ardhëshme nga fjetorja në fjetore. Tjetri do merret me zgjidhjen e koklavitjeve me Amerikën dhe me rekuperimin e statusit Non Grata. Për të evituar çdo keqkuptim lidhur me ndonjë apo disa çorroditje eventuale të publikut, do lobohet me Departamentin e Shtetit, dashamirët përkatës, shoqatat respektive.

Një shkartisje me vlerë të pallogaritëshme për shqiptarët mund të jetë ndërrimi i kokave mes Fatos Lubonjës dhe Andi Bushatit. Shkrirja e delirit të njërit, me objektivitetin analitik të tjetrit, do jetë një ekstazë komunikative që do elektrizojë deri kuçin e maçin nga Konispoli në Vermosh, dhe më gjërë.

Shkuljet e kokave të Mero Bazes dhe Fatmir Mediut, dhe ngulja e po atyre kokave në trupat e njëritjetrit, do jetë një kontribut i paçmuar në zbardhjen e zigzageve militare, juridike, politike, të Gërrdecit.

Shkartisja e kokave të Adi Krastës dhe Sonila Meços do jetë me shumë vlerë në drejtim të qetsimit të situatës, aq sa do ua ngrerë shqiptarëve mishin kokërr.

Mediat do përfitojnë shumë nga shkartisja e kokave të Robert Rakipllarit dhe Henri Çilit.

I pallogaritshëm do jetë gjithashtu përfitimi nga rrokada e kokës së Frrok Çupit me kokën e Andi Bejtes

Koka e njeriut nuk është si sfera e skafandrës së palumbarit që hiqet e vihet me bulona.

Duhen patur parasysh disa gjëra.

Monstrat që do dalin nga shkartisja e kokave, ndoshta atypëraty nuk do pëlqehen nga publiku. Por kjo s’do të thotë se ka vend për dëshpërim. Me kalimin e kohës çdo gjë ndreqet, çdo problem zgjidhet, çdo plagë shërohet. Si dentierat e reja me mishin e vjetër të nofullave, kokat dhe trupat e lënduar pakngapak gjejnë rehat.

Tentativat për rebelim të kokave dhe trupave për shkak të zevzekllëkut shqiptaresk, pra përpjekjet për rikthim në kohën kur “isha rehat me kokën time” apo “ndjehesha e lumtur me trupin që kisha”, do shtypen pa mëshirë.

Mospërputhja e plotë mes produkteve të shkartisjeve, hibridëve, surrogatëve, bastardave, që nuk do i ngjajnë as njërit as tjetrit subjekt të shkartisur, duhen mirkuptuar, toleruar, mundësisht tu jepet zgjidhje.

Derisa të mësohen të mos betohen për asnjë kokë, shqiptarët le të betohen “Për kokën e filanit në trup të fistekut”.

Nostalgjikët kokpalarë të Lidhjes së Shkrimtarëve, spiunat e kahershëm që ende mbahen për shkrimtarë, do urdhërohen të bëjnë një skenar filmi me titull “Kokat Tona”, si dhe do marrin pjesë në kokursin kush ta shkruaj më mirë romanin me titull “Kokat Tuaja”. Nëse Kokat tona dhe Kokat tuaja nuk do kenë sukses të mirfilltë artistik, djegie me vajguri lidhur në shtyllën e turpit, varje në litar, ose groposje për së gjalli për qelbësirat që lehin nga Fejsbuku.

Si kokave dhe trupave të shkartisur tu bëhet e qartë se rezistenca më minimale ndaj shkarrisjes, do dënohet me vdekje me hedhje në gropën e gëlqeres së pashuar për “Shkartisje të Shkartisjes”, pra për diçka që konsiderohet krim i rëndë ngaqë nuk ka asnjë kuptim.

Shkartisje pas shkartisje, operacioni nuk do ndalet derisa të gjitha kokave fatkeqe tu gjinden trupat fatlumë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok