22/11/2024

Sekretarja e Shtetit për Rumunët e Kudogjendur  mes banorëve të Mekatit

0

Nga Entela Binjaku

“Shkolla e Mekatit këtë vit mori financim të parimbursueshëm nga ana e Departamentit për Rumunët e Kudogjendur, arsye për të cilën në itinerarin tonë të Ballkanit u ndalëm edhe këtu: dëshironim të njihnim nxënësit.

U pritëm gjatë dhe u përshëndetëm nga autoritetet vendase, drejtoresha e shkollës, banorët e fshatit dhe Entela Binjaku, drejtore ekzekutive e Fondacionit “Harriet Martineau” i cili në vitin 2020 zhilloi me financimin po të DRP-së portalin e lajmeve në gjuhën rumune “arumun.com” dhe botoi “Abecedarin e dialektit arumun për komunitetin arumun të Shqipërisë”.

Për habinë tonë na doli përpara një kryqëzim rrugësh.

Dikur, në historinë tonë të përbashkët, rumunët dhe arumunët u ndanë në një kryqëzim të tillë. Historia na çoi në fate të ndryshme, por sot rrugët tona u bashkuan dhe kjo na gëzoi pa masë.  Bashkimi ynë vazhdoi po në mënyrë simbolike, sepse u mblodhëm në oborrin e shkollës që është i rrethuar, ose më saktë i ruajtur (kështu u ndjeva) nga varrezat e fshatit.

Të rrethuar nga paraardhësit e prehur, nga fëmijë, prindër dhe gjyshër, mundëm të shihnim, pikërisht, se si e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja e dialektit arumun është e ruajtur mirë, këtu, në gjirin e komunitetit.

Çdo vit nga sipërfaqja e tokës shuhen 400 gjuhë. Misioni për të mbajtur gjallë një gjuhë, një dialekt, për të ruajtur një identitet kulturor është stafeta që babai ja la Entela Binjakut, e cila arriti, vite më vonë, në Mekat, për të sjellë “disa libra” siç tha ajo.

Ju sigurojmë se librat kanë mbërritur mirë dhe se ne do të bëjmë gjithçka që të jemi më pranë Rumunëve të komuniteteve historike, për t’u treguar se ata bëjnë pjesë tek Rumania.”

Ky është mesazhi që Sekretarja e Shtetit  znj. Oana Ursake (Oana Ursache)  shkroi pas vizitës që ajo dhe delegacioni i DRP-së zhvilluan në fshatin Mekat të Vlorës. I pranishëm me delegacionin nga vendi mik  ishte ambasadori i Rumanisë në vendin tonë z. Oktavian Sherban (Octavian Serban).

Ky delegacion e përfshiu edhe vendin tonë në itinerarin ballkanik që nisi me Bullgarinë, Maqedoninë e Veriut e vijoi me Shqipërinë.   Takimi u mbajt në datën 25 korrik 2021.  I gjithë ky takim u përshkua nga çaste emocionuese dhe të ngrohta bisedash njerëzore.  Në këtë takim e morën fjalën kryeplaku z. Berti Lera i cili shprehu edhe njëherë mbështetjen që ky komunitet i jep mësimit të gjuhës dhe ruajtjes së traditave.

Më tej fjalën e mori drejtoresha e shkollës znj. Antoneta  Jaçe. Znj. Jaçe bëri për të pranishmit një situatë të numrit të nxënësve të kësaj shkolle për të cilët shprehu edhe vlerësimin për rezultatet e larta dhe bashkëpunimin që shkolla ka me komunitetin e prindërve.

Sokrat Koreta banor i këtij fshati dhe një ndër aktorët kryesorë të kësaj nisme foli edhe për fillesat e kësaj shkolle kur mësimi zhvillohej në shtëpinë e tij.  Në vargje të thurura për këtë rast, ai nderoi edhe kujtimin e Thoma Binjakut, i cili 5 vite më parë, i ishte përgjigjur thirrjes së tij dhe e kishte mbështetur në dëshirën për t´u mësuar fëmijëve gjuhën.

Në këtë takim e morën fjalën edhe z. Mihal Gerveni, Petraq Koreta, Jani Qirjo etj. Me falëndërime për miqtë rumunë ata shprehën po ashtu vlerësimin për ruajtjen e gjuhës dhe traditave të pakicës rrëmënje.

Në shenjë respekti dhe mikpritjeje për znj. Ursake banorët kishin  përgatitur një dhuratë simbolike me punime artizanale tradicionale të grave të zonës.  Ky gjest simbolik shënoi edhe një tjetër cast emocionues në këtë takim kuptimplotë.

Nisma për këtë projekt lindi gjatë një vizite në janar të këtij viti në fshatin Mekat.

“Shkolla në këtë fshat ka pesë vjet që është hapur. Në fshatin tonë dëshirojmë që të kemi një klasë që të mësohet,  sepse Sokrati ka shumë durim për të mësuar fëmijët. I ndjeri Thoma ka punuar shumë për fshatin tonë. Sokrati ka punuar i papaguar, duke shpenzuar paratë e shtëpisë. Ai ka punuar jashtëzakonisht që e nxori gjuhën tonë në dritë. Pas ikjes së Thomait, këtu nuk ka ardhur më askush- Nuk na ka dhënë askush ndihmë”, shprehej Mihal Gerveni në një vizitë të zhvilluar në janar të këtij viti në fshat. Kërkesa për gjuhën dhe mbështetja për Sokratin ishin kryefjalë edhe e një takimi tjetër të zhvilluar me banorët e këtij komuniteti.  Kryeplaku  Berti Lera shprehej: “Jemi të gjithë bashkë, ne jemi të gjithë rrëmënj… Ndaj për ne është ditë e madhe të kemi një shkollë, të mësojmë gjuhën tonë…. Kush është ai është që nuk e do gjuhën e nënës, ta flasë? Fëmijët mezi presin, ata gëzojnë më shumë se ne. Duam ta mësojnë, ta flasin e ta shkruajnë”.

Të pranishmit në takimin në fjalë si: Ligor Doko, Sokrat Koreta, Mihal Gerveni, Mihal Doko etj., fëmijë, e pjestarë të komunitetit sërish shprehën mbështetjen për hapjen e klasave të mësimit të gjuhës rrëmëne.

Ndërkohë arumunët janë të vendosur në disa zona të Shqipërisë si në: Korçë, Tiranë,  Durrës, Vlorë, Kavajë, Elbasan, Divjakë, Lushnje, Berat, Pogradec etj.

Delegacioni i DRP-së në Shqipëri vizitoi Korçën, Gjirokastrën, Sarandën, Tiranën, Selenicën dhe Mekatin duke zhvilluar takime me përfaqësues të institucioneve vendore dhe qendrore, me ish studentë të insitucioneve arsimore në Rumani si dhe  me  aktorë që kontribuojnë në drejtim të ruajtjes dhe identitetit të pakicës kombëtare arumune në vendin tonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok