21/12/2024

Sa për kujtesë zotërisë Belind Këlliçi

0
Eshref-Ymeri1

Nga Eshref Ymeri

I nderuar Belind,

Së pari, ju përshëndes për aktivitetin tuaj shumë të dendur në shërbim të Partisë Demokratike. Dëshiroj që fushata juaj në Tiranë për zgjedhjet e 14 majit, të përfundojë me sukses, në mënyrë që më 15 maj ju të jeni në krye të Bashkisë më të madhe të vendit. Jam plotësisht i bindur se të gjithë qytetarët e Tiranës, sipas premtimit tuaj, do të jenë shumë të kënaqur me qarkullimin falas me autobusë urbanë. Ky do të jetë një lehtësim i madh për ta. Le të shpresojmë që autobusët urbanë do të jenë të pajisur po në atë mënyrë, si edhe në Luksemburg, siç i përshkruan bashkatdhetarja jonë që jeton dhe punon atje si kuzhiniere, zonja Majlinda Mirakaj, në informacionin me titull “Transporti falas në Luksemburg. Kuzhinierja: Urbanët janë pa faturino dhe me kamera”, të botuar në faqen e internetit “euronews Albania” të datës 10 prill 2023.

Së dyti, siç e dini shumë mirë, kryetari i tanishëm i Bashkisë, Erion Veliaj, në vitin 2017, e rriti çmimin e ujit me 40%. Pra, Erion Veliaj, në vend që t’ua lehtësonte qytetarëve barrën e rëndë të taksave, i rëndoi edhe shumë më tepër. Pra, ai veproi jo si kryetar bashkie, por si një oligark-kriminel, sigurisht, me dijeninë dhe përkrahjen e plotë të Ramës. Në pikën 5 të premtimeve tuaja, ju keni deklaruar se do ta lehtësoni  barrën fiskale për biznesin  e vogël dhe të mesëm. Por a mendoni që ta ulni taksën e ujit, me të cilën Erion Veliaj i goditi qytetarët e Tiranës me dajakun e rëndë të varfërisë?

Së treti, qyteti i Tiranës, që nga koha e diktaturës komuniste, ka trashëguar dhe vazhdon ta ketë në trashëgim erën e keqe të ujërave të zeza të kanalit të Lanës. A nuk do të ishte mirë që krejt ai kanal, në tërë gjatësinë e vet, të mbulohet me harqe betoni, sipër të sheshohet dhe të shtrohet me asfalt, në mënyrë që të shmanget era e rëndë e ujërave të zeza dhe të shërbejë edhe si shëtitore?

Së fundi, gjatë këtyre 32 vjetëve, të gjithë kryetarët e bashkisë patën premtuar se do ta zgjidhin një herë e mirë furnizimin e qytetit me ujë për 24 orë. Por të gjitha ato premtime kanë rezultuar mashtrime të turpshme. A mendoni se mund të jetë i mundur furnizimi i banorëve me ujë, ditë e natë, pa ndërprerje, pa fuçi nëpër taraca? Edhe sa kohë banorët e kryeqytetit do të vazhdojnë të jenë në mëshirën e ujëmbledhësit të Bovillës? A mendoni se kryeqytetit duhet t’i shtohet furnizimi me ujë nga të tjera burime, nga të tjera rezerva ujore, me të cilat vendi ynë është mjaft i pasur?

Në mbyllje dëshiroj t’i ftoj qytetarët e nderuar të Tiranës ta japin votën për kandidaturën tuaj, të mos bëjnë tregti me votën. Në të kundërt, nëse shumica do të votojë për Erion Veliajn, atëherë do të më duhet t’u them se kanë votuar për dajakun e varfërisë, çka më kujton diçka nga historia.

Sigizmund von Herbershtein (Siegmund von Herberstein 1486-1566), baron, diplomat i Perandorisë së Shenjtë Romake, me kombësi austriake, shkrimtar dhe historian, zotërues i dialekteve sllave, çka e pati ndihmuar për punimet e veta për Rusinë, famën më të madhe, si në Rusi, ashtu edhe jashtë saj, e pati fituar për veprat e shumta që pati krijuar për gjeografinë, për historinë dhe për organizimin e bredshëm të shtetit rus. Ja çfarë shkruante ai për popullin rus:

“Populli rus ka më shumë prirje për të qenë i skllavëruar, sesa i lirë. Pata dëgjuar se si shërbëtorët ankoheshin se zotërinjtë i rrihnin  në një mënyrë të pamjaftueshme”.

Ju uroj shëndet, mbarësi dhe fitore më 14 maj.

Kaliforni, 23 prill 2023

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok