27/12/2024

SHËNJTORI ARBËR QË U « KRYQËZUA » PËR TË VËRTETËN (Pj.III)

0
Shen-Kirili

«Për ta shkatëruar gënjeshtrën po sakrifikohem, me zjarrin e zhelozisë për të  vërtetën po digjem. » – Mihal Trivoli

Nga Fatbardha Demi

Në vitin 1525 u fol shumë në oborrin moskovit për zhdukjen e papritur të dijetarit hellen. Një nga zërat që qarkullonin ishte se « Patriarku i Kostandinopolit me kërkesë të Vasilit III, kishte dërguar një murg me emrin Maksimilian i cili me mënçuri do ndreqte librat dhe rregullat që lidheshin me fenë. Maksimiliani e kryejti këtë punë, por duke vënë re shkarje të rënda (në qeverisje-shën im), ju drejtua personalisht mbretit duke e quajtur si personifikim të eretikut meqënëse nuk ndiqte gjurmët e ligjeve romake apo atyre hellene. (…) Ai (Mihali) nuk u pa më dhe sipas mendimit të përgjithshëm, atë e mbytën » . (1)

E vërteta e Mihalit

Në fakt mund ta quaje « të vdekur » meqënëse u gjykua për « krime » kundër dy forcave kryesore të Rusisë – Shtetit dhe Kishës. Për të kuptuar ndikimin e madh që ushtronte Kisha, G.Nikolaeviç në librin e tij (Maksim Greku) na sqaron, se në Rusinë e shk.15-16 : « Feja ishte një sistem gjyqsor, doktrinë politike , formuese e moralit dhe e filozofisë (botkuptimit të popullsisë -shën im). Ajo ishte sinteza e të gjitha ndërtimeve që ngriheshin mbi themelin e shoqërisë feudale ». (2) Për rrjedhojë , si Shteti edhe Kisha e fajsuan Mihalin për qëndrimin e tij kundër sistemit të bujkrobërisë, por sejcili nisur nga qëllimet politike dhe fitimprurëse të veta.

Gjyqi i Mihalit u zhvillua në kohën kur, për të kufizuar forcën ekonomike të Kishës në interes të shtetit dhe si pasojë e kundërshtimit të fortë të murgut nga Atosi, po diskutohej për rishikimin e ligjit lidhur me pronat e saj. Drejtuesit fetar kishin frikë se shkrimet e Mihalit do të ndikonin në rënien e autoritetit të Kishës dhe do të zvogëloheshin pasuritë kishtare nga qeveria cariste. (3) Edhe Vasili III-të, mbështetja e të cilit ishte shtresa e feudalëve, mbronte me fanatizëm regjimin e bujkrobërisë. Për të hequr vëmëndjen nga problemi social i shfrytëzimit çnjerëzor të popullsisë , shteti shtroi si çështje kryesore të ditës se çfarë qëndrimi duhej mbajtur ndaj heretikëve hebrej : « Të dënoheshin me vdekje apo të mjaftohej me burgosjen apo dënime  më lehtësuese?».(4)

Në gjyq akuza kryesore u përqëndrua tek veprimtaria tij kundër skllavërimit të njeriut (bujkrobërisë). Rolin e prokurorit e luante mitropoliti i gjith Rusisë – V. Danillo i cili nuk ja falte Mihalit kundërshtimin për t´i perkthyer librin (Historia e Kishës) e bizantinit Feodorit (Феодорита Киррского) i shk.5-të, i cili shtronte arësyet e domosdoshmërisë së pronave të manastirëve. Sipas Danillos, fakti që murgu kundërshtonte bujkrobërinë përbënte një akuzë të drejtpërdrejtë ndaj car Vasilit III-të si një shfrytëzues i pashpirt, por edhe një fyerje e rëndë ndaj shënjtorëve dhe prelatëve të kishës ruse që kishin zotëruar qytete, fshatra, toka dhe pasuri të shumta. (5)

Aty u paraqitën edhe « krime » të tjera si për tradhëti me turqit, erezi, shtrëmbërimi i qëllimshëm gjatë përkthimit të librave fetar, etj.por verifikimi i dokumenteve gjyqësore nga studiuesit rus tregoi se në gjyq  dëshmitë ishin të sajuara për qëllime politike. Faji i vërtetë i murgut nga Çamëria ishte se : Kishte guxuar të përhapte ide të rrezikshme perëndimore (lirinë e njeriut, drejtësinë, respektimin e ligjit, etj.) duke zbuluar para rusëve mjerimin dhe prapambetjen e Rusisë mesjetare krahasuar me vëndet perëndimore. Edhe në ditët e sotme është e vështirë të imagjinohet se si një njeri i vetëm, në periudhën më të errët të mesjetës europiane, të inkuzicionit dhe mbretërve gjakësor, të gjejë kurajon  të drejtojë gishtin mbi shkaktarët e vërtetë : Shtetin dhe Kishën.

Dënimi që u mendua për Mihalin ishte shumë domethënës. Ai u burgos në qelitë e manastirit të Josifit (Иосифо-Волоколамский) mbrojtësit kryesor të pronave kishtare i shoqëruar me letër-porosi të veçantë të metropolitit Danillos : « Të mbyllet në nje qeli ku të mos ndihet asnjë zë, të mos ketë mundësi të shkruaj, të flasë, të predikojë apo t´i shkruaj letër dikujt (…) kështu do të ketë mundësi të pendohet për marrezinë dhe eretizmin e vet. » (6) Mihalin e prangosur e torturonin nëpërmjet të ftohtit dhe urisë nga e cila shpesh rëzohej pa ndjenja në toke. Atij ju ndalua të kryente ritin e lutjes, që sipas mësimeve të kishës i jep mundësi besimtarit “të bashkohet me Zotin nëpërmjet Krishtit” duke siguruar “shpëtimin e shpirtit dhe pavdeksinë”. (7)

Mbasi i lau duart me Mihalin, Mitropolit Danillo vijoi t´i shërbejë me përkushtim Carit, por në v. 1535  pa me trishtim se si aleati i tij në pushtet i kufizoi të drejtat e manastireve «atyre u ndalohej të blinin dhe të hipotekonin tokat e bujqërve pa dijeninë dhe miratimin e qeverisë ». (8)  Në Rusi, sikurse edhe në Europën Perëndimore të shk.16, në duelin për pushtet midis Shtetit dhe Kishës, humbëse doli kjo e fundit.

Gjat të dy gjyqeve (1525, 1531) të zhvilluara kundër tij, Mihali nuk i pranoi akuzat e ngritura, përveç pasaktësirave që mund të kishin ndodhur gjatë përkthimit të librave të shenjtë, të cilat ishin pasojë e rrugës së ndjekur gjatë përkthimit dhe gjëndjes në të cilën ndodhesh në kohën e tij gjuha e sllavëve dhe ajo ruse në veçanti.

Asnjëri nuk e kupton priftin kur lexon Biblën

Kështu i shkruante mbretit të Anglisë Eduardit VI kapiteni i anijes, Riçard Çensler (Ричард Ченслер) gjatë vizitës në Moskë (1553) . “ Kur priftërinjtë lexojnë , çuditërisht , asnjëri nuk mund t´i kuptojë ata dhe askush nuk i dëgjon; ndërkohë që bëhet leximi, njerëzit rinë duke folur me njeri-tjetrin dhe kur prifti kryen shërbesën nuk përqëndrohen, por gagarisin si një kope rosash…” (9)

Në një botim mbi librat dhe shkrimet kishtare në Rusinë e shk.16 , përcaktohet si periudha e mungesës së mendimit shkencor dhe të njohurive besimtare. Leximi bëhej mekanikisht, pa e kuptuar atë që ishte shkruar, si rrjedhojë e mungesës së mësuesve dhe shkollave. Si pasojë,  “Rregullat fetare devijonin drejt së keqes dhe egoizmit, trajtonin thelbin e dogmës përsëmbrapthi ; midis popullit qarkullonin bindje të gënjeshtërta, përfshirë këtu edhe shtresat e mesme e të larta, shërbenjësit shpirtëror dhe murgjit ”.(10) Duke qënë të paarsimuar njerëzit ishin të bindur se librat e shenjtë nuk duheshin të ndryshoheshin. “ Gjuha ruse –sipas një lexuesi të asaj kohe – ishte krijuar nga Zoti, kurse librat kishtare ruse ishin shkruar nga njerëzit e shenjtë, prandaj jo vetëm nuk mund të prekeshin për tu ndrequr, por ishte edhe mëkat”. (11) Siç duket, takimet e murgjeve rus me murgun e Atosit, Sava II i cili ishte edhe përkthyes e kishte bindur Vasilin III se “librat e shenjtë në Rusi kishin pjesë eretike ”, pra duheshin t´iu afroheshin librave të ortodoksëve në greqisht.(12) Kjo ishte edhe arësyeja që e shtyu carin të thëriste një njeri të ditur për ta kryer këtë punë.

Mbasi ishte ushtruar në zanatin e redaktimit dhe të përkthimeve në Itali , Mihali i kishte përsosur aftësinë e tij gjatë dhjetë vitëve të kaluara në manastirin e Atosit, por në Rusi puna ishte krejt ndryshe. Ai përkthente nga greqishtja kishtare në gjuhën latine të kishës romake, ndihmësit e tij rusë e përkthenin nga latinishtja në gjuhën sllave të kishës. (13) Pra bëhej fjalë për tre gjuhë artificiale, ku gjuha e fundit nuk zotëronte as gramatikën e saj dhe përkthyesit rus nuk kishin përgatitje teollogjike të fesë ortodokse dhe të besimit kristian në përgjithësi. Se sa me saktësi e kishin kuptuar dhe përkthyer ndihmësat e tij tekstet e shenjta, për këtë Mihali nuk mund “ të vinte dorën në zjarr ”, fakt që e pranoi me ndershmëri edhe para Danillos dhe gjyqtarëve të tjerë.

Siç u permend në pj.1, ai shkroi më vonë dy libra për garamatikën e gjuhës ruse si dhe shkrime ku theksonte se “mungesa e përgatitjes së thelluar gjuhësore dhe filozofike, jo vetëm pengon për të kuptuar drejt gjuhën e nënës, por nuk të lejon të bësh një përkthim cilësor”.(14)  Materialet e Mihalit mbi temën e gjuhësisë shërbyen si tekste mësimore në shekujt vijues dhe shënuan zanafillën e shkencës gjuhësore ruse mbi bazën e debatit dhe kritikës. Për të vlerësuar punën titanike të murgut arbër në fushën e zhvillimit të qytetrimit në Rusi dhe veçanrisht në shkencën e përkthimeve dhe filozofisë ruse, duhet të njihet …

Historia e përkthimeve të librave të shenjtë në “sllavishtjen kishtare”.

Për gjuhën e parë të shkrimeve të shenjta të shk 9-11 të fiseve sllave, nga gjuhëtarët pranohet “gjuha e lashtë bullgare” dhe si sinonim të saj përdorin emërtimin  “sllavishtja e lashtë” ose “sllavishtja kishtare”.(15)

Emërtimi “sllavishtja e lashtë” është futur në përdorim nga A.X.Vostokovi (А. Х. Востоков) në vitin 1820 dhe përdoret sot nga shkenca ruse.(16)  Paralelizmi i dy gjuhëve mbështetej tek fakti se gjuha e lashtë bullgare  kishte shumë veçori të përbashkëta me një prej dialekteve bullgare (të sllavëve të jugut) sidomos në morfologji , ku bëhet aluzion për gjuhën e maqedonasve të vjetër, e mbiquajtur “dialekt”. (17) Zef Krispi (Xhuzepe Krispi , Memoria sulla lingua albanese, Palermo, 1831) pohon se në Maqedoni nuk është folur një “dialekt” por  “Një gjuhë , gjurmë të qarta të së cilës kanë mbetur në të folurën e sotme të Shqipërisë ”. (18) Pra fiset bullgare të lashtësisë dhe maqedonasit autokton flisnin gjuhë të ndryshme.

Në botimin  “Biblioteca Nazionale Centrale Firence Thesaurus“ lexojmë se : Gjuha e Bullgarisë e përdorur në shk.9  i përkiste familjes   gjuhësore turke. (19)  Afrimi i dy gjuhëve (asaj sllave dhe bullgare-shën im) u bë gradualisht ndër shekuj, me zëvëndësimin e fjalëve turke me ato të sllavëve që solli në gjuhën bullgare ndryshime si psh. të strukturës së saj morfologjike, etj. (20)  E gjith ngatëresa që bëhet në fushën e gjuhësisë për shkrimin e popujve  sllav, ka si qëllim për ta paisur “sllavishten kishtare ” me një datëlindje sa më të lashtë (21) dhe shtrëmbërimin e historisë së vërtetë të alfabetit gllagollik dhe kirillik (shk9) të vëllezërve nga Selaniku i Iperisë (Epirit).


Alfabeti “gllagollik”i përdorur  nga Kirili , sipas studiuesve rus , mbahej si “një formë e fshehtësisë” ( dmth që i përkiste natyrës hyjnore të Krijuesit – shën im) dhe nuk ishte i përhapur. (23) Burimet ruse shkruajnë se dokumentet e mbritura deri më sot me alfabet “gllagollik” shërbyen për shkrimet e sllavëve të perëndimit (në shek. 9 të Moravisë) (foto 1. lart), forma e gërmave ndryshonte nga ajo e hellenëve. Qëllimi, sipas studiuesve ishte të lehtësohej përhapja e alfabetit sllav në vëndet katolike. (24) Në vitin 1538 Guillaume e quajti “Alphabetum Hieronymianum seu Dalmaticum, aut Illiricum” (25)duke dëshmuar se alfabeti ishte i Shën Jeronimit të Ilirisë . Por mbas dështimit të misionit (të vëllezërve arbër që Vatikani të pranonte gjuhën e shkruar të mbretërisë bullgare -shën im), u desh të përdoreshin gërmat hellene (të kishës ortodokse-shën im), që u emërtuan “kirilica” duke i shtuar 10 gërma për tingujt e veçantë të shqiptimit të fjalëve. (26)

Shën Kirili dhe Metodi në Romë për të marrë aprovimin e Vatikanit për alfabetin e tyre. Afresk i kishës së nxënësit ilir të Kirilit – Klementit të Ohrit në Romë.

Nga sa më sipër, kuptojmë se vëllezërit arbër nuk kishin “shpikur” alfabete të reja, por kishin huazuar , nga perëndimi katolik alfabetin e Shën Jeronimit (të emërtuar nga studiuesit “gllagollik”) dhe alfabetin hellen për shkrimet e ortodoksëve bullgarë të Moravisë ( “kirilik”) të Shën Klementi të Ohrit i cili u përdor në vëndet sllave dhe Rusi.

Për ta sqaruar “shpikjen” e Kirilit të ndjekur edhe nga nxënësi i tij, do sjell rastin e këngëtares Fatma Zyberi e cila e ngriti në këmbë publikun turk, kur këndoi në gjuhën e tyre një këngë popullore. Ajo i mësoi mekanikisht fjalët turke duke i lexuar të shkruara me gërmat shqipe. Këtë “të fshehtë” na e zbulon vetë emërtimi “Глагол – ица” (gllagoll-ica) që në rusishten mesjetare do të thotë “fjalë”, pra tingujt e gërmave hellene ju përshtatën tingujve të gjuhës së popujve sllav. Metoda e “përshtatjes” së alfabeteve, nga njeri popull tek tjetri, ka qënë një dukuri e njohur që në parahistori dhe Kirili me nxënësit e tij ndoqën të njejtën rrugë. Dihet se edhe për gjuhën shqipe, para Kongresit të Manastirit (1908), janë përdorur alfabete të ndryshme.

Në shk.14 Kisha ruse vijonte të përdorte kryesisht librat në gjuhën kishtare të Perandorisë bullgare. (27)  Arësyeja, sipas materialeve që lexojmë, mund të ishte fakti, se “ banorët që jetonin në  Rusinë europiane  janë pasardhës të fiseve bullgare të Vollgës që ishin vendosur aty gjatë pushtimeve tartaro-mongole në shk.13 dhe duke u trazuar me vëndësit autokton morrën emrin “Rus”. (28) Më saktësisht, duke u bazuar në faktet historike duhet thënë se, në këtë “trazim” kanë patur gisht edhe “stërgjyshërit” e  bullgarëve të Vollgës dhe të turqve të shk.14-15, fiset e herëshme mongole si hunët, gotët, ostrogotët etj.

Këto dukuri historike sqarojnë edhe afrinë gjuhësore dhe etnike të fiseve “ sllave”. Pikërisht ky unitet gjuhësor i sllavëve të shk.9 , pohojnë studiuesit (А. Мейе,  Н. С. Трубецкого  dhe Н. Н. Дурново, etj.) bëri të mundur ruajtjen e strukturës së përgjithshme të “sllavishtes së lashtë” (bullgarishtes kishtare) të periudhës së vonë. (29)

Ky “historik” i përmbledhur me dy fjalë, dëshmon se përse shkrimet e shenjta në Rusi duheshin ripërpunuar, sepse jo vetëm teksti i librave të shenjtë të sllavishtes kishtare (bullgarishtes kishtare) kishte mangësira në paraqitjen e dogmës kristiane, por edhe vetë gjuha e rusëve (sikurse edhe e popujve të tjerë sllavë) nuk kishte arritur zhvillimin e saj leksikor edhe atë gramatikor. Kjo prapambetje , për arësyet historike të sipërpërmëndura, në fakt përfshinte të gjithë jetën e Rusisë mesjetare ku rolin kryesor e luante mungesa e shkollave dhe e shkencës gjuhësore e filozofisë. Studiuesit modern rus pohojnë se “ Një periudhë e re në zhvillimin e përkthimit (shk.16) si një veprimtari kritike dhe përpunimit të teksteve ruse letrare mbi bazën e normave gramatikore, lidhet me emrin e Maksim Grekut”. (30)

Mihal Trivoli nga Çamëria me shkrimet e tij, preku çdo qelizë të  mjedisit rus duke  mundësuar zbatimin në shekujt pasues të “projektit” të “Rusisë europiane”. Idetë e tij patën një ndikim të rëndësishëm në teollogjinë dhe reformën kishtare, në shkencat gjuhësore, filozofike dhe shoqërore të Rusisë së shk.16, por edhe të Europës perëndimore.

Për ironi të fatit, sikurse Prometeu i cili u dënua për të njejtin “faj” edhe Mihali përjetoi tortura çnjerëzore në malet e Siberisë. Me gjithëse në moshë të thyer, çdo mëngjes i jepte vetes kurajo duke i hedhur sytë mbi vargjet e shkruara me qymyr : “ Mos u ligështo dhe mos vajto o shpirti im, se po vuan pa të drejtë nga ata , prej të cilëve duhej të prisje veç të mira, sepse ti i ushqeve në trapezën shpirtërore…” (31)

Ai u nda nga jeta në vitin 1556 dhe u varros në malet e Siberisë jugore. Me gjith kërkimet për të zbuluar eshtrat e “intelektualit të parë” dhe luftëtarit të paepur të “Rusisë europiane”, varri i tij nuk u gjet kurrë. Sarkofagu i gurtë qëndron bosh (fig.1poshtë) dhe mbi kapak është pikturuar  ikona e Mihal Trivolit.

Mos ishte vallë kjo një hakmarrje “post mortum” për shpërblimin “promete-jan” në Rusi apo një “mrekulli” hyjnore për tu prehur në  Atdhe ?

444

Sarkofagu i Mihal Trivolit në Kishën Троице-Сергиевой 2. Skulptura e tij në grupin e monumentit të ngritur në qytetin Novgorod, 1862. (32)

Si përfundim :Mihal Trivoli i përket “PRONËS HISTORIKE” të Kombit Arbër, siç e pohonte edhe vetë me krenari. I rrethuar prej miqve apo në letrat e tij të më vonshme, Mihali u  pohonte se i përkiste popullit nga rridhnin “Dorët” spartanë apo “Ipeborealët” parahistorikë të Dardanisë ,(33) pa harruar të përmëndte edhe vëndlindjen e tij – Artën e Iperisë (Epirit).

Zoti e ka bekuar Kombin Arbër duke e paisur me një «pronë historike » jashtzakonisht të pasur me emra dhe ngjarje , që luajtën rol të rëndësishëm në zhvillimin e qytetrimit të tyre dhe të popujve të tjerë të Botës. Kjo « PASURI » (shpesh e tjetërsuar nga padituria apo për qëllime të tjera), u shërben brezave pasardhës, vetëm kur skalitet në botimet studimore dhe shkollore të shqipetarëve dhe të botës shkencore të popujve të tjerë, siç veproi në shkrimet e tij Mihal Trivoli, pa u friguar prej « ferrit » të dy Pushteteve.

Fatbardha Demi fatbardha_demi@yahoo.com

28.08.2019

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok