23/12/2024

Rusopolitika, kjo “mikeshë” e kahershme e kombit shqiptar

0
Eshref-Ymeri

(Ambasadorët rusë në Tiranë kanë mbajtur të njëjtin avaz)

Nga Prof. Dr. Eshref Ymeri

Në faqen e internetit të gazetës “Bota Sot” të datës 31 mars, lexova një artikull mjaft interesant të analistit të spikatur me karrierë diplomatike Shaban Murati, një intelektual i njohur ky për brumosjen shembullore në mbrojtje të dinjitetit tonë kombëtar. Artikulli titullohet “A po ndërhyn Rusia në zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri. Një deklaratë dhe një sjellje e ambasadorit rus në Tiranë që nuk ka ndodhur kurrë më parë”.

Në atë artikull analitik më bënë përshtypje të thellë dy gjëra që ka nënvizuar autori, të cilat po i citoj në vijim.

Së pari: Ambasada ruse mund të ngrejë edhe “njëzet shoqata të tjera miqësie me Rusinë” nëpër qytetet tona, përveç atyre 20 shoqatave që ka ngritur deri tani.

U bënë kaq vite që ambasadorët rusë në Tiranë  mbajnë të njëjtin avaz për të ashtuquajturën miqësi Rusi-Shqipëri. Në gazetën “Shqip” të datave 23 dhe 24 dhjetor 2006, qe botuar një intervistë e ambasadorit Aleksandër Prishepov, dhënë gazetarëve Aida Harka dhe Leonard Mitro. Në atë intervistë ai, midis të tjerash, deklaronte:

“…shqiptarët dhe rusët kanë ndjenja historikisht miqësore ndaj njëri-tjetrit”.

Në faqen e internetit “info Albania”  të datës 09 korrik 2013, qe botuar një intervistë, të cilën moderatorja e emisionit “Shqip” të TV Top Channel, znj. Rudina Xhunga, i kishte marrë ambasadorit Leonid Abramov.

Që në përgjigje të pyetjes së parë, ambasadori Abramov theksonte:

“Rusët gjithmonë i konsiderojnë shqiptarët si miq”.

Në faqen e internetit “Gazeta Impakt” të datës 15  shkurt 2018, ambasadori Aleksandër Karpushin nënvizonte:

“… për sa u përket marrëdhënieve bilaterale Rusi-Shqipëri, ato kanë tradita të pasura të lidhjeve shumë të ngushta, madje vëllazërore…”.

Nga artikulli i analistit Shaban Murati mësova se ambasadori i tanishëm Mihail Afanasiev paska përmendur krijimin në qytetet tona të 20 shoqatave të miqësisë Rusi-Shqipëri. Le të “shpresojmë” që ambasada ruse do të krijojë shoqata të tilla jo vetëm në të gjitha qytetet, por edhe në të gjitha njësitë e tyre bashkiake, deri edhe në komunat dhe fshatrat më të largët.

Së dyti: Të njëjtën ditë me ambasadorin e saj në Tiranë, edhe zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Ruse, Maria Zaharova, në brifingun e saj me mediat në 26 mars ndërhyri në punët e kombit shqiptar dhe u muar gjatë me objektivin e diplomacisë ruse të nxitjes së konfliktit midis Serbisë dhe Kosovës, dhe me një retorikë urrejtjeje antishqiptare sulmoi popullin e Kosovës dhe NATO-n.

Maria Zaharova “i paska rënë pikës” kur me urrejtjen antishqiptare paska sulmuar popullin e Dardanisë dhe NATO-n. Pra, ajo nuk ka lëvizur as edhe një fije nga hullia e urrejtjes tradicionale të rusopolitikës kundër kombit shqiptar. Prandaj ambasadorët rusë në Tiranë i bien fyellit në një vrimë për marrëdhëniet “vëllazërore” Rusi-Shqipëri,

Është me të vërtetë e çuditshme se si ka mundësi që ambasadorët rusë, me deklaratat e tyre për “miqësinë” Rusi-Shqipëri, të arrijnë të shtrembërojnë të vërtetat historike për qëndrimet tradicionalisht armiqësore të politikës ruse ndaj kombit shqiptar? Me sa duket, ambasadorët në fjalë i marrin shqiptarët për budallenj, për naivë ose për njerëz të pashkolluar, të cilët, sipas tyre, nuk e paskan informacionin e duhur për politikën armiqësore ruse ndaj kombit shqiptar, një politikë kjo me rrënjë të kahershme. Në këtë mes, vetvetiu, lind edhe dyshimi se mundet që edhe vetë ambasadorët rusë të jenë gjysmakë nga formimi kulturor dhe, për pasojë, nuk ia kanë haberin absolutisht politikës armiqësore tradicionale ruse në qëndrimin ndaj kombit shqiptar, prandaj në Tiranë vazhdojnë të mbajnë të njëjtin avaz.

Në vijim, fare shkurt, po parashtroj në formë panoramike traditën e politikës armiqësore të Rusisë ndaj kombit shqiptar.

Gjatë diskutimeve që u zhvilluan në Kongresin e Berlinit, ku filloi copëtimi i parë i trojeve tona etnike, “përfaqësuesit e Gjermanisë, të Austro-Hungarisë, të Francës, të Britanisë së Madhe dhe të Italisë i rekomanduan Portës së Lartë dispozitat e projektit franko-austriak dhe, çka është më e rëndësishme, bënë të ditur se qeveritë e tyre nuk do të kishin asnjë kundërshtim në qoftë se Porta e Lartë do ta quante me vend që t’i bashkonte trevat shqiptare në një vilajet të vetëm” [Arben Puto. “Çështja shqiptare në aktet ndërkombëtare të periudhës së imperializmit”, Shtëpia Botuese “8 nëntori”, vëll. I (1867-1912). Tiranë, 1984, f. 34].

Por përfaqësuesi i Rusisë në Kongresin e Berlinit, agjenti diplomatik Hitrovo, interpretoi “qëndrimin e përgjithshëm të qeverisë së tij që ishte kundër çdolloj autonomie shqiptare” (po aty).

Në një njoftim të fillimshekullit XX që lidhej me ambasadën ruse në Kostandinopojë, thuhet:

“Ambasada ruse ripërsëriti kërkesat e saj ndaj Portës së Lartë, duke i kërkuar asaj ndëshkimin e liderit shqiptar Isa Boletini. Ky i fundit, i cili ishte dërguar fillimisht në Selanik, u lejua më pas të kthehej në fshatin e tij Boletin, afër Mitrovicës” [Aurenc Bebja. “Le Matin (1902) / Kërkesat e ambasadës ruse ndaj Portës së Lartë me qëllim ndëshkimin e Isa Boletinit”. Faqja e internetit “Bota Sot”. 11 dhjetor 2019).

Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, e cila u mblodh fill pas shpalljes së pavarësisë në Vlorë, u vazhdua më tej copëtimi i trojeve etnike shqiptare, po për llogari të shovinizmit sllavogrek. Në dallim nga ambasadorët e tjerë të fuqive perëndimore, ambasadori i Rusisë në Konferencën e Londrës pati mbajtur qëndrimin më të egër dhe më armiqësor ndaj Çështjes Kombëtare Shqiptare. Ministri i jashtëm britanik, Eduard Grei, në seancën e 22 janarit të vitit 1913, thekson:

“Ambasadori i Rusisë thotë se qeveria perandorake ka për të paraqitur kundërshtimet më të rrepta kundër caktimit të qytetit të Shkodrës Shqipërisë…” (Arben Puto. “Çështja shqiptare në aktet ndërkombëtare të periudhës së imperializmit”. Shtëpia Botuese “8 nëntori”, vëll. II. Tiranë, 1987, f.21).

Ambasadorët e vendeve pjesëmarrëse i paraqitën Konferencës hartat përkatëse, në të cilat dukej qartë se si fuqitë e mëdha bënin pazare dhe copëtonin trojet etnike shqiptare. Midis të gjitha hartave, binte në sy harta e paraqitur fillimisht nga ambasadori i Rusisë cariste. Sipas asaj harte, jashtë kufijve të tanishëm të Shqipërisë, mbeteshin edhe Shkodra, edhe Tropoja, edhe Kukësi, edhe Dibra, edhe Pogradeci, edhe Korça, edhe Erseka, edhe Delvina, edhe Saranda.

Moris Paleologu, ish-ambasador i Francës në Rusi prej korrikut të vitit 1914 deri në maj të vitit 1917, në kujtimet e veta shkruan:

“Sot në mëngjes (e shtunë, 21 nëntor 1914 – E.Y.) Sazonovi (asokohe ministër i jashtëm i Rusisë cariste – E.Y.) më tha:

“Sovrani (cari Nikollaj II – E.Y.) ju pret në orën katër… Perandori më pret me mirësjelljen e tij karakteristike, me përzemërsi dhe paksa me druajtje… Mandej, pasi shpalosi hartën e Gadishullit të Ballkanit, ai, në vija të përgjithshme, më parashtron këndvështrimin e vet se cilat duhet të jenë ndryshimet territoriale, të cilat ne, sipas vlerësimeve të tij, duhet t’i dëshirojmë: Serbisë t’i aneksohen Bosnja, Hercegovina, Dalmacia dhe pjesa veriore e Shqipërisë. Greqia të marrë Shqipërinë e Jugut, përveç Vlorës, e cila do t’i lihet Italisë” (Moris Paleolog. ”Carskaja Rossija vo vremja mirovoj vojnëj” (Rusia cariste gjatë luftës botërore), Mezhdunarodnëje otnoshenjija. Moskva, 1991, f. 125-126, 128-129).

Pikërisht në frymën e rekomandimeve të carit të  Rusisë, fuqitë e mëdha evropiane, nuk u mjaftuan vetëm me copëtimin e trojeve etnike shqiptare në Kongresin famëkeq të Berlinit dhe në Konferencën famëkeqe të Ambasadorëve në Londër. Ato, nën diktatin e Rusisë cariste, tashmë kërkonin zhdukjen tërësisht nga harta edhe të asaj ngastre të vogël Shqipërie që u kishte shpëtuar thikave të kasapëve të diplomacisë shoviniste evropiane në vitin 1913. Me këtë rast, Sergej Sazonov, ish-ministër i jashtëm i Rusisë cariste prej vitit 1910 deri në vitin 1916, shkruan:

“Që në ditët e fundit të tetorit (të vitit 1912 – E.Y.), i dërguari ynë në Beograd më njoftonte për planin që aleatët kishin hartuar për ndarjen e territoreve të pushtuara. Duke marrë parasysh informacionin e tij, mund të druheshe se në dëshirat e zjarrta serbe për të dalë në bregdetin shqiptar të Detit Adriatik, diplomacia austro-hungareze do të gjente shkaqe më se të mjaftueshme për të kundërshtuar… Për këtë arsye, nuk kishte asgjë për t’u habitur me fjalët që më shkruante N.G. Hartvig (ambasadori rus në Beograd – E.Y.), se mes kërkesave që ishin shtruar nga qeveritë aleate, figuronte edhe copëtimi i Shqipërisë mes Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë, madje Serbia llogariste si pjesë të présë së vet Shqipërinë e Veriut, me përjashtim të krahinës së Shkodrës, që i aneksohej Malit të Zi, bashkë me vijën bregdetare, që nga Shëngjini deri në Shkumbin, duke i lënë Greqisë Shqipërinë e Jugut (poshtë Shkumbinit – E.Y.). Këto kërkesa, më shkruante Hartvigu, fitimtarët ballkanikë kanë vendosur t’i mbrojnë me forcën e armëve… Kuptohet vetvetiu se nga ana e Rusisë copëtimi i Shqipërisë mes ballkanasve, në thelb, nuk mund të haste në kurrfarë kundërshtimesh…” (Sergej Dmitrijeviç Sazonov. “Vospominanjija” (Kujtime). Harvest. Minsk, 2002, f. 77-78).

Siç dihet, Traktati i fshehtë i Londrës, kjo njollë turpi dhe krimi në ballin e diplomacisë evropianoperëndimore dhe të Rusisë cariste, i nënshkruar më 26 prill 1915,  e zhdukte fare nga harta shtetin e pavarur, por të cunguar rëndë shqiptar.

Diplomati rus, Oleg Levitin, dikur me shërbim në Tiranë si punonjës ambasade, pati nënvizuar një fakt interesant:

“Stalini i kërkonte delegacionit jugosllav në mesin e viteve 1940, t’i shpjegonte diçka për shqiptarët misteriozë, duke dhënë vetë shpjegime të pamjaftueshme dhe duke konkluduar se Moska nuk kishte asnjë interes në çështjet shqiptare” (Oleg Levitin. Brenda turbullirës së Moskës për Kosovën”. Gazeta “Albania”, 10 janar 2001, f. 6).

Komunistët shqiptarë, duke i lejuar vetes të përdoreshin si mashë e komunistëve rusë, do të përkrahnin pa rezerva komunistët grekë gjatë luftës civile në Greqi. Pikërisht për interesat e veta gjeostrategjike në Evropën Juglindore, Bashkimi Sovjetik do të pranonte të bënte edhe pazare të rrezikshme me shovinizmin grekokriminal, në dëm të tërësisë territoriale të vendit tonë.

“Më 7 korrik 1948…përfaqësuesi sovjetik në Greqi (Çernjishev – E.Y.), kishte propozuar fillimin e bisedimeve midis qeverisë sovjetike dhe qeverisë greke për zgjidhjen e problemeve që kishin dalë. Kushti i parë ishte premtimi i Caldarisit që t’i zhvillonte bisedimet personalisht në fshehtësinë më të madhe, pa e përmendur çështjen me asnjë njeri në qeverinë greke. Ishte lënë të kuptohej se sovjetikët ishin përgatitur të diskutonin jo vetëm marrëdhëniet e përgjithshme të Greqisë me fqinjët veriorë, por gjithashtu edhe çështjen e Epirit të Veriut… Kjo ofertë e Bashkimit Sovjetik për qeverinë greke, nxjerr në pah si mungesën e sinqeritetit të qeverisë sovjetike në marrëdhëniet me Shqipërinë, ashtu edhe rëndësinë e papërfillshme që kishte Shqipëria në planet dhe në objektivat sovjetike… Pra, përpara interesit madhor të Shqipërisë dhe respektimit të integritetit të saj territorial, sovjetikët vinin ruajtjen  dhe mbijetesën e forcave komuniste greke… Këtë konkluzion e përforcon edhe propozimi që i kishte bërë Stalini Gjilasit në shkurt të vitit 1948, që Jugosllavia ta gëlltiste Shqipërinë. Pra, Stalini e llogariste Shqipërinë si një copë tortë, që do t’ua vinte përpara komunistëve deviacionistë jugosllavë për të ndjekur politikat e vijën e tij, ose të djathtëve shovinistë grekë për të ndalur ofensivën dhe për të zbutur qëndrimin e tyre ndaj komunistëve dhe influencës sovjetike” (Prof.dr. Beqir Meta. “Tensioni greko-shqiptar”. 1939-1949. GEER. Tiranë 2002, f. 612, 613, 614).

Fakti që Stalini i ka kërkuar Gjilasit që Jugosllavia ta gëlltisë Shqipërinë, jepet në një mënyrë pak më të zgjeruar në një tjetër burim. Kështu, sipas diplomatit Shaqir Vukaj (ish-ambasador në Moskë), asokohe (shkurt 1948 – E.Y.) delegacioni jugosllav (i përbërë nga M. Gjilasi, K. Popoviçi dhe V. Tempoja) u prit nga Stalini dhe midis tyre qënka zhvilluar kjo bisedë, në të cilën, sipas shënimeve që ka mbajtur vetë Gjilasi, Stalini u qenka drejtuar jugosllavëve me fjalët e mëposhtme:

“… Në Shqipëri ne nuk kemi interesa të veçanta. Ne jemi dakord që Jugosllavia ta gëlltisë Shqipërinë! – Dhe ai mblodhi gishtat e dorës së djathtë dhe i afroi te goja, sikur po kapërdihej. Mua më çuditi, pothuajse më turbulloi kjo mënyrë shprehjeje e Stalinit dhe gjesti i tij…Unë përsëri fillova t’i shpjegoj: – Nuk duam ta gëlltisim, por të bashkohemi. – Këtu ndërhyri Molotovi: – Po, kjo do të thotë ta gëlltisni. – Ndërsa Stalini – përsëri me gjestin e tij: – Po, po, ta gëlltisni. Dhe ne jemi dakord me këtë, ju duhet ta gëlltisni Shqipërinë dhe sa më shpejt, aq më mirë” (Shaqir Vukaj. “Rusia dhe Kosova. (Shënime të një diplomati)”. Tiranë 2007, f. 104).

Por Rusia komuniste, edhe më vonë, i vazhdoi pazaret edhe me shovinizmin grekomadh në dëm të tërësisë tokësore të Shqipërisë. Kështu, Venizellosi, më 5 qershor 1960, “i kërkoi Hrushovit ndërmjetësimin e tij që udhëheqja shqiptare të pranonte autonominë e “Epirit të Veriut”. Shefi i Kremlinit i deklaroi atij se “partitë komuniste e përshëndesin idenë se çdo minoritet duhet të jetë autonom, me qëllim që të jetë në gjendje të zhvillojë kulturën dhe gjuhën e tij, sipas dëshirave të veta. Ai u angazhua se do t’ia transmetonte këto gjëra E. Hoxhës kur ta takonte në Bukuresht. Këtë bisedë me Hrushovin, Venizellos e bëri atëherë publike në shtypin grek dhe ajo nuk u përgënjeshtrua nga ndonjë burim sovjetik” (Prof.dr. Beqir Meta. “Shqipëria dhe Greqia. 1949-1990. Paqja e vështirë”. Shtëpia Botuese Koçi. Tiranë 2004, f. 165).

Megjithatë, si “gur i fundit i provës” për të gjykuar nëse ka pësuar sadopak ndryshime qëndrimi tradicionalisht armiqësor i politikës dhe i diplomacisë ruse ndaj Çështjes ende të pazgjidhur Kombëtare Shqiptare në Evropën Juglindore, do të shërbente trajtimi që ajo do t’i bënte Çështjes së Dardanisë. Faktet e qëndrimit shumë armiqësor të Moskës ndaj Dardanisë përbëjnë një enciklopedi më vete. Po mjaftohem vetëm me një fakt fort domethënës që parashtron ish-ambasadori Shaqir Vukaj në librin e sipërcituar me kujtime.

Njëri nga kryekriminelët me damkë serbë, armik i tërbuar i kombit shqiptar,  Vojsllav Shesheli, më 30 tetor 1998, arriti për një vizitë   zyrtare në Moskë, ku u prit me nderime të veçanta nga autoritetet ruse, të cilave nuk u bëri fare përshtypje deklarata në vijim e tij e tipit nazifashist, çka dëshmon se ato s’kishin ndonjë kundërshtim:

“…problemi i Kosovës mund të zgjidhet lehtë: duke vrarë një milion shqiptarë dhe duke përzënë nga Kosova një milion të tjerë?” (f. 464).

Për fat të keq, politika dhe diplomacia ruse vërtetoi edhe një herë faqe botës se në qëndrimin ndaj Çështjes Kombëtare Shqiptare, ajo është shumë larg qëndrimeve parimore dhe objektivitetit shkencor, se në gjykimin e kësaj çështjeje ajo ka manifestuar dhe vazhdon të manifestojë njëanshmëri absurde, se në themel të bindjeve të saj paradoksale qëndrojnë malet me gënjeshtra, me mashtrime, me shpifje dhe me trillime mitologjike të shovinizmit serbokriminal dhe të kishës shoviniste serbe, të cilat për shovinizmin rusomadh kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë si yll karvani në strukturimin e një qëndrimi egërsisht armiqësor kundër kombit shqiptar.

Të dhënat faktike rreth politikës armiqësore të Rusisë ndaj kombit shqiptar i kam trajtuar me më shumë hollësi në një ese me titull “Rusia, kjo armike e betuar kombit shqiptar”, të botuar në internet në vitin 2009. Paskëtaj atë ese e kam pasuruar me shumë fakte të tjera, për ta botuar më vonë. Por burimin më serioz për vjeljen e fakteve të pakundërshtueshme se ç’përfaqëson politika ruse ndaj kombit shqiptar, e përbën libri me titull “Antologjia e Kryqëzimit. Rusia dhe çështja shqiptare (1878-2012)” (Prishtinë. Universiteti Iliria. 2012), në 321 faqet e të cilit, mbi bazën e dokumenteve origjinale, zbulohet lakuriq politika tradicionalisht e egër, armiqësore, e Rusisë kundër kombit shqiptar dhe sidomos kundër popullit shqiptar të Dardanisë pas shpërbërjes së Federatës Jugosllave.

Ambasadorët rusë që shkojnë e vijnë në Tiranë, do të bënin mirë të njiheshin siç duhet me traditën e rusopolitikës armiqësore ndaj kombi shqiptar, do të bënin mirë ta lexonin librin “Antologjia e Kryqëzimit. Rusia dhe çështja shqiptare (1878-2012)”, në mënyrë që gjatë ushtrimit të mandatit të tyre në vendin tonë, ta këshillonin ministrinë e jashtme ruse që të mos u jepte rekomandime për të folur për “miqësinë” Rusi-Shqipëri, se i bëjnë shqiptarët të vënë buzën në gaz me ironi. Madje ta këshillonin atë ministri, duke i theksuar se Rusia, Republikës së Shqipërisë dhe mbarë kombit shqiptar, duhet t’i kërkojë ndjesë publike për gjithë politikën e saj armiqësore që ka ndjekur gjatë më shumë se 140 vjetëve, veçanërisht këto 20 vjetët e fundit kundër Republikës së Dardanisë, politikë që ka sjellë si pasojë tragjike copëtimin e trojeve tona etnike, dikur me një sipërfaqe me mbi 100 mijë km².

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok