24/12/2024

Serbia, feja dhe Kosova

0
u6_Blerim-Latifi

Nga Blerim Latifi

Përplasja ndërfetare midis shqiptarëve ka qenë një interes i përhershëm strategjik i Serbisë. Në harkun kohor të 100 viteve të fundit, Serbia ka investuar vazhdimisht në përmbushjen e këtij interesi. Ja disa fakte esenciale historike.

Në janar të vitit 1913, kur Shqipëria e pavarur ende nuk ishte njohur nga fuqitë e mëdha europiane, ish kryeministri serb i asaj kohe, Vladan Gjorgjeviq, do të shkruajë me një frymë librin me titull “Shqiptarët dhe fuqitë e mëdha”. Vetë titulli tregon se libri ishte shkruar për diplomacitë e këtyre fuqive, me qëllim që t’i bindte ato se shqiptarët nuk e meritonin të kishin shtetin e tyre të pavarur. Gjorgjeviq sillte “dy argumente” në funksion të këtij qëllimi. “Argumenti i parë” ishte racist, ndërsa i dyti ishte i karakterit religjioz. Shqiptarët, shkruante Gjorgjeviq, nuk e meritojnë të kenë shtetin e tyre kombëtar, sepse ata janë njerëz të pacivilizuar, primitivë e barbarë. Gjorgjeviq shkonte aq larg në portretizimin racist të shqiptarëve, saqë i quante ata një lloj nën-njerëzve, qenie me bisht, pra specie gjysmë kafshë e gjysmë njeri. “Argument i dytë” i tij ishte se shqiptarët nuk meritonin të kishin shtetin e tyre kombëtar, sepse shumica e tyre janë muslimanë fanatikë, që nuk e kanë të zhvilluar vetëdijën moderne kombëtare, prandaj “fuqitë e mëdha nuk duhet të lejojnë që kjo kope aziatike të ketë shtetin e saj në Europën e krishterë”. Për fatin tonë të mirë libri i Gjorgjeviqit ra në vesh të shurdhër, falë faktit se mbështetësi kryesor i pavarësisë së Shqipërisë ishte një fuqi e madhe katolike në Europën e asaj kohe, Austro-Hungaria.

Por serbët nuk hoqën dorë asnjëherë nga strategjia e tyre për t’i përdorur dallimet fetare të shqiptarëve kundër vetë atyre.

Në vitin 1921 kryeministri tjetër serb, Nikolla Pashiqi, arriti të bindëte kapidanin e Mirditës Marka Gjonin, që si lider i katolikëve të Mirditës, të ngrihej kundër “qeverisë muslimane të Tiranës”. Falë mençurisë politike të Tiranës zyrtare dhe influencës së intelektualëve e klerikëve katolikë të Veriut, skenari i përplasjes tragjike fetare midis shqiptarëve u shmang. Në vitin 1937, në kohën kur qeveria e Serbisë dhe ajo e Turqisë po negocionin një marrëveshje për deportimin kolektiv të shqiptarëve të Kosovës në Turqi, Vasa Çubrilloviqi, në Elaboratin e tij për Shpërnguljen e Shqiptarëve, do të shkruaj se për të qenë sa më efektive dhe më e shpejtë kjo shpërngulje, përveç masave represive, duheshin përdorur edhe masat e pushtetit të butë, të tilla si angazhimi i hoxhallarëve filoturk dhe nxitja e ndjenjave proturke në mesin e popullatës shqiptare. Kur shqiptarët ta ndjenjë veten më shumë muslimanë, se shqiptarë, atëherë ata vetë do të kërkojnë që të largohen drejt shteteve muslimane, në rastin konkret drejt Turqisë, konkludonte Çubrilloviqi. Për fatin tonë të mirë, shpërtheu Lufta e Dytë Botërore dhe ky skenar i pastrimit etnik të Kosovës u pamundësua.

Në vitet ’50, të shekullit të kaluar, kur Tito i kishte shkëputur marrëdhëniet me Stalinin dhe rrezikonte të pushtohej nga Bashkimi Sovjetik, ai u përpoq të krijonte një aleancë ballkanike kundër këtij rreziku. Turqia, bashkë me Greqinë, u bë pjesë e kësaj aleance antisovjetike të Jugosllavisë. Që të forconte sa më shumë aleancën me Turqinë, Tito i bëri një dhuratë demografike asaj: sajoj pakicën turke në Kosovë duke i bindur mijëra shqiptarë se ata janë turq e jo shqiptarë, gjë që do ta bënte më vonë me boshnjakët duke i shndërruar në komb musliman, me qëllim që të forconte lidhjet e tij me botën islame.

Depërtimi i nacionalizmit enverist në Kosovë gjatë viteve 70 dhe 80, bëri të mundur që të minimizohej pothuajse krejtësisht mundësia e përdorimit të çështjeve fetare nga ana e mekanizmave jugosllavë kundër shqiptarëve. Kur UÇK doli në skenë, regjimi i Milosheviqit iu rikthye strategjisë së vjetër, duke u munduar ta paraqesë atë si organizatë terroriste islamike, por përpjekja e tij nuk pati sukses, falë faktit se ata që e kishin themeluar UÇK-në, vinin të gjithë nga Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK), një organizatë politike e ndikuar esencialisht nga nacionalizmi enverist, brenda të cilit nuk kishte vend për besimet fetare. Kjo bëri që UÇK t’ua mbyllte dyert grupeve xhihadiste, të cilat vetëm pak vite më parë kishin luftuar në Bosnje-Hercegovinë.

Me të përfunduar lufta, shërbimet sekrete të Serbisë, vazhduan përsëri me të vjetrën. Për të penguar pavarësinë e Kosovës, ato vunë në zbatim projektin e importimit të islamit politik në Kosovë, gjë që në të njëjtën kohë po e bënin shërbimet sekrete maqedone tek shqiptarët e Maqedonisë. Në kuadrin e këtij projekti synohej që sa më shumë të arabizohej vizuelisht dhe mentalisht shoqëria kosovare, duke filluar nga rinia e saj, në mënyrë që të frikësohej Perëndimi me idenë se një shtet i pavarur i Kosovës do të ishte ekuivalent me lindjen e një shteti islamik në Europë. E tëra po zhvillohej sipas metodës së vjetër të Pashiqit : që ta dobësoni nacionalizmin shqiptar, forconi dallimet fetare midis shqiptarëve, investoni në këto dallime, bëni që shqiptarët t’i japin përparësi identitetit të tyre fetar, në raport me atë kombëtar, investoni që shenjat e identitetit të tyre kombëtar të duken të parëndësishme përballë shenjave të tyre fetare. Kur kjo të realizohet, atëherë do të krijohet hendeku kulturor midis shqiptarëve dhe Perëndimit dhe si rezultat të drejtat e Serbisë mbi Kosovën do të rinjihen sërish prej tij. Fakti tjetër që e favorizonte këtë skenar të Serbisë ishte rifuqizimi i populizmit djathtist gjithandej Europës, populizëm i cili karakterizohet nga një animozitet ideologjik për Islamin. Institucionet tona shtetërore dhe politikanët tanë, nuk është se nuk kanë qenë të vetëdijshëm për këtë projekt, por të dhënë pas pushteteve të tyre personale e grupore, pas grumbullimit të vota me çdo mjet, e pas pasurimit të familjeve të tyre, i kanë mbyllur sytë dhe mosreagimin e tyre e kanë justifikuar përmes minimizimit të rrezikut. Tani jemi në gjëndjen të cilën mund ta shohë e kuptoj secili. Përpjekja serbe për ta fetarizuar misionin e UÇK-së ia ka dalë të futet edhe në dosjet e Gjykatës Speciale, ku krerët e UÇK-së akuzohen se kanë persekutuar edhe pjestarë të komunitetit katolik, edhe pse duket fare qartë se një akuzë e tillë është krejtësishtt absurde dhe absolutisht e rreme. Kur presidenti Klinton kishte vizituar Kosovën pas luftës, na kishte dhënë një këshillë : Ne e fituam luftën, ju duhet ta fitoni paqen! Ne nuk e morrëm asnjëherë seriozisht këtë këshillë të shpëtimtarit tonë, këshillë prapa të cilës qëndron një rregull e vjetër i historisë : paqja është vazhdim i luftës me mjete të tjera. Tani duhet të përballemi me pasojat.

_________

Formula e Pagëzimit, e 8 nëntorit të vitit 1462, deri me tani, konsiderohet si dokumenti më i vjetër i shqipes së shkruar. Autori i këtij dokumenti është Pal Ëngjëlli, këshilltari dhe diplomati i Skënderbeut.Paramendojeni, para 558 vitesh, kur edhe gjuhët e mëdha europiane ende ishin në fillet e tyre të shkrimit, dikush mendonte që shqiptarët duhej t’i drejtoheshin Zotit në gjuhën e tyre dhe pas 558 vitesh ende ka të atillë që kundërvihen kësaj ideje madhështore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok