09/11/2024

Sarda, qyteti i lashtë iliro-arbnor, ku çdo gur i saj flet shqip

0

Nga Paulin Z. Zefi

Sarda, e cila ka një vertikale shumë të thellë historike, që daton në Antikitetin e Vonë, në kulmin e zhvillimit të saj ka qenë një nga qytetet më të lulëzuara, jo vetëm në Arbëri, por edhe në Europë. Në vitin 877 ka shërbyer si kryeqendër e rajonit të madh të Pulatit dhe ka lulëzuar si qendër e Dioqezës së Sardës. Deri në fund të shek. XV ka qënë një qendër shumë e rëndësishme ekonomike dhe kulturore, duke arritur kulmin e lulëzimit të saj në kohën kur u sundua nga Dukagjinët. Vetë famëmadhi, Leka III Dukagjini, pasi u largua nga Sapa (Nënshati i sotëm) e ndërtoi selinë e tij princërore në këtë qytet dhe rrënojat e pallatit të tij ende ekzistojnë edhe në ditët e sotme në pjesën e sipërme të sistemit të fortifikimit. Mjerisht, Sarda u shkatërrua përfundimisht nga turqit osmanë në vitin 1491, duke u kthyer në një qytet fantazëm. Mirëpo, rrënojat e shumta të strukturave murale të kështjellës dhe kishave katolike të stilit romanik janë dëshmi e gjallë e një të kaluare të lavdishme. Nga një relacion i Imzot Frang Bardhit që daton në vitin 1641, mësojmë se asokohe në Sardë dhe rrethina ekzistonin rrënojat e 80 kishave, por vetëm njëra prej tyre ishte funksionale. Ndërsa, gjatë zhvillimit të gërmimeve arkeologjike në vitet 1967-1970 nga Hëna Spahiu dhe Damian Komata, janë evidentuar 10 kisha, 7 brenda në qytet dhe 3 të tjera jashtë murit rrethues. Deri në vitin 1971, kur përfunduan punimet e ndërtimit të digës së HEC-it të Vaut të Dejës, kodra shkëmbore mbi të cilën qëndron Sarda, nga një gadishull i rrethuar prej lumit Drin në tre anët, u shndërrua në ishull.

Falenderoj nga zemra mikun e nderuar, Titin (Tito Ahmataj), shefin e Restoranit “Zemra e Ballkanit” në fshatin Rragam të Shkodrës, që na mundësoi transportin me anije turistike nga Rragami dhe deri në Ishullin e Shurdhahut!

I ftoj të gjithë ata që kanë kohë dhe mundësi, që të vijnë dhe ta vizitojnë këtë vend të mrekullueshëm për të prekur dhe shijuar nga afër madhështinë e Arbërisë sonë të lavdishme!

Ishulli i Shurdhahut, Liqeni i Vaut të Dejës: 12.07.2024

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok