21/12/2024

Serbia i ka futur thellë duart në Podgoricë

0
u6_Blerim-Latifi

Nga Blerim Latifi

Qeveria aktuale e Malit të Zi i referohet Kosovës me fusnotë, do të thotë me një referencë të para njohjës së pavarësisë së Kosovës. Ky shembull tregon nivelin e ndikimit të fuqishëm të Beogradit dhe Rusisë në forcat politike që tash janë në pushtet në Mal të Zi. Serbia i ka futur thellë duart në Podgoricë, me synimin që edhe Malin e Zi ta marrë peng, njësoj si Bosnjën. Në anën tjetër, nuk lë punë pa bërë që edhe Kosova të bëhet peng i saj. Kjo është ëndrra e re shoviniste serbe, ajo që vetë ata po e quajnë me eufemizëm “bota serbe”: një Serbi e kufizuar me shtete që janë pengje të saj.

Bashkimi Europian i ka mbyllur sytë dhe nuk do ta pranojë se problemi themelor i paqëndrueshmërisë në Ballkan ndodhet ende në Beograd.

Fatkeqësisht edhe ky i yni, kryeministri i Shqipërisë, duket se i ka mbyllur sytë para këtij fakti. Sigurisht, si Brukseli, si Rama, një ditë do të detyrohen t’i hapin sytë, por mbase atëherë do të jetë vonë.

___________

Është e vërtetë se ka pasur dezinformata të mëdha rreth vaksinës AstraZeneca. Kam pasur rastin të bisedoj me shumë njerëz të arsyeshëm, të cilët kishin rënë në dilema shkaku i këtyre dezinformatave. Madje, disa prej tyre shpreheshin paksa të habitur pse unë nuk kisha menduar fare dhe të dy vaksinat i kisha marrë AstraZeneca.

Qeveria ka dy gabime të mëdha, të cilat për pasojë sollën hudhjen e mijëra vaksinave, pas skadimit të afatit të përdorimit.

Gabimi i parë ishte se qeveria nuk bëri ndonjë fushatë serioze kundër dezinformatave rreth AstraZeneces dhe gabimi i dytë, edhe më i madh se i pari, ishte kur doli me vendimin se qytetarët mund të zgjedhnin se cilën vaksinë donin ta merrnin.

Vetë ideja e zgjedhjes së vaksinës u dha zjarr edhe më shumë dezinformatave rreth Astra Zeneces dhe kështu mbi 130 mijë vaksina të dhëna falas, tani kanë përfunduar në kontejnerët e bërllogut.

Nuk luftohen dezinformatat rreth pandemisë duke bërë fushatë me Medën dhe Shyhrete Behlulin. Ashtu siç nuk shërohen sëmundjet me ilaçe popullore e duke shkru hajmali te Burdushi apo hoxha i katundit.

___________

Në pranverën e vitit 2019 kur shkova në vizitë në Tokyo, gjëja e parë që më pat ra në sy sapo dolëm në rrugë ishin njerëzit me maska. Kishte aq shumë të tillë saqë për një moment u ndala dhe i shikova si i shtangur. Çfarë ishin gjithë këta njerëz me maska në një kohë kur nuk kishte rënë ndonjë epidemi dhe gjithçka rreth e rrotull reflektonte normalitet? Nuk kishte kurfarë enigme prapa atij lumi njerëzish me maska. Arsyeja madhore e këtij fenomeni japonez është se njerëzit e sëmurë me gripoza të ndryshme vendosin maska që të mos i infektojnë të tjerët duke shpërndarë mikrobet në publik. Nuk janë të detyruar me ligj apo me masa administrative e policore ta bëjnë këtë. Është thjesht praktikë morale, kulturë e përgjegjësisë ndaj tjetrit, obligimi moral për të mos e rrezikuar shëndetin e tjetrit.

Fatkeqësisht tek ne ndodhë saktësisht e kundërta: ne nuk çajmë kokën për tjetrin dhe maskat i mbajmë thjesht nga frika e dënimit policor.

Ne jemi shoqëri egoistësh.Egoizmi ynë i ngjanë egoizmit të njerëzve në gjendjen natyrore të Hobsit, ku secilit i intereson vetem vetja e tij dhe nuk do t’ia dij për pasojat e veprimeve të tij në jetën e të tjerëve, ndërsa shtetin e respektojmë vetëm për aq kohë sa ia kemi frikën. Kjo sigurisht është pasojë e faktit se gjatë krejt historisë kemi jetuar në regjime politike të bazuara mbi frikën, por tash nuk do duhej të vazhdonim me të njëjtën logjikë, sepse shteti nuk është më i huaj dhe nuk bazohet mbi stupcin, por mbi ligjet demokratike.

Fishta shkruante në vitin 1912 se Shqipëria u bë, por mbetej që të bëheshin edhe shqiptarët. Edhe ne e kemi bërë shtetin demokratik, por siç duket do të na duhet ende punë e madhe për t’i bërë qytetarët.

___________

Ky debati midis partive politike për shkurtimin e ditëve të fushatës elektorale, gjoja shkaku i pandemisë, është hipokrizi në vete. Për një arsye të qartë : fushata  joformale elektorale tanimë ka filluar intensivisht dhe të gjithë e dimë se partitë nuk do ta ndërpresin atë për asnjë moment, duke vazhduar tubimet e takimet joformale nëpër oda, kafehane, sokaqe katundesh e qytetesh, në dreka e darka, në dasma e në të pame, dhe pa u mërzitur fort për efektin e tyre në shpërndarjen e covidit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok