21/12/2024

RUGOVA OSE – NË ANËN TJETËR TË DËSHPËRIMIT*

0
Rugova-Dardania

Nga Agron Tufa

Ibrahim Rugova më vjen në përfytyrim gjithmonë si një antirup, – nëse kërkojmë një metaforë të qëndrueshme, – një antitrup vendimtar që ndaloi procesin e dekompozimit rrënues të organizmit identitar shqiptar, të shoqërisë shqiptare të Kosovës, në pikën më kritike të dëshpërimit të një populli të tërë që po zhytej në agoni. Organizmi i popujve shpesh ka përpunuar në thellësitë e veta të misterta një “vaksinë” të tillë mbijetese, për ta ndaluar në një pikë kritike gangrenizimin e përgjithshëm e fatal të shoqërisë, pas së cilës fillon kthesa e madhe e shërimit, përtëritjes dhe ngritjes në këmbë.

*   *   *

Ibrahim Rugova zotëroi patrazueshëm një dhunti të kthjellët parashikuese, ndonëse në çaste apokaliptike, kur gjithkujt i rrëshqiste toka nën këmbë, – një dhunti të pabesueshme, të ngjashme me vegimet profetike të plqeve të Testamentit të Vjetër. Në një In memoriam që pata shkruar ditën e vdekjes së tij, pata përdorur metaforën e profetit Moisi që e nxorri popullin e vet nga skllavëria e Faraonit dhe i priu përmes shkretëtirës për në tokën e premtuar. Kanë kaluar vite dhe kjo analogji nuk me duket aspak e tepëruar: liria e popullit të Kosovës, sado propagandë spekulative të bëhet, nuk i reziston dot të vërtetës: ishte shtegu i Rugovës që e nxorri popullin e Kosovës nga zgjedha dhe shfarosja serbe, ishte qëndrimi i tij i duruar, gjakftohtë, i përmbajtur, me organizimin e shtetit paralel, me refuzimin total të pushtetit të pushtuesit, me fjalën e tij në kancelaritë euroamerikane që me durimin e pikës që gërryen gurin, zgjoi ndërgjegjen e Perëndimit dhe solli ndërhyrjen e politikës dhe formacioneve luftarake shqiptare dhe përfundimisht – ndërhyrjen  ndërkombëtare të NATO-s në çlirimin përfundimtar të Kosovës.

*   *   *

Kur Raymond Aaron pohon se “historia krijohet nga individë” , ai nuk ka parasysh me këtë banalizimin e “kultit të individit” në shoqëritë totalitare staliniste, por thelbin e marrëdhënies intensive me tjetrin, nga del në pah një subjekt i caktuar i privilegjuar, një lloj “uni” transcendental. Dhe ky “unë” transcedental ishte Rugova. Ai e njihte mirë mendimin filozofik perëndimor, veçanërisht atë francez, andaj vepra e Aronit “Demokracia dhe Totalitarizmi” e ka shtyrë natyrshëm që herët (që nga zgjimi i vetëdijes nacionale të protestave me 1968) tek dilema alarmuese ekzistenciale, se çfarë do të zgjedhë: demokracinë apo totalitarizmin? Nuk bëhet fjalë për zgjedhje të rrafshit individual, por për konfrontim të hapur e refuzues gjithëpopullor me totalitarizmin e shumëfishtë ideologjik e nacional serb – e gjitha nën kushtet e një horizonti të mbyllur, një rrethi vicioz të terrorit nacional, ku liritë likuidohen me shpejtësi dhe mprihet thikat për kasaphanën ballkanike. Si t’ia bëje me përballimin e dëshpërimit? Ka një dialog të Jupiterit me Orestin në dramën “Mizat” të Jean-Paul Sartre:

“Jupiteri: – Çfarë duhet të bëjmë me dëshpërimin?

Oresti: – Sido që të jetë: ata janë të lirë, jeta e vërtetë njerëzore fillon në anën tjetër të dëshpërimit”.

*   *   *

Rugova vazhdon të përmbahet, të zotërojë qartësinë njëlloj, si në ditën e themelimit të LDK më 23.12.1989, si ndaj presioneve (kujtohet thënia “Kryet mund t’ma ndërroni, mendjen s’ma ndërroni!”) , si gjatë luftës dhe bombardimeve: ai mbetet si ai adresati epiko-lirik i Kiplingut:

If you can keep your head when all about you

are losing theirs and blaming it on you

if you can trust yourself when all men doubt you

but make allowance for their doubting too;**

por, s’kemi të bëjmë këtu aspak me një pozicion idealist. Rugova i ka bërë llogaritë tejt të esëllta e realiste dhe ka përsiatur shumë kohë rreth tyre. Dhe kur intervistuesit e provokojnë këtë qetësi e qartësi botëvështrimi, ai u përgjigjet: “…në Ballkan, të gjithë jemi të vegjël. Edhe serbët. Janë gjashtë a shtatë milionë shqiptarët, gjashtë a shtatë milionë serbë, nëntë milionë bullgarë, dhjetë milionë grekë. Do kuptuar se të gjithë ne jemi të vegjël, duhet të bashkëpunojmë, të jemi miq nesër, të integrohemi, secili aty ku është. Kjo nuk është tragjedi” . Kur përgjigjet me kaq qartësi, vazhdon të pijë shumë duhan, të bëjë sipas rastit, humor të zi kur flet për ndëshkimet serbe. Rrëfen sesi “dënimet serbe përfshijnë edhe pemët, të cilat priten në rast se trupi i tyre formon një “V” të fitores”… Dhe padyshim, thotë disa të vërteta paradoksale, si:  “Ata e kanë pushtetin, ne autoritetin”; “populli pa dyshim më i shtypur i ish Jugosllavisë krijoi njeriun më të lirë” ; “rrallë në historinë tonë kemi qenë kështu të bashkuar”; “në sajë të organizimit tonë, ia kemi dalë që terrorin ta “banalizojmë” ngapak”; “Në dimër të madh macja e miu flenë bashkë”!

*   *   *

Enveristët shqiptarë nuk ia falin Rugovës as edhe pas vdekjes dhe hedhin baltë mbi të në gjoja ditarët e tyre qesharakë e të stisur . Kësi literature të ulët, shpifëse e përlyese mund ta ndeshësh në rrjete sociale apo libra të sponsorizuar, sidomos në mërgatë e diasporë.

Si duket këtë kategori të pandryshueshme komunistësh fanatikë ka parasysh edhe françeskani i madh i mbramë, At Zef Pllumi, kur shprehu vlerësimin e tij ditën kur Ibrahim Rugova u largua për në përjetësi:

“Ibrahim Rugova u sha e u luftue nga serbët, u sha e u luftue nga shqiptarët, u sha e u luftue edhe nga kosovarët e vet, por ai kishte si drejtim vetëm vizionin europjan. Kje trim e nuk çau kryet për kurrnji kritikë e të shame, sepse ai ishte ma i dituni e ma i urti i të tanve…”.

———

* Fragmente të një eseje të gjatë në dorëshkrim mbi Ibrahim Rugovën. (Fragmentet hidhen me rastin e 80 vjetorit të Rugovës).

** Në munç të mbash në kokë terezinë

Kur shokët çmenden dhe fajtor të nxijnë;

Në munç të kesh besim, kur të dyshon

Kushdo, dhe s’ka njeri që të beson;

(sipas përkthimit të F.S. Nolit)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok